Vëllimi poetik i bashkautorëve Bajram Muharremi-Bistrica e Mariana Grigore, “Flatrat e fjalëve” – një udhëtim përmes dashurisë, atdheut dhe poezisë

0
Bajram Muharremi - Flatrat e fjalëve

Zymer Mehani

Vëllimi poetik “Flatrat e fjalëve”, i bashkëautorëve Bajram Muharremi-Bistrica dhe Mariana Grigore, shfaqet si një urë shpirtërore midis dy botëve, njëra me rrënjë në trojet shqiptare dhe tjetra në brigjet e Rumanisë. Ky libër nuk është thjesht një përmbledhje poezish, por një rrëfim i ndjenjave më të thella: dashurisë për atdheun, për familjen dhe për fjalën poetike.

Bajram Muharremi, zëri i një mërgimtari që i këndon Dardanisë, e mbart lexuesin në një univers ku mallkimi i largësisë dhe zjarrmia e kujtimeve formojnë vargje që digjen si prush.

Poezitë si “Malli për atdhe”, “Dardaninë e mbaj në zemër” dhe “Dardania më zgjoi nga gjumi” evokojnë një dashuri të pashuar për tokën amtare. Në këtë cikël spikat edhe poezia “Ofshamë” (dedikuar shqiptarëve të shpërngulur në Turqi), e cila sjell dramën e mërgimit të shqiptarëve dhe nostalgjinë për një atdhe të humbur.

Teksa lexojmë:

Këtu, larg truallit tim krenar,
Jetoj gjithnjë me lot në sy,
Fati e deshi t’jem mërgimtar,
Me shumë ëndrra në shpirt ndry.

(Poezia DARDANINË E MBAJ NË ZEMËR)

ndiejmë peshën e mallit që ka fuqinë të shndërrohet në art. Poezia e tij është një përplasje e fortë midis dhembjes dhe shpresës, ku motivi i atdheut, fëmijërisë dhe kujtimeve ndërtojnë një univers emocional të fuqishëm. Në këto vargje, koha nuk është thjesht një kalim, por një dimension që shndërrohet dhe mbetet si kujtesë e gjallë.

Muharremi u kushton poezi figurave të rëndësishme të historisë shqiptare të Kosovës, si DËSHMORËVE TË KOMBIT, Vëllezërve Haradinaj (Jehojnë bjeshkët e Dukagjinit). KËTU VARGJET shndërrohen në një homazh të mirëfilltë poetik për ata që sakrifikuan jetën për liri, duke theksuar motivin e pavdekësisë dhe lavdisë.

Në poezi si “Sa më ka marrë malli!” dhe “Amaneti i nënës”, ai flet për dhimbjen e humbjes së prindërve dhe përpjekjen për të mbajtur gjallë kujtimin e tyre. Poezia “Çdo ditë flas me ty” shpreh një ndjenjë të thellë të pikëllimit për vajzën e tij, Bjeshkën, ndërsa “Loti i mallit më djeg në zemër” është një kujtim prekës për mikun e tij të ndjerë, Bexhet Aliti.

Poezitë “Dhuratë e Zotite”, “Je si dielli rrezeartë”, “Lulja më e bukur” e ndonjë tjetër janë mesazhe plot dashuri për fëmijët dhe mbesat e tij. Përmes vargjeve, autori shpreh mallin dhe lumturinë që gjen në familje, duke theksuar vlerën e marrëdhënieve njerëzore.

Nga ana tjetër, bashkautorja Mariana Grigore sjell në libër një botë të ndërthurur me motive universale. Ajo i bashkëngjitet rrëfimit poetik të Muharremit, duke krijuar një dialog ndërkulturor që kapërcen kufijtë. Poezitë e tyre, ndonëse lindur nga rrënjë të ndryshme, bashkohen në një gjuhë të përbashkët: atë të dashurisë për fjalën dhe jetën.

Dashuria si frymë e përjetshme

Në vargjet e këtij vëllimi, dashuria shfaqet si forca që triumfon mbi kohën dhe largësinë. Bajram Muharremi e vendos dashurinë si shpëtimtare nga kalimi i pashmangshëm i viteve, me ç’rast do të shprehet:

“Vetëm dashuria është ajo që e shpëton individin nga një ‘perëndim dielli’…”

Kjo ndjesi është e pranishme jo vetëm në raport me atdheun, por edhe me familjen dhe njerëzit e zemrës. Poezitë për fëmijët, për stinët dhe për miqtë, janë dëshmi e një shpirti që jeton përmes kujtimeve dhe përkushtimit.

Atdheu në zemër dhe në varg

Në këtë vëllim, atdheu nuk është thjesht një vend gjeografik, por një simbol i përjetshëm që ndriçon përmes vargjeve. Poezia për Dardaninë është një himn për tokën e shenjtë të kujtesës, një dëshmi se vendlindja është gjithmonë e pranishme, edhe kur trupi është larg saj:

Dardaninë, ku rininë e kalova,
Dua ta prek, por më rrëshqet si erë!

(Poezia DARDANINË E MBAJ NË ZEMËR)

Kjo lidhje e thellë me vendin e origjinës është një thirrje për të mos harruar rrënjët, por për të kujtuar të rënët dhe për të nderuar historinë.

Një poezi e shpresës dhe qëndresës

Në këtë libër, nuk gjejmë pesimizëm të errët apo dëshpërim të zbrazët. Përkundrazi, gjejmë një qëndresë të patundur plot optimizëm dhe një besim të fortë në vlerat e lirisë, të guximit dhe të së ardhmes:

Unë i fortë si shkëmb qëndroj i patundur,
Nuk luaj dot nga vendi, asnjëherë i mundur.

(Poezia STUHIA)

Muharremi e përdor poezinë si një qëndresë ndaj kohës dhe vështirësive, duke krijuar një lidhje midis shpirtit individual dhe përjetimeve kolektive të një kombi.

Fjala si fluturim dhe përjetësi

Titulli “Flatrat e fjalëve” nuk është i rastësishëm. Ai simbolizon fuqinë e vargut për të kapërcyer kufijtë e kohës dhe hapësirës. Bajram Muharremi-Bistrica dhe Mariana
Grigore arrijnë ta kthejnë poezinë në një udhëtim shpirtëror, ku fjalët bëhen krahë për të mbartur kujtimet, ëndrrat dhe përmallimin. Në këtë udhëtim, lexuesi ndjen frymën e një dashurie të sinqertë, të një shpirti që ka gjetur në varg një strehë dhe një altar.

Kjo vepër është më shumë se një përmbledhje poezish. Ajo është një testament shpirtëror, një dëshmi se fjala, kur ngarkohet me ndjeshmëri dhe dritë, bëhet e pavdekshme. Përmes këtij libri, Bajram Muharremi-Bistrica dhe Mariana Grigore na mësojnë se dashuria për atdheun, për njerëzit dhe për jetën është një poezi që vazhdon të kumbojë përtej çdo kufiri.

Dhe kështu, ndërsa mbyllim këtë libër, mbetet në shpirt një zë që pëshpërit:
“Poezia nuk është thjesht varg, por është jetë e thurur me flatrat e fjalëve.”
P.s.Libri është dygjuhësh: shqip dhe rumanisht, i botuar në Bukuresht, 2021.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.