Ruel Domi
Kapitalizëm ka (dhe duhet të ketë), por treg të lirë jo. Treg të lirë ka pasur në kohën kur njerëzit ishin skllevër dhe kur kompanitë private mund të derdhnin feçet dhe naftën në det. Sipas liberal-libertarianëve, nëse nuk të pëlqen deti me feçe dhe naftë, mos u la. Fundja fare, kërkesë-ofertë është. Kjo është, kuptohet, idiotesi.
Kuptohet gjithashtu që njerëzimi evoluoi. Udhëheqësit dhe politikëbërësit kuptuan se çlirimi i kapitalit ishte mënyra më e mirë për nxjerrjen e njerëzve nga varfëria, por se në procesin e çlirimit të kapitalit kishte edhe padrejtësi, ato që ekonomistët i quajnë “Eksternalitetet Negative të Prodhimit”. Këto padrejtësi, si keqpagimi e keqtrajtimi i punëtorëve, mosnjohja dhe mospagesa e ditëve të pushimit, ndotja e mjedisit, produktet e dëmshme, ishin fatkeqësi për ata që i vuanin (të punësuarit e konsumatorët), por edhe për vetë shoqërinë dhe kompanitë.
Andaj të thuash që tregu duhet lënë i lirë është të jesh pro atyre padrejtësive dhe të kërkosh që njëra anë e medaljes, kapitali, të ketë kontroll total mbi punën. Edhe pse kapitali e vë punën në përdorim, çdo shtet i përparuar e perëndimor e vë kapitalin me punën në baraspeshë, duke mos favorizuar as njërën e as tjetrën.
Në kontekstin shqiptar, tregu i lirë do të thotë të lejosh shitjen e fishekzjarreve dhe kapsollave. Punë e madhe se fëmijët humbasin gishtat duke i hedhur dhe se veshët e njerëzve nuk gjejnë dot qetësi; kërkesë-ofertë është ai muhabet. Do të thotë të besosh se grave të fasonit nuk u duhet paguar leja e lindjes dhe, nëse kjo nuk u pëlqen grave të fasonit, gratë e fasonit duhet të gjejnë punë tjetër. Kërkesë-ofertë është ai muhabet.
Do të thotë të lejosh shitjen e drogës dhe të trupit, se kërkesë-ofertë është ai muhabet. Do të thotë të lejosh derdhjen e ujërave të zeza nga hotelet e Golemit në det. Fundja fare, nëse s’të pëlqen deti e lumi me ujëra të zeza, mos u la. Kërkesë-ofertë edhe ky muhabet. Do të thotë të lejosh atë magazinën në Shkozet me mallra të skaduara të shesë në treg, se nëse s’të pëlqejnë makaronat e skaduara, ke “lirinë” të mos i blesh.
Asnjë konservator nuk duhet ta mbështesë imoralitetin e mungesës së shtetit. Ky i fundit është imoralitet po aq i madh sa marksizmi. Nëse pranon se ka shtet që takson, rregullon dhe garanton të drejta, nuk ka sesi të ketë treg të lirë.
Kapitalizëm patjetër, treg të lirë jo.











