TRAKTET E LËVIZJES ILEGALE DHE REZISTENCËS SHQIPTARE ( 36 )

0
Traktet në Kosovë

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha 

Pasuritë e Kosovës dhe politika kolonialiste jugosllave

Në një vështrim të kujdesshëm, ajo që e bënte gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale të Kosovës edhe më dramatike, ishte fakti se kjo varfëri nuk buronte nga mungesa e potencialeve natyrore, as nga ndonjë paaftësi e brendshme zhvillimore, dhe as nga mungesa e një popullsie punëtore të përgatitur e punëtore. Përkundrazi, ajo ishte rezultat i drejtpërdrejtë i një trajtimi sistematik kolonialist, i një strategjie të përjashtimit dhe të shfrytëzimit të mirëmenduar nga qendra politike e Jugosllavisë, e sidomos nga Serbia. Kosova nuk ishte dhe nuk ka qenë kurrë një hapësirë e varfër.

Ajo ishte ndër trevat më të pasura në të gjithë federatën jugosllave, e bekuar me burime të shumta natyrore dhe potencial të jashtëzakonshëm energjetik, industrial dhe bujqësor. Me 64% të rezervave të thëngjill-linjitit, 67% të mineraleve të plumbit dhe zinkut, 24% të hekur-nikelit dhe 93% të argjendit të gjithë Jugosllavisë, Kosova nuk përfaqësonte një rajon të nevojshëm për ndihmë, por një burim jetik energjie dhe pasurie për të gjithë federatën.

Në vend që këto pasuri të ktheheshin në mirëqenie për banorët e saj, ato u kthyen në mallra që u grabitën sistematikisht nga republikat e tjera, me theks të veçantë nga Serbia. Një pjesë dërrmuese e energjisë elektrike e prodhuar në termocentralet e Kosovës nuk qëndronte në vend, por eksportohej për të mbuluar nevojat e industrializimit të pjesëve të tjera të federatës, ndërkohë që shumë qytete e fshatra të Kosovës mbeteshin në errësirë – simbolikisht dhe fjalë për fjalë.

Në këtë mënyrë, pasuria natyrore e Kosovës nuk shërbente për zhvillimin e saj, por për forcimin e qendrave të pushtetit që, nga njëra anë, merrnin gjithçka që Kosova kishte për të dhënë, dhe nga ana tjetër i mohonin asaj të drejtën për të jetuar dinjitetshëm. Ky ishte thelbi i një politike kolonialiste moderne – e cila, ndryshe nga format klasike të kolonializmit që vinin nga jashtë, ushqehej nga brenda federatës, në formën e pabarazisë së institucionalizuar dhe të ligjeve që më shumë ngjanin me “ligjet e xhunglës” sesa me një sistem të drejtë e solidar socialist.

Ky ishte edhe çasti kur kuptohet pse, sa herë që populli i Kosovës ngrinte zërin për të drejtat e tij elementare – qoftë për punë, për shkollim në gjuhën e vet, për përfaqësim të barabartë, apo për një jetë dinjitoze – makineria represive e shtetit jugosllav aktivizohej me dhunë të egër, sikur të ishte goditur në thelbin e interesave të saj. Sepse, në të vërtetë, zëri i popullit nuk ishte thjesht një kërkesë politike; ai sfidonte një sistem të tërë që ndërtonte mirëqenien e njërës pjesë të federatës mbi varfërinë e pjesës tjetër.

Kjo është arsyeja pse, në vend të dialogut dhe reformës, pushteti shovinist reagonte me brutalitet, me tank dhe me burg. Sepse çdo kërkesë legjitime e shqiptarëve të Kosovës ishte një akt që rrezikonte të shembëte fasadën e gënjeshtërt të barazisë jugosllave, dhe që ekspozonte logjikën e një shteti që e trajtonte Kosovën jo si pjesë të barabartë të federatës, por si provincë të nënshtresës dhe shfrytëzimit të vazhdueshëm.

Prandaj, çdo përpjekje për ta paraqitur Kosovën si “barrë” për Jugosllavinë ishte një manipulim i rëndomtë, i cili binte në kundërshtim me të dhënat më elementare ekonomike. E vërteta ishte se Kosova mbante mbi supe një pjesë të madhe të zhvillimit industrial të federatës, por vetë mbetej e zhytur në papunësi, varfëri dhe mjerim. Dhe ky kontrast tragjik ishte pikërisht ajo që lindi revoltën, i dha zë qëndresës dhe ushqeu idealin për çlirim.

Shkombëtarizimi i shqiptarëve nën regjimin titist

Dhuna brutale që po ushtrohej mbi popullin shqiptar në Kosovë nga strukturat ushtarake dhe policore serbe, në bashkëpunim të turpshëm me bashkëpunëtorë shqiptarë të rekrutuar si mercenarë, nuk ishte një devijim i rastësishëm i një sistemi ndryshe të ndershëm. Përkundrazi, këto krime të shëmtuara që shfaqeshin me gjithë egërsinë e tyre, ishinë pjesë e pandarë e një projekti politik të vjetër, të ndërtuar me përllogaritje, të ushqyer me urrejtje dhe të zbatuar me qëllim të qartë. Të zhdukte çdo gjurmë të qenies shqiptare nga trojet e veta historike.

Këto veprime mizore nuk ishin as befasuese, as të papritura për këdo që ndiqte zhvillimin politik të federatës jugosllave. Ato ishin rrjedhoja të drejtpërdrejta dhe logjike e një politike antishqiptare të pandërprerë, që kishte gjetur shprehjen e saj në forma të ndryshme për rreth katër dekada me radhë – nga përjashtimi sistematik nga institucionet e vendimmarrjes, deri te dhuna e organizuar dhe spastrimi kulturor. Regjimi titist, në thelbin e tij, nuk ka qenë kurrë neutral ndaj shqiptarëve, ai ka pasur një qëllim strategjik të qartë – shkombëtarizimin e tyre dhe sllavizimin e trojeve ku ata jetonin prej shekujsh.

Për ta realizuar këtë projekt, pushteti shovinist jugosllav ka përdorur një arsenal të gjerë mjetesh: nga represioni policor, ndalimi i shkollimit në gjuhën amtare dhe cenzura kulturore, te arrestimet masive, dëbimet, dhe dhuna fizike kolektive. Shpesh, për të rritur efektivitetin e shtypjes dhe për të maskuar natyrën e saj shoviniste, regjimi ka rekrutuar elementë të dobët nga vetë radhët e popullit shqiptar – individë që, për interesa personale apo nga frika, janë shndërruar në instrumente të politikave antikombëtare.

Krimet që kryheshin mbi një popull të paarmatosur, që kërkonte vetëm të drejtën për të jetuar i lirë në tokën e vet, nuk ishin vetëm shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Ato ishin shprehje e një vizioni ideologjik të kalbur, që kërkonte ta zëvendësojë realitetin etnik me konstrukte të imponuara me dhunë. Politika e “bashkëjetesës vëllazërore”, që trumbetohej nga regjimi titist, nuk ka qenë asgjë më shumë se një mbulesë e hollë e një strategjie shfarosëse të identitetit shqiptar.

Prandaj, është e domosdoshme të kuptohet se kjo dhunë nuk ishte produkt i ndonjë momenti krizash kalimtare, por pjesë e strukturës ideologjike dhe politike të vetë regjimit titist dhe pasardhësve të tij nacionalistë. Sa herë që shqiptarët kanë kërkuar të drejtat e tyre, sistemi ka reaguar jo me dialog, por me dhunë. Dhe kjo tregon se nuk ka pasur asnjëherë qëllim bashkëjetese të vërtetë – por vetëm nënshtrim të plotë.

Krimet e ditëve tona ishin, pra, pasqyrim i një historie të gjatë dhune dhe mohimi, e cila nuk mund të shërohet me heshtje apo me harresë. Ajo kërkon emërim të saktë, njohje të plotë dhe kundërshtim të organizuar. Sepse vetëm përmes ballafaqimit me të vërtetën e plotë historike, mund të ndërtohet një e ardhme që nuk përsërit më të njëjtat padrejtësi.

Mitologjia politike dhe realiteti i shtypjes

Politikat e dhunës dhe të përjashtimit që populli shqiptar ka përjetuar në Kosovë nuk janë produkt i rastësisë, dhe as rrjedhojë e zhvillimeve të vonshme historike. Ato janë pjesë e një strategjie të gjatë dhe të qëndrueshme shoviniste, e cila ka gjetur zbatim nga regjimet monarkike serbe, dhe më vonë ka marrë dimensione shumë më të gjera dhe më të sofistikuara nën titizmin jugosllav – që nga periudha e Luftës së Dytë Botërore e deri në dekadat e pasluftës.

Thelbi i kësaj politike nuk ka qenë vetëm kontrolli politik, por shkombëtarizimi sistematik i shqiptarëve dhe sllavizimi i Kosovës, përmes manipulimeve historike dhe shtrirjes së një mitologjie të fabrikuar, që synonte të krijonte një narrativë të rreme për identitetin dhe të kaluarën e kësaj treve. Klithmat e propagandës nacionaliste jugosllave për “Majka Serbinë”, që supozohet ta ketë qendrën në Kosovë, nuk janë asgjë tjetër veçse instrumentalizim politik i një mitologjie mesjetare – një mit i ngritur mbi një narrativë të përzgjedhur të historisë, i përqendruar në praninë e disa kishave dhe manastireve ortodokse serbe në rajon.

Ky lloj pretendimi nuk ka asnjë bazë reale shkencore, dhe kjo tashmë është sqaruar nga historiografia serioze, jo vetëm shqiptare, por edhe ajo ndërkombëtare dhe progresive. Por pavarësisht kësaj, shovinistët jugosllavë i përdorin këto fabula të sajuara si mjete për t’u hedhur hi syve qytetarëve jugosllavë, të cilët përmes kësaj propagande pompojnë ndjenjat e tyre nacionaliste dhe kultivojnë urrejtjen ndaj shqiptarëve. Në të njëjtën kohë, këto narrativa kanë për qëllim të mashtrojnë opinionin ndërkombëtar, duke e paraqitur luftën e drejtë të shqiptarëve si një akt armiqësor ndaj popujve të tjerë të Jugosllavisë.

Por realiteti është krejt tjetër. Lufta e popullit shqiptar nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë e drejtuar kundër popujve jugosllavë, as kundër klasës punëtore sllave apo njerëzve të thjeshtë. Ajo është dhe ka qenë luftë kundër një regjimi të padrejtë, represiv, fashist në thelb, që mban peng jo vetëm shqiptarët, por të gjithë popujt e Jugosllavisë. Është një luftë për çlirim, për drejtësi dhe për barazi – jo për hakmarrje apo dominim. Populli shqiptar ka luftuar gjithmonë për të çliruar veten, jo për të pushtuar të tjerët.

Andaj, në këtë përpjekje për liri të vërtetë, shqiptarët nuk kërkojnë as mëshirë, as privilegj, por vetëm të drejtën për të jetuar si të barabartë në trojet e veta. Në këtë rrugë, nuk mungon thirrja për solidaritet me popujt e tjerë të federatës, të cilët, edhe ata, ndodhen të nënshtruar nën makinerinë e një regjimi që nuk kursen asnjë mjet për të ruajtur pushtetin e tij. Fati i shqiptarëve dhe i popujve të tjerë të Jugosllavisë është i ndërthurur, dhe e vetmja rrugëdalje nga ky rreth vicioz është bashkimi i të gjithëve në luftën e përbashkët kundër diktaturës titiste dhe për një revolucion të vërtetë shoqëror e kombëtar.

Sepse vetëm kështu, nëpërmjet bashkimit të shtypurve dhe përmbysjes së mitologjive që ushqejnë urrejtjen, mund të ndërtohet një shoqëri ku e vërteta nuk shtypet, ku historia nuk përdridhet dhe ku çdo popull ka të drejtën të jetojë i lirë, me dinjitet dhe në paqe.

Fillimi i represionit antishqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore

Në retrospektivën historike të shtypjes së popullit shqiptar në Jugosllavi, periudha e Luftës së Dytë Botërore përbën një pikë kthese dramatike, jo vetëm për shkak të përplasjeve globale, por sepse pikërisht në atë kohë filloi të ndërtohet një politikë e sofistikuar antishqiptare, që në thelb shfaqej me dy fytyra: njëra – ajo publike, e zbukuruar me fjalë për “vëllazërim”, “bashkëjetesë” dhe “front të përbashkët antifashist”; dhe tjetra – ajo e vërteta, e errët, që vepronte në prapaskenë me të gjitha mjetet e dhunës së organizuar shtetërore.

Që në këtë fazë të hershme, regjimi titist filloi të hartonte dhe të zbatonte skenarin e represionit sistematik ndaj shqiptarëve, duke përdorur pretekstin e luftës antifashiste për të kryer masakra të tmerrshme ndaj një populli të tërë, të cilit, në vend të lirisë së premtuar, iu ofrua gjak, humbje dhe skllavërim. Masakra e Drenicës e vitit 1944, ku divizionet jugosllave rrethuan zonën e çliruar të Drenicës dhe vranë mbi 30 mijë civilë shqiptarë – burra, gra dhe fëmijë – është vetëm një nga shembujt më të tmerrshëm të kësaj politike të dyfishtë. Kjo masakër, e mbuluar nga retorika “çlirimtare”, është sot një plagë e pashëruar në kujtesën kolektive shqiptare.

Kjo politikë gjenocidale nuk u ndal me Drenicën. Ajo vazhdoi me zhdukjen sistematike të qindra mijëra shqiptarëve në Mitrovicë, Gjilan, Shkup, Tetovë, Preshevë dhe Ulqin, ku regjimi titist përdori forma brutale, që nga vrasjet masive e deri te kampet e përqendrimit, të ngritura për të shuar zërin shqiptar nën petkun e “disiplinës revolucionare”.

Në Goricën e Trieshtës, përdorimi i gazit helmues për të mbytur mbi 2,000 të rinj shqiptarë nga Maqedonia përbën një nga aktet më çnjerëzore të kësaj periudhe. Po ashtu, masakrat e Ulqinit dhe Tivarit, ku u zhdukën njësi të tëra partizanësh shqiptarë, janë dëshmi se as kontributi në luftën antifashiste nuk i shpëtoi shqiptarët nga shpata e seleksionimit shovinist.

Përgjegjësia për këto krime nuk qëndron vetëm në strukturat e UDB-së apo në veprimet ushtarake të divizioneve jugosllave. Në qendër të gjithë kësaj makinerie shtypëse qëndronte ideologjia e titizmit, e cila, përkundër parullave të barazisë, kishte për qëllim shkombëtarizimin e shqiptarëve dhe spastrimin e territorit nga çdo gjurmë të identitetit të tyre. Në këtë proces, fatkeqësisht, një pjesë e vogël e bashkëpunëtorëve shqiptarë luajti një rol të zymtë, duke i dhënë fytyrë lokale një projekti antikombëtar me përmasa të mëdha.

Ngjarjet e vitit 1956, të njohura si “aksioni i armëve”, janë një tjetër kapitull i errët i këtij represioni. Gjatë kësaj fushate të gjerë të ndëshkimeve dhe arrestimeve, dhjetëra mijëra shqiptarë u vranë, u torturuan, u burgosën dhe u poshtëruan, ndërkohë që shumë familje shqiptare mbetën përjetësisht me plagë të hapura. Terrori i organizuar nga UDB-ja e Rankoviçit, e ushtruar në mënyrë brutale për dekada me radhë, bëhet simbol i shtypjes institucionale që nuk ndalej me ndërrimin e regjimeve apo me retorikën e reformave.

Në vitet që pasuan, sidomos pas viteve ’70, valët e arrestimeve dhe burgosjeve masive nuk reshtën. Revizionistët titistë, tashmë me përvojë në inxhinierinë e kontrollit shoqëror, dhe me ndihmën e individëve shqiptarë të indoktrinuar ose të shitur, ushtruan një regjim të frikës që i kapërceu kufijtë e politikës, për të depërtuar në jetën e përditshme të çdo shqiptari.

Këto ngjarje, përmasat e tyre dhe plagët që lanë pas, nuk janë episode të harruara të së kaluarës. Ato përbëjnë bazën e ndërgjegjësimit politik dhe historik të një populli, që më në fund kuptoi se liria nuk dhurohet, por fitohet përmes qëndrese dhe sakrifice, dhe se armiku më i rrezikshëm nuk është vetëm ai që vjen nga jashtë, por edhe ai që vret nga brenda – në emër të “vëllazërisë” e “bashkëjetesës”.

( vijon )

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.