TRAKTET E LËVIZJES ILEGALE DHE REZISTENCËS SHQIPTARE ( 24 )

0
Traktet në Kosovë

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Demonstratat studentore të vitit 1981

Në rrethana të rënda sociale e politike, kur zëri i studentëve shqiptarë të Kosovës vazhdimisht anashkalohej nga autoritetet pushtuese dhe nga strukturat vendore të bashkëpunimit, heshtja nuk ishte më e pranueshme. Studentët e Universitetit të Kosovës, të përballur me kushte të rënda të jetesës, mungesë të infrastrukturës arsimore dhe përjashtim sistematik nga barazia akademike dhe qytetare, nuk kishin më hapësirë për pritje – ata patën vetëm zgjedhjen për të reaguar.

E kështu, me ndërgjegje të qartë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj vetes dhe shoqërisë, ata zgjodhën rrugën e demonstratave, jo si akt i vetëm individual apo studentor, por si manifestim i një vetëdijeje më të thellë politike dhe kombëtare. Në dukje të parë, kërkesat e tyre dukeshin të ndërlidhura me problemet konkrete të studentëve – përmirësimi i kushteve të studimit, i ushqimit, i strehimit dhe i dinjitetit akademik – por në thelb, këto kërkesa përfaqësonin shumë më tepër: ato ishin simboli i një padrejtësie më të gjerë, të përjetuar nga i gjithë populli shqiptar në Kosovë.

Demonstratat e pranverës së vitit 1981, prandaj, nuk ishin një reagim i izoluar, as i nxitur vetëm nga kriza studentore. Ato përmbanin një ngarkesë të thellë politike, të artikuluar me qartësi dhe vendosmëri nga një brez që kishte filluar ta shihte veten jo vetëm si pjesë e një universiteti të përbuzur, por si zë i një populli të tërë që kërkonte dinjitet, barazi dhe liri. Në këtë mënyrë, kërkesat e studentëve u shndërruan në kërkesa të shoqërisë së gjerë, dhe demonstratat e tyre u kthyen në akt përfaqësimi të një aspirate kombëtare, të shumëfishuar në të gjitha shtresat e shoqërisë kosovare.

Përkrahja që u dhanë masat e gjera popullore nuk ishte e rastësishme, ajo dëshmonte se populli shqiptar në Kosovë e kishte njohur veten në kërkesat e studentëve, e kishte parë në ta jo thjesht të rinj të pakënaqur, por bijtë e vet që po artikulonin me guxim një të vërtetë të përbashkët – se nën maskën e “vëllazërim-bashkimit” fshihej një realitet i padrejtë, diskriminues dhe shtypës, i cili nuk mund të përmirësohej me heshtje apo pritje pasive.

Kësisoj, demonstratat studentore u shndërruan në pikë kthese për historinë e ndërgjegjësimit politik shqiptar në Kosovë. Ato e shembën narrativën e rreme të harmonisë së rrejshme federative dhe e ekspozuan qartë pabarazinë strukturore që përjetonte një popull i tërë. Duke kaluar përtej mureve të konvikteve dhe auditorëve, zëri i studentëve u bë zëri i popullit – i ndjeshëm, i drejtë dhe i pathyeshëm.

Në këtë mënyrë, lufta e studentëve për të drejtat e tyre të drejtpërdrejta nuk ishte një luftë egoiste, por një luftë për dinjitetin kolektiv, e cila preku ndërgjegjen e të gjithë shqiptarëve dhe i dha jetë një lëvizjeje të gjerë për çlirim politik dhe kombëtar. Prandaj, ajo mbetet një nga faqet më të ndritura të përpjekjes për barazi, ku rinia mori mbi vete barrën e historisë dhe nuk u tërhoq përballë asnjë sakrifice.

Parullat si pasqyrë e ndërgjegjes revolucionare

Në rrjedhën e demonstratave të vitit 1981, jehona e thirrjeve të rinisë shqiptare nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës nuk ishte thjesht zhurmë proteste, por një manifestim i gjallë i vetëdijes politike dhe shpirtit revolucionar të një brezi që refuzonte të heshtte. Në këto parulla dhe thirrje, të artikuluara me guxim e vendosmëri nga dhjetëra mijëra demonstrues të rinj, shpalosej e gjithë arkitektura ideologjike, shoqërore dhe kombëtare e revoltës popullore. Çdo fjali e thënë me zë të lartë, nga “Poshtë revizionizmi!”, e deri te “Duam republikë!” e “Jemi shqiptarë dhe jo jugosllavë!”, ishte shumë më tepër sesa një deklaratë emocionale – ajo ishte artikulim i saktë i një mendimi të pjekur politik, një akuzë e drejtpërdrejtë kundër sistemit shtypës dhe një kërkesë e paanshme për të drejtat themelore që i mohoheshin një populli të tërë. Thirrjet nuk flisnin vetëm për hallet e përditshme, por për identitetin e mohuar, për dinjietin e shkelur, për drejtësinë e vonuar.

Thirrje si “Trepça është e jona!” dhe “Kosova e kosovarëve!” shprehnin qartë refuzimin ndaj kolonializmit ekonomik dhe dominimit politik, duke afirmuar të drejtën e popullit shqiptar për të qenë zot në vendin e vet dhe mbi pasuritë e veta. Ndërkaq, parullat si “Tokat shqiptare në Jugosllavi duhet të bashkohen në një njësi të vetme!” dhe “Duam republikë!” theksonin projektin e qartë për bashkimin kombëtar dhe njohjen e subjektivitetit politik të shqiptarëve si popull konstituiv, e jo si pakicë e nënshtruar në margjinat e federatës.

Po aq domethënëse ishin thirrjet për lirimin e të burgosurve politikë, të cilat shfaqnin solidaritetin e rinisë me bijtë dhe bijat që për idealet kombëtare e shoqërore kishin përfunduar në burgjet famëkeqe jugosllave. “Të lirohen shokët tanë!”, “Të burgosurit kosovarë të kthehen në Kosovë!” nuk ishin vetëm thirrje për drejtësi individuale, por kërkesa për një kthesë historike – një thirrje për rivendosjen e dinjitetit përmes drejtësisë.

Ato parulla që përmendnin klasën punëtore dhe marksizëm-leninizmin shprehën orientimin ideologjik të kësaj lëvizjeje, që e shihte veten të lidhur me traditën revolucionare ndërkombëtare, por gjithmonë në funksion të çlirimit kombëtar dhe shoqëror të shqiptarëve, e jo të një ideologjie të verbër apo të instrumentalizuar nga pushteti. Përmes tyre, rinia e 1981-shit shpërfaqi një vizion për një shoqëri të drejtë, të barabartë dhe kombëtarisht të lirë, duke i kundërvënë parimet e lirisë, barazisë dhe solidaritetit ndaj dhunës shtetërore dhe politikave të diskriminimit etnik.

Këto thirrje e parulla nuk ishin të shkruara në libra e as të përgatitura nga ndonjë aparat politik — ato buronin nga zemra e një populli të nëpërkëmbur, nga gjiri i rinisë së etur për liri dhe të vetëdijshme për sakrificën që kërkonte kjo rrugë. Ato kallën zjarr zemrat e bashkudhëtarëve dhe mbollën panik në radhët e pushtetit, sepse ishin të vërteta, sepse ishin të guximshme, dhe mbi të gjitha sepse ishin të pashlyeshme.

Në këtë kuptim, thirrjet e rinisë demonstruesve nuk ishin vetëm zë i një momenti, por akt i rezistencës historike, pjesë e një vazhdimësie të pandërprerë të luftës për çlirim kombëtar, e cila më pas do të kulmonte në përpjekjet e dekadës së ardhshme për pavarësinë e Kosovës. Ishin fjalë që lëvizën historinë — dhe që vazhdojnë të jetojnë si dëshmi e pathyeshmërisë së një brezi që nuk pranoi të bëhej pjesë e heshtjes.

26 Marsi si akt i sfidës kolektive

Në kalendarin historik të rezistencës politike shqiptare në Kosovë, 26 marsi i vitit 1981 zë një vend të veçantë jo vetëm për intensitetin e revoltës, por për domethënien e thellë simbolike që mbartte. Kjo nuk ishte thjesht një datë proteste — ajo u shndërrua në akt të menduar kundërshtimi, një përplasje e drejtpërdrejtë mes ideologjisë shtetërore jugosllave dhe ndërgjegjes së formësuar politike të rinisë shqiptare.

Demonstrata u organizua me qëllim të qartë dhe të menduar mirë, ajo u zhvillua në ditën kur stafeta e Josip Broz Titos kalonte nëpër Kosovë — një simbol ky, që për regjimin jugosllav dhe aparatçikët e tij përfaqësonte unitetin, përkushtimin ndaj udhëheqësit dhe besnikërinë ndaj federatës. Por për shqiptarët, e veçanërisht për rininë revolucionare të asaj kohe, stafeta nuk përfaqësonte as frymëzim dhe as bashkim, por përkundrazi, ishte emblemë e një propagande bajate, një mjet për ta zbukuruar një realitet të errët shtypjeje, pabarazie dhe mohimi të të drejtave themelore.

Rinia shqiptare nuk u mashtrua nga ky ritual i zbrazët, e cila tentonte të zëvendësonte të vërtetën historike me mite të fabrikuara. Ajo nuk e pa stafetën si festë, por si provokim dhe fytyrë të shtirur të pushtetit, që përpiqej të fshehte plagët e popullit shqiptar pas koreografive të përgatitura. Në vend që të heshtte apo të shfaqte servilizëm, rinia e priti këtë ngjarje ashtu siç e kërkonte momenti, me grushtin e ngritur si simbol i refuzimit, i mosnënshtrimit dhe i vendosmërisë për të mos lejuar që fjala “bashkëjetesë” të përdorej për të mbuluar dhunën e institucionalizuar.

Për regjimin dhe shërbëtorët e tij të zellshëm shqiptarë, të cilët shpresonin se përmes organizimit të stafetës do të shuheshin tensionet dhe do të zbuteshin qëndrimet, kjo përballje ishte një dështim i thellë ideologjik dhe politik. Ata synonin që përmes lojës së ceremonialit të krijonin iluzionin e një gjendjeje normale dhe të largonin vëmendjen nga realiteti i zymtë i shfrytëzimit dhe shtypjes. Por u përballën me një realitet tjetër: një rini e vetëdijshme, e vendosur dhe e palëkundur, që nuk e ngatërronte dekorin e përkohshëm me thelbin e padrejtësisë së përhershme.

Kjo ditë, prandaj, nuk duhet të lexohet vetëm si datë e kalendarit të demonstratave, por si një akt i fortë simbolik i delegjitimit të pushtetit, një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në hapësirën publike për të treguar se populli nuk e pranon mitin e “shpëtimtarit”, kur përditshmëria e tij është e mbushur me dhunë, varfëri dhe mohim identitar. Grushti i ngritur i rinisë shqiptare më 26 mars nuk ishte vetëm një gjest fizik — ai ishte një deklaratë historike, se nuk ka më vend për hipokrizi politike, se nuk do të ketë më heshtje përballë dhunës së institucionalizuar, dhe se asnjë formë propagande, sado e paketuar bukur, nuk mund të shuajë flakën e lirisë dhe të drejtës që digjet në shpirtin e një populli të përçmuar, por të pathyeshëm.

Dhuna shtetërore dhe fytyra e vërtetë e regjimit jugosllav në Kosovë

Në momente të tensionit të lartë politik dhe shoqëror, shpesh ndodh që pushteti të zbulojë fytyrën e tij të vërtetë — atë që fshihet pas retorikës së bashkëjetesës, pas frazave për barazi dhe paqe. Kështu ndodhi edhe në Kosovë gjatë demonstratave të vitit 1981, kur regjimi jugosllav, i udhëhequr nga elita politike revizioniste e Beogradit dhe i përkrahur nga bashkëpunëtorë vendorë, hoqi përfundimisht maskën dhe shfaqi natyrën e tij të vërtetë shtypëse dhe autoritare.

Kësaj here, si shumë herë më parë, në vend të dialogut dhe dëgjimit të zërit të të rinjve që kërkonin të drejta elementare njerëzore dhe kombëtare, regjimi u përgjigj me aparatin e tij të zakonshëm të frikës: mijëra agjentë të shërbimeve sekrete, policë dhe forca të armatosura deri në dhëmbë, u hodhën kundër demonstruesve, duke mos kursyer asgjë për të shtypur revoltën. Përveç forcës fizike brutale, përdorimi i gazrave helmues, shkopinjve të gomës dhe mjeteve të rënda shkatërruese, tregoi se shteti ishte i gatshëm të shtypte me çdo çmim çdo formë të kundërshtimit që vinte nga shqiptarët në Kosovë.

Kjo përgjigje nuk ishte thjesht një akt i tepruar force — ajo ishte shfaqja më e qartë e një pushteti që nuk e njihte legjitimitetin e kërkesave të shqiptarëve dhe që i përkufizonte ato si rrezik për stabilitetin e një federate të brishtë, të ndërtuar mbi pabarazi strukturore. Dhuna nuk ishte as spontane dhe as e izoluar, ajo ishte e organizuar, e planifikuar, dhe përkrahur nga vetë struktura më të larta politike, përfshirë edhe ata shqiptarë që kishin zgjedhur rrugën e shërbimit ndaj pushtuesit, në vend të qëndresës ndaj padrejtësisë.

Për këta sahanlëpirës vendorë, dhuna e ushtruar ndaj studentëve dhe popullit nuk mjaftonte — ata kërkonin më shumë. Për ta, mizoria e policisë dhe brutaliteti i agjentëve nuk ishin shenja alarmi, por mjete të dobishme për të ruajtur pushtetin e tyre të brishtë dhe për të dëshmuar lojalitetin ndaj Beogradit. Dhe kur edhe këto nuk mjaftonin, u kërkuan ndërhyrje të mëtejshme, përmes përfshirjes së njësive ushtarake, duke militarizuar përfundimisht një konflikt që ishte thellësisht politik, kombëtar dhe social.

Ky moment historik shënonte jo vetëm një krizë të thellë të legjitimitetit të pushtetit në Kosovë, por edhe një pikë kthese në ndërgjegjen politike të popullit shqiptar. Fytyra e vërtetë e regjimit, e përgjakur dhe pa asnjë ngjyrë njerëzore, u shfaq para botës, duke shuar përfundimisht çdo iluzion mbi barazinë brenda federatës jugosllave dhe duke forcuar bindjen se liria nuk mund të kërkohet nga një shtet që i përgjigjet me armë kërkesës për drejtësi. Dhe kështu, ajo që kishte nisur si një përpjekje për të heshtur zërin e protestës, përfundoi duke e fuqizuar edhe më shumë. Sepse, siç e dëshmon historia, kur shteti heq maskën dhe nxjerr fytyrën e tij të vërtetë të dhunës, populli nis ta kuptojë më thellë domosdonë e çlirimit — jo si zgjedhje ideologjike, por si kusht ekzistence.

Në përpjekjet për të rindërtuar mozaikun e plotë të lëvizjes ilegale dhe për të ndriçuar me saktësi frymën që mbizotëronte në zemrën e protestave shqiptare në Kosovë, dokumentet si traktet politike janë burime të pazëvendësueshme. Ato përfaqësojnë jo vetëm qëndrimin ideologjik të momentit, por edhe gjendjen emocionale, shpresat dhe vendosmërinë e një brezi që përmes fjalës së shkruar përpiqej t’i jepte formë revoltës së vet.

Një ndër këto dokumente, ky trakt i hartuar pas demonstratës së 26 marsit 1981, është ruajtur vetëm pjesërisht. Kjo mungesë e plotësisë e kufizon në dukje mundësinë për një analizë të thelluar, por vetë fakti që fragmentet e mbetura ruhen dhe rikujtohen, dëshmon për rëndësinë e jashtëzakonshme që ky trakt mbart në kujtesën e lëvizjes. Ajo çka kemi në dorë është një pjesë, por një pjesë që ngërthen frymën e asaj kohe, që na flet për shpërndarjen e tij si një akt që vijon logjikën e rezistencës pas ngjarjeve tronditëse të fundmarsit në Prishtinë.

Sipas të dhënave që ofrohen në fragmentin e ruajtur, trakti u shpërnda menjëherë pas demonstratës së madhe të 26 marsit — një nga ngjarjet më të shënuara dhe më të përgjakshme të pranverës së atij viti. Kjo kohëzgjatje nuk është e rastësishme. Shpërndarja e traktit menjëherë pas përplasjeve të mëdha politike dhe fizike me regjimin është një dëshmi e faktit se lëvizja ilegale shqiptare nuk kishte as ndërmend të heshtte dhe as të tërhiqej. Përkundrazi, ajo vepronte me një guxim të admirueshëm, duke vijuar të artikulonte kërkesat e popullit në formën më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë — edhe atëherë kur çdo fjalë e shkruar nënkuptonte rrezik, burgim apo përndjekje të menjëhershme.

Edhe pse teksti i plotë i traktit nuk ka mundur të ruhet, vetë ekzistenca e tij flet me zë të lartë. Ai është dëshmi e vazhdimësisë, e këmbënguljes dhe e ndërgjegjes kolektive. Mungesa e një pjese të tij nuk e zbeh vlerën që ka në historinë e mendimit dhe veprimit politik shqiptar në Kosovë — përkundrazi, e ngre atë në nivelin e një simboli që u përball me përpjekjet për shuarje, por mbijetoi si kujtesë dhe si thirrje. Në përfundim, ky trakt, megjithëse i cunguar, mbetet pjesë e rëndësishme e arkitekturës së qëndresës politike të shqiptarëve në vitet më vendimtare të përballjes me pushtetin jugosllav.

Ai është një zë që nuk u dëgjua i plotë, por që megjithatë vazhdon të kumbojë, përmes fjalëve që mbetën dhe heshtjes që i rrethon. Dhe në këtë heshtje, lexojmë shumë, që asgjë e vërtetë nuk shuhet përfundimisht, nëse rrënjët e saj janë të mbjella në ndërgjegjen e një populli që nuk harron dhe nuk dorëzohet.

Teksti i traktit-Komiteti Drejtues, LIRIA

TRAKT

VËLLEZËR DHE MOTRA

Rrugët e Prishtinës heroike u kthyen këto ditë përsëri në arena të përleshjeve të përgjakshme të rinisë sonë revolucionare dhe regjimit gjakatar të revizio-nistëve jugosllavë. Dhjetëra mijë bij e bija të Kosovës martire u bashkuan si një trup i vetëm dhe me grushtet ngritur lart zbritën në fushëbeteja. Vetëm bren-da dy javësh rrugët e Prishtinës u lanë dy herë me gjakun e pastër të rinisë so-në të kuqe.

Demonstratat e përgjakshme të Prishtinës, ashtu si edhe demonstratat, grevat e revoltat e shumta anekënd Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, tregojnë edhe njëherë se populli ynë i robëruar nuk nënshtrohet e nuk përulet as me propa-gandë e demagogji dhe as me dhunë e terror fashist. Ai po e kupton çdo ditë e më mirë se kush është armiku i tij i vërtetë, kush po e shtyp e shfrytëzon kaq egërsisht, kush e solli atë në këtë gjendje kaq të rëndë e të padurueshme. Ai po e kupton se edhe të drejtat dhe lirinë do të mund t’i fitojë vetëm me luftë e sakrifica, vetëm me gjakun e tij.

Duke qenë të papërfillur nga autoritetet pushtuese e tradhtare, studentët e Universitetit të Kosovës u detyruan të dalin në demonstrata për t’i realizuar me luftë kërkesat për përmirësimin e kushteve të tyre të mjeruara të jetës dhe studimit. Por, demonstratat e tyre, studentët nuk i bënë vetëm për vete dhe hallet e tyre.

Ato kishin karakter të theksuar politik, shprehnin kërkesat dhe aspiratat e të gjithë popullit, prandaj ato përkrahen nga gjithë populli. Thirrjet dhe parullat e dhjetëra mijë të rinjve demonstrues, si: “Poshtë revizionizmi!”, “Poshtë tradhtarët!”, “Poshtë borgjezia!”, “Mjaft shtypje e shfrytëzim!”, “Deri kur ngritje çmimesh e mungesë mallrash!”, “Trepça e jonë!”, “Kosova e kosovarëve!”, “Tokat shqiptare në Jugosllavi duhet të bashkohen në një njësi të vet-me!”, “Duam republikë!”, “Të burgosurit kosovarë të kthehen në Kosovë!”, “Të lirohen shokët tanë!”, “Jemi shqiptarë dhe jo jugosllavë!”, “Rroftë klasa punë-tore!”, “Lavdi marksizëm-leninizmit!” etj., etj., që përshkonin këto demonstrata, çonin peshë zemrat e zjarrta të rinisë dhe u kallnin tmerrin armiqve dhe tradhtarëve.

Demonstratën e madhe të 26 marsit në Prishtinë rinia jonë revolucionare e organizoi pikërisht në ditën kur po hynte në Kosovë stafeta e Titos, këtij ar-miku të përbetuar të popullit tonë. Armiqtë tanë revizionistë dhe hyzmeqarët e tyre “shqiptarë” shpresonin se do të shfrytëzonin lojën bajate të stafetës për të shuar sado pak zjarrin e urrejtjes së popullit tonë kundër shtypësve e shfrytëzuesve, për të shuar ndjenjat e tij të zjarrta patriotike dhe revolucionare. Por, rinia jonë e kuqe nuk mashtrohet nga kjo paçavure. Ajo e priti atë ashtu si i ka hije: ME GRUSHT.

Ashtu si edhe herë të tjera, pushtuesit revizionistë të Beogradit dhe sahanlëpirësit e tyre në Kosovë, hoqën maskën dhe nxorën edhe një herë fytyrën e tyre të vërtetë fashiste. Mijëra agjentë e policë të armatosur gjer në dhëmbë u hodhën mbi demonstruesit trima, duke përdorur edhe gazra helmuese e mjete tjera shkatërruese. Krerëve tradhtarë të Kosovës iu dukën pak mizoritë e agjentëve e policëve si dhe repartet e ushtrisë që ishin… (mungon vazhdimi).

Është shpërndarë gjatë fillimit të demonstratave të vitit 1981
( vijon )

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.