Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Kritika e ilegales ndaj vizitës së Titos në Kosovë
Në atmosferën e ngarkuar politike të fundviteve ’70, vizita e Josip Broz Titos në Kosovë u trajtua nga pushtetarët vendorë si një ngjarje e jashtëzakonshme, me peshë të veçantë për të ardhmen e krahinës. Deklaratat zyrtare e shoqëruan këtë vizitë me entuziazëm të tepruar, duke e paraqitur si një konfirmim të përkushtimit të udhëheqjes federale ndaj zhvillimit të Kosovës dhe si shenjë e respektit të posaçëm për popullatën e saj shqiptare.
Megjithatë, për lëvizjen ilegale shqiptare, ky entuziazëm institucional ishte jo vetëm i tepruar, por thellësisht i gabuar, madje i rrezikshëm. Në traktet e saj, lëvizja nënvizonte se kjo vizitë nuk solli asnjë ndryshim thelbësor, përveç ripërtëritjes së planeve të vjetra të nën shtresimit ekonomik e politik, të cilat tashmë ishin pjesë e një strategjie të mirë kalkuluara për të ruajtur Kosovën nën kontroll të rreptë. Sipas traktit: “Përveç planeve të reja skllavëruese, gjatë kësaj vizite, Titua la edhe shumë premtime mashtruese.”
Ilegalistët argumentonin se kjo nuk ishte hera e parë që pushteti përdorte gjuhën e premtimeve për të zbutur pakënaqësinë dhe për të maskuar qëllimet e vërteta të dominimit. Por ajo që i shqetësonte më shumë nuk ishte mashtrimi vetë, por fakti që elita politike e Kosovës vazhdonte të binte në grackën e këtij skenari të njohur – një grackë e përbërë nga fjalë të zbukuruara, projekte zhvillimi të paqarta dhe deklarata të fryra për të ardhmen. Sipas traktit, kjo elitë nuk arrinte ta kuptonte dredhinë perfide që fshihej pas çdo fjalie të Titos, për shkak të një nënshtrimi të brendshëm politik dhe mungesës së vullnetit për t’u përballur me realitetin e robërisë.
Kjo analizë është më shumë se një kritikë e rastësishme: është dëshmi e kthjelltësisë politike të lëvizjes ilegale, që e shihte më qartë se kurrë se problemi i Kosovës nuk ishte vetëm ai që vinte nga jashtë, por edhe nga brenda – nga mungesa e vetëdijes dhe guximit të elitës politike vendore për të kundërshtuar mekanizmat e manipulimit të Beogradit. Për ilegalistët, premtimet e Titos nuk ishin as të reja, as të sinqerta – ato ishin vazhdim i një skenari të vjetër, ku popullit shqiptar i ofrohej retorikë, ndërkohë që realiteti i tij mbetej i pandryshuar: i shtypur politikisht, i shfrytëzuar ekonomikisht dhe i nënvlerësuar në aspektin kulturor.
Në këtë kuptim, trakti shërbente si thirrje për kthjellim dhe ndërgjegjësim politik, duke paralajmëruar se besimi i verbër në premtimet e një pushteti që historikisht kishte mohuar të drejtat themelore të shqiptarëve në Kosovë, nuk ishte shenjë optimizmi, por vazhdim i një tradhtie të heshtur. Dhe pikërisht këtë tradhti, lëvizja ilegale synonte ta nxirrte në dritë – jo vetëm për të denoncuar pushtetin qendror, por për të zgjuar një popull që kishte të drejtë të mos besonte më.
Premtime të zbrazëta dhe realiteti i përkeqësuar
Një nga aspektet më të demaskuara në analizën politike të lëvizjes ilegale shqiptare në Kosovë ishte kontrasti i thellë ndërmjet premtimeve publike të udhëheqjes jugosllave dhe realitetit të përditshëm të popullatës shqiptare. Traktet e shpërndara nga këto organizata ilegale ofronin një lexim të kthjellët dhe të guximshëm të kësaj diskrepance, duke nxjerrë në pah se retorika zyrtare nuk ishte tjetër veçse një perde që mbulonte shtypjen sistematike.
Në mënyrë të veçantë, lëvizja ilegale i kthehej vazhdimisht premtimeve që Josip Broz Tito kishte bërë gjatë vizitave të tij të mëparshme në Kosovë, ku me një ton të gjoja të përkushtuar, deklaronte se do të angazhohej personalisht për ta nxjerrë Kosovën nga prapambetja dhe për ta barazuar atë me republikat e tjera të federatës. Midis tjerash, ai përmendte “përdorimin e gjithë autoritetit dhe kompetencave të tij për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të krahinës, për të reduktuar papunësinë dhe për të siguruar një përparim të ndjeshëm social”.
Por për ilegalistët shqiptarë, këto fjalë nuk ishin gjë tjetër veçse “gjepura” të përsëritura me qëllim manipulues, të cilat nuk kishin pasur asnjë efekt të prekshëm në jetën e përditshme të shqiptarëve. Përkundrazi, ata argumentonin me të drejtë se në vitet që pasuan këto premtime, situata në Kosovë u përkeqësua ndjeshëm: shtypja politike u ashpërsua, varfëria ekonomike u thellua, papunësia u rrit dhe kontrollet ndaj çdo shprehjeje të identitetit shqiptar u bënë edhe më të ashpra.
Në këtë mënyrë, laku i pushtetit jo vetëm që nuk u lirua, por u shtrëngua edhe më shumë rreth qafës së popullit shqiptar, duke dëshmuar se premtimet e udhëheqjes jugosllave nuk kishin qenë asgjë më shumë se instrumente për të zbutur përkohësisht zemërimin, pa asnjë vullnet real për ndryshim. Kjo logjikë e vjetër koloniale, e maskuar nën kostumin modern të “përkujdesjes federale”, vazhdoi të thellonte padrejtësitë strukturore ndaj Kosovës, ndërkohë që propaganda kërkonte ta paraqiste situatën si përmirësim.
Këtë arsye, traktet e lëvizjes ilegale shërbenin si korrigjues të kujtesës kolektive dhe si kritikë e ashpër ndaj naivitetit institucional, duke i rikujtuar popullit shqiptar se nuk kishte më vend për iluzione. Fjalët e dhëna pa vepra nuk ishin shenjë shprese, por mjete për të vonuar çlirimin, për të përçarë qëndresën dhe për të zgjatur sundimin. Kështu, për lëvizjen ilegale, historia e premtimeve të Titos ndaj Kosovës nuk ishte histori shprese, por histori mashtrimesh të përsëritura, që duhet të shërbenin si mësim dhe si nxitje për një vetëdije të re – të ndërtuar jo mbi pritjet nga të tjerët, por mbi angazhimin e vetë popullit për të kërkuar atë që me të drejtë i takonte: lirinë, barazinë dhe dinjitetin njerëzor e kombëtar.
Kur e vërteta bëhet e pamohueshme
Me kalimin e viteve dhe përballë një realiteti gjithnjë e më të dukshëm e më të rëndë, madje edhe vetë zyrtarët e atij sistemi që për dekada e kishin garantuar dhe promovuar retorikën e barazisë federale, u detyruan ta pranonin të vërtetën e hidhur për Kosovën. Ajo që për shumë kohë ishte mohuar, relativizuar ose kamufluar përmes deklaratave boshe dhe statistikave të manipuluara, doli në sipërfaqe si fakt i pamohueshëm: Kosova jo vetëm që nuk ishte barazuar me republikat e tjera të federatës, por përkundrazi, po shkonte drejt një margjinalizimi edhe më të thelluar.
Në këtë drejtim, vetë protagonistët politikë të diskursit zyrtar – ata që kishin qenë pjesë e vendimmarrjes apo përçues të propagandës së “zhvillimit të përshpejtuar” të krahinës – u detyruan, me vonesë dhe me nënkuptime, ta pranonin dështimin e premtimeve. Pabarazitë strukturore midis Kosovës dhe njësive të tjera të federatës, që më parë mbuloheshin me fraza të përgjithshme për “procesin e reformave”, në dekadën e fundit të Jugosllavisë po bëheshin gjithnjë e më të dukshme dhe më të thella.
Duke reflektuar mbi këtë kthesë, lëvizja ilegale shqiptare kishte të drejtë kur paralajmëronte se zërat që dikur i shërbyen politikës së mohimit, do të detyroheshin një ditë të përballeshin me pasojat e saj. Pranimi zyrtar se “kriza ekonomike është më e theksuar në Kosovë sesa në çdo pjesë tjetër të Jugosllavisë” nuk ishte më një çështje interpretimi politik – ishte rrëfim i vetë mekanizmave të një sistemi që e kishte projektuar dhe mirëmbajtur pabarazinë si mjet kontrolli.
Në vend që të shërbenin si bartëse të zhvillimit të barabartë, politikat ekonomike dhe strukturat federale krijuan një distancim të qëllimshëm ndërmjet Kosovës dhe republikave më të zhvilluara, duke e mbajtur krahinën në një pozitë të përhershme vartësie dhe varfërie. Për pasojë, jo vetëm që nuk u arrit ndonjë barazi e premtuar, por Kosova u shndërrua në simbolin më të dukshëm të pabarazisë së brendshme jugosllave, në një lloj “periferie të institucionalizuar” që i shërbente sistemit, por nuk përfitonte kurrë prej tij.
Ky pranim i vonuar nga brenda vetë aparatit politik jugosllav nuk ishte akt pendese – ishte pasojë e një presioni të madh nga realiteti objektiv dhe nga zëri gjithnjë e më i fuqishëm i rezistencës politike dhe qytetare shqiptare, e cila kishte kohë që e kishte identifikuar këtë logjikë të padrejtësisë dhe e kishte kundërshtuar me çdo mjet të mundshëm. Në këtë mënyrë, fjalët që dikur vinin nga trakti ilegal, u bënë e vërteta e pranuar edhe nga ata që dikur e kishin quajtur “të rrezikshëm” apo “kundërshtarë të sistemit”. Dhe ky ishte një ndër triumfet më të heshtur, por më domethënës, të një lëvizjeje që për vite kishte qëndruar në hije – duke dëshmuar se e vërteta, sado që vonon, gjithnjë gjen rrugën për të dalë në dritë.
Kur retorika politike shndërrohet në represion sistematik
Vizita e kryetarit jugosllav në Kosovë, ndonëse e paraqitur në diskursin zyrtar si një gjest afërsie dhe kujdesi ndaj krahinës, u përjetua ndryshe nga shumica e shqiptarëve, veçanërisht nga ata të vetëdijshëm për realitetin e përditshëm të shtypjes. Në vend që ajo të përçonte shpresë për ndryshim, ajo u pasua nga një valë represioni të organizuar, ku organet e sigurimit dhe forcat policore fituan zemër dhe intensifikuan veprimet e tyre shtypëse me agresivitet të shtuar.
Shqetësimi nuk ishte thjesht retorik, ai u shndërrua në një përvojë të prekshme për qytetarët shqiptarë, të cilët, në ditët e pas vizitës, nisën të përjetojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë pasojat e saj. Policia dhe aparati i sigurimit shtetëror, sikur të kishin marrë sinjal të qartë nga vetë udhëheqësi i federatës, filluan të shtrëngonin lakun e kontrollit përreth popullsisë shqiptare – me ndjekje, arrestime dhe ndëshkime selektive që godisnin jo vetëm veprimtarët politikë, por edhe qytetarë të zakonshëm, që shprehën ndonjë fije pakënaqësie apo refuzimi ndaj sistemit.
Në perceptimin kolektiv, që gjeti shprehje në traktet e lëvizjes ilegale, kjo vizitë nuk përfaqësonte një gjest paqeje, por një urdhër të heshtur për dhunë të re. Siç thuhej aty: “Tito kishte ardhur në Kosovë që t’i ndërsejë këlyshët e tij kundër popullit tonë…” Kjo ishte një mënyrë për të denoncuar instrumentalizimin e strukturave të sigurisë për të heshtur çdo zë kundërshtues, për të frikësuar masat dhe për të shtypur çdo lëvizje që mbante frymën e rezistencës kombëtare apo ideale revolucionare për drejtësi e barazi.
Sipas kësaj perspektive, reprezaljet që pasuan vizitën nuk ishin as spontane, as të lokalizuara – ato përbënin një aksion të mirë orkestruar që synonte asgjësimin moral e fizik të atyre që i kishin mbetur besnikë çështjes kombëtare shqiptare. Në këtë fushatë të organizuar represioni, shumë patriotë u arrestuan dhe përfunduan pas grilave të hekurt të burgjeve jugosllave, ku përpjekja për të ruajtur dinjitetin dhe idealin kombëtar ndëshkohej me izolim, torturë dhe persekutim. Ky realitet e konfirmonte bindjen e lëvizjes ilegale se nën fasadën e një federate që predikonte vëllazërim dhe bashkim, fshihej një regjim që shihte në popullin shqiptar të Kosovës një subjekt që duhej kontrolluar, frikësuar dhe, nëse ishte e nevojshme, eliminuar nga jeta publike. Prandaj, vizitat e udhëheqësve nuk sillnin shpresë, por paralajmëronin shtypje të re.
Në këtë kuptim, valët e terrorit që pasonin deklaratat politike ishin vazhdim i politikës me mjete të tjera – e një politike që nuk njihte dialog, por imponim; që nuk ndërtonte besim, por frikë; që nuk krijonte barazi, por ndëshkim të sistemuar ndaj atyre që guxonin të ëndërronin për liri. Kjo ishte e vërteta që ilegalja përpiqej të artikulonte – që liria nuk do të vinte nga vizitat e paralajmëruara, por nga qëndresa e organizuar përballë dhunës së institucionalizuar.
Në përmbajtjen e traktit, fjalët që i drejtoheshin Titos dhe aparatçikëve të tij nuk ishin thjesht një reagim i zemëruar ndaj shtypjes, por një deklaratë e fuqishme e qëndresës kombëtare dhe e pavdekësisë së shpirtit shqiptar përballë çdo forme të agresionit historik. Kjo deklaratë përbënte një akt simbolik të refuzimit të frikës dhe një afirmim të krenarisë dhe guximit si vlera që e kishin mbajtur gjallë popullin shqiptar përtej epokave dhe përballë çdo pushtuesi. Në këtë dokument, që vetë ishte një formë e qartë e rezistencës, thuhej pa hezitim: “Ne i themi Titos dhe lakejve të tij se shqiptari nuk frikësohet e nuk përulet kurrë para asnjë armiku, sado i egër qoftë ai.” Kjo nuk ishte thjesht një deklaratë emocionale – ajo përfaqësonte një qëndrim historik dhe kulturor, të rrënjosur thellë në vetëdijen kolektive shqiptare, ku mosnënshtrimi ndaj padrejtësisë ishte bërë pjesë e identitetit kombëtar.
Për autorët e traktit, Tito dhe Rankoviqi nuk ishin as të parët dhe, sipas tyre, as të fundit që do të përpiqeshin të fshijnë nga faqja e dheut qenien shqiptare, të zhdukin gjuhën, kulturën, dhe të shtypin aspiratën për liri. Por historia kishte dëshmuar, sipas tyre, se edhe pushtuesit më të egër kishin dështuar përballë një populli që mbante gjallë një ideal më të fortë se çdo strukturë pushteti – idealin e lirisë. Kjo gjuhë, plot me vendosmëri, artikulonte jo vetëm refuzimin e autoritetit të dhunshëm, por edhe përkujtimin e një trashëgimie të tërë rezistence. Shqiptarët, thuhej aty, nuk kishin pranuar të nënshtroheshin as përballë okupatorëve të mëparshëm, dhe nuk do ta bënin as tani, përballë një regjimi që mundohej ta paraqiste veten si mbrojtës i barazisë, ndërkohë që ushtronte një dominim të egër dhe selektiv.
Për më tepër, kjo pjesë e traktit sublimonte idenë se idealet për të cilat luftonte populli shqiptar – pavarësia, liria, bashkimi kombëtar – nuk ishin të përkohshme, por të përjetshme, sepse ato nuk mbështeteshin në interesat e momentit, por në një trashëgimi të gjatë të sakrificës dhe bindjes së thellë për drejtësi. “Populli ynë është i pamposhtur, idealet e tij janë të pavdekshme,” theksonin autorët, duke krijuar kështu një përfytyrim të qëndresës jo si akt të dhunës, por si formë të jetesës me dinjitet, edhe nën pushtim. Ky mesazh, i ngulitur në thelbin e fjalës së traktit, nuk i drejtohej vetëm armiqve, por mbi të gjitha vetë popullit shqiptar – për ta forcuar, për ta frymëzuar dhe për t’i rikujtuar se ndërsa pushteti përpiqej ta frikësonte, historia e tij ishte dëshmi se asnjë tirani nuk ishte e përjetshme, ndërsa forca e shpirtit të lirë është.
Në këtë mënyrë, trakti nuk ishte vetëm një mjet kundërshtimi politik, por një akt i vetëdijes historike dhe një burim frymëzimi për brezat që duhej të vijonin rrugën e lirisë, të nisur nga ata që nuk pranuan kurrë të përkuleshin.
Maskimi i realitetit përmes propagandës
Në komunikimet e saj drejtuar popullit shqiptar, lëvizja ilegale shqiptare në Kosovë përdorte një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe ngarkuar me tone ndriçuese e mobilizuese. Duke iu drejtuar popullatës me thirrjen “Vëllezër e motra”, ajo jo vetëm që shfaqte afërsinë dhe solidaritetin kombëtar, por sinqerisht synonte të zgjonte ndërgjegjen qytetare përballë realiteteve të përditshme që propaganda zyrtare përpiqej t’i fshihte apo deformonte.
Në një nga traktet më domethënëse, ilegalistët denonconin mënyrën se si aparati propagandistik jugosllav, menjëherë pas vizitës së Josip Broz Titos në Kosovë, kishte krijuar një atmosferë mediatike të stisur, që synonte të formësonte një narrativë të rreme mbi pritjen që i ishte bërë atij. Ata e theksonin qartë se: “Propaganda jugosllave bëri këto ditë zhurmë të madhe rreth pritjes së Titos në Kosovë.” Kjo zhurmë, sipas autorëve të traktit, nuk ishte tjetër veçse një përpjekje për të manipuluar opinionin publik, për të ndërtuar një realitet artificial, në të cilin populli i Kosovës shfaqej si i përkushtuar ndaj liderit që në të vërtetë simbolizonte për ta një sistem shtypës. “U përpoqën të linin përshtypjen sikur populli e priti atë ‘me dashuri, si mikun e birin e vet’”, theksonte trakti me një ton të qartë ironik dhe sfidues.
Kjo thënie nuk denonconte thjesht një gabim mediatik, por zhvishte lakuriq një strategji të vetëdijshme të pushtetit jugosllav për të kontrolluar perceptimin kolektiv dhe për të zëvendësuar realitetin e pakënaqësisë me imazhin e një “dashurie” të fabrikuar.
Ilegalja ishte e bindur se asnjë emocion i sinqertë nuk e kishte shoqëruar vizitën e Titos në tokën kosovare, sepse nën skenografinë e brohoritjeve të detyruara dhe rreshtimeve të organizuara, fshihej një popull i lodhur, i zhgënjyer dhe i shtypur, që e njihte shumë mirë peshën e padrejtësive që ai regjim kishte ushtruar mbi ta.
Pikërisht për këtë arsye, lëvizja ilegale ngulte këmbë se propaganda nuk ishte veçse një maskë, dhe thirrja e saj drejtuar vëllezërve dhe motrave shqiptare kishte për qëllim jo vetëm të denonconte falsitetin, por edhe të përforconte kujtesën kolektive ndaj realitetit të jetuar. Ajo kërkonte nga populli që të mos binte pre e lajmeve të fabrikuara, por të qëndronte i kthjellët dhe i vetëdijshëm për kontrastin midis fjalëve që jepeshin në media dhe përvojës që përjetohej çdo ditë në rrugë, në shkolla, në punë, në burgje.
Në këtë mënyrë, trakti nuk ishte vetëm një mjet rezistence politike, por edhe një instrument kritik ndaj aparatit propagandistik, që përpiqej ta fuste shoqërinë në gjumë përmes imazheve të rreme të bashkëjetesës dhe barazisë. Dhe në kundërpërgjigje, ilegalja u ofronte njerëzve një të vërtetë të pakompromis – atë të popullit që nuk e priste dot me dashuri atë që kishte ndërtuar një sistem mbi mohim, frikë dhe robëri. Në diskursin e lëvizjes ilegale shqiptare, pretendimet e propagandës jugosllave për një pritje “të përzemërt” të Titos nga populli shqiptar i Kosovës nuk ishin vetëm të pavërteta, por thellësisht fyese ndaj kujtesës dhe vuajtjes së një populli të tërë. Përmes një gjuhe të ngarkuar me ndjeshmëri dhe revoltë, trakti ngrinte një sërë pyetjesh retorike që përmbanin në vetvete akuza të rënda morale dhe historike ndaj regjimit.
Si mund të pranohej me “dashuri” ai që kishte sjellë me vete vetëm gjak, dhimbje dhe robëri? Në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa mëdyshje, autori i traktit i kthehej një figure simbolike – nënës kosovare – për të ilustruar përmasën e tragjedisë kolektive. Ai i drejtohej ndërgjegjes shoqërore me pyetjen rrëqethëse: “Vallë, a mund ta prisnin si birin e tyre ato nëna, bijtë e të cilave u vranë, u zhdukën dhe u torturuan nga regjimi që Tito e përfaqësonte?” Kjo pyetje nuk kërkonte përgjigje, sepse ajo tashmë ishte e shkruar në dhimbjen e atyre mijëra familjeve që e kishin përjetuar shtypjen jo si nocion abstrakt, por si realitet të përditshëm dhe tragjik.
Dashuria nuk mund të imponohet, aq më pak kur bëhet fjalë për një pushtet që ndërtoi themelet e tij mbi gjakun dhe vuajtjen, vijonte mesazhi i traktit. Si mund të pritej me përzemërsi dikush që kishte dërguar fëmijët e Kosovës në burgje me procese të kurdisura, që i kishte dënuar pa faj dhe që i kishte trajtuar si rrezik për “sigurinë shtetërore” vetëm për shkak të idealit të tyre për liri? Po aq prekëse dhe e fuqishme ishte përmendja e nënave të qindra mijë kurbetçinjve, të cilat jetonin larg bijve të tyre, të detyruar të emigronin nga skamja e thellë dhe mungesa e çdo perspektive. Të mbështetura në prag të shtëpive të vjetra, ato hanin bukën me lot, të kujtojnë se çdo copë e fituar ishte blerë me gjakun dhe lodhjen e fëmijëve të tyre në vend të huaj – dhe ndërkohë, propaganda tentonte të bindte se pikërisht regjimi që i kishte detyruar të iknin, duhej pritur si “mik” dhe “bir”.
Trakti shtrinte më tej këtë refuzim kolektiv të hipokrizisë, duke përmendur masat e papuna, prindërit e dëshpëruar, fëmijët e uritur, për të cilët çdo ditë e jetuar nën shtypje ishte një akt mbijetese. Ishin ata, ky popull i shumëvuajtur, që as nuk kishte dashur, as nuk kishte mundur të mirëpriste me sinqeritet atë që përfaqësonte fytyrën e padrejtësisë dhe mohimit.
Dhe më në fund, me qartësinë e një verdikti moral, trakti përfundonte me një pohim të fuqishëm: “Jo, populli ynë kurrë armiqtë e tij nuk i ka pritur dhe nuk i pret si miq.” Ky konstatim përmbyllës nuk ishte thjesht refuzim politik, por një pohim i dinjitetit historik të një populli që, sado i shtypur, nuk i kishte përqafuar kurrë pushtuesit si të vetët. Ata që e bënë këtë, sipas traktit, nuk ishin pjesë e atij trungu shoqëror që e kishte mbajtur gjallë ndjenjën kombëtare, por ishin “të një soji tjetër”, pa rrënjë në historinë e vërtetë të popullit që pretendonin ta përfaqësonin.
Në këtë mënyrë, trakti jo vetëm që e zbërthente në mënyrë të fuqishme kontradiktën midis realitetit dhe propagandës, por kthente në subjekt të historisë vetë popullin – atë që, edhe i shtypur, mbetej krenar, sfidues dhe i pathyeshëm në përballje me pushtetin dhe falsitetin.
( vijon )