TRAJTIMI I DEMONSTRATAVE STUDENTORE NË SHTYPIN E ILEGALES (2)

0
Mediat për demonstratat në Kosovë

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

“Pas shumë diskutimeve që ndërmorën për të shqyrtuar shkaqet dhe arsyet e demonstratave studentore” shkruan autori, në takimet e shumta nga vetë kreu politik kosovar dolën akuzat më të rënda, vlerësime me të cilat nuk u pajtuan demonstruesit dhe intelektualet e Kosovës. Andaj anëtarët e organizatës reaguan shumë ashpër në shtypin ilegal të kohës. Njëri nga shkrimet që iu kushtua demonstratave studentore të vitit 1981, ishte edhe shkrimi i lartpërmendur, në të cilën autori thotë se “Hyzmeqarët besnik të të huajve dhe armiqtë si Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli, Dushan Ristiqi, Ali Shukrija, Asllan Fazlija etj., jo vetëm që u dalluan në masat e egra  që u ndërmorën kundër rinisë dhe popullit tonë, por po tregohen shumë të zellshëm edhe në fushatën propaganduese që kishin marrë jugosllavët në të gjithë Jugosllavinë për t’i dënuar demonstratat e Kosovës dhe kërkesat e tyre[1].

Këta prefektë anadollakë të tipit të Qazim Mulletit, me fjalimet e tyre gjysmë shqip e gjysmë serbisht, akoma pa u tharë gjaku rinor që u derdh, akoma pa i varrosur dhjetëra djem e vajza që i vranë mizorisht, u munduan të na bindin se bijtë e bijat e popullit qenkan “rrugaçë”, “nacionalistë”, e “reaksionarë”, se ata qenkan “agjenta të të tjerëve”, se rinia e pastër e Kosovës qenka “plehu i Kosovës”.

Autori thotë se “Bijtë dhe bijat e Kosovës kreshnike nuk e kanë damkosur dhe nuk do ta damkosin kurrë kombin e popullin shqiptar, ata nuk janë “huliganë” e agjentë të të huajve, por janë bijtë më të mirë e më besnikë të popullit, ata nuk janë plehu i Kosovës, por floriri i saj. Jo rinia, po tradhtarët e njollosin popullin  shqiptar…” [2]

Gjatë kohës kur ndodhën  demonstratat, edhe pse ishte shumë e qartë se i gjithë populli përkrahte studentët dhe rininë përparimtare, ata (pushtetarët), trumbetonin se “rinia është e jona”, “rinia do të jetë me ne” etj., dhe nuk donin të pranonin se rinia përparimtare e Kosovës kurrë nuk kishte qenë dhe nuk do të jetë me ta, nuk ishte as atëherë dhe as që do të jetë ndonjëherë. Ajo kishte zgjedhur rrugën e vet të vetme, rrugën që i kishin lënë amanet edhe dëshmorët e demonstratave të fundit, që ranë me heroizëm për të mos vdekur kurrë[3].

Si çdo kund në botë, nuk kishte forcë që mund ta largonte rininë e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nga kjo rrugë e lavdishme.

Në nëntitullin e shkrimit “Demonstratat e Kosovës  janë vepër e popullit të saj“, bëhej fjalë për ngjarjet e vitit 1981. Menjëherë pas 11 marsit, pushtetarët dhe hyzmeqarët e tyre filluan një fushatë të paparë duke trumbetuar se demonstratat i kishin organizuar armiqtë e vendit dhe ata nga bota  jashtë, duke dhënë pa hezituar mendimet kuturu të vetat se me popullin u manipulua dhe se ata janë shumë të kënaqur që jetojnë në Jugosllavi, dhe duke përdorur lloj-lloj ofendimesh e shpifjesh kundër Shqipërisë.

Në këtë mënyrë donin t’i mbulonin shkaqet e vërteta që e shtynë popullin të ngrihet në greva dhe demonstrata. Ata e dinë mirë se këto shkaqe ishin pasi Kosova ishte në një pozitë të vështirë dhe të pabarabartë me republikat e tjera, ishte nën shtypjen e të shfrytëzimit të egër e të vazhdueshëm, të shumëfishtë që ushtrohej mbi masat punonjëse. Rol kyç luante edhe mungesa e një sërë të drejtash dhe lirish kombëtare e demokratike.

Pakënaqësia e madhe që mbretëronte kudo dhe që po shtohej çdo ditë, ishte evidente, edhe pse u mundonin t’i kamuflonin, sepse pikërisht ata dhe politika e tyre  ishin shkaktarë të një gjendjeje të këtillë dhe rrjedhimisht edhe të demonstratave  e të grevave  që u bënë në Kosovë. Po të mos ishte kjo gjendje kaq e vështirë dhe populli të jetonte vërtet i lirë e i lumtur, siç duan të thonë ata, atëherë asnjë forcë e brendshme e as e jashtme nuk do të mund ta nxirrte popullin në rrugë, sado që të përdornin  “parulla demagogjike”[4].

“Sa ishte logjike” thotë autori, se në çdo fjalim dhe në çdo artikull që u shkrua rreth demonstratave  thuhej se “masat u mashtruan nga parullat demagogjike që u hodhën”, por harrojnë të thonë se ato parulla na qenkan “demagogjike”, dhe deri sa qenkan të tilla, si u bë që populli të jetë aq “mendjelehtë”, sa jo vetëm që përkrahu që në fillim parullat  e kërkesat e demonstruesve , por i përkrahte ato edhe më vonë, bile akoma edhe më me ngulm. Është interesant që të dihej  gjithashtu se, përse krerët e Beogradit e kalemxhinjtë e tyre  nuk i zënë fare në gojë parullat e tilla të demonstruesve si: “Duam punë!”, “Ktheni kurbetçinjtë!”, “Çmimeve stop!”, “Lironani shokët!”, “Të burgosurit kosovar, ktheni në Kosovë!”[5] etj.?

Pse ata nuk po e shpjegojnë “karakterin demagogjik dhe armiqësor” të këtyre parullave, dhe pse nuk po i zgjidhin këto probleme të mëdha, në mënyrë që “forcat armiqësore” të mos munden t’i “mashtronin” masat herë të tjera?”[6]. Në këtë propagandë armiqësore u kyçën që të gjithë, por rolin kryesor e luajti shtypi i Beogradit, por nuk ngelën pas edhe mjetet e informimit të Kosovës.

Duke i paraqitur demonstratat dhe grevat e vitit 1981-1982 që kishin ndodhur në Kosovë, si vepra të grupeve e forcave të ndryshme të organizuara, pushtetarët në një mënyrë u bëjnë atyre një nder të madh, e madje edhe të tepruar. Pararoja e organizuar në Kosovë, dhe patriotët e vërtetë, pa dyshim që kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë lëvizje revolucionare, por duhet thënë hapur se detyrën e saj në organizimin dhe udhëheqjen  e masave, ajo duhej dhe ka mundur ta kryente edhe më mirë. Grevat dhe demonstratat në Kosovë, më shumë se të organizuara ishin spontane. Ato nuk janë dhe nuk mund të ishin  vepër e askujt  tjetër, por e vetë popullit të saj heroik. Ai ishte iniciatori, udhëheqësi dhe organizatori kryesor.

Është për t’u theksuar edhe qëllimi tjetër i krerëve dhe kalemxhinjve të pushtuesit, të cilët, edhe pse e dinin sigurisht se gjatë gjithë demonstratave  brohoritej pandërprerë e nga të gjithë për republikë të Kosovës, për barazi e të drejta kombëtare, ata  mundohen t’i paraqesin demonstratat e Kosovës  si vepër të reaksionit antikomunist shqiptar. Duke qenë të bindur se mbeturinat e reaksionit, balliste etj.,  nuk kanë pothuajse kurrfarë influence në popullin e sidomos në rininë e Kosovës dhe të viseve të tjera të banuara me shqiptarë.

Pushtetarët mundoheshin ta bindnin popullin se pikërisht, këta reaksionarë qëndronin në krye të demonstratave  dhe jo bijtë e popullit, revolucionarët dhe patriotët e vërtetë. Në këtë mënyrë ata orvateshin  t’i shkëpusnin masat popullore  nga pararoja e tyre  që në të vërtetë, siç treguan ngjarjet e fundit, janë një dhe të pandarë. Propaganda e tillë ishte edhe një shërbim i mirë për reaksionin  antikomunist shqiptar, i cili ishte shumë i interesuar për të krijuar bindjen se ai ishte akoma gjallë dhe se akoma ka ndikim në popullin shqiptar[7].

Në pjesën e shkrimit “Kush po e nxit nacionalizmin”, trajtohet më së shumti fushata e gjerë propagandistike që ka shpërthyer në të gjithë Jugosllavinë kundër demonstratave në Kosovë, kundër demonstruesve e madje edhe kundër të gjithë popullit tonë, që ishin akuzat e shumta për “nacionalizëm”, “irredentizëm”[8], “separatizëm” e madje edhe për “shovinizëm shqiptaromadh”. Pa u zgjatur në argumentimin  e asaj që thonë pushtetarët nga më të mëdhenjtë deri te më të vegjlit, çirren me të madhe se gjoja  demonstratat paskan pasur për qëllim të nxisin  nacionalizmin dhe shovinizmin shqiptar, të mbjellin mosbesimin, përçarjen  dhe urrejtjen ndërnacionale  në Kosovë dhe Jugosllavi, të shkatërrojnë vëllazërimin e bashkimin  e tyre, ata gati sa nuk thonë se demonstruesit  paskan dashur ta pushtojnë gjithë Jugosllavinë[9].

Pa dashur shtrohet pyetja, po vallë, ç’nacionalizëm e ç’shovinizëm kishte në grevat dhe demonstratat që bëri populli në Kosovë? Ç’nacionalizëm e ç’shovinizëm  kishte në parullat kundër papunësisë, kurbetit e ngritjeve të çmimeve? Ç’kishte nacionaliste e shoviniste në kërkesën e drejtë për kthimin në Kosovë të burgosurve kosovarë, ose në kërkesën  gjithashtu të drejtë që Kosova dhe viset e tjera shqiptare  të çlirohen nga zgjedha koloniale, që krahinës së Kosovës t’i jepet statusi i republikës në kuadër të Federatës Jugosllave? Çfarë e keqe u erdhi popujve jugosllavë në Kosovë e Jugosllavi nga demonstratat që u bënë dhe ç’të keqe do t’u sillte atyre realizimi i kërkesave  të drejta të demonstruesve? Asnjë, absolutisht asnjë e keqe.

Lufta e studentëve, e punëtorëve dhe e gjithë popullit të Kosovës për të drejta e liri, jo vetëm që nuk drejtohet  aspak kundër popujve jugosllavë, jo vetëm që nuk ju sjell asnjë të keqe, po përkundrazi, ajo e ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejt  luftën që bëjnë edhe punëtorët dhe masat e tjera punonjëse jugosllave për të drejtat e veta. Aq më tepër kjo vlente për pakicat serbe, malaziase, turke etj., në Kosovë, të cilat lirinë e tyre nuk mund ta shohin  në shtypjen dhe robërimin e popullit shqiptar, por përkundrazi, në lirinë e tij të plotë”[10].

Siç dihej se gjatë historisë populli shqiptar, ka vuajtur shumë nga pushtuesit e huaj, gjithmonë ka luftuar kundër okupatorëve  e zullumqarëve të huaj, por ai vetë kurrë nuk ka qenë pushtues, kurrë nuk ka qenë shovinistë e zullumqar ndaj të tjerëve. Ai kurdoherë ka ditur të bëjë dallimin  mes popujve të tjerë, me të cilët ka jetuar në miqësi e fqinjësi të mirë, dhe krerëve të tyre shovinistë, kundër të cilëve ka luftuar pa mëshirë. Jo vetëm në LNÇ, por edhe në luftën patriotike të Azem Bejtës e Isa Boletinit, populli ka dënuar çdo lloj dhune e zullumi  ndaj pjesëtarëve të pafajshëm të kombësive jo shqiptare[11].

Sa ishte paqësor populli shqiptar u vërtetua edhe në ngjarjet e vitit 1981 që ndodhën në Kosovë. Gjatë demonstratave,  jo vetëm që nuk u hodh asnjë parullë kundër popujve të tjerë, po përkundrazi, më se një herë u theksua qartë dallimi mes popujve jugosllav e krerëve të tyre shovinist. Gjatë demonstratave jo vetëm që nuk u dëmtua popullsia jo shqiptare, por pati edhe serbë, malazias, turq, romë etj., që iu bashkuan grevave dhe demonstratave, ose u solidarizuan me to, strehuan demonstruesit, u dhanë bukë dhe u lidhën plagët[12].

Populli shqiptar gjatë historisë ishte dalluar për patriotizëm, por fati nuk ishte në anën tonë, vërtet ishte patriot, por kurrë, shovinist. Shovinistët ishin ata që e kishin robëruar atë, e kishin copëtuar dhe e mbanin me dhunë nën zgjedhë, e jo shqiptarët që luftonin për të drejtat dhe lirit e tij, pa u rënë në qafë të tjerëve. Kolonialistët  janë ata që sjellin polici, ushtri e tanke  në Kosovë, ata që vrasin, gjymtojnë, rrahin e poshtërojnë popullin, e jo ata që ngrenë zërin dhe grushtet kundër një mizorie të tillë. Përçarjen dhe urrejtjen e rrezikshme ndërnacionale nuk e nxit populli i Kosovës dhe rinia e tij, por udhëheqja në Jugosllavi e Kosovë, e cila duke e shtrembëruar të vërtetën rreth Kosovës dhe luftës së saj të drejtë, orvatet të nxisë një frymë antishqiptare kudo në Jugosllavi.

Jo ne, por pushteti jugosllav ka nxitur dhe po nxit konflikte ndërnacionale në mënyrë që t’i bëjnë masat punonjëse të harrojnë problemet e tyre të mëdha ekonomike e sociale, për të lënë në plan të dytë luftën e tyre klasore kundër shtypjes dhe shfrytëzimit. Pas një parashtrimi të gjatë të ngjarjeve të vitit 1981, autori prezanton shkrimin me nëntitullin “Rroftë Republika Socialiste e Kosovës”[13], duke shtuar se “populli shqiptar në Jugosllavi edhe më parë në forma e rrugë të ndryshme, ka kërkuar zgjidhje të drejtë  të çështjes së tij kombëtare, ka kërkuar që atij t’i njihet e drejta për të vendosur vetë për fatin e tij. Për këtë të drejtë kishte luftuar me shekuj shqiptari.

Populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të tjera të banuara me shqiptarë u ngrit në Luftën Nacionalçlirimtare, i bindur se, pas fitores së saj, edhe ai do të fitonte të drejtën për të qenë i lirë dhe i pavarur. Udhëheqja e atëhershme  e PKJ-së dhe vetë Tito, më se një herë kishin shpallur se pas luftës do t’u njiheshin dhe garantoheshin të gjithë popujve  brenda kufijve të Jugosllavisë së vjetër, edhe popullit shqiptar, e drejta për vetëvendosje  dhe shkëputje. Por, pas luftës, ata jo vetëm që nuk e garantuan këtë të drejtë, por e shkelën atë me gjak. Ata që guxuan të kërkojnë këtë të drejtë të ligjshme dhe të premtuar, u shpallën armiq, u vranë, u burgosën, u ndoqën. Tjetër kush vendosi për fatin e popullit tonë të robëruar[14].

Dihet botërisht se në mbledhjen e AVNOJ-it, ku u vendos edhe për fatin e popullit shqiptar dhe të tokave të tij, të cilat Fuqitë e Mëdha imperialiste padrejtësisht i kishin ndarë nga shteti shqiptar dhe i kishin lënë nën zgjedhën e Serbisë dhe të Malit të Zi, nuk merrte pjesë asnjë delegat shqiptar[15].

Megjithëkëtë, pushtetarët jugosllavë thonë të kundërtën, gjoja se populli shqiptar paska shprehur vetë vullnetin e tij që të jetë kështu siç është. Ç’vullnet i çuditshëm! Shqiptarët që rrojnë në tokat e tyre (dhe përbëjnë shumicën absolute të popullsisë), paskan dashur dhe paskan shprehur vullnetin (për hatër të Titos dhe Rankoviqit), jo vetëm të mbesin në kuadrin e Jugosllavisë, por edhe të copëtohen një pjesë në Kosovën autonome, një pjesë në Maqedoni, një pjesë në Serbinë e ngushtë dhe një pjesë tjetër në Republikën e Malit të Zi. Mjerisht ishin larg Kosovës, Kroacia dhe Sllovenia, se sigurisht edhe atyre “do t’u takonte” ndonjë copë tokë shqiptare![16]

Nëse populli i Kosovës paska vendosur vetë që të jetë kështu si është dhe nëse ai e paska lidhur fatin e tij me Jugosllavinë, me LKJ-në dhe me Titon, atëherë, pse ai nuk gëzon të drejtën për vetëvendosje, që Kushtetuta e Jugosllavisë u siguron popujve të tjerë? Pse të mos i lejohet që të vendosë vetë për fatin e tij, kur ai, siç thonë pushtetarët, “dashka të jetë kështu siç është”. Është mëse e qartë se të gjitha çfarë thonë pushtetarët jugosllavë për “vëllazërim- bashkimin”, për “barazinë” e “bashkëjetesën”, për “zgjidhjen e drejtë, bile ideale, të çështjes kombëtare” s’janë tjetër veçse demagogji, veçse një gënjeshtër e madhe dhe e kulluar[17].

Trumbetohet se në Jugosllavi “çështja kombëtare është zgjidhur në mënyrë marksiste”, bile  Tito , për “kontributin e madh” që paska dhënë në këtë fushë, është shpallur edhe doktor nderi, për ironi, pikërisht në Universitetin e Kosovës! Po, vallë çka marksiste në zgjidhjen që revizionistët i kanë bërë çështjes kombëtare  në Jugosllavi, zgjidhje që ndryshon  fare pak nga “zgjidhja” që i kishin bërë asaj kralët e Jugosllavisë së vjetër”[18], shpjegon autori me argumente historike.

Për të vazhduar më tutje se propaganda jugosllave akuzon parullën “Kosova- Republikë”, se gjoja ajo nxit nacionalizmin, separatizmin e shovinizmin, thuajse në Jugosllavi nuk paska  republika të tjera! Sipas kësaj del se të gjithë ata popuj që kërkojnë vetëvendosje, të mos flasim për shkëputje, qenkan “nacionalistë” e “shovinistë”. Krerë të ndryshëm e “teoricentë” jugosllavë dhe sidomos “politiçar” e “koka të mëdha të shkencës” në Kosovë, mundohen ta bindin me çdo mënyrë popullin se ai është krejt i lirë, i barabartë, i pavarur dhe bile i privilegjuar, se autonomia që ka Kosova, nuk ka kurrfarë dallimi nga republika etj…etj… Interesant populli si ky i yni! Jeton në “liri” e “barazi” të plotë dhe nuk i sheh ato! (Kështu nuk shihte ai as “lirinë” dhe “qytetërimin” që i kishte siguruar atij dikur fashizmi)[19]. Sa absurde ishin të dhënat që ofronin juristët kosovarë.

Po të jetë  se statusi i autonomisë qenka e njëjta gjë me statusin e republikës, siç po thuhet shpesh, atëherë përse nuk realizohet kërkesa e popullit të Kosovës për republikë, edhe pse për të po derdhet gjak? Se çfarë është, në të vërtetë “autonomia” që ka Kosova, se sa është ajo në fakt subjekt i pavarur i Federatës dhe se sa është ajo në duart e kosovarëve, dëshmuan më së miri  ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë. Karakteri revolucionar ose reaksionar i një kërkese kombëtare, qëndron në faktin se nëse realizimi i saj do të ndihmonte ose do ta pengonte zhvillimin e përgjithshëm të atij populli. Cili është ai që mund të thotë (dhe të mos gënjej) se çlirimi nga zgjedha koloniale nuk do ta ndihmonte zhvillimin e përgjithshëm  dhe çështjen e socializmit, jo vetëm në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, por edhe në gjithë Jugosllavinë?”[20]

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve  Stane Dollanc në një intervistë pati thënë në mes të tjerash, se Republika e Kosovës do të ishte shkatërrim për Jugosllavinë, dhe me këtë frymë ishin edhe shumë artikuj e fjalime të të  tjerëve, duke paraqitur se gjoja qëllimi  kryesor i demonstratave në Kosovës ishte shkatërrimi i Federatës Jugosllave?!

Autori mendon se shteti jugosllav dhe çdo shtet tjetër shumëkombësh ka rrezik të shkatërrohet jo duke u dhënë popujve të shtypur lirinë, por duke ua mohuar atë, duke ia mohuar të drejtën që ata të vendosnin vetë për fatin e tyre, duke u përpjekur për t’i mbajtur ata me dhunë në zgjedhën koloniale. Edhe sikur robëria  e Kosovës të ishte shtylla që  mban Jugosllavinë dhe po të jetë vënia në vend e padrejtësive që i janë bërë dhe po i bëhen popullit tonë, do të thoshte shkatërrim i shtetit jugosllav, atëherë del se ky farë shteti do të shkatërrohet patjetër dhe do të duhej shkatërruar, pasi është ndërtuar keq, pasi  është ngritur në dëm të lirisë së popujve të tjerë[21].

Duke mbrojtur “zgjidhjet” që  i kanë bërë çështjes kombëtare të Kosovës, Fuqitë e Mëdha imperialiste dhe qarqet monarkiste të Serbisë dhe të Malit të Zi, pushtetarët jugosllavë shkelin me të dy këmbët mësimet e demokracisë mbi çështjen kombëtare[22].

Me qëllim të armiqësimit të popujve jugosllavë me popullin shqiptar, klika e Beogradit mundohet t’i paraqesë demonstratat e Kosovës dhe sidomos kërkesën për republikë si “sulm të drejtuar kundër popullit serb, malazez, maqedonas dhe popujve të tjerë të Jugosllavisë”. Po për këtë qëllim, ata kanë organizuar nëpër qytete të ndryshme të Jugosllavisë tubime dhe protesta  nën parullën: “Zhivot damo, Kosovo ne damo” (jetën e japim- Kosovën se japim), por kralët e rinj të Beogradit  dhe ata që iu shkojnë pas  duhet ta dinë mirë se Kosova nuk është çiflig i tyre dhe i askujt në botë. Kosova është e kosovarëve  dhe vetëm kosovarët  kanë të drejtë të vendosin për fatin e saj.

Kërkesat e drejta të popullit për ta hequr qafe  zgjedhën koloniale, jo vetëm që nuk drejtoheshin kundër interesave të masave popullore në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi, po përkundrazi, ato ishin edhe në interesin e tyre, prandaj edhe duhej ta përkrahnin.

Parulla “Rroftë Republika Socialiste e Kosovës” ishte e drejtë, prandaj edhe përkrahej nga çdo shqiptar. Kërkesat e tij të ligjshme për republikë  nuk mundi t’ia shuajnë popullit asnjë lloj propagande e frazeologjie, sado e ashpër ose kërcënuese që të jetë, ashtu siç nuk mundi t’ia shuajnë as  masat e egra të dhunës e terrorit, as plumbat e tanket e diktaturës. Për realizimin e kësaj të drejte të ligjshme, populli ynë trim e patriot do të luftojë pa marrë parasysh asnjë sakrificë, deri sa në kushtetutë të shohë të shkruar: Republika Socialiste e Kosovës[23], sugjeronte autori.

Me qëllim të diskreditimit të rinisë dhe të gjithë popullit shqiptar, propaganda në Jugosllavi dhe në Kosovë mori një fushatë shpifjeje dhe trillimesh kundër demonstruesve, andaj edhe nëntitulli i shkrimit “Kriminelët akuzojnë për vandalizëm” dëshmon qartë si dhe çka ndërmori okupuesi ndaj popullatës liridashëse. Sipas asaj që thonë qarqet okupuese, demonstratat nuk i kishte bërë populli, po “nja 200 – 300 rrugaç, studentë të dobët, e punëtorë të këqij”, të cilët nuk paskan pasur asnjë qëllim  tjetër, po të “shkaktojnë incidente e gjakderdhje, të shkatërrojnë pronën shoqërore, të thyejnë shitoret dhe të vjedhin mallin”. Ata, jo vetëm që i paskan “detyruar njerëzit me dhunë që të dilnin në demonstrata”, por edhe paskan “vënë përpara fëmijë me qëllim që organet policore të mos mundin të shtinë mbi ta”!!! Çfarë shpifje e çfarë trillime[24], thotë autori, thuajse populli ishte naiv dhe nuk e dinte të vërtetën.

(vijon)


[1] Po aty.
[2] “Kush po e nxit nacionalizmin“, Liria, nr. 3, 1981, 4.
[3] Po aty.
[4] Po aty.
[5] “Demonstrata e Kosovës  janë vepër e popullit të saj”, Liria, nr. 3. 1981, 4.
[6] Po aty, 3.
[7] Po aty.
[8] Po aty, 5.
[9] Po aty.
[10] “Kush po e nxitë nacionalizmin?”, Liria, nr. 3, 1981, 4.
[11] Po aty.
[12] Po aty.
[13] Po aty, 6; S. Keçmezi-Basha, Demonstratat studentore ’81- kthesë e madhe në historinë…, (fejton), Epoka e Re, 8-10 maj 2006.
[14] Po aty.
[15] “Rroftë Republika Socialiste e Kosovës”, Liria, nr. 3, 1981, 4.
[16] Po aty.
[17] Po aty.
[18] “Lufta e popullit tone është e drejtë dhe do të triumfojë”, Liria, nr. 3, 1981, 5.
[19]  Po aty, 6.
[20]  Po aty; Sabile Keçmezi-Basha, “Liria”- Gazetë ilegale me fizionomi të re dhe me qëndrime të qarta”, (fejton), Epoka e Re, 15 prill – 3 maj 2006.
[21] Po aty.
[22] Po aty.
[23] Po aty,  6.
[24] S. Keçmezi-Basha, “Liria”- gazetë ilegale me fizionomi të re…, (fejton), Epoka e Re, 15 prill- 3 maj 2006, vazhdimi i tetë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.