Zymer Mehani
Sot, më 13 qershor 2025, në qytetin e dashur të Podujevës, pata kënaqësinë dhe nderin e veçantë të takohem me një talent të rrallë e premtues të letërsisë për fëmijë – shkrimtarin e vogël, por me shpirt të madh krijues, Andi Duraku. Ky takim nuk ishte një ngjarje e zakonshme, por një përjetim i ngrohtë, i frymëzues dhe kuptimplotë që dëshmoi se fjala e shkruar ende ka rrënjë të thella në zemrat e brezave të rinj.
Në praninë e prindërve të tij të përkushtuar dhe mbështetës, Artonit dhe Nazmijes, u zhvillua një bisedë e përzemërt për letërsinë, fëmijërinë, dhe botën magjike që Andi ka nisur ta ndërtojë me penën e tij të ndritur. Pasioni i tij për shkrimin, për personazhet imagjinare dhe temat e prekshme që trajton, e bëjnë atë një zë të veçantë dhe të dallueshëm në fushën e letërsisë për fëmijë.
Meqë kam pasur fatin dhe privilegjin të jem botues dhe redaktor i librit të tij të parë “Margarita dhe Dreni”, një novelë për fëmijë e mbushur me ndjenjë, imagjinatë dhe mesazhe pozitive, ia dhurova me krenari dhe dashamirësi këtë libër të sapobotuar – si një simbol i përbashkët i punës, përkushtimit dhe besimit në talentin e tij.
Takime të tilla nuk ndodhin shpesh. Ato janë dëshmi se letërsia jonë ka të ardhme, se rrugëtimi i fjalës shqipe do të vazhdojë përmes brezave që, si Andi, dinë të ëndërrojnë bukur dhe të shkruajnë me shpirt. Në sytë e tij pashë një dritë që premton shumë – një fillim të ndritur që ka nevojë për mbështetje, për duartrokitje dhe për zemra që e kuptojnë rëndësinë e një fëmije që shkruan.
Podujeva mund të krenohet me një margaritar të ri të kulturës – Andin tonë. Dhe unë, me gjithë mirënjohjen e shpirtit, mbetem përherë mbështetës i këtij udhëtimi krijues, që sapo ka nisur, por që premton të zgjasë gjatë.
Biografia e autorit
Andi (Arton) Duraku u lind më 24 shtator 2014, në Prishtinë. Aktualisht jeton në fshatin Bardhosh dhe ndjek mësimet në klasën e pestë në shkollën fillore “Anton Zako- Çajupi” në Bardhosh. Që nga fillimi i rrugëtimit të tij shkollor, Andi ka treguar përkushtim dhe dashuri të veçantë për dijen. Mësuesja e tij e parë ka qenë znj. Shpresa Hajziri, ndërsa tani udhëhiqet nga mësuesja Gëzime Alili, për të cilat Andi ndjen mirënjohje dhe krenari të veçantë.
Pasionet e tij janë leximi, shkrimi dhe futbolli. Ai është një fëmijë kureshtar dhe i përkushtuar, veçanërisht në mësimin e gjuhëve të huaja, pasi beson se përmes tyre mund të njohë më mirë kulturat dhe mënyrën e jetesës së popujve të ndryshëm.
Deri më sot, Andi ka lexuar mbi shtatëdhjetë libra të ndryshëm, të cilët i kanë lënë mbresa të thella dhe kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin e tij personal. Çdo libër, për të, është një dritare e re që hapet drejt botës, dhe kjo e bën për të leximin një ndër aktivitetet që ai e pëlqen më së shumti.
Me një shpirt të hapur, me mendje të ndritur dhe me pasion për dijen, Andi premton të jetë një zë i veçantë në brezat e rinj që po rriten me vlera, kulturë dhe ëndrra të mëdha.
Zymer Mehani
Botues dhe redaktor
Podujevë, qershor 2025