SPAK-u, një shpresë e re për drejtësinë shqiptare…

0

Ibrahim Kabili Deri tani SPAK-u dhe kreu i saj, Altin Dumani, kanë bërë një punë të mirë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Më në fund duket se pandëshkueshmëria 34 vjeçare po merr fund. Fuqia e ligjit tani po vepron fuqishëm edhe mbi njerëzit e pushtetshëm dhe të “paprekshëm”, që janë përfshirë në korrupsion, krim të organizuar, dhe kanë shpërdoruar pasuritë kombëtare. Ato, tanimë, duken të çoroditur, të trembur në gjithë qenien e tyre, po delendisen në sytë e opinionit shoqëror, po duken gjithnjë e më të pavlerë. Disa prej tyre po “mallkojnë” veten që kanë vënë dorë mbi pasurinë publike dhe pronën e tjetrit…

Shpresojmë që SPAK-u do t’i bëjë ato të “vjellin” të gjithë haramin e vënë nga pasurimi i tyre i paligjshëm. Në këto vite tranzicion hajdutëria dhe zhvatja u kthye në një “sistem normal” për këtë “takam” të privilegjuarish. Populli priste dhe shpresonte vazhdimisht, por shpesh i’u tregua brryli dhe gishti i mesit ndaj tij. Shumë nga këto monstra, të cilët kanë emra dhe mbiemra, natën u ngrysën të varfanjakë dhe në agim të ditës u gdhinë milioner… Nuk u’a mori mendja se një ditë drejtësia e re do të binte mbi kokat e tyre, ndaj e votuan 100% krijimin e SPAK-ut. Tani që SPAK-u po lufton pa përjashtim dhe fuqishëm krimin e organizuar dhe korrupsionin, sa majtas edhe djathtas, kanë filluar të hedhin vrerë ndaj tijë.

Ato po përdorin çdo lloj mjeti dhe forme për ta penguar dhe denigruar Atë. Më kot e kanë, pasi mbas SPAK-ut qëndron Amerika. Dhe në këto kushte, individët sa do të fuqishëm të jenë janë një flluskë sapuni para Amerikës, shtetit dhe drejtësisë së re. Unë nuk e lidh suksesin apo dështimin e kësaj drejtësie, me Dumanin apo të tjerët që do të vijnë pas tijë, por me institucionet e drejtësisë dhe shtetin. Motiv për këtë shkrim u bë vlerësimi i Dumanit nga SHBA-ja, si një nga 10 individët kampion kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vlerësim i tij, nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Blinken, na bëri edhe ne krenar si shqiptar dhe na riktheu shpresën e munguar…

Më në fund reforma në drejtësi, pas shumë vitesh tranzicioni, po funksionon. Të gjithë të korruptuarit nuk mund ti shpëtojnë drejtësisë së re. SPAK-u nuk është vetëm Dumani, është gjithë Institucioni, është Byroja Kombëtare e Hetimit, është vetë Amerika në krye të tij. Drejtësia e re është shpresa që po triumfon mbi pesimizmin, është ligji që po godet fuqishëm padrejtësinë, krimin e organizuar, pandëshkueshmërinë. Kjo plagë e rëndë e ka shoqëruar sistemin e drejtësisë nga viti 1990 dhe në vazhdim. Është e turpshme dhe shumë e pamoralshme kur disa krerë të politikës hedhin akuza shumë dashakeqase ndaj SPAK-ut dhe drejtuesit të tij, Altin Dumanit.

Këto akuza kanë si qëllim ta pengojnë drejtësinë e re, të cilën e kanë votuar edhe vetë. Në mendimin tim, SPAK-u po punon mirë. Dumani është i pashantazhueshëm dhe po punon pa e prishur “gjakun” për përmbushjen e misionit të tij në luftën kundër çdo lloj krimi. Megjithëse Dumani vjen nga viset e Skënderbeut, Ai, nuk është vetë Skënderbeu… Edhe heroi ynë kombëtar, Skënderbeu, në shekullin e XV-të fitoi kundër pushtuesve turq pasi u mbështet nga shqiptarët, nga krerët më me zë të kohës, nga Besëlidhja Lezhës. Edhe në atë kohë kundër Skënderbeut doli nipi i tij, Hamzai…

Tani në kohët moderne dhe rrethana krejt të tjera, kur Shqipëria aderon të futet në BE, fatkeqësisht, “hamzatë” e korrupsionit dhe të krimit të organizuar janë shtuar shumë. Numri i tyre po bëhet gjithnjë dhe më i madh. Ndaj duhet mbështetur Dumani dhe institucioni i tij në punën e tyre të vështirë, në luftën kundër korrupsionit. Triumfi në këtë lufte të vështirë, na ofron më shpejt me Evropën dhe bën pjesë të Bashkimit Evropian…

Që SPAK-u dhe institucionet e tjera të drejtësisë t’na ringjallin shpresën, mendoj se, duhet të vihen para përgjegjësisë dhe dënohen sipas ligjit të gjithë të korruptuarit dhe abuzuesit me pasurinë kombëtare. Zgjidhja e vetme është: Demaskimi me prova i abuzuesve, dënimi i tyre sipas ligjit, konfiskimi i pasurisë së vënë në mënyrë abuzive, dëmshpërblimi për abuzimet me pasurinë kombëtare, e cila u “shkatërrua” dhe u “zerua” nga disa politikanë të papërgjegjshëm. Që të jetë i suksesshëm, SPAK-u dhe Dumani, duhet të bashkëpunojnë ngushtë me Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe institucionet e tjera. Abuzuesit me pronat dhe fondet publike duhet të dalin para përgjegjësisë. Le të shpresojmë tek SPAK-u dhe drejtësia e re…

Ibrahim Kabili
Tiranë, më 28.12.2024

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.