“Shteti islamik” bektashi, një bombë shpërthyese…

0
6
NYT - Albania - islam - bektashi

Ibrahim Kabili Nisma e krijimit të “Shtetit islamik” bektashi është një bombë shpërthyese me rrezikshmëri të përhershme. Ideja e kryeministrit Rama për krijimin e shtetit islamik bektashi në Tiranë, është e papranueshme. Është e tillë sepse kemi të bëjmë me një shtet brenda shtetit shqiptar. Këtë nuk e lejon kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Sipas kushtetutës Shqipëria është shtet unik, i pandashëm dhe laik. Feja dhe shteti janë të ndara dhe të pavarura nga njëra-tjetri. Në këto kushte shteti nuk duhet të përfshihet në çështjet fetare. Dihet që komuniteti bektashian është një sekt fetar i besimit islam. Si të tillë ato në Shqipëri përbëjnë rreth 8% të numrit të përgjithshëm të besimtarëve myslimanë. Kur krijon një “shtet bektashi” për 8% për sektin shitë, çfarë mund të ndodhë me 92 % të besimtarëve të tjerë? Shumica, me të drejtë, mund të kërkojë në të ardhmen krijimin e një “shtetit” të tyre. Po çfarë mund të ndodhë me komunitetet e tjera fetare; katolikët dhe ortodoksët? Edhe atyre mund t’ju “shtohet oreksi” për organizime të tilla në forma të ndryshme. Kjo nismë, është e panevojshme në mendimin tim.

Ajo mund të sjellë ndasi, përçarje dhe mungesë uniteti ndërfetar. Një “shtet” i tillë nuk mund të jetë funksional në një vend të vogël si Shqipëria… Ndaj, mendoj unë, kryeministri Rama duhet të heqë dorë nga nisma e tij për krijimin e shtetit bektashi në Tiranë. Krijimi i një shteti të tillë mund të nxisë ndasi ndërfetare për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe gjetkë. Kjo, mendoj unë, mund të ketë efekte negative afatgjata për shqiptarët. Shqipëria e vogël nuk e ka “luksin” për t’u copëtuar edhe më shumë, me “shtete” brenda shtetit.

Mendoj se nisma duhet të ndalet, sa nuk është vonë. Nga ana tjetër krijimi i mundshëm i një “shteti” të tillë, është një rrezik akoma më i madh edhe për Kosovën. Me këtë precedent, Serbia do të kërkojë formimin e një “shteti ortodoks serb” për serbët në Kosovë. Ky është edhe një argument më shumë për t’u tërhequr nga kjo nismë. Shqiptarët duhet të bashkohen dhe jo më të përçahen. Përçarjen e shqiptarëve kanë dashur armiqtë e kombit tonë. Këtë e kanë dashur serbët, grekët, osmanët, malazezët, etj. Ato gjithmonë kanë tentuar përçarjen fetare të shqiptarëve.

Për këtë kanë përdorur forma dhe mënyra të shumta. Në përgjithësi shqiptarët nuk kanë rënë pre e kësaj veprimtarie armiqësore të tyre. Në Shqipëri ka sunduar dhe vazhdon të sundojë harmonia dhe toleranca ndërfetare. Kjo është vlerë e madhe kombëtare që kanë arritur shqiptarët. Pikërisht këtë vlerë të madhe duan të shkatërrojnë armiqtë tanë. Ata tentojnë të godasin fort këtë vlerë dhe ti përçajnë shqiptarët. Ndaj mendoj, se formimi i “shtetit islamik” bektashi në Tiranë, është një ide jo e menduar mirë dhe mund sjellë probleme në të ardhmen. Në biseda me njerëz të thjeshtë, shokë, miq, intelektualë, njerëz të besimit bektashian, etj. kjo ide është e parëndësishme dhe e papranueshme për shumicën prej tyre. Si rezultat i ndikimit të veprimtarive të qarqeve të huaja armiqësore ndaj shqiptarëve, toleranca dhe harmonia fetare ka pësuar lëkundje të forta! Rrymat ekstremiste fetare duket se po fuqizohen. Kjo tenton të dobësojë identitetin tonë kombëtar.

Në Kosovë persona të besimit islam thonë se janë myslimanë, dhe nuk duan t’ia dinë për kombin, simbolet kombëtare dhe figurat e ndritura të kombit shqiptar. Në Shqipëri situata është më ndryshe, por përsëri kemi persona të ndryshëm të arsimuar në vende të ndryshme të lindjes që mundohen të sjellin përçarje fetare nëpër ekrane me teori të ndyshme dashakeqe. Kjo bëhet më kërcënuese kur politika dhe shteti ndërhyn në besimet fetare. Në ceremoninë e inagurimit të Xhamisë së Namazgjasë politika u përzi në fe… Kjo nuk duhet të ndodhë. Nga ana tjetër në ceremoninë e inagurimit nuk morën pjesë Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe përfaqësuesit e dy komuniteteve të tjera fetare. Feja nuk duhet të ketë lidhje me politikën. Kur futet politika në fe, besimi fetar shkrumohet. Shteti dhe politika duhet të sigurojë autonomi për komunitetet fetare dhe jo të ndërhyrje në punët e brendshme të tyre.

Në këto kushte, unë dashamirësisht, mendoj:

1- Rama si kryeministër duhet të bëjë një hap prapa dhe të tërhiqet nga nisma për krijimin e “Shtetit Bektashi” shqiptar.
2- Komuniteti bektashi duhet të mos e përkrahë një nismë të tillë. Në të kundërt ai duhet të përmirësojë punët për ta kryer më mirë misionin si qendër e bektashizmit ndërkombëtar.
3- Komuniteti bektashi të udhëhiqet nga normat dhe parimet e bektashjanëve të mëdhenj shqiptarë të Naim, Abdyl dhe Sami Frashërit.
4- Komuniteti bektashian të udhëhiqet nga deviza fe, komb, atdhe të ideuar nga rilindasit e shquar shqiptarë.
5- Të respektohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për këtë problem. Ajo përcakton qartë karakterin unitar të shtetit shqiptar dhe territorit të tij.
6- Shteti shqiptar me kushtetutë është laik dhe si i tillë nuk duhet të ndërhyjë në besimet fetare.
7- Ka ardhur koha të bashkohemi dhe të kthejmë autoqefalinë e kishës Noliane, duke përzënë Janullatosin e “Saliut”, dhe jo të “lëshojmë” territor për “shtetin e ri” që i ka “shtetasit” e vetë në të gjithë botën.

Ibrahim Kabili

Tiranë, më 05.10.2024

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.