35 vjet nga rënia e murit ndarës
Xhelal Zejneli
“GODITJE EPIKE TIRANISË”
– Angela Merkel
Muri i Berlinit (gjerm.: Die Berliner Mauer) ka qenë një barrierë e gjatë rreth 160 km e cila e ka ndarë Berlinin perëndimor nga ai lindor dhe nga territori përreth i republikës Demokratike Gjermane. E ndërtoi pushteti i Gjermanisë Lindore, propaganda e të cilit këtë objekt e quajti “Mur mbrojtës antifashist” (gjerm.: Antifaschistischer Schutzwall). Qëllimi i murit ishte të pengojë ikjen e popullsisë nga Gjermania Lindore realsocialiste në Gjermaninë Perëndimore. Filloi të ndërtohet më 13 gusht 1961. Disa herë ka përjetuar ndërtime plotësuese. Për qarkullim rrugor të papenguar është hapur më 9 nëntor 1989 dhe më pas u shemb. Ka qenë mishërim i luftës së ftohtë.
Rrethanat e ndërtimit – Kontakti i drejtpërdrejtë i zonës shtetëror të Gjermanisë Lindore dhe të Gjermanisë Perëndimore në Berlin, i krijonte mundësi popullatës të migrojë në Perëndim: prej vitit 1945 deri në vitin 1961 e kanë braktisur Republikën Demokratike Gjermane gjithsej 3,5 milionë banorë – rreth 20% e popullatës së përgjithshme të atij shteti. Përveç kësaj, mundësinë që në Berlin prej vendeve komuniste të ikin në Perëndim e kanë shfrytëzuar një numër i konsiderueshëm i shtetasve të Polonisë dhe të Çekosllovakisë – shtete fqinje të RFGj-së. Shtetet komuniste e kishin të ndaluar emigrimin.
Ndërtimi, mirëmbajtja dhe vëzhgimi i murit dhe i “rripit të gjerë të vdekjes” rreth tij – objektit i cili në fazën përfundimtare ka qenë e gjatë rreth 160 km – ka kushtuar shumë shtrenjtë dhe ka qenë një barrë e madhe për ekonominë e Gjermanisë Lindore.
Në periudhën e viteve 1961-1989, rojet e kufirit të Gjermanisë Lindore kanë vrarë të paktën 138 persona të cilët kishin tentuar të ikin përtej murit. Përtej murit ia kanë dalë të ikin 5.075 persona. Prej tyre, 574 nga radhët e ushtarëve të cilët kanë pasur për detyrë ta ruajnë murin e Berlinit, d.m.th. ta parandalojnë ikjen përtej murit.
Shembja e murit të Berlinit – Në kontekstin e çintegrimit të bllokut komunist të tubuar rreth Bashkimit Sovjetik, sundimtari efektiv shumëvjeçar i Republikës Demokratike Gjermane Erih Honeker (Erich Ernst Paul Honecker, Neunkirchen, Gjermani, 1912 – Santiago, Kili, 1994), më 18 tetor 1989 dha dorëheqje. Honekeri ishte Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste të Bashkimit Gjerman. Honekeri qysh në janar të vitit 1989 kishte prognozuar se muri i Berlinit do të qëndrojë edhe 50 deri 100 vjet. Rrjedha e shpejtë e ngjarjeve që më vonë u njoh si revolucion i qetë në Republikën demokratike Gjermane (RDGj) në vitin 1989, e përgënjeshtroi parashikimin e tij. Në shtator të vitit 1989, në mbarë Gjermaninë Lindore shpërthyen demonstrata.
Që në krye të herës demonstruesit ishin kryesisht njerëz të cilët kishin dashur të emigrojnë në Perëndim. Ata brohoritnin parullën “Duam jashtë” (Wir wollen raus!). Më pas demonstruesit filluan të brohorisin “Wir bleiben hier!” (Këtu do të rimë!), duke dashur të thonë se duan që Perëndimi të vijë në vatrën e tyre dhe jo ata ta braktisin vendlindjen. Autoritetet komuniste nuk treguan vendosmëri të zbatojnë forcë kundër demonstruesve. Demonstratat vazhduan dhe bëheshin gjithnjë më masive. Ato arritën kulmin më 4 nëntor kur rreth gjysmë milion demonstrues u tubuan në Sheshin Alekasandër (Alexanderplatz) në Berlini lindor.
Shënim: Demonstratat kanë qenë ilegale. Në një vend komunist ke të drejtë vetëm t’i japësh mbështetje regjimit. Kundërshtimi i politikës së pushtetit konsiderohet veprimtari kundërrevolucionare dhe dënohet ashpër.
Nën trysninë e demonstratave dhe të situatës ndërkombëtare ku janë lëkundur të gjitha regjimet në Evropën Lindore, Politbyroja e Partisë Socialiste të Bashkimit Gjerman (SED) në krye me trashëgimtarin e Honekerit, Egon Rudi Ernst Krenz (1937- ), më 9 nëntor 1989 vendosi të lejojë emigrimin në Perëndim.
Shënim: Në vendet komuniste dhe në vendet e tjera totalitare, vendimet më të rëndësishme nuk i marrin autoritetet shtetërore por forumet qendrore të partisë në pushtet.
Në konferencën për gazetarët, përfaqësuesi për publikun i Politbyrosë dhe shef i SED-së për Berlinin lindor, Gynter Shabovski (Günter Schabowski, 1929-2015) vazhdimisht paralajmëronte se vendimi “do të hyjë në fuqi menjëherë, pa shtyrje” – qoftë edhe sikur Politbyroja të ketë caktuar që vendimi të hyjë në fuqi të nesërmen, në mënyrë që rojet kufitare të Gjermanisë Lindore të mundë të përgatiten për çeljen e vendkalimeve. Deklaratat e Shabovskit (Schabowski), në orën 19:17 i transmetuan mediumet elektronike të Gjermanisë Perëndimore, që mund të ndiqeshin edhe nga një pjesë e madhe e popullsisë së Gjermanisë Lindore. Sakq, para gjashtë vendkalimeve, nga Berlini lindor në atë perëndimor filluan të tubohen qytetarët e Republikës Demokratike Gjermane (RDGj) të cilët menjëherë donin të shkojnë në Perëndim.
Rojet kufitare tejet të hutuar – të cilët ende s’kishin marrë urdhra për të lëshuar dikë – u ballafaquan me një masë të madhe njerëzish. Askush nuk ishte i gatshëm të përdorte forcën për t’i ndalur njerëzit që donin të kalonin matanë kufirit. Në orën 22:45 Harald Jager (Harald Jäger, 1943- ), urdhërdhënësi i drejtpërdrejtë i kalimit në Bornholmer Straße, u dha urdhër rojeve kufitare ta çelin vendkalimin dhe të lëshohen njerëzit për të shkuar në Berlinin perëndimor. Në anën tjetër të murit i pritnin berlinasit perëndimorë me lule dhe me shampanjë. Pamje përqafimi dhe vallëzimit të transmetuara nga studiot televizive e tronditi emocionalisht mbarë Gjermaninë, populli i të cilës po përjetonte fundin e ndarjes së imponuar.
Më 9 nëntor 1989, njerëzit me nismën e vet filluan të shkatërrojnë pjesë të Murit, ndërsa më 13 nëntor ushtria e Gjermanisë Lindore ndërmori largimin e organizuar të do pjesëve të tij. Shtetasve të Republikës Demokratike Gjermane (RDGj), d.m.th. të Gjermanisë Lindore, menjëherë iu mundësua të kalojnë prej Berlinit lindor në atë perëndimor. Mirëpo, shërbimi kufitar deri më 23 nëntor 1989 ende e kufizonte hyrjen e shtetasve të Gjermanisë Perëndimore (Republikës Federale të Gjermanisë) në Berlinin lindor. Zyrtarisht, ribashkimi i Gjermanisë u krye më 3 tetor 1990.
* * *
Shembja e murit të Berlinit shënon fillimin e çlirimit nga ideologjia komuniste dhe nga strukturat komuniste, jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por edhe në shumë shtete socialiste në Evropë. Njëherazi, shembja e murit shënon fillimin e bashkimit të përshpejtuar të Gjermanisë.
Me rastin e 25-vjetorit të rrënimit të murit, kancelarja e Gjermanisë Federale, Angela Merkel (1954- ), shembjen e murit e quajti “goditje epike tiranisë”.
* * *
Muri i Berlinit u shemb më 9 nëntor 1989. Më 3 tetor 1990 Gjermania u ribashkua.
Pason shpërbërja e perandorisë sovjetike, bolshevike, të kuqe. I vjen fundi tiranisë, autokracisë, autoritarizmit, despotizmit, bolshevizmit, diktaturës, totalitarizmit, stalinizmit. Nga Bashkimi Sovjetik i shpërbërë doli një Rusi e pakonsoliduar. Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari si shtet sovran më 25 dhjetor të vitit 1991.
Shpërbëhet edhe krijimi artificial, Jugosllavia e Titos apo e AVNOJ-it (KAÇKJ – Këshilli Antifashist i Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë). Studiuesit nuk janë të njëmendimi se kur u shpërbë Jugosllavia. S’janë të njëmendimi as për shkaqet e shpërbërjes së saj. Formalisht, shkatërrimi i Jugosllavisë filloi më 25 qershor 1991 kur Kuvendi i Sllovenisë dhe Kuvendi i Kroacisë shpallën pavarësinë nga RSFJ. Pas dy ditëve, d.m.th. më 27 qershor 1991, midis pjesëtarëve të mbrojtjes territoriale të Sllovenisë, në një anë dhe forcave pushtuese serbosllave, në anën tjetër, shpërthyen konfliktet e armatosura.
* * *
Ribashkimi i Gjermanisë, shpërbërja e perandorisë sovjetike, dalja prej saj e një Rusie të pakonsoliduar, shpërbërja e Jugosllavisë së AVNOJ-it, dominimi në planin global i ShBA-së, janë momente historike që shkojnë në dobi të kombit shqiptar.
Zhvillimet historike të sipërthëna bënë të mundur: hyrjen e ShBA-së në rajon; çlirimin e Kosovës prej pushtuesve, kolonialistëve, hegjemonistëve dhe ekspansionistëve serbomëdhenj; konsolidimin e Shqipërisë dhe hyrjen e saj në NATO.
Shqiptarët në Ballkan janë të rrethuar prej hienave. Pa Amerikën në rajon, shqiptarët janë të rrezikuar prej grabitqarëve. Shqiptarët i përkasin zonës amerikane të interesit dhe sferës amerikane të ndikimit dhe janë populli më proamerikan në botë.