RRUGA PËR NË SELANIK

0
Sabile dhe Tefik Basha

BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH…

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha & Prof. Dr. Tefik Basha

(Pjesa e tretë)

Pas katër ditësh të mbushura me aktivitete dhe përvoja të paharrueshme, ne e pritem një aventurë të re, të mbushur me sfida dhe surpriza.

Agoni, i cili kishte planifikuar çdo detaj të udhëtimit tonë me kujdes të veçantë, kishte menduar për çdo mundësi për të siguruar që ky rrugëtim të ishte një kujtim i çmuar. Në përpjekjen për të lehtësuar çdo lodhje gjatë udhëtimit, ai kishte rezervuar një natë në Selanik, një qytet që do të shërbente si një pikë ndalese përpara nisjes sonë drejt Çamërisë. Me përgatitjet e bëra, ai kishte siguruar që çdo hap i udhëtimit të ishte i qetë dhe pa ndonjë shqetësim të vogël. Në përgatitjet tona për të udhëtuar më tej, Tefiku dhe unë kishim shqyrtuar me kujdes destinacionet që do të vizitonim: Qamëri, Janinë, Pargë, Artë, Prevezë, Igumenicë dhe Korfuz.

Na informuan se distanca nga hoteli ynë në Halkidiki deri në Selanik ishte më pak se një orë e gjysmë me makinë. Për këtë arsye, kishim planifikuar të niseshim pasdite, duke shfrytëzuar kohën për tu relaksuar në plazh. Agoni, së bashku me Albinen dhe Benin, na shoqëruan deri në Selanik dhe na vendosën në hotelin “Imperial”. Pas një darke të shijshme dhe të ngrohtë, ata u kthyen në Halkidiki, duke na lënë të vetëm në Selanik për të vazhduar aventurën tonë.

Selaniku

Selaniku, qyteti i dytë më i madh në Greqi dhe si një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike, industriale, tregtare dhe politike të Greqisë, ai luan një rol të veçantë në zhvillimin e vendit. Qyteti shtrihet përgjatë Gjirit të Selanikut, duke zgjatur për 17 kilometra dhe përbëhet nga 13 komuna. Përndryshe është i njohur edhe për monumentet dhe ndërtesat e tij romake dhe otomane, duke e bërë atë një destinacion të rëndësishëm historik dhe kulturor.

Sabile Keçmezi-Basha dhe Albina Balidemaj-Basha, Selanik, qershor 2024

Për shqiptarët, Selaniku mbetet një vend i ngarkuar me kujtime të hidhura, pasi shumë emigrantë shqiptarë, të përndjekur nga ushtritë serbe gjatë shekujve XIX dhe XX, kaluan përmes këtij qyteti. Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2001, Selaniku kishte 363,987 banorë, ndërsa në vitin 2011, numri ra në 325,182. Nga viti 1943 deri në vitin 1944, rreth 50,000 hebrenj u dëbuan dhe u zhdukën në kampet naziste të përqendrimit, duke përbërë rreth gjysmën e popullsisë së qytetit në atë kohë. Sot, Selaniku ka një konsullatë shqiptare, dhe sipas të dhënave të vitit 2005, aty jetojnë rreth 100,000 shqiptarë, ndonëse nuk ka të dhëna të sakta për numrin e shqiptarëve të vjetër që kanë jetuar aty për shekuj.

Selaniku është një qytet i rëndësishëm jo vetëm për Greqinë, por edhe për Evropën Juglindore, për shkak të rolit të tij ekonomik, industrial, tregtar dhe kulturor. Porti tregtar i qytetit është një ndër më të rëndësishmit në Greqi dhe një pikë kyçe për shtetet e tjera në juglindje të Evropës. Që nga periudha romake, Selaniku ka qenë një qendër e rëndësishme ekonomike, me një industri të zhvilluar, përfshirë prodhimin e armëve. Industria e qytetit përfshin gjithashtu prodhimin e qumështit, ushqimit dhe tekstilit, ndërsa sektorët e shërbimeve dhe telekomunikacionit janë gjithashtu të zhvilluar.

Sabile Keçmezi-Basha dhe Tefik Basha, Selanik, qershor 2024

Në aspektin kulturor dhe artistik, Selaniku është qyteti më i zhvilluar në Greqinë Veriore. Ai strehon një sërë monumentesh të kulturës, përfshirë Teatrin Nacional të Greqisë Veriore, Sallën e Koncerteve, Muzeun Arkeologjik, Muzeun e Kulturës Bizantine, Muzeun Teknologjik dhe të Shkencës, si dhe Muzeun Olimpik. Qyteti është gjithashtu i njohur për qendrat e tij tregtare, si Mediterranean Cosmos, që është qendra më e madhe tregtare në Evropë në aspektin e argëtimit.

Selaniku, si një fushë e gjallë e yjeve të natës, ofron një jetë të ndezur dhe dinamike, ku kafenetë dhe baret si ndriçues të ngjyrave, shtrihen në çdo kënd. Qyteti strehon kazinonë më të madhe në Greqi, një oazë luksi dhe argëtimi. Po kështu, Selaniku është një thesar arkeologjik, ku monumentet e mbrojtura nga UNESCO shpalosin historinë me një elegancë të paqëndrueshme. Banjat Otomane (Bey Hamam) shtrihen si një ëndërr nga e kaluara, Harku i Triumfit (Kamara) ngrihet si një triumf i kohëve të shkuara, dhe Agorana e vjetër romake, me teatrin e saj të vogël, flet për kohë të tjera.

Tefik Basha, Albina Balidemaj-Basha, Ben Basha, Sabile Keçmezi-Basha dhe Agon Basha-Halkidiki, qershor 2024

Sporti është gjithashtu një pjesë e gjallë e këtij qyteti, me tri stadiume të mëdha që ngjallin pasion dhe energji: Kaftanzoglio, Toumba dhe Kleanthis Vikelidis. Skuadrat më të njohura të qytetit – Iraklis, PAOK dhe Aris – garojnë në Super Ligën e Greqisë, duke e mbajtur flamurin e qytetit – lartë. Në Selanik ndodhen gjithashtu objekte të shumta fetare, ku xhamitë dhe kishat historike si Ajasofija, Xhamia Alaxha Imaret dhe Xhamia e Bajazitit, ndajnë me të pranishmit një herësi të shenjtë dhe të lavdishme.

Pasi mbërritëm në hotelin “Imperial”, u përgatitëm për një darkë të fundit me Agonin, përpara se ata të ktheheshin në Halkidiki për të vazhduar pushimet e tyre. Pranë hotelit, qyteti ishte i mbushur me restorante të njohura për kuzhinën e tyre të larmishme. Nuk u larguam shumë nga rruga Ignatia dhe gjetëm një vend të këndshëm në një zonë të frekuentuar të qytetit. Grekët, si kuzhinier të njohur për aftësinë e tyre për të bindur mysafirët në shijen e tyre të jashtëzakonshme, filluan me një bokall uji, një traditë mikpritjeje, dhe vazhduan me sallziket e tyre të mrekullueshme. Beni, gjithmonë një sfidues i oreksit, u ndihmua të hapte zemrën për një festë të vërtetë.

Albina Balidemaj-Basha, Sabile Keçmezi-Basha dhe Beni i vogël, Selanik, qershor 2024

Ndërsa bisedonim dhe qeshnim për gjëra të thjeshta, një kamerierë qëndronte pranë, duke pritur për porositë tona. Në një moment, në vend të një ndërveprimi të zakonshëm, ai na tha në shqip: “Vetëm flisni, se ju kuptoj shumë mirë. Edhe unë shqiptar jam.” Biseda u shndërrua në një festë të papritur, ku të gjithë filluam të flasim njëkohësisht, të ndarë nga lidhjet e përbashkëta. Dikush tha: “Epo shumë mirë,” dikush tjetër pyeti: “Nga të kemi?”, dhe unë e pyeta: “Qe sa kohë jeton këtu?” Kamarieri, duke buzëqeshur, premtoi të merrte porositë tona dhe më pas t’i përgjigjej pyetjeve. Pas pak minutash, ai u kthye, duke sjellë gjithçka që kishim kërkuar dhe duke mbushur tavolinën me një bujari të paçmuar, si një festë e plotë dhe e ngrohtë.

Rolandi,

Kamarieri që tashmë na ishte bërë shok i tavolinës, na rrëfeu me një ndjenjë mallkimi se prindërit e tij ishin nga Gjirokastra, por gjatë kohëve të pasigurta të tranzicionit, kishin emigruar në periferi të Selanikut. Ai vetë kishte lindur në këtë tokë të huaj dhe kishte marrë emrin nga gjyshi që kurrë nuk kishte pasur mundësinë ta njihte. Me një trishtim të thellë, ai na tha se kurrë nuk e kishte vizituar Shqipërinë, një rrëfim që e preku thellë zemrën e secilit prej nesh. “Si është e mundur,” i thashë, “që as ti, as prindërit e tu, nuk keni shkelur ndonjëherë në atë tokë të lashtë?”

Me një zë të ulët dhe të ngarkuar me emocion, Rolandi ndau me ne amanetin e babait të tij të ndjerë, i cili kishte kërkuar që një ditë ai të shkonte në vendin e lindjes së tij. Edhe pse Rolandi kurrë nuk kishte qenë atje, babai i tij i kishte përshkruar Gjirokastrën me një dashuri të thellë, saqë ai mund ta përshkruante çdo rrugë dhe çdo rrugicë të saj në mendjen e tij. Fliste shqip me një bukuri të natyrshme, ndonëse herë pas here gabonte, ndalonte për një moment dhe e korrigjonte veten.

Në bisedë e sipër, ai shprehu një moskuptim të thellë për arsyet pse babai i tij kishte zgjedhur të mos kthehej në Shqipëri. Rolandi na tregoi se babai i tij, kur ishte ende i ri, ishte arrestuar dhe burgosur në Spaq, ku kishte kaluar tortura të tmerrshme deri në gjendje të alivanosur. Ai nuk mund të kuptonte si kishte ndodhur gjithë ajo dhimbje dhe se si bota kishte mundur të kthejë kurrizin ati populli fisnik. Rrëfimi i Rolandit na preku kaq thellë, saqë oreksi ynë u shua.

Duke e parë ndikimin e fjalëve të tij mbi ne, ai kërkoi ndjesë dhe nxitoi të sillte ushqimin që kishim porositur. Qëndroi pranë nesh gjatë gjithë kohës, duke qenë gjithmonë i gatshëm për çdo ndihmë që mund të na nevojitej. Herë pas here, ndalej dhe na rrëfente histori nga jeta e tij. Na tregoi se në Selanik kishte shumë emigrantë shqiptarë, por jo të gjithë kishin gëzuar fat. Babai i tij, megjithëse kishte qenë mësues në Shqipëri, kishte qenë i detyruar të ruante dele në Greqi, një periudhë që e kishte shtyrë Rolandin të mësonte dhe të luftonte me pasion për të arritur. Me një buzëqeshje, ai na e tha se nuk ishte kamerierë i vërtetë, por vetëm ndihmonte shokun e tij Stavrosin, pronarin grek të restorantit. Rolandi na njoftoi se ishte jurist dhe punonte në një organizatë në Selanik.

Në përfundim të darkës, kur kërkuam faturën, Rolandi na ndaloi. “Jo,” tha ai, “do të merrni edhe akullore. Dua t’ju qeras.” Pasi na shërbeu ëmbëlsirën, shtoi me krenari: “Unë jam Rolando, shqiptar nga Shqipëria,” dhe të gjithë qeshëm kur Tefiku i ktheu: “Shqiptar që nuk ke qenë kurrë në Shqipëri!” Rolandi, me një ndriçim në sy, u betua se një ditë do të shkonte në Shqipëri, siç ia kishte lënë amanet babai. Ai gjithashtu premtoi se do të vinte edhe në Kosovë, sepse, siç tha ai me buzëqeshje, “Ne jemi vëllezër, apo jo?”

Ne u larguam duke i uruar Rolandit që të realizonte amanetin e babait sa më parë. Pas largimit nga aty u përshëndetëm edhe me Agonin e Albinën e Benin. Pas ikjes së tyre, ndjeva një dhimbje të fshehtë, një boshllëk në zemër që mezi e mbajta përbrenda. Në atë hotel të madh, ndjeja vetminë dhe mungesën e fëmijëve dhe nipit tim të vogël. Edhe Tefiku ndjente të njëjtën gjë. E përcollëm me sy veturën e tyre deri sa humbi në horizont dhe ndjeva pendim të pafund që nuk qëndruam më gjatë me ta në Halkidiki. Burri më zgjoi nga mendimet duke më kujtuar se nesër na priste një rrugë e gjatë.

Autostrada Egnatia Odos

Të nesërmen, kur u nisëm në udhëtim, u gjendëm përballë një mrekullie që na la pa fjalë. Rruga, një autostradë e përkryer, na shfaqej si një vizion i panjohur nga vendet ku kishim kaluar më parë. Ajo nuk ishte thjesht një shteg për makinat, por një udhë që dukej sikur ngrihej mbi tokë, e projektuar për të çliruar shpirtin e udhëtimit.

Vetura jonë, në atë rrugë të ndritshme, nuk ecte më – ajo fluturonte, duke kapërcyer hapësirat me një lehtësi që sfidonte gravitetin. Kilometrat zhdukeshin pas nesh, sikur koha vetë t’i përpiu me oreks të pashuar. Çdo kthesë dhe drejtim i saj ishte si një premtim për më shumë, një përvojë që rrëshqiste pa u ndier, duke na çuar gjithnjë më tej, drejt horizontit të pafund të së panjohurës.

Ishte një çast ku udhëtimi nuk ishte vetëm lëvizje, por një bashkim i mrekullueshëm mes njeriut dhe rrugës, një harmoni që na bëri të ndiheshim të lirë dhe të gjallë, sikur edhe ne vetë po fluturonim përkrah makinës sonë besnike.

Rruga drejt Janinës, si një peizazh i përfytyruar mes ëndrrave të udhëtimit, na ofroi më shumë sesa një itinerar – ishte vetë frymëmarrja e një udhe të ndritur. Autostrada shtrihej si një kurorë e hijshme, e lehtë për t’u përshkruar dhe e këndshme për sytë që gëlltisnin bukuritë e saj pa fund. Rrjedha e saj elegante mbante hijeshi dhe luks, ndërsa tunelet, si galeri drite të gdhendura në mal, shfaqeshin njëra pas tjetrës, të rregulluara me një përkujdesje që frymëzonte siguri.

Kureshtja ime, si një udhëtar që kërkon kuptimin pas çdo pike të rrugës, nuk më linte të qetë. Sa tunele vallë kishte kjo mrekulli? Sa kishte kushtuar kjo kryevepër që dukej si një dhuratë nga një epokë e ndritur? Dukej e re, si të kishte dalë nga duart e mjeshtërve të Evropës moderne. Mendja ime u përpoq të gjente përgjigje aty për aty, duke kërkuar në burimet e dijes që kisha me vete. Por Wikipedia nuk më dha asgjë atë ditë – një boshllëk që mbeti pezull në shpirt.

Dhe megjithatë, meraku më ndoqi deri sa u kthyem në shtëpi- në Kosovë. Ishte aty, në qetësinë e një mbrëmjeje pas kthimit, kur më në fund zbulova të dhënat që më mungonin. Shifrat dhe faktet qëndronin përpara meje, duke u bërë pjesë e një mozaiku kujtimesh për një rrugëtim që nuk do të harrohet kurrë – një rrugë që nuk ishte thjesht udhë, por një përjetim.

E ndërtuar mbi dëshirën për të kapërcyer pengesat gjeografike dhe për të bashkuar Epirin, Maqedoninë dhe Trakinë, kjo autostradë nuk është thjesht një udhë për makinat. Ajo është një lidhje mes zemrave të rajoneve, një simbol i përpjekjes për unitet, ku çdo kilometër rrëfen një histori dëshire, përkushtimi dhe vizioni. Të përfshirë në rrjetin prioritar të projekteve trans-evropiane të transportit, Egnatia mbart me vete jo vetëm udhëtarët e sotëm, por edhe shpresat e tregjeve që presin të lidhen dhe industrializimin që lulëzon nga Perëndimi në Lindje.

Autostrada 2, e njohur si Egnatia Odos, është si një arterie madhështore që përshkon trupin e Greqisë Veriore, duke lidhur brigjet e Perëndimit me horizontet e Lindjes. Me një gjatësi të mrekullueshme prej 670 kilometrash dhe një gjerësi prej 25 metrash, kjo rrugë e gjatë është pjesë e itinerarit evropian 90, një fije lidhëse mes kombeve dhe historive të ndryshme.

Rruga nis në Igumenicë, një qytet-port në Greqinë Perëndimore, ku valët e detit përqafojnë tokën dhe ku fillon udhëtimi që shtrihet deri në Aleksandropolis, në kufi me Turqinë. Në këtë shteg të gjatë, autostrada gërshetohet me itinerare që shkojnë drejt Bullgarisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke hapur shtigje për miqësi, tregti dhe kulturë.

Egnatia Odos nuk është vetëm një rrugë moderne – është një udhëtim përmes kohës dhe natyrës. Ajo përshkon rajone malore që të lënë pa frymë, ku natyra është piktura më e përsosur. Rruga është e ndërtuar me një përkujdesje të jashtëzakonshme, pajisur me teknologji moderne për mbikëqyrje dhe siguri, duke garantuar që udhëtimi të jetë po aq i sigurt sa është i këndshëm.

Por, më shumë se kaq, kjo autostradë është një trashëgimi e të kaluarës. Në trajektoren e saj, ajo ndjek hapat e rrugës së lashtë Egnatia, një rrugë e ndërtuar nga romakët në shekullin II p.e.s., që lidhte Bizantin me Apoloninë, duke mbartur dikur karvanë dhe legjione, tregtarë dhe udhëtarë, në një epokë ku rrugët ishin nyje të qytetërimeve.
Sot, Egnatia Odos është më shumë se një udhë moderne – ajo është një urë mes epokave, një testament për bashkimin e së shkuarës me të ardhmen, ku çdo kilometër pëshpërit histori dhe premtime për të nesërmen.

Egnatia Odos, një epikë moderne e ndërtimit, shpalos mrekullitë e saja nëpërmjet 73 tuneleve rrugore binjake, të shtrira si damarë të gdhendur në zemrën e maleve. Me një gjatësi të kombinuar prej 100 kilometrash, këto tunele janë pasazhe drite që lidhin horizonte dhe thyejnë kufijtë mes natyrës dhe teknologjisë.

Ndërtimi i kësaj autostrade madhështore ishte një përpjekje kolosale, një përkushtim që kërkoi rreth 6 miliardë euro për t’u përmbushur. Vetëm tunelet, si kurorat e saj më të çmuara, përthithën 1.8 miliardë euro, duke reflektuar jo vetëm kostot, por edhe përkushtimin ndaj sigurisë dhe bukurisë së rrugës.

Në shtatorin e vitit 2010, kabinat e para të pagesës, të quajtura Diodia, u hapën në Polymylos. Sot, autostrada ka 13 pika pagese, secila prej tyre një kujtesë për vlerën e këtij udhëtimi të jashtëzakonshëm. Tarifat variojnë nga 50 cent në 2.40 euro, dhe kostoja totale për të përshkuar këtë rrugë me makinë është 19.20 euro – një çmim i vogël për një udhëtim nëpër histori dhe modernitet.

Egnatia Odos është më shumë se një rrugë – është një vepër arti e ndërtuar mbi themelet e përparimit dhe lidhjes, një testament i kapacitetit njerëzor për të ndërtuar ura midis vendeve, kulturave dhe kohërave. Me çdo tunel dhe çdo kabinë, ajo pëshpërit histori për mundin dhe vizionin që e bëri të mundur, duke i dhuruar botës një rrugë që lidh më shumë se territore – ajo lidh shpirtin e bashkëpunimit dhe të ardhmes.

(vijon)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.