20.5 C
Tirana
E dielë, 25 Janar 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj RRETH LETËRKËMBIMIT ME MARTIN CAMAJN

RRETH LETËRKËMBIMIT ME MARTIN CAMAJN

0
Anton Nikë Berisha - 49 letra Martin Camaj
Antoni Nikë Berisha
Antoni Nikë Berisha

Anton Nikë Berisha

Njohja ime me shkrimtarin tonë, Martin Camaj, filloi përmes letrave. Në vjeshtën e vitit 1978 fitova bursën e DAAD – së (Deutsche Akademische Austauschdienst) për një qëndrim studimor 14 mujor në Republikën Federate të Gjermanisë (BRD).

Atëbotë punoja në Institutin Albanologjik të Prishtinës – në degën e letërsisë gojore bashkë me prof. Anton Çettën. Në Institut punonte dhe Zekeria Cana, historian. Të dy e kishin njohur Martin Camajn nga koha e studimeve në Universitetin e Beogradit. Ndonjëherë, kur e kushtëzonte biseda, sidomos kur ata kujtonin kohën e studimeve, kemi folur dhe për Martinin. Veçmas prof. Antoni më ka rrëfyer ndonjë imtësi nga jeta studentore në Universitetin e Beogradit që lidhej edhe me Martinin.

Para se të nisem për Gjermani, Zekeria Cana ma dha adresën e Martinit. Pasi fillova të përshtatëm me jetën në Göttingen, sidomos me gjuhën, një ditë i shkrova Martinit një letër të shkurtër, duke përmendur kush jam dhe disa nga gjërat që kisha botuar si dhe arsyen pse isha në Göttingen, si bursist i DAAD-së.

Nuk e mbaj mend datën e letrës që ia shkrova, po sipas të dhënës së letrës së tij,  të dt. 31 janar 1979, ai shënon se letrën e kam shkruar më 21 janar të atij viti. Martini është përgjigjur menjëherë (kështu del nga letra e tij e parë që më dërgoi), po sipas të gjitha gjasave unë e kisha shkruar letrën më 21 janar, po e kisha hedhur më vonë me postë. Në Gjermani letrat nuk vonojnë, zakonisht mbërrijnë brenda 24 orëve.

Në letrën e datës 31 janar 1979, Martini më shkruan për tri gjëra të rëndësishme. E para: “puna juej me intereson”, e dyta: “miq të përbashkët paskemi” dhe e treta: “Më shkrueni edhe më telefononi kështu që t’ju telefonoj. Mirë do të ishte të më thirrni menjëherë posa ta keni marrë këtë letër”.

Letra e tij e shkruar më dt. 31 janar 1979 e nxiti dhe e lehtësoi shumë punën e letërkëmbimit që vazhdoi jo vetëm gjatë qëndrimit tim të parë si bursist i DAAD-së, por edhe më vonë, kur e mora bursën e Alexsander von Humboldt Stiftung-ut në vitin 1984 – 85 (herën e dytë bursën e Humboldtit e mora pas vdekjes së Martinit).

Martin Camaj
Martin Camaj

Për ta vijuar letërkëmbimin, pastaj edhe për t’u takuar e kuvenduar për së rrafshi, siç thuhet, e kemi “fajin” të dy. Mua Martini me interesonte si shkrimtar: prej tij kisha lexuar si normalist dy veprat e tij të botuara në Prishtinë: “Një fyell ndër male” (1953) dhe “Kanga e vërrinit” (1954). E dija se ka shkruar e botuar dhe vepra të tjera, po ato nuk më kishin rënë në dorë. Edhe Martini e ndihmoi shumë letërkëmbimit midis nesh: “Mirë që e keni për zemër korrespondencën! Më të sqarohen ndoshta ma mirë idetë se në kuvend: kjo dihet. Për mue mos bani marak: jam i kënaqun që po kam rast të kuvend me një kosovar me anë letrash” (Letra e dt. 22.2.79). Martini përgjigjej në çdo letër timen dhe me mënyrën si i shkruante dhe çka trajtonte në to, e kushtëzonte medoemos përgjigjen: “[…] më shkrueni se çka donë Anton Pashku dhe Podrimja: shkrimtarët më interesojnë sepse jam tue botue të gjitha sendet e mia letrare mbetë në dorëshkrim” (Letra e dt. 31.1.1079).

Edhe këmbimi i librave me Martinin ndihmoi t’i shkëmbenim mendimet e ndryshme rreth tyre dhe më gjerë. Për mua çdo mendim dhe vlerësim i tij ishte i rëndësishëm. Sipas letrave të Martinit (edhe nga këto që po botohen këtu), edhe mendimi im për veprat e tij ishte i rëndësishëm: “Tash pa llafe: mendimi juej më intereson tejet”.

Letërkëmbimin me Martinin e zvetënuan bisedat telefonike, që i bënim: “U gëzova fort për kuvendin në telefon” (Letra e dt. 9.3.79). Herë e thirrja unë e herë më thërriste ai. Nganjëherë bisedat zgjatnin dhe pastaj letërkëmbimi nuk ishte aq i nevojshëm.

Letrat e mia dërguar Martinit duhet të jenë në Bibliotekën e tij në Lenggries. Unë ruaj vetëm dy nga ato.

Janë rreth 50 letra të tij, që i ruaj me dashuri dhe kujdes të madh.

Nga letrat e Martinit deri më tani kam botuar disa: dy në numrin tematik të revistës letrare “Jeta e re” kushtuar atij: Martin Camaj “JETA E RE”, Nr. 1, Prishtinë 1996, dy në botimin e dytë të studimit tim monografik Vepra letrare e Martin Camajt. Botimi i dytë i rishikuar dhe i shtuar, “Lajmtari”, Tiranë 2000 dhe 12 letra (duke përfshirë dhe dy letrat e botuara) në botimin e tretë të studimit Vepra letrare e Martin Camajt. Botimi i tretë i plotësuar dhe i shtuar. Botim me rastin e 85 vjetorit të lindjes së Martin Camajt “Princi”, Tiranë 2010. Në botimin e parë të studimit Vepra letrare e Martin Camajt. “Radhonjtë e Zjarrit”, n. 18, Kozencë, 1994, s’kisha botuar ndonjë letër[1].

 * * *

Në letrat e botuara më parë, në ato që botohen kësaj radhe, po dhe në ato që ende nuk janë botuar, përligjen disa cilësi e virtyte të Martinit: Dija e gjerë, informacioni i shumtë, nevoja për komunikim letrar poetik brendakombëtar dhe ndërkombëtar, shpirtgjerësia, fisnikëria, mirësjellja, gatishmëria ta ndihmojë tjetrin. Mirëpo, në to dalin dhe të dhëna të qenësishme për vetë Martinin dhe veprën e tij, për konceptimin letrar poetik, për shkrimtarët tanë të ndryshëm, për vlerat e letërsinë tonë bashkëkohore, për botën tonë në përgjithësi dhe për synimin e tij që botën tonë shqiptare ta lidhë me botën gjermane dhe më gjerë.

Nga letrat që po botohen kësaj radhe, po veçoj disa dukuri, më tepër për të nxitur lexuesin e revistës “Pasqyra e të rrëfyemit” (që e drejton Behar Gjoka), t’i lexoj ato, jo vetëm për ta njohur më përafërt shkrimtarin Martin Camaj, po edhe mendimet e tij për shkrimtarët dhe intelektualët: Jakov Xoxën, Arshi Pipën, Anton Çettën, Ismail Kadarenë, Anton Pashkun, Ali Podrimjen, Ibrahim Rugovën, Mensur Raifin, Rexhep Ismailin dhe për dukuri të tjera të letërsisë e të botës sonë.

Në fillim dua ta veçoj atë që thotë Martini në Letrën e datës 4.2.1979 për rëndësinë e jashtëzakonshme që kishte letërsia për të e për jetën e tij, që në këtë mënyrë nuk del në asnjë vend tjetër, po që e përligj në mënyrë thellësore vepra e tij letrare poetike e hartuar me përkushtim dhe dije:

Qëllimi dhe qëndrimi i vërtetë imi asht letërsia: nuk ka pasë një ditë tash 50 vjet e këndej që nuk e kam formulue me mend apo me shkrim së paku një ide letrare: letërsia asht jeta ime e vërtetë”, (Lenggries, Letra e dt. 4.2.1979).

Martini e shihte letërsinë që krijonte dhe letërsinë tonë në përgjithësi në një përmasë sa të gjerë aq dhe të thellë; thoshte se arti ynë i fjalës duhet të krijohet i lirë, të mos burgoset brenda modeleve të shqiptimit bardh e zi, po t’i lejohet një frymëmarrje sa më e gjerë; të lidhet me rrjedhat e letërsive të tjera: “Ne këtu jashtë jemi e do të jemi për një universalizëm në letërsi: Migjeni me shokë, e kundërta e Fishtës dhe e neve në veri me qendër Shkodra, kanë pru elemente të reja shumë interesante! Edhe ky asht një pasunim: pra, rreziku ma i madh asht mbyllja në vetvete edhe përsa u përket metodave apo prizmave: analizë formale, historicizëm, nganjëherë prodecimi empirik për të kapë ma mirë abstrahimin teorik, por edhe nga teoria deduktivisht tek objekti vepër artistike”. (Letra e dt. 29. 3. 79).

Nga letrat dalin në shesh e ndriçohen një varg vështirësish të Martinit për të komunikuar me shkrimtarët sidomos në Kosovë, për t’i këmbyer librat dhe përvojën: “I zanun me treqind punë s’kam pasë kohë të merrem me botën kosovare letrare, shumë-shumë me shkencatarë të ndryshëm nga Jugosllavia, kryesisht shokë nga Univesiteti i Beogradit, ku kam studjue dhe sosë njëherë. Diçka kam vu ore: jam largue shumë nga pozita gjykuese të kuptoj atë botë, ndoshta sepse me atë botë: a) nuk jam identifikue kurrë; b) kontakti me botna tjera ku veproj e kam veprue ka ba të largohem; c) ndër mendime jam njeri fare i lirë, s’ka tabu mbi të cilat s’mund të flas.” (Letra e dt. 22. 2. 79).

Përkundër këtij fakti, Martini ia dilte t’i përcjellë rrjedhat e letërsisë sonë (edhe përmes parapagimit, sidomos me revistat “Nëntori”, “Përparimi” etj.), qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, siç del nga Letra e datës 12.6.79:  “Por tash jam i kënaqun me njoftësinë tande e të disa shokëve tu (moshatarë). Ju keni ecë aq përpara sa nuk e zëni besë: ku ia keni fillue e ku jeni! Punë e madhe kjo! Gëzohem fort për ju dhe, si të thashë edhe në telefon, do të përpiqem me sa fuqi kam, që të mos këputet kurrë mes nesh ky kontakt: gëzohem se shpesh i thom vetes, a e sheh? Nuk punohet kot! Këto fjalë më dalin nga zemra dhe nga mendja”.

Këtë qëndrim e dëshmon dhe ky mendim i tij: “Më ra në dorë një libër i Mensur Raifit: Mbi prozën bashkëkohore. M’u duk një hap përpara, ashtu si libri yt. Analiza emocionale me atë formale asht mbas mendimit tim zgjidhja ma e mirë për analizën e veprave të letërsisë shqipe në këtë fazë zhvillimi”. (Letra e dt. 23.3.79) dhe “Kam lexue shumë nga veprat që më prune: Pashkun krejt, Kronikën, fare dhe një pjesë të Lumit të Xoxës. Xoxën e Kadarenë i kam lexue në revsitën Nëndori, dmth. variantet e para; këtu qenkan të përpunuem e të stërpunuem, sa mos me u njoftë ma! Pajtohem fare me mendimin tand: Kadare në Kronikën ka arritë kulmin e zotësisë së vet, përvojën e shkrimtarit të pjekun. Mandej shkruen mbi qytetin e vet nga zemra e kjo don me thanë shumë. Nuk di nëse kjo vepër asht e përkthyeme në shumë gjuhë si Gjenerali: kjo do të kishte shumë sukses edhe jashtë. Përkundra Lumi i vdekur më fascinoi përsëri: mjaft motto-t në fillim të kapitujve, ndeshja e dy elemeteve njerëzor që ngërthejnë në vete popullin tanë: simbioza toskë+gegë! Trajtimi i këtij problemi edhe si të jetë vetëm ky e ngreh Xoxën mbi të gjithë: shpresoj se më kupton se ku e kam fjalën, te origjinaliteti i shkrimtarit tanë. (Letra e dt. 11. 5. 79).

Martini  më shkruante edhe konkretisht për disa krijues tanë si Arshi Pipën: “Një kritik i stilit të ri e të vjetër asht këndej Arshi Pipa, prof. për letërsinë romaniste (kryesisht italishte[2]) në univers. e Meneapolis – USA”, Letra e dt. 29.3.79; për Anton Pashkun: “Pashku më ka ba prapë përshtypje ma fort mbas kuvendit tanë”. (Letra e dt. 11.5.79), për Ismail Kadarenë: “Sigurisht se Kadare ka një penë shumë të zhdërvjelltë dhe – si i thonë në popull – ai ditën e qet, sidokudo. Për mue asht një shkrim interesant ma tepër si dokumentacion e një gjendje të mbrendshme në Shqipni dhe feksit në ndërgjegjen e autorit. Baj habi të madhe si nuk ia ngrehin veshët atje mbrendë për një kompozicion të tillë. A e di si më duket? E shoh në rolin e atyne dy rapsodëve që këndojnë kundër ngritjes së urës, të paguem; herë pas herë bahet pishman… dhe e hedh ndonjë thimth të lehtë vëreri edhe kundër punëdhënësve të vet. Të kthejmë tek kompozicioni, si i tillë: ky asht qit shpejt e shpejt në letër, ndoshta edhe mbas leximit të romanit tim… Gjej disa reminishenca që më bajnë me dyshue”. (Letra e dt. 7.9.79).

Në letërkëmbimet për letërsinë tonë e jo vetëm për të, kemi shtruar dhe dukuri të ndryshme, midis tyre edhe figurën e gruas në letërsinë tonë. Rreth kësaj Martini më shkruante edhe këtë: “Tue ardhë tek sugjerimi yt mbi thellimin e tipit të femnës. S’del kohë, bre vëlla! Kam gati – i përpunoj me vjete – disa tipe grash në këto vepra: dy novela të gjata apo romanza. dy drama. Disa pikëpamje i zgjanoj. Në I980-81 i qes në dritë me atë veshje tipografike dhe janë afër 400 faqe shtypi të bashkangjitun si me Rrathë, një përmbledhje poezish; në një vëllim po qes edhe krejt shkrimet e botueme poetike ma parë (nja 300 faqe). Me kaq i jap fund, sepse dy jetë s’i ka askush, mandej jam tepër i zanun me disa punë gjuhësore sepse iau kam ba hysmetin me kohë sidomos në lidhje me kontaktet e shqipes me disa gjuhë kufitare”. (Letra e dt. 9.3.79)

Në Letrën e datës 20.6.79 Martini më bënte të ditur për planin e botimeve të veprave, që kishte botuar dhe ishte në rrjedhën e botimit:

“Nga se unë jam pakëz bestytës, ma mirë po të vë në dijeni që të dihet edhe nëse nuk realizohet plani.

Kompleti I (Romani e përmbledhja e poezive = Rrathë [1] – Njeriu [2]
II: Shkundullima (3)= Përmbledhje tregimesh e novela të gjata:
[Shkundullima asht fjalë e vjetër e ruejtun ndër arbëreshët e vjetër don me thanë TERMETI, fjalë romane ardhë në shqipe përmes turqishtes].

Dranja (4) 99 poema në prozë rreth një faqe copa. Rëmime poetike e filozofike, prej të cilës pres shumë! Më ka kushtue tmerrsisht fuqi shpirtnore dhe gjithshka sillet rreth një breshke!

III. Drama (5) = janë tri copë të shkrueme kaherë e të përpunueme disa herë. Një asht në dialektin e Shkodrës dhe jam ndërdyzash a ta la ashtu apo, si thuhet në këtë qytet të çuditshëm ku jam rritë, “ta kthej në fé të Krishtit”: fe-ja në Shkodër dmth. mënyrë! Jam i bindun se Çabej etj. në Shqipni do të kishin thanë aman le ashtu!

(6) asht Poezi (l953 – 1970)[3], mjaft sosh edhe të pabotueme: kjo do të ishte i vetmi vëllim edhe me sende të botueme një ose dy herë: këtu u jap atyne trajtën përfundimtare” (Letra e dt. 20.6.79).

Një çështje tjetër për të cilën më ka folur dhe më ka shkruar shpesh është shpërndarja e librave të tij, sidomos dërgimi i tyre në Kosovë: “Do të më bashit edhe mue një nder të stërmadhe sikur t’u thoni Nazmi Rrahmanit, A. Pashkut e Podrimjes (shoqnisht), që të përpiqen t’ia lidhin kryet kësaj pune. Lajmoni se romani (Rrathë – A. N. B.) asht në përkthim e sipër gjermanisht dhe anglisht […]” (Letra e dt. 4. 2. 79).

Në letrat që m’i dërgoi Martini shtroi dhe një varg dukurish të tjera, për të cilat më së miri dëshmojnë letrat, brenda tyre dhe këto që botohen.


[1] Nga njohja me Martin Camajn e derisa jam marrë pandërmjetësisht me veprën e tij, përgatita dhe botova këto vepra letrare të tij: Martin Camaj, Pishtarët e natës. Novela, “Gjon Buzuku”, Prishtinë 1991; Martin Camaj, Në hijen e gjarpnit. Poezi, “Jeta e re”, Prishtinë 1991; Martin Camaj, Kandili i argjandit. Dramë. Përgatitur bashkë me Françesk Altimarin. “Radhonjtë e Zjarrit”, n. 17, Kozencë 1993; Martin Camaj, Djella. Versioni i dytë. “Gjon Buzuku”, Prishtinë 1994 dhe Martin Camaj (1925 – 1992), numër tematik i revistës letrare të Prishtinës “Jeta e re”, n. 1, 1996, f. 1-158, ku pos pjesëve e punimeve të Camajt janë botuar dhe një varg punimesh të autorëve të ndryshëm kushtuar veprës së tij.Rreth veprës letrare të Camajt botova edhe këto punime: Mbi ciklin poetik ‘Buelli’ të Martin Camajt. Në: “Jeta e re” nr. 5, Prishtinë 1991, f. 651 – 654; Përjetësim artistik i jetës autoktone. Në: Martin Camaj, Pishtarët e Natës, “Gjon Buzuku”, Prishtinë 1991, f. 5 – 10; Botë burimore dhe botë e pasur artistike. Në: Martin Camaj – Tradita dhe bashkëkohësia. Simpozium 24 qershor 1993. Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër 1994, f. 34 – 39; Prozë që himnizon poezinë. Në: Martin Camaj, Djella, “Gjon Buzuku”, Prishtinë 1994, f. 111 – 118 edhe në: “Hylli i Dritës”, nr. 1 – 2, Tiranë 1994, f. 22 – 26; Das Literarische Werk Martin Camaj’s. Në: “Dardania“, Zeitschrift für Geschichte, Kultur und Information, IV. Jahrgang, Wien 1995, f. 165 – 178; Dalla tradizione alla vera modernità. Sulla poesia di Martin Camaj. Në „Zjarri“, n. 37, f. 9 – 11 dhe Dalla tradizione alla vera modernità. Sulla poesia di Martin Camaj. Në “Zjarri” (Il fuoco) nr. 37, shtator 1996, f. 9-11. Ribotuar në “Letterature di frontiere”. Anno VI, n. 2, luglio – dicembre. Bulzoni Editore, Roma 1996, f. 187 – 192; Presentazione. Una lettura e un’iterpretazione significativa del romanzo Karpa. Në Albana Alia, La cattedrale gotica. Interpretazione del romanzo Karpa di Martin Camaj. Presentazione del Prof. Anton Nikë Berisha, Albanisitica 3, Comet Editor Press, Cosenza 2014, f. 9- 12.
[2] Botnisht i njoftun për një monografi anglisht mbi poetin Eugenio Montale.
[3] Nënvizimet janë të Martinit.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.