Prof. Xhelal Zejneli
Libri “Studime pedagogjike II” i Prof. Dr. Tahir Zajazit është një minierë e thellë, e pasur me një numër të madh të dhënash për arsimin në Maqedoni, me theks të veçantë në ecuritë e arsimit shqip në periudhën e viteve 1945 deri në ditët tona. Autori i librit një jetë të tërë ia ka kushtuar arsimit.
Bazuar në njohuritë e veta teorike dhe praktike, autori i librit i zbulon problemet që kamë të bëjnë me arsimin në përgjithësi dhe me arsimin shqip, në veçanti. Thekson nevojën e marrjes së masave për zhvillimin e papenguar të arsimit shqip dhe të arsimit në përgjithësi, ofron ndihmë lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin permanent të proceseve ekzistuese në sistemin e arsimit. Autori i veprës i mbështet tendencat për modernizimin e shkollës, ndërsa funksionin e shkollës e sheh si një sistem pune.
Flet për mbingarkimin e nxënësit në mësim, për tekstet shkollore, për frymën e sistemit shoqëror dhe për rivendosjen e nocioneve të nomenklaturës pedagogjike. Për tejkalimin e situatës në të cilën ndodhet arsimi në vend, parasheh zgjidhje alternative; pohon se reformimin në arsim e imponon ndërrimi i regjimit; pasqyron profilin e mësuesit në botën globale të dijes; flet për imazhin psikologjik të mësuesit, për evoluimin dhe valorizimin e zhvillimit të nxënësit, për mësimin dhe për përvetësimin si proces, për praktikën audio-vizuale të mësimit si dhe për perceptimin nga këndvështrimi kibernetik.
Kemi të bëjmë me një libër voluminoz që ndahet në kapituj. Për studimet me tematikë historike, autori flet në Kapitullin I. Këtu do të hasim të dhëna të hollësishme për përfaqësimin e shqiptarëve në universitetin e Shkupit në periudhën e viteve 1946-1977; për themelimin dhe ecurinë e Katedrës së gjuhës shqipe dhe të letërsisë në Shkup; për themelimin dhe zhvillimin e Akademisë Pedagogjike “Shën Klimenti i Ohrit” (Sveti Kliment Ohridski) në Shkup.
Prof. Dr. Tahir Zajazi është njohës i thellë i problemeve të arsimit në përgjithësi dhe të arsimit shqip në veçanti – në Maqedoni. Prej duarve të tij kanë dalë breza të tërë mësuesish, arsimtarësh, profesorësh, pedagogësh, ligjëruesish universitarë. Një jetë të tërë e kaloi me nxënës, me studentë, me kolegë, me punëtorë të arsimit, me prindër, me shefa katedre, me prodekanë, me dekanë me prorektorë, me rektorë, me studiues dhe me dijetarë apo shkencëtarë.
Profesor Zajazi ka marrë pjesë në mënyrë aktive në rreth 50 tryeza, debate, konferenca shkencore për çështje të arsimit, simpoziume, kongrese, brenda Maqedonisë dhe jashtë saj. Ka marrë pjesë me kumtesa edhe në konferenca shkencore dhe në simpoziume në Shqipëri dhe në Kosovë. U ka dhënë intervista gazetave, revistave shkencore, studiove televizive. Është njohës i shkëlqyer i literaturës botërore ku trajtohen dhe shtjellohen çështje që kanë të bëjnë me shkollën, me të gjitha ciklet e arsimit, me arsimin fillor, me arsimin e mesëm, me arsimin universitar si dhe me atë pasuniversitar.
Ndaj procesit të arsimit ka një qasje humane. Thekson rëndësinë e arsimit në zhvillimin e një shoqërie, në përparimin e një populli apo të një kombi, thekson rolin dhe rëndësinë e shkollimit për përparimin e njerëzimit, flet për rëndësinë universale të shkollës, të shkollimit, të librit dhe të diturisë; flet për nevojën dhe rëndësinë e jashtëzakonshme të shkollimit dhe të emancipimit të femrës. Thekson se arsimimi është kusht për daljen e një populli nga obskurantizmi në dritë. Shkollimin e konsideron sinonim të dritës dhe të emancipimit. Punimet studimore dhe tezat e veta i ilustron me fakte, argumente, skica, shifra, tabela, skema, diagrame, pasqyra. Të dhënat i pasqyron edhe në mënyrë grafike.
Autori i librit një rëndësi të veçantë i kushton procesit të mësimdhënies dhe të mësimnxënies. Ai i mbështet metodat bashkëkohore, përkatësisht moderne në sistemin e arsimit dhe në procesin mësimor. Ai është një prej studiuesve të parë që predikon zbatimin e metodave bashkëkohore në procesin mësimor. Sugjeron zbatimin dhe përdorimin e metodave moderne të ligjërimit në klasë, në amfiteatër, domethënë në arsimin universitar. Mbështet zbatimin e kritereve bashkëkohore të vlerësimit apo të notimit të nxënësve, përkatësisht të studentëve. Është kundër relativizimit dhe banalizimit të kritereve të vlerësimit të njohurive të nxënësve apo të studentëve. Ky pedagog i rangut të lartë arsimin e sheh, e kupton, e trajton, e interpreton dhe e ndjen si një çështje komplekse. Ua bën me dije studentëve se nesër si mësues, si arsimtarë, si profesorë apo si ligjërues universitarë, në klasë, në shkollë, në amfiteatrot e fakulteteve do të kenë punë me nxënës apo me studentë, d.m.th. me njerëz, pra njerëz të gjallë.
Pedagogu i mirë duhet ta njohë psikologjinë e nxënësit, të studentit, të prindit, të kolegut. Pedagogu i mirë e njeh botën e nxënësit, mjedisin, familjen dhe rrethanat në të cilat jeton ai. Prof. Zajazi na mëson se pedagogu i mirë e respekton dinjitetin dhe integritetin e nxënësit. Pedagogu i arsimuar dhe i mbathur me njohuri në lëmin e pedagogjisë, të psikologjisë dhe të didaktikës i respekton kolegët e vet dhe për çështjet që ndërlidhen me shkollën apo me procesin e mësimdhënies, bashkëpunon me ta. Autori i këtij libri shumëdimensional thekson nevojën e respektimit dhe të ruajtjes së rendit dhe të disiplinës shkollore apo të rendit universitar.
Prof. Zajazi i mëson brezat dhe publikun se punëtori i arsimit, kudo që të ndodhet, në shkollë apo jashtë saj, duhet t’i respektojë normat etike dhe kodin moral. Pedagogu i mirë e flak nga vetja çdo veprim apo sjellje që do ta cenonte dhe do ta vinte në dyshim autoritetin e tij.
Të gjitha studimet e veta, Prof. Dr. Tahir Zajazi i mbështet në një literaturë të pasur të autorëve më eminentë, të vendit dhe të huaj. Duhet theksuar se ndër autorë të huaj mbizotërojnë studiuesit perëndimorë, përfshi edhe studiuesit amerikanë. Një prej burimeve të rëndësishme të autorit është edhe filozofi dhe psikologu amerikan Xhon Djui (John Dewey, 1859-1952) i njohur si reformator i sistemit të arsimit.
* * *
Për studimet me tematikë pedagogjike, autori i këtij libri flet në Kapitullin II. Këtu autori na flet për përfshirjen e metodave laboratorike në teorinë e gnoseologjisë. Përpos kësaj, ky pedagog i mirënjohur i mbështet tendencat për reformimin e shkollave. Në këtë kapitull, një rëndësi të veçantë autori i kushton shkollës tradicionale dhe shkollës moderne. Është njohës i thellë dhe i saktë i të gjitha proceseve arsimore shqipe në vend.
Autori nuk lë pa e përmendur Normalen e Elbasanit të cilën e konsideron model të shkollimit modern të shqiptarëve. Hasim të dhëna edhe për Ernest Koliqin i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore, për ta mbuluar arsimin shqip, ka dërguar në Maqedoni dhe në Kosovë 200 mësues të kualifikuar.
Prof. Zajazi ka qëndrim kritik ndaj politikës restriktive dhe diskriminuese të pushtetarëve maqedonas ndaj arsimimit të shqiptarëve. Në një pjesë të librit autori na jep të dhëna për denigrimin e arsimit shqip në Maqedoni në periudhën e viteve 1941-2016. Me fakte dhe argumente e pasqyron persekutimin dhe dhunimin e arsimit shqip në Maqedoni në vitet 1944-1994. Lexuesi do të gjejë të dhëna të sakta për përfaqësimin e studentëve shqiptarë në universitetin e Shkupit në vitet 1946-1994. Lidhur me politikën diskriminuese dhe restriktive, Prof. Zajazi na jep të dhëna të sakta prej vitit 1944 deri në themelimin e dy universiteteve në gjuhën shqipe – Universitetit të Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore.
Në libër kemi të dhëna edhe për institucionet e kulturës shqiptare në Maqedoni në vitet 1944-1994. Autori flet në hollësi edhe për përpjekjet për themelimin e Fakultetit Pedagogjik në Shkup me mësim në gjuhën shqipe. Jep detaje për parapërgatitjet për themelimin e një universiteti pedagogjik në Shkup, në vitet 1992-1994. Në këtë mes përmend në veçanti gazetën “Flaka”, revistën “Jehona”, disa shoqëri kulturore artistike shqiptare nëpër disa qytete të Maqedonisë, si “Xheladin Zeqiri”, “Liman Kaba” etj.
Në këtë libër autori na jep të dhëna thukëta edhe për themelimin e Fakultetit Pedagogjik në Shkup. Tregon se si Unioni i Intelektualëve Shqiptarë, asociacionet, faktori politik dhe intelektualët e pavarur shqiptarë në Maqedoni, në vitin 1993 e kanë themeluar Komisionin Amë ku kanë qenë të përfshirë: deputeti Sefedin Haruni, kryetar, autori i këtij libri, Dr. Tahir Zajazi, bashkërendues, Dr. Murtezan Ismaili, Dr. Abdurauf Pruthi, Dr. Remzi Nesimi, dhe Dr. Murat Murati. Qëllimi i tyre ka qenë që me fillimin e vitit akademik 1994-1995 Fakulteti Pedagogjik në Shkup të vihet në funksion aktiv.
* * *
Kuptohet, Prof. Zajazi mban qëndrim kritik edhe për të ashtuquajtura paralele të përziera në shkollat shqipe në Maqedoni, me ç’rast në klasën me mbi tridhjetë nxënës, pushtetarët maqedonas fusin edhe nja dy-tre nxënës maqedonas, për hir të të cilëve i tërë procesi mësimor zhvillohej në gjuhën maqedonase.
Prof. Zajazi ka qëndrim kritik edhe për të ashtuquajturin diferencim ideopolitik të mësuesve, të arsimtarëve dhe të profesorëve të kryer nëpër shkolla prej Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë apo Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Si pasojë e këtij farë diferencimi ideopolitik, si të papërshtatshëm u larguan nga puna shumë punëtorë të arsimit. Ata cilësoheshin si nacionalistë, irredentistë, separatistë. Fajësoheshin se punojnë kundër Jugosllavisë dhe kundër vëllazërim-bashkimit.
Profesor Zajazi ka qëndrim kritik edhe ndaj mesazheve të Enciklopedisë maqedonase, në të cilën shqiptarët pasqyrohen në kundërshti me të vërtetën historike.
* * *
Në pjesën IV të librit autori i ka përfshirë edhe memorandumet që ua ka dërguar autoriteteve të caktuara. Në memorandume autori i tyre shtron çështje që ndërlidhen me arsimin dhe me dukuritë e tjera në vend apo në shoqëri. Dy memorandume i ka dërguar Rektorit dhe Senatit të Universitetit të Tetovës. Në to autori pretendon respektimin e standardeve akademike si perspektivë për funksionimin normal dhe cilësor të UT-së.
Një tjetër memorandum i ka dërguar rektorit të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Abdylmenaf Bexhetit. Në memorandumin dërguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, shtron çështjen e reformimit të arsimit të lartë në shkallë kombi, duke e vlerësuar këtë çështje si një domosdoshmëri. Memorandum i dërgon kryeministrit të atëhershëm të Maqedonisë, Zoran Zaevit, kryeministrit të përtashëm të Kosovës, Albin Kurtit, si dhe Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës të RMV-së.
* * *
Në pjesën e pestë të veprës autori ka përfshirë edhe portretet e disa personaliteteve të shquara të popullit shqiptar të cilët kanë dhënë një kontribut të theksuar në shtrirjen dhe zhvillimin e shkollës shqipe në Maqedoni, duke përfshirë edhe ndihmesën e tyre në begatimin dhe afirmimin e vlerave shpirtërore të shqiptarëve në lëmin e gjuhës, të gramatikës, të letërsisë, të folklorit, të historisë etj. Bëhet fjalë për intelektualët, si:
Rexhep Voka, virtuozi i këngës kërçovare Rexhep Zajazi, Prof. Dr. Hasan Kaleshi, Prof. Dr. Ali Vishko, Prof. Avni Zllatku, mësuesi Baftijar Rrushaj, Prof. Dr. Esat Dauti, Prof. Shaban Stafai. Janë përfshirë edhe Prof. Nexhmedin Sulejmani dhe Prof. Burhanxhait Nebiu. Autori i librit nuk ka lënë pa e përmendur dhe pa e përkujtuar edhe kongresistin amerikan Ben Gilma, me rastin e vajtjes së tij në amshim.
Në libër Profesor Zajazi përmend emra personalitetesh, si: Dr. Nexhat Agolli, Dr. Petro Janura, Mehmedali Hoxha, Fejzi Bojku, Myrteza Peza, Prof. Reshat Nexhipi, Dr. Havzi Mustafa, Dr. Xhevat Gega, Murat Isaku, Mr. Nexhat Abazi, Abdurauf Pruthi, etj.
* * *
Prof. Dr. Tahir Zajazi s’ka se si të mos jetë një prej pedagogëve më të shquar të hapësirave tona. Diku rreth gjashtëdhjetë vjet është i angazhuar në arsim. Në këtë lëmë, ai posedon njohuri teorike dhe praktike. Ka kaluar nëpër të gjitha ciklet e arsimit, duke filluar që nga arsimi parashkollor, arsimi fillor apo tetëvjeçar, arsimi i mesëm, e deri te arsimi universitar dhe pasuniversitar. Ai ka qenë nxënës dhe studentë, ka qenë mësues, arsimtar, profesor shkolle të mesme, profesorë universitar, pedagog, ligjërues, dekan, ligjërues në studimet pasuniversitare.
Nga dora e tij kanë dalë breza të tërë, që nga mësuesit e popullit deri te profesorët me tituj akademikë. Është njohës i mirë i literaturës që ka të bëjë me arsimin, me shkollën, me pedagogjinë, me psikologjinë, me didaktikën. Nëpër duart e tij ka kaluar literatura e autorëve më eminentë, të vendit dhe të huaj, përfshi edhe autorët shqiptarë të fushave të sipërthëna.
Libri që e kemi para nesh është një minierë e të dhënave për arsimin parashkollor, për arsimin fillor dhe për arsimin e mesëm në gjuhën shqipe. Aty gjejmë të dhëna për injorimin e shqiptarëve në sistemin shkollor të Maqedonisë; të dhëna për reduktimin e mundësive për t’u punësuar; të dhëna për një strategji të ndryshimit të gjendjes në arsim.
Profesor Zajazi kërkon në mënyrë të prerë flakjen e politikës nga shkolla. Sipas tij, politika s’e ka dot vendin në klasa, në bankat shkollore, në katedrat e fakulteteve, në amfiteatër, në senatin apo në rektoratin e arsimit të lartë.
Ky pedagog kërkon që punësimi në arsim të bëhet përjashtimisht në bazë të kriterit profesional dhe etik. Ai flet po ashtu edhe për rolin e prindit në sistemin shkollor. Sugjeron rikthimin e moralit dhe të autoritetit të mësuesit, ruajtjen dhe respektimin e integritetit dhe të dinjitetit të tij. Me masa konkrete, përfshi edhe ato materiale, shkollës dhe mësuesit duhet t’i kthehet autoriteti i dikurshëm. Me të drejtë shtron çështjen e vënies në dyshim të diplomave të improvizuara. Transformimi apo reformimi i arsimit është domosdoshmëri.
Përpos në Fakultetin Pedagogjik të Shkupit, Prof. Dr. Tahir Zajazi ka dhënë kontribut si ligjërues edhe në Universitetin e Tetovës si dhe në Universitetin e Evropës Juglindore. Ka publikuar rreth 170 njësi bibliografike. Është autor tekstesh të botuara. Është nderuar me shumë mirënjohje dhe diploma.
Më 15 tetor 2024