Prend BUZHALA
Mehmetali REXHEPI: LËKURA E GURIT, SHB ROZAFA; Prishtinë, 2024
Që në fillim le të na lejohet t’i theksojmë dy gjëra. Në radhët të parë, kur autori nis romanin e tij me një citat të Orwell-it: “Tortura më e madhe për njerëzit inteligjentë është të jetosh sipas rendit të preferuar nga injorantët”, na sinjalizon se në një mjedis, ku njohuritë dhe analiza janë zëvendësuar me të pavërtetën dhe stereotipet, njerëzit inteligjentë ndjehen të izoluar, të pa kuptuar dhe të frustruar, për të cilët, përvoja e të jetuarit në një mjedis ku injoranca favorizohet dhe mënyra e mendimit të tyre është shpërqendruar nga çështjet kyçe, është sfiduese dhe shkakton ndjesi të thellë të izolimit dhe moskuptimit.
Thënia si e tillë, na sugjeron që në fillim se përgjatë gjithë veprës, dëshmohet në shumë situata, përfshirë jetën nacionale, politikën, kulturoren, si dhe shoqërinë në përgjithësi, ku qëndrimet dhe veprimet e injorantëve mbizotërojnë në vend të logjikës dhe të arsyes së thellë. Në këso rrethanash, për një person inteligjent, të cilit i mungon bashkërendimi midis vlerave dhe realitetit të jashtëm, ndjehet si një formë e torturës emocionale.
Kjo torturë jetësore e emocionale sugjerohet edhe te titulli i veprës “Lëkura e gurit”. Në një vend personazhi i romanit kumton: “Urrejtja e veriorëve rridhte jugut sikur uji i lumit. Ai e dëftonte etikën e vet: -E kam lëkurën të fortë si të gurit!” Metaforikja e lëkurës sikur ta kujton atë romanin e Balzakut “Lëkura e Shagrenit”, kur personazhi heq dorë nga gëzimet, që, me anë të lëkurës magjike t’i përmbushte dëshirat e tij. E vërteta është se te romani i Mehmetali Rexhepit, ka një tjetër filozofi jetësore, siç është ajo e qëndresës, kurse ironia e lëkurës së gurtë, (të humbasësh gjithçka për hir të lirisë dhe të triumfit të saj), rikthehet si ironi e jetës. Lëkura e gurtë bëhet sinonim i njeriut që vuan shumë, që duron shumë dhe që triumfon.
Mirëpo, mu këtu na shfaqet karakteri i fortë i Idealistit, i personazhit të Motit, por i shumëzuar si personazh kompleks, nëpërmes Dytëshorit (një tjetër gjetje psiko-figurative e autorit), e, sidomos, të figurës së Shkrimtarit. Na paraqitet idealisti me karakter të fortë dhe rezistent ndaj sfidave të jetës… Përdorimi i metaforës së “lëkurës të fortë si të gurit,” përforcon idenë e një karakteri të fortë dhe rezistent ndaj përbaltjeve të jetës. Kjo lëkurë e fortë simbolizon aftësinë e personazhit për të përballuar vështirësitë dhe sfidat me vendosmëri dhe guxim.
Ai nuk dorëzohet, edhe kur ballafaqohet me pengesa të mëdha, ka një ndjenjë të fortë të integritetit dhe të krenarisë, mban kokën lart dhe ndjehet krenar për vlerat dhe veprimet e tij, siç janë përkushtimi jetësor, që nga bankat e shkollës fillore, nëpër veprimtaritë jetësore, kryengritjeve studentore, luftës e pasluftës. Gjithnjë shohim një karakter në rritje, që mëson nga përvojat e jetës… Krye-personazhi i Idealistit përfaqëson një përpjekje të palodhur për të sjellë ndryshime dhe për ta kuptuar botën. Përshkrimi i tij si një personazh i gjallë, por shpesh i ndaluar sugjeron një konflikt thelbësor midis fuqisë dhe pasigurisë.
Romani i ngjan një mozaiku, pasi paraqet skena të ndryshme dhe fragmente të jetës së personazheve që më në fund, formojnë një tablo të plotë dhe të kuptueshme. Përmes trajtës së romanit mozaik, diskurseve të llojllojshme, (që nga bio-jeta narrative deri tek ato të përsiatjeve, shkoqitjeve, diskursit të kronikës, etj.); autori arrin të depërtojë nga koha në kohë; me një fjalë, romani na shfaqet si pergamenë e historisë më të re të Kosovës, gjatë një gjysmëshekulli të shekullit të kaluar, përmes biografemave autoriale.
Vepra trajton tensionet midis intelektualitetit dhe mungesës së kuptimit nga ana e shumë mjediseve e njerëzve, duke sjellë një pikëpamje të thellë për sfidat dhe vështirësitë, që shpesh hasin ata që shohin botën ndryshe.
Ka, në këtë roman, shumë shpalosje filozofike, duke shqyrtuar temat e shpirtit, universit dhe misterit të ekzistencës. Përshkruan vështirësitë e kapjes së thelbit të bukurisë dhe të shfaqjeve të pashpjegueshme të natyrës. Përdorë metafora dhe imazhe poetike për të shprehur vështirësitë e kuptimit të thellësisë së realitetit. Krijohet një realiteti alternativ, përkatës, përmes Enigmës së Përsosjes (së Botës, Natyrës, të Bukurës, etj.); me kontrastive nga realiteti historik, shoqëror, jetësor e estetik. Protagonisti shpesh shfaq një përgjigje të theksuar ndaj mundësisë së kuptimit të thellë të botës duke përdorur frazemat si “Enigma e Përsosjes së Botës”, dhe duke reflektuar për rolin e letërsisë dhe të shkrimit në këtë kërkim. Pasazhet e tilla përfshijnë thellësi dhe një ndjesi të theksuar të filozofisë, duke e bërë atë jo vetëm një përshkrues, por edhe një reflektues të thellë.
Pjesë të ndryshme të veprës përfshijnë një gamë të gjerë temash dhe imazhesh duke eksploruar bukurinë, kërkimin e identitetit, dashurinë dhe shpirtëroren në një mënyrë të pasur dhe të hollësishme. Autori shpreh ndjenja dhe përjetime nëpërmjet vargjeve dhe pasqyrimeve poetike.
Ndodh që në jo pak raste protagonisti shpreh dyshimet dhe kërkesat për të kuptuar vlerën e krijimtarisë së tij duke qëmtuar sfidat dhe gëzimet e shkrimtarit, në kërkimin e një shprehjeje të përsosur. Një temë e rëndësishme është edhe lidhja midis bukurisë dhe dhimbjes si dy koncepte që shpesh ndërthuren dhe shfaqen bashkë në përvojën e njeriut, me përpjekjet të kapërcejë një kërkesë të brendshme për vetë-kundrimin dhe njohjen e vetvetes nëpërmjet shkrimit. Ka evokime të bukura të dashurisë duke kërkuar “çelësin për hyrje në kopshtin e dashurisë së Vijores.”
Shkurt, 2024