Në momentin kur zonja Vjosa Osmani u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës, shumë qytetarë besuan se ky ishte një nga vendimet më të qëlluara politike të viteve të fundit.
Ajo vinte në krye të shtetit me një përgatitje solide akademike, me gradën doktor i shkencave juridike dhe me përvojë në fushën e së Drejtës kushtetuese.
Për më tepër, zotërimi i shkëlqyer i gjuhës angleze dhe komunikimi i saj i sigurt në arenën ndërkombëtare krijuan bindjen se presidenca e saj do të karakterizohej nga respektimi rigoroz i normave kushtetuese.
Në një Republikë Parlamentare si Kosova, roli i Presidentit është i qartë: ai duhet të jetë garant i rendit kushtetues dhe figurë mbi palët politike. Kjo është fryma që buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga praktikat e demokracive parlamentare evropiane.
Megjithatë, zhvillimet politike të kohëve të fundit kanë hapur një debat serioz në opinionin publik lidhur me disa vendime institucionale të presidencës. Një nga çështjet më të ndjeshme lidhet me shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas nenit 82 të Kushtetutës, Parlamenti mund të shpërndahet vetëm në rrethana të caktuara: nëse brenda 60 ditësh nuk formohet Qeveria, nëse dy të tretat e deputetëve votojnë për shpërndarjen e tij, ose nëse krijohet një krizë e rëndë institucionale që e bën të pamundur funksionimin e institucioneve.
Në këto raste Presidenti nxjerr dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, por jo si iniciues politik, por si garantues i një procesi kushtetues.
Po ashtu neni 86 i Kushtetutës përcakton procedurën për zgjedhjen e Presidentit dhe afatet për zhvillimin e saj. Interpretimi juridik i këtyre dispozitave ka qenë shpesh objekt debatesh ndërmjet ekspertëve të së Drejtës kushtetuese.
Nëse një vendim i rëndësishëm institucional merret pa një analizë të plotë juridike, atëherë rrezikohet që Presidenca të futet në polemika që dëmtojnë autoritetin e saj.
Në debatin publik është përmendur edhe roli i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Marrëdhëniet politike mes Ramës dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kanë qenë shpesh të tensionuara dhe të shoqëruara me polemika publike.
Në këtë kontekst, disa analistë kanë interpretuar afrimin retorik të Ramës ndaj Presidentes Osmani si një lëvizje diplomatike e ndërtuar me kujdes politik. Rama është i njohur për stilin e tij të komunikimit , shpesh të mbushur me ironi, humor dhe elozhe që nuk janë të lehta për t’u deshifruar.
Kjo ka bërë që një pjesë e opinionit publik të shtrojë pyetjen: a mund të ndikojë retorika politike e liderëve rajonalë në vendimmarrjen institucionale të Kosovës?
Në shumë vende evropiane, kompetenca për shpërndarjen e Parlamentit është e kufizuar dhe e lidhur ngushtë me procedura të qarta kushtetuese.
Në Gjermani, për shembull, Presidenti mund ta shpërndajë Bundestagun vetëm në dy raste: nëse Parlamenti nuk arrin të zgjedhë Kancelarin ose nëse Kancelari humb votëbesimin.
Në Itali, Presidenti ka kompetencë më të gjerë, por vendimi për shpërndarjen e Parlamentit merret vetëm pas konsultimeve të gjera me partitë politike dhe vetëm kur është e pamundur të formohet një Qeveri e qëndrueshme.
Në Francë, ku sistemi është gjysmë-presidencial, Presidenti ka kompetencë më të madhe për ta shpërndarë Parlamentin. Kosova nuk është Republikë gjysmë-presidenciale – ajo është Republikë parlamentare, dhe për këtë arsye kompetencat e Presidentit janë të kufizuara.
Në demokracitë parlamentare, Presidenti nuk është aktor politik që drejton betejat partiake.
Ai është garant i Kushtetutës dhe stabilitetit institucional. Prandaj çdo vendim për shpërndarjen e Parlamentit duhet të mbështetet mbi një analizë të thellë juridike dhe mbi respektimin rigoroz të dispozitave kushtetuese.
Historia politike e Ballkanit na mëson se fjalët e bukura të politikës mund të fshehin kurthe të rrezikshme. Për këtë arsye, institucionet duhet të mbështeten jo në retorikë, por në ligj dhe në përgjegjësi shtetërore.
Kushtetuta nuk është dokument për t’u interpretuar sipas humorit të politikës, por kontratë themelore që garanton stabilitetin e shtetit.
Prandaj çdo vendim për shpërndarjen e Parlamentit duhet të mbështetet mbi interpretime të qarta kushtetuese dhe jo mbi kalkulime politike të momentit.
ARIF EJUPI











