Shkruan: Florim Zeqa, 01.08.2024
Presidentja Vjosa Osmani e mbajti një takim sa për “sy e faqe” me liderët e partive politike në Kosovë, kinse për të diskutuar datën e zgjedhjeve të rregullta vitin tjetër. Mungesa në takim e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje e dëshmon mos seriozitetin e këtij takimi krejtësisht formal dhe të parendësishëm.
Takim i pakuptimtë i presidentes
Se vërtetë takimi ishte krejtësisht formal e dëshmon deklarata e presidentes pas takimit me partitë politike; “Datën e zgjedhjeve e shpallim pas disa analizave”, pa treguar se në cilin ‘laborator’ do t’i dërgon ato “analiza”!
Anipse nuk ka treguar presidentja, gjithçka është e qartë dhe e nënkuptueshe, për zgjedhjet, sikurse për gjithçka tjetër vendos kryeministri Albin Kurti e jo presidentja Vjosa Osmani!
Thënë të vërtetën, takimi i presidentes me partitë politike (opozitare) do të kishte kuptim sikur zgjedhjet të mbaheshin në afatin e shkurtër kohor, brenda dy muajve e jo pas gjasht muajve!
Lojrat pingpong me opozitën bëhen shkaku i moskoordinimit të kësaj të fundit, e cila nuk e di ku e ka bishtin dhe as koken, pasi secila prej tyre kishin opsione të ndryshme rreth mbajtjes së zgjedhjeve, pa qenë në gjendje për t’i imponuar pushtetit mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për ta nxjerrur vendin nga kolapsi ekonomik si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare.
Në takimin e presidentes marionetë me liderët partiakë është paraparë që zgjedhjet të mbahen në afatin e rregullt zgjedhor dhe atë mes datave 26 janar dhe 16 shkurt të vitit 2025.
Moskoordinimi i opozitës i zgjati jetën qeverisë dhe e bëri Albin Kurtin kryeministrin e parë pas çlirimit të vendit i cili e çon deri në fund manatin politik!
Pra, është hera e parë pas çlirimit të vendit, që do të kemi zgjedhje të rregullta parlamentare!
Se, a është kjo meritë e arrogancës së numrave në Kuvend apo paaftësi e opozitës për t’a nxjerrë vendin nga sanksionet ndërkombëtare, ju mbetet lexuesve që ta thonë mendimin e tyre të lirë!?
Thumbimet ironizuese mes dy grave të veshura me petkun e pushtetit
Një deklaratë e bërë nga ministrja e jashtme, Donika Gërvalla ndaj presidentes Vjosa Osmani, mori përgjigje nga kjo e fundit në konferencën për media, pas takimit me krerët e partive politike.
Donika Gërvalla-Schwarz në koncertin për mërgatën në sheshin ‘Skënderbeu’, pasi këndoi këngëtarja Dafina Zeqiri, tha se ajo e këndoi këngën “llafe llafe” të presidentes.
E pyetur për këtë sot, Vjosa Osmani ia ktheu me të njëjtën monedhë, derisa dhe ajo përdori vargje të njërës nga këngët e Dafinës, për t’iu kundërpërgjigjur Gërvallës. “Për detaje rreth raporteve tona flasim ndonjëherë tjetër. Por Dafina e ka një këngë tash që e ka publiku ‘me kast me kast mjeshtër i mashtrimeve, me kast me kast përsëritës i gabimeve’. Ka edhe kangë tjera Dafina, përndryshe përpunim i këngës së Gilit”, deklaroi Osmani, teksa tha se nuk e kishte dëgjuar deklaratën e Gërvallës, ish bashkëpartiakes së saj.
Loja ironizuese mes Vjosa Osmanit dhe Donika Gërvallës është pak më tepër se adoleshente dhe fëmijërore, është qesharake dhe nën çdo nivel diplomatik. Shihen qartë tek zonja e parë e shtetit mendjemadhësia dhe arroganca, që janë tipare të mishëruara në shpirtin e saj ashtu siq nuk është i skalitur rugovizmi në zemrën e saj. Kurse tek kryediplomatja vërehen nga largësia injoranca dhe paaftësia diplomatike për të mbuluar një pot kaq të lartë shtetërorë.