Hapim tunele,
drejtojmë trena e autobusë.
Ndërtojmë ura, lidhim fshat e qytet,
suvatojmë pallate.
Jemi kuzhinierë
dhe lajmë pjata,
ashtu siç bën e gjithë bota.
Arsimojmë e edukojmë të rinjtë,
mbjellim lule në kopshte,
rrisim fëmijët.
Kemi djem e vajza të shkëlqyeshëm
në kimi, fizikë e matematikë.
Bëjmë inovacione në mjekësi e informatikë,
mjekojmë njerëz në spitale
dhe u falim dashuri.
Përfaqësojmë vende në sport e në këngë.
Kemi shpirt bujar,
solidarizohemi me ata që janë në vështirësi,
si në Kosovë, Iliridë, ashtu edhe në Shqipëri.
Shtrojmë sofra
e nderojmë miq.
Ruajmë gjuhë e kulturë.
Festojmë bashkërisht festat
dhe Ditën e Flamurit;
u këndojmë heronjve,
lavdisë dhe kujtesës kombëtare.
Jetojmë në mërgim,
por foletë i kemi atje
ku jetojnë gjyshërit, prindërit,
xhaxhallarët, vëllezërit, motrat e hallat.
Falna një grimë dashuri e respekt,
se nuk ua marrim as diellin,
as ajrin.
Në Kosovë, Shqipëri, Iliridë,
Preshevë e Ulqin
vijmë vetëm
për të zbutur mallin.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 11 shkurt 2026











