
Policia në vendet me demokraci të avancuar është në marrëdhënie të përhershme me popullin. Ajo punon për të siguruar qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve, veçanërisht në rast incidentesh të shkaktuara nga individë problematikë apo grupe kriminale.
Kalimi nga një sistem një partiak, që për më shumë se dyzet vjet ka funksionuar përmes dhunës dhe frikës, drejt një sistemi demokratik, nuk është aspak i lehtë.
Në emër të tolerancës dhe demokracisë, në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar rrënimi i rendit shoqëror.
Në Kosovë dhe Shqipëri, ku ende nuk vlerësohet sa duhet roli i eprorit apo i policit, shënohen raste të shumta të krimit individual dhe të atij të organizuar.
Përballë këtyre problemeve, organet e rendit nuk mund të qëndrojnë duarkryq. Edhe pse me mungesa të mëdha në aspektin logjistik, ato përpiqen të kryejnë punën e tyre siç duhet. Mirëpo, nga popullata gëzojnë pak përkrahje, për të mos thënë fare.
Ai vend që ka polici të shëndoshë dhe të organizuar mirë, ka edhe siguri më të lartë. Fatkeqësisht, kohëve të fundit është rritur kudo numri i keqbërësve dhe i grupeve të organizuara kriminale.
Andaj, sigurinë tonë mund ta garantojë vetëm një polici e strukturuar mirë, me djem dhe vajza të aftë për të vepruar në çdo rast. Policia fuqizohet dhe konsolidohet edhe përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe profesional me gjykatat.
Po ashtu, ajo duhet të ketë domosdoshmërisht mbështetjen e popullit, ngase ky bashkëpunim është në të mirë të vetë qytetarëve.
ARIF EJUPI