Poezia e poetit Avni Çunaku

0
Avni Çunaku - Eshtra në shtegtim

Zymer Mehani

BOTIM I RI

Bashkë me poezitë e vëllimit “ESHTRA NË SHTEGTIM”, të poetit Avni Çunaku, apo të shprehemi më saktë, në vargjet e tij kuptimplota, ne e takuam shpirtin e tij skofjar, por të shqetësuar për atdheun dhe kombin, të cilit i përket, në aktualitetin, kundruall andrallave e dallgëve të jetës.

Ky krijues sikur s’gjen rehati në këto kohë të pakohë, nëpër të cilat po kalon shoqëria jonë, prandaj vazhdimisht ai është në lëvizje, më tepër larg vendlindjes (vatrës). Prandaj dhe krijon vargjet e tij, ku thotë:

Natë e vonë, votra ime e unë u shuam larg nga ti
Përplot rrugë të humbura, s’di kur shkoj as kur vi

(poezia “Natë e vonë”)

Po t’i grupojmë poezitë e këtij vëllimi, shihet fare qartë se ato ndahen në dy grupime: në poezi atdhetare (siç janë poezitë për Dardaninë: “FJALA JOTE, DARDANI”, “NGA KUSH TA SHPËTOJË ZOTI DARDANINË?!”, “PËR TY, DARDANI”, “DARDANI E TYMOSUR”etj.; pastaj për Çamërinë: “PËR TY, ÇAMËRI”, “ÇAMËRI, DARDANI, SHQIPËRI” etj., e poezi tjera atdhetare: “RRËNJA E TRUNGUT – BUKA JONË”,” SHQIPNI E NDAME”, “DUKE SHTEGTUAR TOKËS ARBNORE”, “TOKA ARBNORE”, “BËHU VETVETJA, SHQIPTAR”, “SHQIPNI”, IMI ATDHE”, “ MË FAL, TOKA IME” etj.) dhe në poezi malli e dhimbjeje (siç janë: “NË BRIGJET E DETIT”, “NGAPAK FOLA ME TË GJITHË”, “NË DITARIN E KUJTIMEVE”, “NËPËR TYMNAJAT E VARGUT TË SHEKUJVE”, “POETI THA” e ndonjë tjetër). Këto pastaj plotësohen edhe me poezi me motive nga jeta në mërgim (siç janë poezitë “KËNGA E DHIMBJES SË KURBETIT”, “KURBETI”, “NATË E VONË” etj. ), që plotësojnë mozaikun krijues të autorit, ngase edhe ai vetë jeton e vepron në mërgim.

Mendojmë se poezitë me temë atdhetare, nuk ka pse të mungojnë në një vëllim poetik të poetit Çunaku, aq më tepër vargje të tëra për Dardaninë tonë, së pari duke e njohur shpirtin shpërthyes porsi uragani i pandërprerë të poetit, dhe së dyti, për faktin se edhe sot e gjithë ditën plagët dhe dhimbjet e Dardanisë e të mbarë SHQIPËRISË NATYRALE kanë përmasa legjendare. Sido që të jetë, bindja jonë është se atdhedashuria është lajtmotiv i poezisë së Avni Çunakut (trinomi Çamëri, Dardani, Shqipëri) dhe duke qenë e tillë, ajo është shkruar dhe duhet të shkruhet prore, ngase dashuria ndaj atdheut nuk duhet të zbehet asnjëherë, sepse ajo ia kalon çdo dashurie tjetër, siç thotë Skënderbeut, sipas Barletit tonë, dhe ia kalon edhe dashurisë ndaj fëmijëve.

Si për të na bindur për këtë që thamë, poeti Çunaku lëshon ca vargje të arta, që duket se nuk janë shkruar me ngjyrë, por me gjak:

Shpirtin me Ty e eshtrat në shtegtim, Dardani
Çerdhe për t’u ngohur e fole për lindje
Je e vetmja Ti…
(…)
Guri me shenja gjaku në kufirin Tënd
Ti qëndro simbol trimërie
E në oda të mëdha, mbushur përplot
Të falen burrat me besë burrnie….
(poezia “Fjala jote, Dardani”)

Prandaj në librin e tij, poezitë atdhetare, janë vetë shpirti i poetit, që e mban atë të gjallë, i japin jetë dhe i japin fuqi për të ecur përpara në udhën e lirisë së Kosovës.

Poezi të tilla si: ” PËR TY, DARDANI”, ” PËR TY, ÇAMËRI”, ” RRËNJA E TRUNGUT – BUKA JONË”, etj, qëndrojnë të bukura si lulëgjaket e Kosovës në tokën e saj të kuqëluar- pikagjak.

Motivi atdhetar, pra, kësofare është më kryesori dhe poezitë atdhetare të poetit Avni Çunaku të bëjnë për vete jo vetëm për përmbajtjen e thellë patriotike, me një theks të veçantë aktual, por edhe për nivelin artistik, për dinamizmin e brendshëm etj.

Tema e atdheut dhe motivi atdhetar në poezitë e vëllimit “Eshtra në shtegtim” të Çunakut, sikurse te shumë poetë të tjerë, shpesh do të plekset me motivin e mallit për vendlindjen. Dhe kjo është krejt e natyrshme, pasi që atdhe do të thotë vendlindje.

Në shumë poezi, poeti Avni Çunaku, atë mall që e djeg porsi eshkë, do ta pasqyrojë duke e kujtuar konakun, oxhakun, nënën, vëllanë, motrat, shokët, miqtë, agimet e zbardhëlluara, mbrëmjet, arat me grurë, lumin me shelgjishte, fushat me lulëkuqe etj. etj.

Por poeti duket se është tepër i vëmendshëm ndaj ngjarjeve të kohës, pasi tërheq vëmendjen se:

S’kemi kohë t’i kalojmë motet në zhgënjim
E kemi jetën tonë për të gjallëruar
Dhe kemi braktisur prej kohësh çdo trishtim
(Poezia “KRISMA VRASTARE”)

Për të na siguruar se:

Kalorësit e kështjellës vigjlojnë me kujdes
Nëpër dallgë t’tërbuara, me fanarin ndezë
Shqetësimet e TRUNGUT seç i bartin në supe
Si pishtarë lirie, krenarë e me besë
Shtigjeve të gjakosura duke bredhë gjithnji
Për TRUNGUN shqiptar, të çmuarën ETNI
(Po aty)

Struktura strofike e poezive të poetit Avni Çunaku

Pjesa dërrmuese e poezive të vëllimit “ESHTRA NË SHTEGTIM” kanë strukturë strofike disavargëshe (jometrike), por aty hasim edhe lloje të tjera strofash, ndonjëherë të rimuara, sikundër që hasim edhe shumë poezi të parimuara dhe pa metër të caktuar ndërtimi, ngase autorit s’i pëlqen ndonjë shabllon për ndërtim të vargjeve.
Poezitë e tij janë tejet interesante, qoftë për figuracion, për fjalor të përdorur, për gjuhë të pastër, për ide, motive, tematikë e çështje.

Ndonëse poeti ndërton vargje me rima të pakta, prapëseprapë vargu i tij është muzikal dhe ka një fuqi të brendshme që e dëgjojmë me ëndje.

Ky poet na ka dhuruar poezi mjaft origjinale me laryshi temash, idesh e formash, prandaj kësofare në botën poetike të tij hasim nuanca shumështresore, ku përzihen kohët, ëndrrat dhe zhgjëndrrat, dëshirat e shpresat, gëzimet e zhgënjimet, vetëdija e ndërdija.

Ky poet nuk ndalet vetëm me përshkrime ngjarjesh, dukurish e fenomenesh, por meqë stili i tij është i gjerë dhe i thellë, ky vazhdimisht e ndryshon këndin e kundrimit, me intensitet të shtuar të interesimit për çdo dukuri dhe fenomen, për çdo subjekt dhe objekt, për çdo detaj e tërësi.

Poeti Çunaku, pra e përdor me mjaft siguri dhe kujdes vargun, duke e shtjelluar me saktësi, pa e penguar spontanitetin e tij. Aty gjen figura të mjaftueshme, vërtet origjinale, të natyrshme, të sakta e të qarta, të kapshme, të kuptueshme nga të gjithë, që flasin për dëshirën pozitive të këtij poeti për të qenë origjinal, por flasin edhe për kuptimin e drejtë që ai ka për figuracionin poetik.

Poezia e Avni Çunakut merret edhe si bisedë e afërt, e ngrohtë, miqësore e poetit me lexuesit, duke marrë herë pas here edhe karakter revoltues. Prandaj poezia e tij shquhet edhe për komunikim të afërt. Kryesisht poeti përpiqet që në vargjet e veta të përdorë shprehje të përshtatshme, të marrura shpesh edhe nga gjuha jonë e përditshme popullore.

Kujdesi ndaj gjuhës

Poeti Avni Çunaku është mjeshtër i fjalës së bukur artistike dhe si i tillë depërton me magjinë e artit përgjithësisht, ngase është gjurmues, vizionar dhe krijues i denjë, që me vargjet e tij kapton shtigje të reja dhe hap botëra të reja imagjinare.

Ky poet, pra në punën e tij krijuese shquhet edhe për kujdesin ndaj gjuhës. Pra, edhe për punë të fjalorit ky autor ka treguar një kujdes të veçantë. Fjalori i përdorur është mjaft i pasur, e mbi të gjitha, shprehës, i qartë dhe i saktë.

Nga poeti Avni Çunaku është treguar një kujdes tejet i veçantë dhe unikal ndaj fjalorit dhe të të shprehurit poetik, sepse ai e di fare mirë se pikërisht fjalët janë vetë bazamenti lëndor për ndërtim të poezisë. Prandaj duke qenë i vetëdijshëm për peshën e tyre, s’do mend se Çunaku këtë fakt, siç duket, e ka marrë me seriozitet prej një artisti të denjë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.