Pamje e Turjakës në Pranverë
Pjesa 2 – Vazhdon nga numri i kaluar me titull ”Podrimçakja”, 19 maj 2023
Për pjeshkat e Podrimes, se sa të shishme janë tregonin pleqtë kur dy kojshi janë çu herët në mëngjes e kanë shkua në vneshta. Pasi përshëndeten dhe i n’rrojnë kutitë e duhanit, e pshtjellin nga një cigare, duhan kaçak njëri plak e pyet tjetrin:
– A e ke prish me naj sen o Hajdar (dmth e ke hëngër diçka) ?
– Sa për kamish i kam hëngër veç 70 pjeshka përgjigjet plaku.
Një tjetër arësye pse nuk mund ta harroj Podrimjen e ”podrimçaken” është se në Rahovec ka shumë objekte tradicionale, shtëpi të vjetra që nuk i kanë qytetet e tjera, çeshme (çezma) *) ku pazargjinjët pinin, edhe sot pinë ujë në çdo vend, aty ku i shitnin prodhimet e tyre, në pazar. Rrugës së gjatë që vinte nga Drenofci i Zatrqiit dhe Astrazubi, nga Rrasa e Rahohavecit, që është në herje të Rahovecit në anën e djathtë janë varrët por, dheu kishte ra në xhade *) e shiheshin skeletete e eshtrat e këmbëve e të duarve të vdekur. Murin që e kishin ndërtua rahovecasit nuk i mbulonte por prap shiheshin eshtrat që kushedi se kur kanë vdekur apo vrarë të ngratët. Pakë më poshtë, pasi i kapërcenim varret, rrugës, në të dy anët e rrugëve teposhtë *) në drejtim të qendrës, jorgangjinjët i virrnin jorganët në muret e shtëive e me ata jorganë, të rinjët martoheshin, mbuloheshin me nuset e reja, në natën e parë të martesës e muajin e mjaltit.
Kroi i Makshanëve në Drenofc të Zatriqit (”i renovuar”)
Ështe e njohur kënga për natën e parë të martesës, që mbulohën dy të rinjët me “jorgan”
”Ai jargani, jargani kutli
E g’zueme koft kjo nata e sontshme
Ish kân` kysmet me fjet me ty (refreni)
Ish kân’ kysmet mu mlu me ty”
Pastaj me rend, shitej bylmeti, tlyni, djathi, shpezët, pulat knojsit e vetë e katundit.
Poshtë qytetit, afër teqes së Sheh Bakisë rruga për në jug, ishte namazgjahu ku shiteshin gjâtë e trasha, desh e dele, lopë, buallica e kuaj.
Gjakovarët, që vinin çdo të shtune në Rahovec, si tregtarë që iu kalonin edhe jahudive, dilnin te Rrasa e Rahovecit dhe i pritnin katundarët që vinin me qeze me kuaj nga Zatriqi, Drenoci, Senofci e Pastaselei por edhe nga Astrazubi, Dragobili, Maxharra, Maralia, Malisheve, Turjaka, Panorci, Damaneki, Bubli, Carravrana, Javiqi, Sferrka e Gashir, Përrqeva, Rixheva e nga Drenica që kishin me vete ve (voe). Gjakovarët blenin vezët e katunditse ishin të lira e të mira e me vetë që i shisnin, iu blenin fëmijëve tesha, ndonjë brisk, fyej e kavallë *), si barinj që ishin e më vonë kur u hapën shkollat shqipe, fëmoijëve iu blenin libra fletora e lapsa.
Pse zgjodha “podrimçaken” si personazh?
Si i ri kisha lexua shumë libra të autorëve të njohur, që e kishin përjetësua vendlindjen e vetë në poezi, dramë e romane, pa harrua edhe këngët, legjendat e historitë e tyre të lavdishme. Dritëroi kishte shkrua për Devollin, për Hatixhenë e për Sadijen. Kadareja për Gjirokastrën, për Kalanë, për rrugët me kalldrëm e për Princeshën …. Ndërsa Alberto Moravia, shkrimtar italian, shkruan për Çezirën, Çoçarien, romanin “Çoçarja” (krahinë në Itali).
Dhe edhe unë mendova të shkruaj për “podrimçaken” si një nga qikat më të hishme të të gjitha krahinave të Kosovës.
Jeta e podrimçakes, si e re kishte qenë shumë e dhimshme. Ajo ishte fejuar e re pa dëshirën e saj.
Podrimçakja, ashtu qysh tregoi njëra nga stërmesat e mia, kishte ikur nga shtepia e babës dhe kishte ardhur te halla e cila i kishte thënë:
– Eja e rri te ne. Mos u marto me djalin që nuk e don e nuk e njeh. Nëse nuk të pëlqen djali, mos shko te burri.
Podrimçakja kishe vendosur që të ik. Pasi e kishin da vaden dhe e kishin caktua ditën kur do të shkonte podrimçakja te burri, ajo ik, natën e dasmës.
…
Njohja e Sylës me podrimçaken, ia kishte thy mendjen çobanit turjakas që donte patjetër ta shihte edhe njëherë vajzën me flokë të zeza e të trasha që kur i ldhte me një pe të kuq e i hudhte në njërin krah, të gjithë djemtë e katundit iu mbetej kryet shtremtë
Mrizet e Mëdha në Turjakë
Edhe jeta e Sylës, çobanit nga Turjaka ishte e ngjashme me jetën e disa nga personazhet e atyre veprave kur dëgjoi për podrimçaken i erdhi keq. Edhe Syla ishte djalë dylber. Në Turjakën e Sylës kishte pleq të mençur, trima, kaçakë e komit, shahirë, bujq e barinj por nuk kishte asnjë shkrimtarë. Po ku të kishte shkrimtarë kur Turjaka nuk kishte pasur as shkollë e as mejtepë që ndoshta do të thurnin e këndonin ”bejte” Sylës, tiranses, turjakaseit, podrimçakes, Verës e ndoshta edhe Bajram Ramadanit e bacës Tah (Fetah Nurqit).
…
Syla kishte pasur një jetë, plot vështirësi e me shumë të panjohura. Disa plaka turjakase Sylën e kujtonin si djalin të panafakë, nafakëprem që e kishte lënë nënen fatkeqe, nuk e kishte gëzua me një nuse, pse jo edhe podrimçake e ajo të kishte shumë nipa e mbesa.
Sylës i pëlqeu podrimçakja por si të ia thonte se, ku ta gjente, qikën që nuk donte të ikte nga Drenofci pa e pa e pa folë me qikën që kishte ikur natën e dasmës?
”Me k’to vetlla kujna i gave
Nanes zojë e vetë trimneshë
Rreth e rrotull me qapraz
Bash si fllazat nat kafez
…”
*) ÇEZMË f.
Gyp a lug nga ku rrjedh ujë i pijshëm, që vjen prej ujësjellësit ose prej një burimi të mbuluar; burim i mbuluar, nga ku uji rrjedh nëpër një gyp. Çezmë e ftohtë. Çezmë e njomë çezmë që ka ujë gjithnjë. Çezmë e thatë çezmë që shteron gjatë verës. Çezmat e fshatit. Ujë çezme. Pi në çezmë. Mbush ujë në çezmë.
* Të çon (të shpie) në njëqind (në dyzet) çezma (në krua, në shtatë kroje) e s’të jep ujë shih te KRUA, KROI.
*) XHADE f.
- bised. Rrugë e gjerë zakonisht e shtruar (jashtë qendrave të banuara), ku kalojnë mjetet dhe njerëzit; rrugë për automjete. Xhade e gjatë (e gjerë). Xhadeja e vjetër
(e re). Xhade e shtruar.
- përd. mb. edhe fig. I shtruar, i rrafshët, i sheshtë që nuk ka pengesa a vështirësi, shesh me lule. E bënë fare xhade. E ka rrugën xhade. Jeta nuk është xhade. fj.u.
*) TEPOSHTË
- ndajf.
- Tatëpjetë. Shkoi (zbriti, mori) teposhtë. Varej (lëshohej) teposhtë. Ia dha vrapit teposhtë.
- Poshtë. Me grykë (me kokë) teposhtë. E ka vënë teposhtë.
- parafj. Tatëpjetë. Ranë teposhtë grykës. Zbritën teposhtë shpatit.
*) KAVALL m.
- Fyell i madh me tytë prej druri dhe me gojëz në trajtë sqepi, fyell. Vrimat e kavallit. I bie kavallit.
- hist. Pushkë e vjetër me një tytë, që mbushej nga gryka dhe shkrepej me gur stralli.
* I bie kavallit (fyellit) flet kot, mundohet më kot t’ia mbushë mendjen dikujt. Është vrima e fundit e kavallit (bishti i kavallit) është njeri pa rëndësi, fjala e tij nuk ngre peshë dhe nuk dëgjohet nga të tjerët. Peshk kavall zool. shih te PESHK,~U.
( Vazhdon )
Sinan Kastrati, Suedi
Malmö, 20 maj 2023
sinankastrati09@hotmail.com