Pensionistët, shtresa më e vuajtur, që duhet vlerësuar më shumë…

1

Ibrahim Kabili Ibrahim Kabili

Pensionistët janë njerëz të dinjitetshëm. Dinjiteti i tyre shkon deri në kufinjtë e madhështisë. Ky vlerësim vjen për kontributin që ata kanë dhënë për vendin dhe shoqërinë shqiptare për dekata të tëra. Fatkeqësisht gjendja ekonomike e financiare e tyre vlen për të dëshiruar. Pensionet, që shumica prej tyre marrin, janë të ulta, tepër qesharake. Me këto pensione ato diskriminohen dhe dinjiteti i tyre vjen dhe zerohet. Kjo nuk është e drejtë! Shoqëria duhet të reagojë. Ky nuk është shteti i mirqenies sociale, për këtë shtresë në nevojë po themi. Pensionistët kanë të drejtë në protestat e tyre. Ata janë njerëzit që i kanë dhënë shumë shoqërisë sonë dhe marrin shumë pak, thuajse nuk po marrin asgjë, krahasuar me kërkesat e kohës. Pensionet e tyre janë qesharake, krahasuar me pagat e larta që marrin punonjësit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Me këto pensione shumica e pensionistëve nuk sigurojnë ushqimin, ilaçet, dritat dhe ujin…

Kjo shtresa e shoqërisë që vuan, janë ish-punëtorët, ish-koooerativistët, që ngritën fabrikat, uzinat, kombinatet, portet, aeroportet, veprat madhore hidroenergjitike, veprat ushtarake, që bonifikuan Ultësirën Perëndimore, thanë këneta, ndërtuan sistemin vaditës dhe kullues në mbarë vendin, ndërtuan sistemin e ujëmbledhësve në gjithë Shqipërinë, hapën tokat e reja, siguran bukën në vend, ngritë një bujqësi dhe blegtori mbi baza tërësish shkencore, etj… Pensionistët e sotëm kanë në mesin e tyre edhe ish-elitën intelektuale të shoqërisë shqiptare që dikur kontribuojë në ngritjen dhe funksionimin e arsimit dhe institucioneve arsimore.

Ato ideuan dhe vunë mbi baza shkencore të gjitha degët e ekonomisë, projektuan dhe ndërtuan veprat e mëdha industriale të kohës. Pensionistët e sotëm janë edhe ish-bashkëvuajtës që qenë të dënuar, të persekutuar nga regjimi i kohës, të cilët e vuajtën dënimin në ndërtimin e shumicës së veprave të lartpërmendura. Ato janë edhe ish-armata e madhe e punëtorëve të ish-minierave të shumta, që me pasuritë e tyre u bë Shqipërinë. Në radhët e sotme të pensionistëve ka ende edhe ish-pilot të aviacionit që siguruan denjësisht hapsirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, ka ende ish-specialistë të flotës detare që mbrojtën në çdo pëllëmbë të hapsirës detare, ka ende ish-ushtarak të ushtrisë shqiptare që mbrojti me shumë dinjitet dhe të pacënuar territorin e shtetit shqiptar.

Natyrisht që nga këto shtresa ka njerëz që marrin edhe pensione suplementare. Gjithësesi këto pensione nuk mund të krahasohen me rrogat 3, 4, apo 5 milionëshe të rrogtarëve të lartë të shtetit sot. Aq më keq krahasuar me rrogat marramendëse të “mercenarëve” të mediave që hiqen si “të paanshëm” dhe na “çanë kokën” me qëndrimet dhe shërbimet e njëanshme që u bëjnë pronarëve të mediave në arritjen e qëllimeve editoriale të tyre… Aq më keq kur këto “pseudoanalistë” gjirizesh pozicionohen dukshëm në funksion të politikës dhe largohen nga realiteti i kohës.

Deputetët që kemi votuar, siç tregojnë faktet, shohin interesat e tyre dhe jo të votuesve, dhe aq më keq të pensionistëve. Deputetët të gjithë pa përjashtim rritën rrogat për vete, qeverinë dhe institucionet e larta të shtetit… Fatkeqësisht nuk pyetën fare për shtresën e pensionistëve. Kjo është e pafalshme! Në një republikë parlamentare roli i parlamemtit është i madh. Çuditërisht ato votuan unanimisht për rritjen e pagave të tyre. Asnjë “kontradiktë” nuk patën këtu deputetët e të gjitha forcave politike. U rreshtuan pranë “tepsisë”, i nxorën fundin asaj dhe “lanë” vetëm “kockat” për shtresën e tretë të pensionistëve. Pse tregohen kaq të pamëshirshëm ndaj pensionistëve? Unë nuk kam asgjë me rritjen e pagave, por duhet ruajtur një raport ekuilibrues me pagat e ulta dhe pensionet.

Kjo tregon se superstruktura është e shkëputur nga baza e cila i ka votuar. Ka ardhur koha që numri i deputetëve të reduktohet nga 150, në 100 deputetë konform uljes së numrit të popullsisë nga 3.3 milion banorë në vitin 1990, në 2.4 milion banorë të regjistuar në çensin e fundit. Me këtë veprim kursehen disa miliona para që mund të shkojnë për pensionistët. Parlamenti duhet të ketë deputetë më elitar. Është e turpshme kur deputetët i venë flakën karrigeve të kuvendit, institucioneve të shtetit dhe nuk merren me punën e tyre konform ligjeve të shtetit. Opozitarët e devotshëm mund të ndalin dhe frenojnë qeverinë dhe kryeministrin në veprimtaritë e tyre të mundshme antiligjore.

Ky duhet të jetë deputeti opozitar, të kufizojë sadopak pushtetin autoritar. Kryeministri Rama disa herë ka premtuar rritjen e pensioneve. E lidhi një gjë të tillë me vendburimet e reja të naftës; me një fond të veçantë të qeverisë; me deklarimet e pagave reale të punonjësve nga sipërmarrësit e tyre; me vënjen në përdorim të inteligjencës artificiale; etj. Por deri tani pothuajse nuk është bërë asgjë. Do jetë në nderin e Qeverisë dhe kryeministër Rama, që të bëhet ngritja e pensioneve të ulta për këtë shtresë të shumëvuajtur të shoqërisë. Ajo dikur mbajti peshën e rëndë të zhvillimeve ekonomike të Shqipërisë ndaj duhet që shteti të subvencionojë rritjen e pensioneve me fonde të veçanta. Ky është një detyrim moral dhe ligjor që ka shteti dhe shoqëria për këtë shtresë të varfër dhe të cfilitur nga pesha e rënduar e kohës…

Këto radhë unë i shkruajta dashamirësisht, dhe kam bindjen se do të ketë reagime pozitive. Unë mbështetës të majtën, por kjo nuk është punë bindjesh, por çështje jete. Nuk shkruajta për vete pasi kam një pension optimal por shkruajta për nënën dhe babain tim që kanë pensione shumë të ulta. Shkruajta për nënat dhe baballarët e të gjithë Shqipërisë që kanë pensione të tilla… Pensionistët meritojnë më shumë, meritojnë pensione më të larta, meritojnë një trajtim më dinjitoz nga shteti dhe shoqëria…

Tiranë, 03.11.2024

1 KOMENT

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.