Shënime për kompletin në dhjetë vëllime, Studime letrare të zgjedhura, të Prof. Anton Nikë Berishës

Behar Gjoka
Paraqitja e kompletit me dhjetë vëllime të zgjedhura, Studime letrare të Anton Nikë Berisha, një punë e gjerë studimore, e thellë në parashtrime dhe trajtime, një gjurmim i vlerave letrare në letërsinë shqipe dhe të huaj, gjithnjë të vështruara në optikën e verifikimit dhe interpretimit shkencor, është shkasi i parë për të prekur nga afër, ndihmesën e vyer, kontributet e shumëfishta të profesorit në lëmenj të ndryshëm të studimeve letrare, tanimë e sendërgjuar si një kamere autoriale. Po kaq, përmbledhja e plotë studimore, dhjetë vëllimesh, është shtysë parake dhe e domosdoshme për të rihapur dialogun për këtë personalitet të shquar të lëvrimit letrar, që bart mbi supe një përvojë të gjatë, më dhënie – marrje me fjalën letrare, të mbushur me laryshi shkrimesh, në shkrimin e poezive, me një vokacion dhe verb të vetin, të dëshmuar në librat e përveçëm poetik, si “Prushi i bukurisë”, 2014, “Sytë e heshtjes”, 2017, “Hire të vetmisë”, 2021, ndonëse poezitë e parë i ka botuar në vitin 1965, në revistën “Jeta e re”.
Gjithashtu, leximi i kolanës së zgjedhur studimore, realizuar me finesë dhe përkujdesje sipërore, është një arsye tjetër madhore, për ta përfshirë në mbamendjen letrare të letrave shqipe, prozën e tij, veçmas romanet “Bimorja” (1993), “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” (2002), “Nëna e dritës” (2004), “Frymëmarrje nate” (2007), ku romani “Gjin Bardhela i arbresh”, me të drejtë është përcaktuar: “roman i bukurisë së pa mort dhe i trishtimit të pashuar”, duke shënuar njërin nga kulmet e lëvrimit letrar, e prandaj ky tekst është përcjellë deri më tani, me shkrime kritike, eseistike dhe studimore, prej mbi pesëdhjetë autorësh, dhe me një studim të veçantë “Një libër për një libër”.
Duke qenë i lidhur me letërsinë, poezinë apo prozën, pra duke u shfaqur në skenën letrare, qartazi si një pelegrin i fjalës letrare, e cila buron vetëm prej frymëzimit, me gjasë prej dashurisë për fjalën. Ndërkaq, edhe në lëmenjtë e tjera, të lëvrimit dhe latimit të fjalës, tanimë të fjalës studimore, me peshë specifike të rëndë, spikatet pasioni i zjarrtë dhe skrupuloziteti i ftohtë, për ta kërkuar dhe gjetur fjalën, e sidomos për ta venduar aty ku duhet, në rendin e kumtit të pashmangshëm, gjithnjë në shenjim të vlerës letrare.
Pjesë tepër e vlertë, e veprimtarisë së gjerë shkencore, gjithnjë në marrëdhënie të ngushtë me fjalën, është puna kërkimore në Institutin albanologjik të Prishtinës, që kundruar në distancë kohore, mbrujti këmbënguljen dhe profesionalizmin, e një gjurmuesi të thekur të vlerave letrare, fillimisht me përqendrim në letërsinë gojore, në krye të herës, si dhe në paralelen e hedhur, një konceptim i mirëfilltë, mbi vlerën që bart kjo letërsi, krahas letërsisë së shkruar.
Një nivel të ngritur të mbërritjeve profesionale dhe shkencore, shënon koha kur ishte ligjërues në universitetet e Mynihut, Kozencës, që në syrin e njohësve të shkrimit letrar, të shqyrtimeve dhe verifikimit të vlerave të veprave letrare, përfaqësojnë arritje profesionale të pashoqe, ku në këto mjedise akademike, përveçohet për thellësinë e mendimit, mishërimin e metodave të reja, në mësimdhënie dhe në marrëdhënie me letërsinë, me tekstin poetik, siç e emërton studiuesi, në punimet e gjera të studimeve letrare, tanimë të përzgjedhura, paraqitur në kompletin me dhjetë vëllime.
Jemi përpara një dukurie të pazakontë, letrare dhe studimore, në marrëdhënie me fjalën, ku bashkëlidhen shkrimtari, pedagogu dhe studiuesi i paepur, që nuk ndalet kurrë as përpara problematikave të shumta dhe tepër të ndërlikuar, që karakterizon mendimin letrar, kritikën, eseistiken dhe, sidomos studimin letrar, të cilit autori i ka kushtuar gjithë jetën. Në këtë vështrim të shkurtër, do të ndalemi më shumë, në aspektin e studimeve letrare të zgjedhura, një punë e mirëfilltë shkencore, e shtrirë në kohë, që madje përfshin arealin e letrave shqipe dhe të huaj, e realizuar në dhjetë vëllime, voluminoze, e shoqëruar me mijëra citime veprash letrare, libra teorikë dhe fetarë, që përplotësojnë shqyrtimet e tipologjisë shkencore.
Varësisht shfletimit të serisë së studimeve letrare, njohjes dhe leximit më të plotë të disa prej këtyre qasjeve, tekstore dhe shkencore, tanimë të interpretimit të përimtësuar të fenomeneve dhe teksteve letrare dhe studimore, të një pune kërkimore dhe studimore, të shtrirë nëpër vite, autori ka sendërtuar ngrehinën e verifikimit të plotë të shenjave letrare, sidomos në panteonin e letrave shqipe. Punime të plotësuar dhe ripunuara, ndonëse të rimarra dhe ripunuara disa herë, të përzgjedhura në morinë e punimeve kritike dhe shkencore, gjithnjë shoqëruar me ide, konceptim dhe argumente shkencore dhe tekstologjike, parashtruar duke u bazuar në metodikat bashkëkohore të analizës së tekstit, në lidhje me kompletin e studimeve letrare, mund të hedhim ndonjë ide paraprake:
E para, kemi të bëjmë me një shqyrtim të plotë dhe të imtësuar, mbi letërsinë gojore dhe të shkruar, një fushë e parapëlqyer e studiuesit, që madje shumë herët arrin në një përfundim shkencor, se kemi: letërsi gojore dhe letërsi e shkruar, si një përcaktim fundamental që largon nga udha e interpretimit, paragjykimet dhe trajtimet e mangëta, për krijimtarinë dhe visaret letrare gojore.
E dyta, interesim dhe verifikime shkencore, të fillesave të shkrimit letrar të gjuhës shqipe, veçmas të faktologjisë letrare, në kohë dhe hapësirë:
– Të letërsisë shqipe, të shekujve 16 – 17, me një kontribut të përveçëm për hulumtimin dhe shpalljen e pranisë së poezisë në librin “Meshari” të Gjon Buzukut, si dhe të figurimit të Pjetër Budit, si poet dhe prozator.
– Të rileximit dhe vlerësimit tekstologjik të letërsisë arbëreshe, sidokos me trajtimin e veprës poetike të Jeronim De Radës, e pa përjashtim të shumë poetëve arbëreshë, në kohë dhe hapësirë.
– Të letërsisë shqipe të shekullit të njëzet, në fillimet e tij, për Fishtën, Koliqin, Poradecin, si dhe për letërsinë shqipe bashkëkohore, ku ndalet në veprën poetike të Azem Shkrelit, në prozën e Anton Pashkut, Kasëm Trebeshinës, Ismail Kadaresë, Jakov Xoxës, Petro Markos, Ramadon Musliut, Nasi Lerës e të dhjetëra shkrimtarëve të periudhës.
E treta, interes të vazhdueshëm ka treguar për letërsinë e huaj, ku mjafton të sjellim në vëmendje përkthimet e A. N. Berishës të “Epit të Gilgameshit”, të “Këngës së këngëve”, të “Psalmeve” e shkrime të shumta për shkrimtarë të shquar të letërsisë botërore, si dhe monografitë për “Poetikën” e Aristotelit dhe të “Këngës së këngëve”, për të kuptuar dhe shijuar forcën e fjalës për letërsinë e huaj.
Larmia e fushave të hulumtuara, e trajtesave të plota, e verifikimeve dhe interpretimeve të thelluara, tekstore dhe shkencore, skicon qartësisht edhe pelegrinin e fjalës studimore, si dhe ka mundësuar ngritjen e “Një kulle arti dhe letërsie shqiptare”, siç e ka formuluar Jahja Drançolli, teksa ka përcjellë kompletin e zgjedhur, që madje ta ndërmend “Kullën e Babelit”. Triniteti ekzistencial, shkrimtar, ligjërues dhe studiues, ka mundësuar lartësimin e ngrehinës studimore, pra verifikimin e panteonit të letrave shqipe, që ndërkaq të sjellë pranë një pohim se: “[…] shkrimi është e vetmja hapësirë ku ti mund të marrësh frymë lirisht, dhe kjo e bën një urdhëresë absolute”, të shkrimtares bashkëkohore franceze, Sofia Kepes (Sophie Képès), te libri “Ç’përkatësia (Psikologjia e krijimit letrar)”, që i rri për shtati, fjalës letrare dhe studimore, njëherësh përvoja e gjerë shkrimore, dëshmon përmasat e shumëfishta të një individualiteti të jashtëzakonshëm të studimeve letrare.
Tiranë, tetor 2025











