Pas dështimit të 36-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës!

0
Avni Dehari

Letër miqësore për z. Avni Dehari

I nderuar z. Avni Dehari

Me gjithë respektin për përkushtimin tuaj dhe detyrën e ndjeshme që mbani si kryesues i seancave për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër si qytetar, si bashkëkombës dhe si mik i vërtetës së hidhur që ndonjëherë duhet thënë:

Këto seanca kanë dështuar tashmë 36 herë dhe me to, ka dështuar edhe forma juaj e drejtimit. Shumëkush po pyet sot me të drejtë: si është e mundur që një proces që duhej të ishte ceremonial e kushtetues, të kthehet në një farsë të përditshme parlamentare? Përgjigjja nuk është vetëm te subjektet politike, por një pjesë e rëndësishme e përgjegjësisë qëndron edhe te qëndrimi juaj strikt, i ftohtë, procedural deri në verbëri, dhe i shkëputur nga konteksti politik që kërkon guxim, fleksibilitet dhe mençuri për ta çuar vendin përpara.

Z. Dehari, nuk është turp të ndryshosh qasje. Turp është të vazhdosh të dështosh në të njëjtën mënyrë, duke pritur që rezultati të jetë ndryshe. Prandaj, kjo letër është një lutje publike dhe miqësore: Ose ndrysho qëndrim dhe futu realisht në temë dhe hap diskutimin, lejo zgjidhje, ndërto ura dhe mos fshihesh më pas formalizmave të thata… Ose, nëse nuk e ndjen veten të gatshëm për këtë përgjegjësi politike e morale, tërhiqu me dinjitet – jep dorëheqje. Bëje këtë për të ruajtur respektin ndaj vetes, për t’u dhënë rrugë institucioneve dhe për të mos u bërë pengesë në një moment kyç për Kosovën. Historia nuk do të kujtojë numrin e seancave që ke drejtuar, por do të mbajë mend nëse ke qenë pjesë e zgjidhjes apo pjesë e ngecjes.

Hapi i parë drejt zgjidhjes: Futja e debatit dhe pranimi i ndryshimit të kandidaturës…
Z. Dehari, nëse e ndjen se është ende në dorën tënde të japësh një kontribut real për zhbllokimin e situatës, atëherë hap debatin në Kuvend. Mjaft më me heshtje të rregullores dhe manovra sterile. Demokracia lind nga fjala, nga përballja dhe nga pranimi i realitetit politik. Është koha që të pranosh, si kryesues dhe si qytetar, se kandidatura e Albulena Haxhiut, në këtë fazë, nuk është më zgjidhje, por bllokadë. Pavarësisht vlerësimeve personale apo pozicionimit partiak, duhet të pranohet se çdo kandidaturë që 36 herë nuk ka arritur konsensus, duhet ndryshuar në emër të funksionimit institucional.

A është më e rëndësishme të mbrosh një emër, apo të shpëtosh një institucion?

Nuk kërkohet as tradhti, as dorëzim, por fleksibilitet në shërbim të Republikës. Pranimi i një kandidature të re nuk është humbje e Albulenës, është fitore e Kosovës. Dhe nëse kjo ndodh me ndihmën dhe ndërmjetësimin tuaj si kryesues, atëherë do të kujtoheni jo si peng i një rregulloreje, por si arkitekt i një zgjidhjeje që e bëri të mundur rifillimin e jetës parlamentare. Nëse nuk ka vullnet për debat dhe ndryshim, atëherë dorëheqja juaj është akti më i ndershëm. Nëse ka, atëherë ky është momenti për të vepruar.

Me respekt dhe shqetësim qytetar:

Safet Sadiku (Një qytetar i Republikës së Kosovës)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.