ORGANIZIMI I “DEFENDER EUROPE 2025”, KONFIRMIM I MIQËSISË SHBA-KOSOVË

0
Defender Europe 2025

IDRIZ ZEQIRAJ

Shteti i Kosovës është krijesë ekskluzive e Amerikës, natyrisht, e mbështetur edhe nga aleatët e saj, në veçanti, shtetet e Quintit. Ajo qëndron, herë-herë, në anësore, duke i lënë hapësirë Evropës, të merret më shumë me Kosovën. Por, kur Evropa “bllokohet”, në proceset dialoguese, Kosovë-Serbi, për arsye të kundërthënieve të brendshme, të shteteve evropiane, ndërhyrja amerikane është e domosdoshme.

Mungesa e FSK në një ushtrimore ushtarake, -Defender 2023-, nën patronazhin amerikan, u zhurmua, kinse, Kosova u bojkotua dhe mori fund miqësia dhe mbështetja amerikane për Kosovën. Por, ajo “harresë”, ishte tërheqje vërejtje, për disa veprime “mospërfillëse” qeveritare, në raport me aleatët perëndimorë. Edhe në këtë “bojkot”, ndikuan shumë intrigimet e opozitës destruktive PAN-iste të Kosovës, e cila nuk po pajtohet me humbjen e pushtetit të përgjakshëm dhe hajnor, e cila e solli shtetin e Kosovës në prag të falimentimit, të zhbërjes!

Pritja e pritshme e komandës së divizionit të Ushtrisë amerikane në Kosovë, pa mëdyshje shpërfaqë aprovimin amerikan, dy anë të pozitivitetit në Kosovë:

1) Lidershipi aktual i Kosovës është në rrugë të mbarë, në shtrirjen e sovranitetit shtetëror -cep me cep-;

2) Dhe, sinjal i qartë ndaj Serbisë dhe ndikimit rus në rajon, se Amerika, me armën e hekurt NATO, ka qenë dhe mbetet roje besnike e Kosovës dhe të rajonit. Pra, mëlmesë e kësaj aleance është edhe manifestimi ushtarak për Evropë dhe Afrikë, “Defender Evrope 2025”.

Prandaj, edhe përzgjedhja e Kosovës, për ta pritur komandën e divizionit të Ushtrisë amerikane, e cila udhëheqë operacionet që realizohen në rajonin e Ballkanit, nuk është rastësore.

Buxheti shtetëror i shtuar për mbrojtjen, me synim NATO-n

Vërtet, Kosova brenda kapaciteteve, mundësive që ka, po bënë -hapa të mëdhenj-, për anëtarësimin në organizatën madhore NATO. Megjithatë, pengesat janë të mëdha, sepse BE-ja ka probleme të brendshme. Hungaria me presidentin Orban, po sfidon hapur BE-në, madje edhe Amerikën, në lidhjet e saj të veçanta me Rusinë dhe Serbinë. Spanja dhe Rumania, për arsye të zonave me tendenca separatiste, brenda shteteve të tyre, nuk pranojnë shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Apo Greqia me ndikim të madh të Kishës Ortodokse greke, plus ploja e Çamërisë, aleate e Serbisë si dhe Qipro e varur nga Greqia, në çfarëdo vendimi me peshë ndërkombëtare.

Prandaj, janë pengesa nga brenda aleancës të BE-së, që ende nuk po arrihet të hartohet një plan konkret, për njohjen e plotë ndërkombëtare dhe heqjen e pengesave.

Qeveria e Kosovës vazhdon të punojë shumë, për të përmbushur kushtet, standardet, që kërkon Aleanca e NATO-paktit. Në këtë kuadër, më 13 qershor 2025, do të nënshkruhet marrëveshja-kornizë, për bashkëpunim në mes të ministrit të Mbrojtjes të Kosovës dhe të përfaqësuesve të mbrojtjes të SHBA-së.

Rritja masive e buxhetit për ushtrinë, përgjatë mandatit të kryeministrit Albin Kurtit, konsiderohet si domosdoshmëri strategjike. Ashtu siç janë strategjike të gjitha masat, që ka ndërmarrë dhe vazhdon të merr Qeveria Kurti. Ndërsa intrigimet shpifarake e rrugaçerore të PAN-it se, kinse, kjo është “një përpjekje për të kompensuar dështimet në fusha të tjera të qeverisjes, si ekonomia dhe sundimi i ligjit.

Për sa i përket zhvillimit ekonomik, edhe mund të kritikohet, por edhe të bisedohet, pse nuk u realizuan disa nga premtimet e bëra të LVV, përgjatë fushatës parazgjedhore? Nga tre miliardë euro, që kishte buxheti shtetëror, një miliard euro prej tyre, Qeveria ka shpërndarë si ndihma sociale qytetarëve në nevojë, respektivisht, varfanjakëve të Kosovës. Sepse populli i dalë i lodhur nga Pandemia, kishte nevojë për t`u relaksuar, zbutur varfërinë sadopak, me një ndihmë sado modeste, të dhënë nga Qeveria, e cila në programin ekonomik e ka përkrahjen sociale.

Ndërsa për sundimin e ligjit, Qeveria aktuale e LVV, ka bërë më shumë se të gjitha qeveritë paraprake, të marra së bashku. Sepse ka kthyer sovranitetin shtetëror në Veriun e Kosovës, të cilin e kishin braktisur të tjerët dhe këtë e ka pranuar edhe presidenti i shantazhuar me dosje penalizuese, Hashim Thaçi, duke thënë se “veriun, tashmë, e kemi humbur!” Por, kryeministri Kurti, duke folur në emër të Kosovës, është përgjigjur prerazi se “nuk kam tokë për të falur”.

Ndërkohë sundimi i ligjit në Kosovë, në përgjithësi, për sa i përket Qeverisë, ka bërë dhe vazhdon të bëjë detyrën, pa qenë e dështuar. Por, ajo nuk është fajtore kur policia arreston thyerës të ligjit, deri edhe kriminelë, të cilët përgjakin qytetarët e Republikës-Kosovë, ndërsa Gjykata i liron, me arsyetimin klishe “hetimi vazhdon në gjendje të lirë”, që përfundon me ndëshkim simbolik ose me kusht apo hiq fare. Madje zvarritja e shqyrtimit të çështjes penale, deri në -parashkrimin e lëndës-!

Gjatë mandatit 4 vjeçar të qeverisjes të LVV, është investuar shumë në ngritjen e infrastrukturës ushtarake, që kazermat, poligonet, armatimin konvencional e deri edhe mjetet e blinduara, tanke dhe makineri të ndryshme për Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovë, (FARK). Është arritur dyfishimi i numrit të ushtarëve; trefishimi i buxhetit për ushtrinë; katërfishimi i trajnimeve jashtë vendit dhe rritja enorme e blerjeve të armatimeve dhe të municionit. Të gjitha këto, janë në funksion të plotësimit të standardeve, për aplikimin dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Hapja e Fondit për Ushtrinë, urgjencë e kohës!

(Dr. Rugova: “Mos hidhni pare në kapuç!”)

Sipas përllogaritjeve demografike të popullsisë në Kosovë, rezulton se gjysma e qytetarëve tanë, jetojnë në kontinentet e botës, me shumësi në Evropë, Amerikë, Australi dhe gjetkë. Nëse dikur një anëtar i familjes, “me punë të përkohshme në Mërgatë”, shumica absolute pa familje me vete, respektivisht, -beqar të martuar-, nga rroga mujore, me kursime proverbiale, me banesa të vjetra e grupore, me ushqim të dobët, me një punë të rregulltë dhe të tjera “në të zezën”, me orar të zgjatur, pa përfillur pushimet.

Me lekët e fituara, duhej mbajtur familja e ngushtë, bashkëshortja me fëmijë si dhe prindërit me familjen tjetër të gjerë. Dhe, megjithatë, ndanin lekë edhe për raste humanitare, e deri kontribute për mbijetesën ekonomike të Kosovës, në fund viteve 80-a,90-a dhe më tej. Begatimi i Fondit Shtetëror, të shprehur në 3 %-shin obligativ, si dhe kontributet tjera anësore për Luftën e Kosovës. Qeveria e Kosovës kërkoi hua (borxh), me besë kthimi, pas lirisë të Kosovës, në shumën të llogaritur në marka gjermane, prej 1.500 dhe më shumë, zakonisht, 2000 e sipër.

Disa miliona marka, pas çlirimit të Kosovës, mbeten në Bankën e Qeverisë në Egzil, të bartura në “Dardania Banka,” në Tiranë. Administratorët duhej t`i pyesnin mërgimtarët donatorë, nëse duan ta falin borxhin e dhënë. Në të kundërtën, duhej dhe duhet ta kthejnë borxhin, të marrë hua, nga mërgimtarët, në bazë të një dëshmie, monedhë, me prerje letre dhe shifër të shënuar 1000 dhe 500 DM. (marka gjermane). Përndryshe, heshtja e mëtejme konsiderohet mashtrim, më saktë, grabitje, vjedhjet zyrtare.

Sot, shumësia e mërgimtarëve, për familje kanë 3 dhe 4 e më shumë rroga, hyrje mujore. Shumë syresh janë shkolluar dhe kanë rroga të majme. Një organizim i mirë, nga Atdheu-Kosovë, i begatimit të Fondit për Ushtrinë, mund të përshpejtohet përmbushja e normave përkatëse, deri në armatimin e rëndë, të balancuar me miqtë dhe armiqtë përreth Kosovës tonë

E filloi hapjen e një Fondi për Ushtrinë, Ramush kryeministri, individualisht, sikur t`ia varësh delen ujkut në qafë! E përsëriti ministri ushtarak, Armend Mehaj, e njëjta gjë. Ky shkretoi edhe më shumë politikisht e zyrtarisht. Zakonisht, ministri i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes, janë në krye të diktaturës shtetërore, për sigurinë e qytetarëve, nga armiq të brendshëm dhe të jashtëm, pra, keqbërës dhe kriminelë, të të gjitha sojeve. Ndërkohë, betër insani, ministër Armendi, i hypi ballonit dhe vizitonë të akuzuarit, nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë! Hajde ministër, hajde!!

Katërshja akuzohen për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, si -Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale-, me akuzën e drejtpërdrejtë: “Vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë”. Rrjedhimisht, prej 4 (katër) të akuzuarve në Hagë, tre (3) prej tyre, nuk kanë qenë pjesë e luftës në Kosovë, dhe as udhëheqës të luftës, por janë hartues të listave emërore për ekzekutim, të ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, të veprimtarëve të LDK-së, por, edhe brenda llojit, kuadrove të hershëm të LPK-së, të cilët i konsideronin si rivalë, në konkurrencë, për pushtet të pas luftës.

Me lekë, me financa nuk ka as besim dhe as lojëra. Pse duhet t`i besosh një ministri apo kryeministri të babëzitur?! “Mos hidhni pare në kapuç”, – na porositi Dr. Ibrahim Rugova në Gjermani. Dhe shtoi: “Fondi Shtetëror” duhet të administrohet vetëm me llogari rrjedhëse bankare dhe komision mbikëqyrës gruporë, pa dhënë asnjë mundësi, për të tërhequr asnjë qindarkë individualisht”. Dhe, kjo porosi vlente për shqiptarët e përbotshëm dhe humanistët botërorë, pavarësisht: etnisë, ngjyrës, besimit fetar. Dhe, ashtu ndodhi. Andaj, edhe ishte begatim i suksesshëm i Fondit shtetëror të 3 %-shit. Dhe, po të mos luftohej e sabotohej ky Fond, nga agjentët e Serbisë dhe të Sigurimsave sekret të Enver Hoxhës, përmes social-komunistëve të Tiranës, do të ishte i shumëfishuar në vlerë monetare.

Gjysma e Kosovës janë në Mërgatë – mbrojtja e Atdheut detyrë mbi detyrat!

Ky ishte modeli më i përsosur, më ideal, i cili mund të jetë shembull begatues i çfarëdo Fondi. Duke qenë veprimtar i këtij aksioni, për një dekadë radhazi, garantoj me nder e jetë, edhe sot pas tej tri dekadave të nismës së Fondit të 3 %-shit, mund të kontrollohet, madje deri në qindarkën e fundit. Kryeministri Bukoshi, ministri i Financave Mustafa, me ekipin simpatik menaxhues fillestar, kanë qenë me një besueshmëri sipërore, sepse administrimi digjital bankar, përjashton komisionin e autorizuar gruporë, për çfarëdo abuzimi të mundshëm.

Fondet e Mërgatës, “Fondi shtetëror” i 3 %-shit; Fondi i LPK-së “Vendlindja thërret”, si dhe fondet e Shoqatave dhe të klubeve të shumta, janë grabitur nën tytat e armëve, nga disa “komandantë” pa ushtarë, por me banditër mujsharë të bollshëm! Përdhunshëm, janë grabitur milionat në emër të UÇK-së, ndërkohë që kanë përfunduar në xhepat e “komandantëve”.

Shembulloj me një rast, të bërë publik, nga udhëheqësi i parë, i organizimit për luftë, Shefki Hasani, i cili e denoncon Hashim Thaçin: “Shoqata jonë e Kosovës Lindore, me qendër në Gjenevë, i ka dhënë 1 (një) milionë franga zvicerane, Hashim Thaçit, për të blerë armë, për mbrojtjen e Kosovës Lindore. Pas këtij mashtrimi, i bëjmë thirrje Hashim gilipterit, t`i kthej paret tona!” Por, nuk i ktheu kurrë dhe as nuk dha arsyetim dhe as llogari! Hashimi ishte manipulator dhe si agjent i DGSE franceze, rrjedhimisht, edhe i Serbisë, sabotoi luftën atje. E shkarkoi Shefki Hasanin dhe e emëroi Shefki Musliun, në vend të tij. Ashtu siç veproi në Kosovë, duke shkarkuar komandantët me Akademi Ushtarake dhe duke emëruar barinj, profan në artin ushtarak e luftarak!

Është i dhimbshëm e tragjik rasti i Jashar Salihut, kryetar i Fondit “Vendlindja thërret” në Zvicër. Komandantët e LPK-së së re, puçiste, të cilët rrëzuan, përdhunshëm, Kryesinë e vjetër të LPK-së, duke i akuzuar për tradhti, nip e dajë, Fazli Veliun dhe Ali Ahmetin, me shokë, duke pushtuar “Fondin” në Gjermani, Fletushkën “Zëri i Kosovës”. Udhëheqja e re e LPK-së, e dominuar nga klani i Drenicës, i kërkuan dorëzimin e Fondit Jashar Salihut.

“Unë u kam dhënë garanci e besë mërgimtarëve, se frangat e tyre do të administrohen pa asnjë abuzim dhe vetëm për luftën”, – kundërshtoi Jashari. Por, “komandantët” horrakë e kërcënuan: “Pse të pa besë e konsideron UÇK-në?! Ne ta vrasim djalin dhe familjen!” Jashar kryetari, burri Malësisë, u dorëzua! Iku Fondi dhe pas tij, u shua edhe Jashari! Vërtet, tragjike!

Shtetarë, pushtetarë dhe krerët partiakë, të bollshëm në atdhetarizëm, për hirë të Atdheut-Kosovë, është e shëndetshme për Kosovën, ta hapin Fondin madhor për mbrojtjen e vendit. Kujtoni kohën, afro tri dekada më parë, kur djemtë vulnetarë, trima të përzgjedhur të Kosovës dhe të viseve tjera etnike, bartnin kallashë kinezë, nga Shqipëria nënë, për në Kosovën e pushtuar nga soldateska serbo-sllave, me kuaj e gomerë, por edhe me krahë, sa gjysma e barrës të gomarit!

Plot syresh u vranë, pa e gëzuar lirinë. Për hirë të gjakut të tyre, të jetës të dhënë në lulen e rinisë dhe në emër të lirisë, filloni të agjitoni, për hapjen dhe begatimin e Fondit për Ushtrinë, respektivisht, mbrojtjen e Atdheut-Kosovë. Bëhuni nismëtarë, për t`i bindur shtetarë e pushtetarë, për hapjen e Fondit në fjalë! Urojmë që ky zë, kjo thirrje, të shkojë në veshë të Perëndisë!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.