Demaçi doli nga gryka e përgjakshme e shekujve
të stuhishëm të robërisë dhe të barbarisë
që u përplasën egërsisht mbi botën shqiptare.

Shkruan: Shaip BEQIRI
A e merituan shqiptarët një personalitet si Adem Demaçi, është një pyetje që nuk do të doja t`i përgjigjesha kurrë. Vështirësia më vjen pikësëpari për shkakun e thjeshtë: e dua kombin tim më shumë se cilindo personalitet, i gjallë apo i vdekur qoftë ai. Mirëpo në këtë rast sipërane është e vërteta. Dhe ajo thotë se i vetmi përjashtim është Demaçi. Përkrye njëmijë argumentëve, unë po numëroj këtu vetëm tre: ai nuk u tall kurrë me shqiptarët, të cilët jo rrallë e shpotitën ligësisht në çdo kohë; ai nuk mbajti asnjëherë inat në udhën e lirisë, poende edhe atëherë kur mbeti fikall vetëm; guximin e tij për t`u flijuar kurdoherë për vlerat më të larta njerëzore dhe kombëtare bota e zvarranikëve shqiptarë e quajti jo më pak se çmenduri…
Demaçi u bë shtylla kurrizore e lëvizjes kombëtare
Me veprën atdhetare dhe me personalitetin e Demaçit nuk mund të krahasohet asnjë vepër dhe asnjë personalitet tjetër në tërë historinë moderne jo vetëm të shqiptarëve. Shtrohet pyetja se sa ishin vetë shqiptarët të ndërgjegjshëm për sfidat para të cilave po i qiste ai në udhën e pashmangshme kombëtare të bashkimit, të lirisë dhe të përparimit. Është e vërtetë se ata të gjitha këto vlera i gjakonin shumë dhe e dinin mirë rëndësinë e tyre, por shkalla e gatishmërisë së tyre flijuese, në anën tjetër, kishte mbetur tepër poshtë kërkesave që shtronte koha.
Një qasje e mbarë ndaj figurës së Demaçit u bë nga brezi i të ashtuquajturit 1968, por pa vonuar shumë ajo qasje u shndërrua në ndjenjë narcisoide duke zhbërë vetveten pa të keqen e askujt. Ndërkaq shpërthimi më i madh dhe gati i njëmendtë në këtë drejtim u bë nga lëvizja gjëmimtare e rinisë së Kosovës më 1981, e cila u la me shumë gjak dhe u ndëshkua deri në marramendth. Ky brez veçohet nga çdo brez tjetër shqiptar për tentimin serioz me hequr nga vetja njollën në ndërgjegje në raport me pabesinë dinake që iu kishte bërë Demaçit dikur dhe me tradhtinë e pashembullt që do t`i bëhet atij më vonë, në ç`akt të turpshëm nuk do të mungojnë as pjesëtarë të shquar të vetë këtij brezi. Sado që tingëllon absurde, kjo është një situatë të thuash e natyrshme për mentalitetin e robit!
Tentimët e tjerë me çliruar veten nga pesha, që, megjithatë, ua rëndonte tashmë ndërgjegjen e mekur, shqiptarët bënë edhe më vonë, që nga 1989 e tutje, sidomos kur Demaçi, më në fund, doli nga burgu i vogël serb dhe u përplas në burgun e madh shqiptar!
Pas daljes së fundit të Demaçit nga burgu, shqiptarët menduan se po e kalonin me një hap përroin e thellë që ishte krijuar midis tyre. Ata donin që me një lëvizje dore të fshinin tërë të kaluarën e hidhur që ishte kujtesa historike kombëtare gjysmëshekullore. Dashurinë e pamatshme që kishte ushqyer me afsh ndaj gjakatarit më të tmerrshëm antishqiptar Josip Brozit dhe mercenarit më dinak projugosllav Fadil Hoxhës, populli heroik(!) i Adem Demaçit e barti tevona të mishëruar në figurën e Ibrahim Rugovës, tek i cili gjeti personalitetin më të përshtatshëm për të larë duart si Pilati, duke iu shmangur njëkohësisht udhës së vërtetë të lirisë. Ai kishte pranuar me ankth “rolin historik” të klounit, i cili me kalimin e kohës i kishte hyrë thellë në gjak dhe i kishte vënë perde të rëndë në sy.
Rugova kishte shkelur me të dyja këmbët mbi vlerat lapidare të veprës së vet shkencore në fushë të letërsisë për t`u ngarkuar me një barrë të madhe që nuk ia njihte peshën e lëre më që kishte fuqi ta mbante në shpatulla. Në të vërtetë Rugova u vu fare rastësisht, gati si Enver Hoxha gjysmë shekulli më parë(!), në krye të një lëvizjeje politike që kishte një synim jo plotësisht të qartë kombëtar. Deri te kthesa e parë e ashpër, e cila i doli papritur në vjeshtë të vitit 1992, sikundër edhe tjetri në kthesën e kallnorit 1944(!), ai dëftoi gjasat se mund të mbante flamurin shqiptar lart dhe pastër. Mirëpo as ky iluzion nuk zgjati aq shumë. Pa u bërë plot tre vjet nisi të rrëkëllehej gjithçka.
Ndërkohë ishte bërë me furi një punë kolosale propaganduese që të përhapej një gjumnajë e përgjithshme për t`i vënë nën narkozën e saj turmat pa fund me premtimin se lirinë duhet ta pritnin të qetë dhe se çdo flijim për të ishte i panevojshëm dhe krejtësisht i kotë! Hienat e kësaj propagande të zezë shqiptare madje çfarëdo rezistence të rastit kundër policisë serbe mëtonin t`ia vinin markën e Demaçit. Ky nuk ishte më një veprim dinak, që ishte në natyrën e tyre të vërtetë, por një denoncim gati krejt i hapur. Këta katilë të pangopshëm, shëmbëllyeshëm mentorëve të vet denoncues e dëshmues të kryehershëm, po fërkonin duart në pritje të një heqje të sërishme qafe të turbulluesit të përhershëm.
Çasti fatal i mbetjes pezull të një barre
Në këtë pikë faji i Demaçit dhe ai i Rugovës janë plotësisht të barabartë! I pari barrën e madhe të robërisë shekullore të shqiptarëve, kundër së cilës kishte luftuar pa u trembur tërë jetën, në një çast vendimtar e kishte lënë pezull për shkak të modestisë hipokrite, të naivitetit fatal apo të mospërfilljes tragjike, kurse të dytit iu kishte hedhur ajo barrë prej së largu për ta fashitur përgjithmonë, pa pasur mundësi të bënte një hap përpara më tej.
E keqja është më e madhe se ç`duket në të parë. Ky nuk është i vetmi faj tragjik në historinë e mjegulluar shqiptare përplot ngatërresa djallëzore. As Demaçi, në anën tjetër, nuk mundi të shkoqej shpejt nga malli për popullin e vet heroik e të pathyeshëm(!), as të shporrte iluzionin gërryes dhe fare të panevojshëm enverist; ndërkaq fatalisht i pafalshëm kumboi slogani i tij hipokrit për popullin vëlla serb(!), i cili goditi njësoj të gjithë, si ata që mezi pritnin një këso marrëzie prej tij, edhe më keq ata që u ra si rrufeja për së kthjellti…
Në të vërtetë ai u përpoq më kot, me një instrument të ndryshkur marksist-leninist, të bënte njëfarë diferencimi qesharak midis regjimit gjakatar serb dhe popullit të lavdishëm serb(!), që në të vërtetë ishte kredhje ende më e thellë në batakun e një pikëpamjeje plotësisht të gabuar. Tërë këtë kohë kam dashur që këtë lajthitje të tij të rëndë ta kuptoj si një shpjegim paradoksal të paraqitjes së një shpirtmadhësie plotësisht politikaneske, por asnjëherë nuk më është shqitur nga mendja se kuptimi i saj ka jo pak primesa të një demagogjie të tejdukshme.
Po të ndiqen rrjedhojat e këtyre shkarjeve, së pari do të duhej të dilnim e të shihnim pamjet e pabesueshme të varganit të pakëputur të shqiptarëve që pritnin të takonin Demaçin si të ishte kthyer nga bota tjetër! Ç`është e vërteta, ai vargan i stërzgjatur, në një mënyrë ose në një tjetër, Demaçit të sapokthyer nga burgimi i gjatë po i jepte verdiktin për të marrë në dorë çështjen e madhe shqiptare. Ndërkaq ai fliste pandalur me “palat e vizitorëve” që ndërroheshin sa në njërën në dhomën tjetër. Kjo ishte ecejakja e tij e vetme, kalimi nga njëra dhomë në tjetrën, duke ua thënë të njëjtat fjalë të gjithë dashamirësve! Iluzioni i tij i madh në kokë po rritej duke e shndërruar të tërin në sy e veshë në pritje të një sinjali nga trashëgimtari besnik i Enver Hoxhës, i cili do të bënte demokratizimin e plotë të Shqipërisë! Ky ishte Ramiz Alia, tek i cili dashur a padashur Demaçi po e kalonte fatalisht atë verdikt të kobshëm që po endej udhave të nëndheshme shqiptare!
Sorollatja duke pritur një sinjal të gabuar
Demaçi nuk kishte vetëm mall në zemër dhe iluzion të madh në kokë. Ai ishte kthyer nga burgimi i gjatë me një njohje sipërfaqësore dhe jo gjithnjë të saktë të shtresave tashmë jo të pakta të inteligjencies shqiptare të Kosovës. Interesimi i tij ndiqte me përqendrim sidmos njohjen e profilit të atyre që ishin ri-inkuadruar në jetën politike tashmë shumëpartiake. Ndonjëherë vërehej ndonjë informacion i përthithur krejtësisht mbrapsht, pas të cilit nuk ishte vështirë të pikasej autorësia dashakeqe apo injoranca e ndonjë viktime burgu! Një kohë të gjatë Demaçi u sorollat duke soditur nga çdo anë situatën; në njërën anë priste sinjalin që s`do të arrinte kurrë nga Ramiz Alia, në anën tjetër i mbante jo larg vetes bashkëvuajtësit e shumtë, të cilët ishin të gatshëm të përfillnin çdo sinjal që ai do t`u jepte, përveç që të transformonin paksa veten dhe të shqitnin së paku ndonjërin nga iluzionët që bartnin së koti kryeneçësisht.
Këtë situatë të ndërmjetme e shfrytëzuan me dinakëri të rrallë disa grupthe politike të ashtuquajtura qytetare dhe ndonjë klan intelektualësh vlerash të stërkequra që inferioritetin krijues pritnin ta shndërronin në superioritet atdhetar me bekimin e Demaçit! Këta po përplaseshin me furi në ngarendjen e tyre për të hyrë në epiqendër të vëmendjes së Demaçit, të cilin pa vonuar e vunë në krye të një opozite të shpifur kundruall një pushteti qesharak të Rugovës…
Ndërkaq udha plot kthesa që duhej kaluar shtrihej ndanë humnerave të rrezikshme. Tash ajo po bashkohej me udhën që kalonte sipër ndërgjegjes që përpëlitej midis flakës së luftës që afrohej nga çdo anë. Me këtë ndërgjegje të shkelur rëndë, të cilën nuk e mbante më si njollë, por si flamur të bardhë dorëzimi, më shumë se gjysma e shqiptarëve të mbetur në pritje të lirisë se do t`u vinte në pjatë, siç i qe premtuar pandalur dhjetë vjetë të plotë, u vu në një arratisje të përgjithshme para tytave serbe.
Një përbuzje dhe nëpërkëmbje e përsëritur tradhtisht
Shqiptarët ishin të paaftë t`i kuptoninm vlerat qytetëruese të kauzës së madhe kombëtare që Demaçi i ngriti në kult në kohën kur ata trembeshin edhe nga identiteti i vet, prandaj ata do të mbajnë përgjithmonë të thadruar në shpirt pengun historik të vrasjes së ndërgjegjes për sjelljen e tyre qyqare ndaj ideve dhe bëmave të tij. Dhe kjo vrasje nuk është akt i një çasti të vetëm, por brenda saj mblidhen shumë periudha të një epoke të tërë, në të cilën janë ndërruar disa brezë njerëzorë. Goditja e pamëshirshme e kësaj ndërgjegjeje kolektive të përbaltur për më se një gjysmë shekulli; që zë fill tek dëshmimi denoncues i një pjese të elitës së re intelektuale shqiptare në fundvjetët ’50, e cila në vazhdim do t’i prijë tërë zhvillimit të jetës shkencore-kulturore-letrare në Kosovë e gjetkë; vazhdoi me diferencimin nga Demaçi të njerëzve të thjeshtë nga “gjiri i popullit” dhe nuk mori fund as me brohoritjen e fëmijëve bastardë të rrugaçëve antishqiptarë, që, pas luftës së Kosovës, udhave të Prishtinës iu çorën në pikë të ditës: “O, Adem Qeni!”; tash ajo goditje përplaset në ballin e mileniumit të ri, kur tërë ky zhgan mjeranësh u zgërdhesh triumfalisht me shpresën se më në fund Demaçi u mënjanua, duke u përbuzur e duke u nëpërkëmbur tradhtisht pothuaj nga të gjithë, sa edhe klithmat e tij për thikat plot gjak që po i nguleshin Kosovës dhe shqiptarëve nga çdo anë, duke mos pasur argument tjetër, do të shpallen jo më pak se një çmenduri e re e tij!
Tentimët e mëvonshëm të shqiptarëve me hequr njollat nga vetja jo vetëm që nuk janë bërë ose mezi janë dukur, por që nga fillimi i luftës e sidomos pas saj janë kthyer në akuza gjithnjë më të ashpra e më të poshtra kundër Demaçit. Tashmë çdo tentim afrimi kah ai si gjithnjë është mbikëqyrur rreptësisht, sepse në pikat e shumta të vrojtimit nuk ka vëzhguar më regjimi serb, por shërbëtorët e tij nga gjithë bota, kurse shqiptarët servilë mbetën që mbetën në shërbim të këtyre të fundit, nëpërmjet të të cilëve u shërbejnë vetë serbëve.
Paraqitja e një sërë çështjesh kaq të ndërliqshme, të nyjëzuara rreth një strumbullari fundamental të dramave kombëtare nëpër të cilin u vërvitën shqiptarët në fund të këtij shekulli, pa dyshim që brenda vetes mbrun jo pak kundërthënie të çfarëdo natyre, të cilat mund të vërehen lehtë edhe në vetë shkrimin tim. Më në fund kaq e ndërlikuar e komplekse paraqitet edhe vetë natyra e të vërtetës së tërë çështjeve të trajtuara këtu, të cilat dalin kështu nga pikëvështrimi im prej një pozite jo larg tyre, por krejtësisht i paimplikuar në atë kaos marramendës. Tek këto drama përmasash të mëdha më bëhet ndonjëherë se njësoj janë të kobshme si dalja me vonesë në skenën e historisë, ashtu edhe ajo e parakohshme. Në këtë vështrim nuk e kam kuptuar kurrë paraqitjen sigurisht krejt të rastësishme të Rugovës në atë skenë, por as ngurrimin e pafalshëm të Demaçit për t`u inkuadruar natyrshëm aty me rolin e vet të paimponuar e të papenguar nga askush.
Epilogu prapa perdeve të rëna të dramës së madhe
Deri në këtë pikë çdo gjë paraqitet e parëndësishme. Drama ka përfunduar, por perdet nuk kanë rënë për të mbyllur skenën e saj të skëterrshme. Tash vetëm një gjë ka rëndësi: Epilogu. A do të jetë epilogu i kësaj drame të madhe ashtu siç e pret mendjelehtësisht Rugova, apo brenda tij qëllimisht është lënë sherri që do të shpërthejë patjetër, siç çirret bindshëm Demaçi!? Këtu nuk është i nevojshëm kurrfarë profetizimi për të dhënë një përgjigje parashikuese. Unë do të marr në shqyrtim një element të ri, të cilin jo pa qëllim nuk e zura ngoje deri tash, ndonëse rëndësia e tij është thelbësore. Është pikërisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës që zbardhi një ndër faqet më të lavdishme të historisë shqiptare. Ajo nuk e mbylli vetëm dramën e vështirë duke u futur në skenën e historisë shqiptare pa lejen e atij që, po të ishte i mirë dhe i mbarë, me kohë do të vihej në ballin e kolonave të saj! Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nëse do të vazhdojë që pa u gjunjëzuar të bëhet Ushtri e Vërtetë e Kosovës, në radhë të parë do të jetë mbrojtësja e vetme e vërtetë e lirisë, e pavarësisë dhe e demokracisë së Kosovës.
Nëse garda e saj e ashtuquajtur komanduese, e cila duket qartë që ka ambicie të sëmura për karrierë politike, të cilat nuk mundi t`i zaptonte as midis flakës së luftës, përulet dhe lakon kurrizin duke ua kthyer shpinën bashkëluftëtarëve të vet, vendin do ta vërvitë në humnera ende më të thella se të deritashmet. Liderët e rinj politikë, përsa i përket zellit karrierist, nuk ndryshojnë aspak nga Rugova, megjithëse ata thirren pareshtur në një rol të paluajtur të Rugovës, të cilin ata e paskan luajtur për të rrëmbyer karriget! Kjo luftë, nëse vazhdon me ritmin që është nisur, do të bëhet e vështirë dhe tepër e rëndë për Kosovën dhe për ata që ndodhen jashta kësaj loje të rrezikshme.
Edhe sikur të mos ekzistonte fare brenda epilogut të kësaj drame kurtha e ngrehur serbe, sherri i vjetër i të palarave të politikës së mëparshme do të duket lodër fëmijësh kundruall zisë me të cilën do të mbulojnë vendin ata që nuk kanë tjetër vlerë përveç thirrjes në çfarëdo vlerash të mëdha, të cilat tevona nuk ka të drejtë askush t`i përvetësojë e as t`i shpërdorojë. Që tash, në prag të luftës së ashpër politike-diplomatike që do të mbyllë edhe epilogun e dramës së Kosovës, hienat e politikës dhe të publicistikës shqiptare kanë vënë emrat në etiketat e hekurta partiake nën portretët e heronjve të rënë për lirinë e Kosovës. Vrasja e tyre kaq mizore pas rënies në altarin e lirisë do të mbetet një plagë që s`do të mbyllet kurrë. Kjo mjegullnajë e re do të mbulojë pamje të këtij kapërcyelli mileniumësh në jetën shqiptare, që këtë herë ata po ia vetëmbyllin horizontët, të cilët në shekullin që po lëmë prapa ua mbyllën të tjerët.
Tri paranteza
Një parantezë: Një jetë e tërë burgim
Adem Demaçi doli nga burgimi i tretë (21 prill 1990) me një mall të madh në zemër dhe me një iluzion edhe më të madh në kokë. Po dilte pas tridhjetë e dy vjetësh burgimi nga ana e një regjimi gjakatar dhe izolimi vrastar nga ana e shumicës së popullit të vet heroik! Nga gjithë kjo kohë duhet hequr dy intermezzo prej katër vjetësh ndërmjet burgimit të parë e të dytë (18 nëntor 1961 – 8 qershor 1964) dhe ndërmjet burgimit të dytë e të tretë (8 qershor 1974 – 6 tetor 1975). Burgimi i tij më i rëndë midis shqiptarëve sigurisht që ka zgjatur më pak se ai i gjati, njëzetetetëvjeçi.
Edhe një parantezë: Kapardisja e përkëdhelur serbe
Pritjen e një vetëdijesimi të serbëve për të hequr dorë nga ekspanzioni i tyre ndaj popujve të tjerë, këta të fundit po e paguajnë ende me çmimin më të shtrenjtë… Demaçi si shumë e vari shpresën te vetëdijesimi i serbëve, duke i mbivlerësuar ndonjëherë, sado që ata me gjithçka po e shfaqnin veten para botës me egërsi parake. Ndërkaq e vërteta rrëzëllente në dritë dielli: serbët ishin mësuar me përkëdhelje shekullore jo vetëm të Rusisë, por edhe të pjesës më të madhe të Europës. Kapardisjen serbe mund ta shtrinte përdhe vetëm organizimi i forcës së vendosur çlirimtare shqiptare. Këtë gjë e dinte shumë mirë Demaçi dhe vetëm prej tij pritej ta bënte këtë gjë pa u hamendur…
Sall edhe një parantezë: Heqja e një iluzioni nga koka
Atij nuk iu desh një kohë aq e gjatë sa të hiqte nga koka iluzionin që kishte se regjimi enverist i Shqipërisë ishte një krah i fortë në udhën e lirisë së Kosovës dhe të visëve të tjerë të pushtuar të Shqipërisë. Ky iluzion ishte fatal për vetë Demaçin dhe për tërë çështjen e pazgjidhur kombëtare, veçanërisht kur dihet që ai tërë veprimin e vet atdhetar me një qëndresë të pashoqe faktikisht nuk e kishte mbështetur tek enverizmi, i cili në atë veprim atij i kishte rënë si hije e një njolle të panevojshme, kurse hienave shqiptare u kishte lënë në dorë një shkop të pagdhendur kundër vetes!
Bern, 20 nëntor 2000
P.S.
Këtë shkrim nuk e kanë botuar në gjithë këta vjetë disa nga gazetat e ashtuquajtura të lira shqiptare, si Shekulli, Koha ditore, Panorama, Zëri ditor, Bota sot, Gazeta shqiptare, Express etj. ndonëse u ishte dërguar më se një herë.
Autori











