Me rastin e 140-vjetorit të lindjes
Xhelal Zejneli
– ribotim –
Fan Noli (Qytezë/Ibrik-Tepe, 06.01.1882 – Fort Lauderdale, Florida, ShBA, 13.03.1965) ose Theofan Stilian Noli, ishte burrë shteti, atdhetar, demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian, muzikolog. Ishte udhëheqës i spikatur i bashkësisë shqiptaro-amerikane dhe figurë e shquar poliedrike e letërsisë, e kulturës, e jetës fetare dhe e politikës shqiptare. Lindi në fshatin Qytezë (Ibrik-Tepe), në jug të Edrenesë, në Turqinë evropiane, më 6 janar 1882. I ati Stilian Noli, ishte një fetar i shquar dhe psalt në korin e kishës. Noli ndoqi shkollën e mesme greke në Edrene. Në vitin 1900 u vendos në Athinë, ku mundi të gjejë punë si kopist, sufler apo aktor.
Me një shoqëri teatrore të atjeshme vajti në Egjipt. Në vitet 1903-1905 punoi si mësues i greqishtes dhe psalt i korit kishtar në Shibin el Khom, ndërsa në vitet 1905-1906 punoi si mësues në El Faiyum, ku ishte ngulur një koloni e vogël shqiptare. Këtu shkroi një numër artikujsh greqisht dhe e përktheu në greqisht veprën “Shqipëria – Ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, të Sami Frashërit (1850-1904) të cilat u botuan në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në Egjipt u lidh me udhëheqës të bashkësisë shqiptare si Spiro Dine (1846?/1844-1922), Jani Vruho (1863-1931) dhe Athanas Tashko (1863-1915).
Në prill të vitit 1906, me një biletë avulloreje u nis për në ShBA, duke kaluar nga Napoli dhe më 10 maj mbërriti në Nju-Jork. Pas tre muajsh qëndrimi në Bufallo, vajti në Boston. Këtu, botuesi Sotir Peci (1873-1932) e angazhoi si zëvendësredaktor në gazetën “Kombi” të Bostonit, ku punoi deri në maj 1907 e ku botoi artikuj me pseudonimin “Ali Baba Qyteza”. Këtu u lidh me bashkësinë shqiptare dhe më 6 janar 1907 themeloi në Boston shoqërinë “Besa-Besën”.
Në këtë kohë, shqiptarëve të Amerikës u humbte durimi nga ndikimi grek mbi kishën. Më 1907 Noli thirri një mbledhje të shqiptarëve nga mbarë New-England. Këtu delegatët morën vendim të themelonin Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pra autonome, me Nolin si të parë. Më 9 shkurt 1908, Noli u bë dhjak në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 u shugurua prift ortodoks. Më 22 mars 1908, në sallën Knights of Honor të Bostonit, Noli 26-vjeçar, për herë të parë, mbajti kryelartë liturgji në gjuhën shqipe. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, tribunë e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 u nis për në Evropë, me ç’rast vizitoi kolonitë shqiptare në Kishinjev (kryeqyteti i Moldavisë), në Odesë, në Bukuresht dhe në Sofje. Me t’u kthyer në ShBA, më 28 prill 1912, bashkë me Faik Konicën (1875-1942), i cili kishte ardhur në ShBA më 1909 – themeluan Federatën Panshqiptare Vatra, e cila u bë organizata më e rëndësishme e shqiptarëve në Amerikë. Tani Noli ishte bërë i njohur si një prej udhëheqësve të bashkësisë shqiptare në ShBA, por edhe si shkrimtar dhe botues i afirmuar i lëvizjes kombëtare. Pasi kishte mbaruar Universitetin e Harvardit, më 1913 u kthye në Evropë.
Në mars të vitit 1913 ndoqi Kongresin Shqiptar të Triestes, të organizuar nga Faik Konica. Në korrik të vitit 1913 Noli vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe këtu, më 10 mars 1914, në prani të princit gjerman të një familjeje protestante Vilhelm Vid (Wilhelm Friedrich Heinrich Prinz zu Wied, 1876-1945) kreu të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe. Në gusht 1914 Noli vajti në Vjenë për t’u kthyer në ShBA në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 e deri më 6 korrik 1916 ai qe përsëri kryeredaktor i Diellit të Bostonit, tani gazetë e përditshme.
Në korrik 1917 Noli u bë përsëri kryetar i Federatës Vatra e cila, përballë gjendjes së rrëmujshme në Shqipëri, zuri ta shohë veten si njëfarë qeverie shqiptare në mërgim. Në shtator 1918 themeloi të përmuajshmen në gjuhën angleze “The Adriatic Review”, e cila u financua nga Vatra, për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për të propaganduar çështjen e saj. Këtë organ Noli e redaktoi në gjashtë muajt e parë, për ta vazhduar drejtimin e tij Kostandin Çekrezi (1892-1959). Për të propaganduar për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë, me fondet e “Vatrës” të mbledhura nën drejtimin e Nolit, delegatët shqiptaro-amerikanë u dërguan në Paris, në Londër dhe në Uashington.
Më 24 mars 1918, Noli u emërua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në ShBA, kurse në korrik të atij viti, ndoqi në Mount Vernon, Virginia, një konferencë të popujve të shtypur, ku u takua me presidentin amerikan Vudro Uilson (Woodrow Wilson, 1856-1924), mbrojtës i të drejtave të pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Më 1920, tanimë i afirmuar si udhëheqës politik dhe fetar i bashkësisë shqiptare, si shkrimtar, orator dhe analist politik, Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Më 17 dhjetor 1920 Shqipëria u pranua anëtare e kësaj organizate. Kjo ishte një arritje politike e jashtëzakonshme e Nolit.
Gazeta “The Manchester Guardian”, në një koment të saj të datës 23 korrik 1924, e cilësonte Nolin si “një burrë që në çdo vend do të ishte i shquar. Diplomat i përkryer, specialist i politikës ndërkombëtare, polemist i zoti, që në fillim ai la mbresa të thella në Gjenevë. Ai i rrëzoi të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas me një mënyrë mjeshtërore, por gjithmonë me buzë në gaz. Njeri me kulturë të gjerë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglisht dhe në frëngjisht”.
Nga Gjeneva u kthye në Shqipëri dhe nga viti 1921 deri më 1922 përfaqësoi Federatën Vatra në parlamentin e Shqipërisë. Më 1922 u emërua ministër i jashtëm në qeverinë e Xhafer Ypit (1880-1940), por pas ca muajve dha dorëheqje. Më 21 nëntor 1923, Noli u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit. Tani ai qe edhe kreu i Kishës Ortodokse në Shqipëri, edhe udhëheqës i një partie politike liberale, opozitë kryesore kundër forcave të Ahmet Zogut (1895-1961), të cilat mbështeteshin nga çifligarët feudalë dhe nga klasa e mesme.
Më 22 prill 1924 u vra deputeti Avni Rustemi (1895-1924). Në varrimin e tij, Noli mbajti një ligjëratë të zjarrtë që e ndezi opozitën liberale. Kjo periudhë e Shqipërisë është quajtur Revolucion i Qershorit.
Më 17 qershor 1924 Noli u shpall kryeministër dhe pas pak kohe regjent i Shqipërisë. Gjatë gjashtë muajve, ai drejtoi një qeveri demokratike, e cila u mundua të përballonte problemet politike dhe ato ekonomike të shtetit të ri shqiptar që ishin tej mase të rënduara. Por programi i tij me 20 pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, përfshirë reformën agrare, doli se qe tepër i nxituar për një vend pa tradita parlamentare.
Në një letër dërguar një miku anglez, ai do të shënonte më vonë arsyet e dështimit të tij: “Duke ngulur këmbë për reformat agrare, unë ndeza zemërimin e aristokracisë çifligare. Duke mos i kryer ato, humba mbështetjen e masave fshatare”.
Me rrëzimin e qeverisë së tij nga forcat e Zogut në prag të Krishtlindjeve 1924, Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria dhe kaloi disa muaj në Itali. Më pas Noli kaloi disa vjet në Gjermani dhe në Austri. Në nëntor 1927 vizitoi Rusinë si delegat ballkanas në Kongresin e “Miqve të Bashkimit Sovjetik” në kremtimin e 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, ndërsa më 1930 u kthye në ShBA.
Në Boston themeloi të përjavshmen “Republika”, që vetë me emrin e saj i bënte një kundërshtim të hapur Ahmet Zogut, i cili më 1 shtator 1928 ishte shpallur Zogu I, Mbret i Shqiptarëvet. Kjo gazetë u botua edhe si opozitë ndaj “Diellit”, që tani e drejtonte Faik Konica, i cili ishte pajtuar me Mbretin Zog dhe ishte bërë ministër fuqiplotë (ambasador) i Shqipërisë në Uashington. Me përfundimin e afatit të vizës në ShBA, Noli u kthye në Gjermani, kurse gazetën “Republika” e mori në dorë Anastas Tashko, derisa u mbyll më 1932.
Më 1932 Noli ia doli të kthehej në ShBA, kur iu dha edhe leje qëndrimi i përhershëm. U tërhoq nga jeta politike dhe rifilloi detyrën në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në dhjetor 1933 Noli u sëmur. Duke qenë se nuk qe në gjendje të përballonte shpenzimet e mjekimit, u detyrua të pranonte si dhuratë 3.000 franga ari nga Shqipëria, për ironi pikërisht nga kundërshtari i tij i betuar Ahmet Zogu. Ky gjest solli njëfarë pajtimi midis Nolit dhe Zogut dhe i zbuti marrëdhëniet shpesh të ndera me Faik Konicën.
Më 1935 iu kthye pasionit të tij të madh, muzikës dhe në moshën 53-vjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Bostonit, ku u diplomua më 1938. Më 12 prill 1937, ëndrra e madhe e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare u përmbush kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. I pakënaqur vetëm me detyrat ekleziastike, Noli iu kthye studimeve pasuniversitare në Universitetin e Bostonit, ku më 1945, me një disertacion për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun (6 maj 1405 – 17 janar 1468), mori doktoratën.
Në vitet e para pas përfundimit të Luftës II Botërore, Noli mbajti marrëdhënie deri diku të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë dhe ushtroi ndikimin e vet në mënyrë që qeveria amerikane ta njihte. Nami si “peshkop i kuq” i bëri mjaft armiq ndër qarqet e mërgimtarëve në Amerikë dhe shkaktoi polarizime mes tyre. Më 1955, Federata Vatra i dhuroi atij një shumë prej 20.000 dollarësh me të cilën bleu një shtëpi në Fort Llodërdejll (Fort Lauderdale), Florida, ku edhe vdiq më 13 mars 1965 në moshën 83 vjeç.
* * *
Politika dhe feja nuk qenë të vetmet fusha ku ai bëri emër. Ai qe edhe dramaturg, poet, historian, muzikolog dhe sidomos përkthyes i shkëlqyer me një ndihmesë të konsiderueshme në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe.
Veprimtaria letrare dhe shkencore – Drama në tre akte “Israilitë dhe Filistinë”, Boston 1907. Është një tragjedi 48 faqesh e shkruar më 1902, që mbështetet në Librin e Gjyqtarëve 13-16 të Dhiatës së Vjetër, histori e njohur e Samsonit dhe Dalilës. Kjo është një nga të rrallat pjesë teatrore shqiptare të kohës, që nuk vlon nga sentimentalizmi.
Noli ndjeu nevojën e teksteve liturgjike në gjuhën shqipe ndaj i hyri përkthimit të liturgjive dhe të ritualeve ortodokse që u botuan në dy vëllime: “Librë e shërbesave të shënta të kishës orthodoxe”, Boston 1909 dhe “Librë e të kremteve të mëdha të kishës orthodoxe”, Boston 1911, me 315 faqe. Pason studimi historik për jetën dhe epokën e heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut: “Historia e Skënderbeut (Gjergj Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468”, Boston 1921, botuar në shqip, 285 faqe. Varianti anglisht mban titullin “George Castrioti Scanderbeg (1405-1468)”, Nju-Jork 1947 dhe është fryt i disertacionit të doktoratës në Universitetin e Bostonit më 1945. Vjen studimi tjetër shkencor mbi figurat e mëdha të së kaluarës – Jezui, Jul Cesari, Skënderbeu dhe Napoleoni.
Dashurinë për muzikën Noli e manifestoi me veprën “Beethoven and the French revolution” (Bethoveni dhe Revolucioni Frëng), Nju-Jork 1947, 117 faqe.
Noli është edhe poet, ndonëse poezia e tij e fuqishme deklamative është e paktë. Ajo është përmbledhur në vëllimin me titull “Albumi”, Boston 1948. Vëllimi përmban poezi politike, që pasqyrojnë aspirata dhe frymë kombëtare si dhe ndjenja të zjarrta sociale e politike të viteve njëzet e tridhjetë. Këtu janë edhe dy elegjitë, si “Syrgjyn-Vdekur”, poezi prekëse e shkruar në Berlin, kushtuar shkrimtarit dhe atdhetarit të madh Luigj Gurakuqit (1879-1925) të vrarë në Bari të Italisë më 2 mars 1925 nga një agjent i Zogut. Elegjia tjetër “Shpell’ e Dragobisë” i kushtohet Bajram Currit (1862-1925) të vrarë në Dragobi më 29 mars 1925 nga agjentët e shovinistëve serbë, të prirë nga Ceno Kryeziu. Në këtë vëllim janë përfshirë edhe poezitë prekëse me frymëzim biblik, si “Moisiu në mal” dhe “Marshi i Krishtit”.
Ndihmesa kryesore e Nolit për letërsinë shqipe ishte si stilist, gjë që vihet re në përkthimet që bëri. Ai mund të konsiderohet si njëri nga stilistët më të mëdhenj në dialektin e jugut, duke rreshtuar përkrah tij edhe Faik Konicën.
Përvoja e Nolit si aktor dhe orator, njohja me gjuhët e kulturës botërore, me anglishten, me frëngjishten, me gjermanishten, me greqishten etj. i dhanë mundësi ta zhvillojë shqipen dhe ta ngrejë në shkallën e një gjuhe të përpunuar, të rrjedhshme e plot elegancë.
Përkthimet e Nolit – Përktheu katër tragjedi të dramaturgut dhe poetit anglez Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616): “Otello”, 1916, “Makbethi”, “Hamleti” dhe “Jul Qesari”, Bruksel 1926.
Përktheu nga anglishtja dy pjesë të dramaturgut norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906) “Armiku i popullit” dhe “Zonja Ingra e Ostrotit”, Bruksel 1926. Pason përkthimi i fuqishëm në shqip i pjesës së parë të “Don Kishotit” të shkrimtarit spanjoll Miguel De Servantes Miguel de Cervantes Saavedra, 1547-1616) nën titullin “Sojliu mendjemprehtë don Kishoti i Mançës”, Boston 1932/1933.
Pjesa e dytë e kësaj vepre u përkthye nga përkthyesi dhe studiuesi Petro Zheji (1929-14.03.2015) dhe u botua në Tiranë më 1977, bashkë me përkthimin e Nolit. Pason romani “Kasollja” (1921) (La tarraca, 1898) i romancierit spanjoll Visente Blasko Ibanjez (Vicente Blasco Ibanez, 1867-1928). “Rubairat”, Bruksel 1924, Noli i përktheu nga varianti anglez i poetit Eduard Ficxherëlld (Edward Fitzgerald, 1809-1883). Përkthimin e “Rubairave” të poetit të madh dhe matematikanit persian Omar Khajan (1048-1131), Noli e botoi me pseudonimin “Rushid Bilbil Gramshi” dhe ua kushtoi poetëve persianë Nizami Genxhevi (1140/1-1203/9) dhe Hafiz Shirazi (1326-1390). Ky përkthim është ndër më të përkryerat e Nolit. Është një kryevepër krijuese, po aq e lartë sa edhe përkthimi në anglisht i Eduard Ficxherëlldit. Është i vetmi përkthim letrar i Nolit që nuk është yshtur nga synime didaktike.
Duke qenë poliglot, Noli përktheu poezi të autorëve evropianë dhe amerikanë të shekullit XIX, ndër ta poetin gjerman Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832), dramaturgun, poetin dhe autorin e romaneve historike – skocezin Sër Uollter Skot (Walter Scott, 1771-1832), poetin dhe eseistin gjerman me prejardhje hebraike Hajnrih Hajne (Heinrich Heine, 1797-1856), poetin dhe shkrimtarin francez Viktor Hygo (Victor Hugo, 1802-1885), poetin romantik rus Fjodor Tjutçev (1803-1873), shkrimtarin, poetin dhe dramaturgun francez Aleksis-Feliks Arver (Alexis-Félix Arvers, 1806-1850), poetin amerikan, autor i poemës “Skënderbeu” – Henri Uotsuorth Longfellou (Henry Wadsworth Longfellow, 1807-1882), tregimtarin dhe poetin amerikan, pararendës i simbolizmit Edgar Allen Po (Edgar Allan Poe, 1809-1849), romancierin, tregimtarin dhe poetin amerikan Herman Melvil (Herman Melville, 1819-1891), poetin dhe kritikun francez, autor i “Albatrosit” Sharl Bodler (Charles Baudelaire, 1821-1867), poetin dhe eseistin francez, fitues i parë i çmimit “Nobel” për letërsi në vitin 1901, Syli Prydom (Sully Prudhomme, emri i vërtetë René François Armand Prudhomme, 1839-1907) dhe poetin e eseistin francez, simbolistin Pol Verlen (Paul Marie Verlaine, 1844-1896).
Noli dhe Konica, këta dy stilistë më të mëdhenj të gjuhës moderne shqipe, të dy banues jo në Shqipëri por në ShBA, nuk i kanë kushtuar një energji të madhe krijimtarisë letrare. Për arsye historike dhe politike, kulti i frymës kombëtare ndër shqiptarët e asaj kohe ka pasur përparësi ndaj kultit të së madhërishmes estetike. Ndonëse shkroi pak letërsi të mirëfilltë, Noli mbetet gjigant i letërsisë. Ai dha ndihmesë të madhe që gjuha shqipe të arrinte potencialin e vet të plotë letrar e krijues. Tanimë ishte krijuar një gjuhë letrare moderne.
Një botim kritik në gjashtë vëllime të veprës së Nolit, e ka bërë Akademia e Shkencave e Shqipërisë (1988-1996). Emrin e Nolit e mban Universiteti i Korçës dhe institucione të tjera arsimore në të gjitha trojet shqiptare në gadishull dhe më gjerë. Më 10 prill 2022, një rrugë në Morris Park në Bronx të Nju-Jorkut (New York), u inaugurua me emrin “Fan Noli”.
Më 31.03.2015