4.5 C
Tirana
E martë, 24 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

Një jetë mes idealit dhe tragjedisë

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Nga dimrat migjenianë të viteve ’70 deri te dhimbja e një aksidenti fatal në mërgim

U rritëm me varfëri e mungesë të gjërave elementare.

Na mbante gjallë vetëm shpresa se pas stuhive vjen kthjellimi. U shkolluam me një racion buke, me opinga llastiku që digjnin lëkurën e dëmtonin ashtin. Por, vullneti i çeliktë mposhte vuajtjet dhe skamjen e dimrave migjenianë.

Në vjeshtën e vitit 1974, me gëzim e entuziazëm nisëm mësimet në Gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës. Ishte kohë ëndrrash. Arsimtarët tanë, të rinj në moshë e të mëdhenj në përkushtim, na dhanë jo vetëm dije, por edhe dinjitet. Atmosfera ishte familjare. Ndamë libra, ndamë bukë, ndamë ëndrra. Luajtëm futboll, hendboll e basketboll. Çdo gjë e kishim bashkë.

Pastaj erdhën vitet e zymta. Fillimi i viteve ’80 solli dhembje e lot. Autonomia u suprimua, shkollat u mbyllën, festat u ndaluan, ekzistenca jonë u mohua. Por edhe nën hijen e tytave, përpiqeshim të gatuanim kulaçin e mbijetesës.

Në këtë stuhi që përfshiu Kosovën, u goditën sidomos ata që mbanin gjallë dritën e dijes.
Ndër ta ishte edhe Fetah Rrustem Sheholli nga Hertica e Llapit, profesor shumëvjeçar në Gjimnazin “8 Nëntori”. Ai nuk e braktisi vendin për luks. E detyruan. E detyroi dhuna, sepse këmbëngulte që gjuha shqipe të jetonte – qoftë edhe në shtëpi-shkolla. Më 1 maj 1994 u keqtrajtua rëndë fizikisht.
Së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij 6-vjeçar, Ngadhënjimin, mori rrugën e mërgimit drejt Zvicrës.

Por mërgimi nuk ia ndërpreu misionin. Fetahu vazhdoi të punojë me fëmijët shqiptarë në kantonin Aarau deri në pension. U bë shtyllë e arsimit plotësues. Po ashtu, për dy mandate, udhëhoqi me sukses shoqatën bamirëse “Ali Ajeti” në Olten.

Ai besonte se arma më e fortë e një kombi është shkolla dhe solidariteti ndaj njëri-tjetrit.
Këtë besim ua përcolli edhe fëmijëve. Ngadhënjimi u rrit me librin në dorë dhe me amanetin se Atdheut i duhen njerëz të arsimuar e të përkushtuar ndaj tij. Kreu studimet për Jurisprudencë në Universitetin e Cyrihut dhe u bë ekspert në fushën e tij.

Ishte fryt i sakrificës prindërore. Ishte dëshmi se mundi nuk shkon kot. Por jeta, e paparashikueshme dhe e pamëshirshme, ndërpreu rrugëtimin e tij.
Në moshën 38-vjeçare, në rrugët e Austrisë, një aksident i rëndë komunikacioni i mori jetën Ngadhënjimit, në kulmin e pjekurisë. Ai la pas dy djem jetimë, bashkëshorten me dhembjen plumb në zemër dhe prindërit që do ta kujtojnë me lot e mall.

Jeta, me të fshehtat dhe të papriturat e saj, lëndoi rëndë prindërit e Ngadhënjimit, të cilët kishin përballuar varfërinë, represionin, rrahjen, mërgimin – e tani u përballën me goditjen më të rëndë: humbjen e djalit.
Vdekja është gjithmonë e rëndë.

Por vdekja larg Atdheut – është plagë që nuk mbyllet kurrë.
Ngadhënjimi iku, por mbeti dëshmia e një brezi që besoi në dije, në punë dhe në ideal.
Mbeti kujtimi i një jete që u rrit mes sakrificës dhe u ndërpre padrejtësisht në kulmin e saj.
Ky mort që prek deri në palcë na imponon edhe pyetjen:

Sa shumë duhet të paguajë një familje shqiptare për të jetuar me dinjitet?

ARIF EJUPI
Gjenevë, 23 shkurt 2026

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit