Sjellur në shqip nga Prof. Asoc. Dr. Lekë Pepkolaj
Nicolás Gómez Dávila ishte një shkrimtar, filozof, aforist kolumbian ku konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Amerikës së Jugut të shekullit të 20-të. Ai është një nga kritikët më të vendosur të modernitetit. Mbartës i një mendimi reaguesë, tradicional, konservator dhe kundërrevolucionar në rrafshin sociopolitik, një antikomunist por jo fashist, katolik tradicionalist por edhe adhurues i paganizmit klasik.
Don Nicolás (sikur e thërrisnin më të afërmit e tij) lindi në një familje elitare kolumbiane dhe e kaloi rininë e tij në Paris. Procesin e tij të nxënies e filloi në një shkollë benediktine dhe që fëmijë, pneumonia e rëndë e detyroi atë të kthehej në shtëpi, ku studioi nën drejtimin e mësuesve privat. Në moshën 23-vjeçare u kthye në Kolumbi, një vend që nuk do ta linte më, duke iu përkushtuar më pas jetës private. Ai kurrë nuk ndoqi universitetin, por pjesën më të madhe të kohës ia kushtoi studimit dhe leximit, duke mbledhur në bibliotekën e tij prej dyzet mijë vëllime.
Ai qëndron larg botës akademike, sikur të ishte duke ikur nga një sëmundje ngjitëse. I shkolluar jashtë sistemit arsimor, ai nuk e ndjeu as nevojën për t’u integruar në të, kjo krijoj një subjekt atipik, pothuajse të huaj për epokën bashkëkohore. Njohja e gjuhëve greke dhe latine i lejoi atij një dialog të ngushtë me autorët klasik më të rëndësishëm të antikitetit. Gjithashtu, njohja e disa gjuhëve moderne si italisht, frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht, e lejoi atë të dialogonte me mendimtarët kryesorë të kohës së tij.
Don Nicholas nuk pushoi kurrë së lartësuari idealin e kohës së lirë krijuese klasike, aristoteliane përballë profesionalizimit. Në këtë kuptim, gjykimi i tij për profesionistët e kulturës shprehet në një përbuzje të thellë, që do të shpjegonte refuzimin e atyre të dalur rishtas, por paradoksalisht, pranonte rimëkëmbjen e filozofisë profesionale të një akademiku si Franco Volpi. Ndjekës i Nietzsche dhe të dy të ‘vetëbaltosur’. Ai vlerëson punën e jo akademikëve: “Mjeshtëria e profesionistit, të paktën në shkencat shpirtërore, është studimi i veprave të amatorit”.
Kështu, duke përqafuar ndjenjën aristoteliane të përtacisë krijuese, ai nuk beson aspak se shtrirja e kulturës sjell një rritje të punës kulturore, një përmirësim të fryteve. Klasizmi i tij, në këtë kuptim, është i plotë: “Kultura nuk do ta mbushë kurrë kohën e lirë të punëtorit, sepse ajo është vetëm punë e përtacëve”.
Mosbesimi i tij tek njeriu, e shtyn atë të dyshojë për çdo synim përmirësimi, për çdo ide zhvillimi dhe, aq më tepër, për të besuar se është e mundur të ndryshohet njerëzimi, domethënë ta edukosh në një farë mënyre. Në librin Notas, shprehet: “Edukimi nuk do të arrijë kurrë më të lartën, por mund të arrijë të parandalojë më të ultën”, duke deklaruar kështu paaftësinë fatkeqe të njerëzimit për të përmirësuar veten dhe për t’u bërë më i mirë, sepse nuk ka asnjë mënyrë për të përmirësuar gjendjen e njeriut. Kritika e Don Nicolás ndaj arsimit modern u ndikua fuqishëm nga besimi i tij i rrënjosur në katolicizëm, ai thotë se vetëm Kisha e Zotit e ka fuqinë për të udhëhequr njerëzit. Në lidhje me këtë, ai shprehet: “Kisha edukon dhe pedagogjia e botës moderne vetëm instrukton”.
Edukimi, kërkon dominim mbi tjetrin, kërkon disiplinim, kufizim të lirisë së tjetrit në mënyrë që ai të përvetësojë një sjellje. Kjo liri duhet të konsistojë në pranimin e humanizmit të tij, gjendjen e tij të keqe dhe, prej andej, nxjerrjen në pah atë pak të mirë që ka, siç thotë Don Nicolás: “Edukimi nuk konsiston në bashkëpunimin për zhvillimin e lirë të individit, por në thirrjen ndaj asaj që është e mirë për të gjithë, kundër asaj që çdonjeri ka të keqe”. Vepra dhe jeta tij pasqyron ‘diskreditimin’ e treguar ndaj njeriut dhe arsimit.
Sipas tij njeriu nuk mund të jetë udhërrëfyes i askujt, ai nuk mund të edukojë askënd, sepse nuk e njeh as veten dhe nuk i kontrollon apo frenon pasionet e tij. Është një mosbesim ndaj arsyes, e cila edhe pse u shfaq si fener që do të ndriçonte dhe udhëhiqte njerëzimin në rrugën e dijes dhe shkencës, drita e saj u shua dhe e la njerëzimin në errësirën që i takon asaj. Gjendja njerëzore reflektohet, pikërisht, në pasigurinë e arsyes dhe në gjendjen e pasigurt të njeriut përballë zbulimit të së vërtetës.
Në shkolla kemi një trupë skllevërish, në stërvitje të kapitalizmit, subjekte të paaftë për të përballuar me një qëndrim kritik, botën e globalizuar. Në lidhje me këtë, dhe me një frymë profetike, Gómez Dávila na jep thënien: “Një edukim pa lëndë humaniste e përgatit njeriun vetëm për punë të përulura”.
Nën dritën e një aforizmi tjetër të autorit, mund të dallojmë në edukim, mungesën e kritereve, mungesën totale të formimit të mendimit, reflektimit, analizës: “Edukimi modern i dorëzon mendjet e papjekura propagandës”. Kështu, një fëmijë që hyn në një institucion arsimor për t’u formuar nuk i ka bazat e nevojshme për të nxënë, duke kaluar nëpër klasë me një qëndrim të maskuar dhe të padobishëm. Arsimimi që ai merr është i pamjaftueshëm për t’u përballur me një botë, idealet e së cilës janë përparimi dhe çnjerëzimi, kështu që ai përfundon duke u bërë një skllav tjetër, një tjetër dhëmbëz në makinën e madhe të përparimit, detyra e së cilës nuk është asgjë tjetër veçse të miratosh pa hezitim atë që thonë të tjerët.
Detyra e edukimit është të krijojë kushte dhe t’u imponojë vese të mira individëve në mënyrë që ata të njohin veten. Përkundrazi, falë përparimit të shkencës dhe teknologjisë, studentët arsimohen për t’u bërë profesionistë në kryerjen e një detyre, bëhen specialistë në një sektor të caktuar, por në asnjë mënyrë nuk edukohen për veten, personin dhe marrëdhëniet e tyre me të tjerët, ku kjo e dyta është ajo që edukon njeriun. Në lidhje me këtë Don Nicholas na jep këtë postulat: “Njeriu nuk edukohet nga njohja e gjërave, por nga njohja e njeriut”. Pa një edukim që përqendrohet në të kuptuarit e vetë njeriut, nuk është e mundur të vendosen kritere të palëkundura që mund të qëndrojë një institucion apo sistem arsimor.
Filozofi nga Bogota shkon aq larg sa thotë: “Edukimi i individit konsiston në mësimin e tij që të mos besojë në idetë që i paraqiten”, sepse janë këto ide të pabaza që ai duhet të refuzojë, meqenëse vijnë nga një themel i paqëndrueshëm dhe i pasigurt. Dhe nëse rastësisht dikush do të gjente të vërtetën në një nga këto ide të paraqitura para individit, duke mos qenë i mësuar me të, duke mos e njohur, ai do ta shtrembëronte menjëherë. Pra, është thelbësore të edukohen individët në mënyrë që ata të mos kenë besim në idetë e tyre, pasi as vetë e vërteta nuk kursehet kur bie në duart e gabuara.
Sikur Baudelaire, nuk është aq karakteristikë e Don Nicholas kërkimi i anonimitetit nëpërmjet mosbotimit, por qëndrimi i përgjithshëm ndaj botës së jashtme. Përbuzja e tij shtrihet në arsimin në përgjithësi dhe në të gjithë profesionin pedagogjik. Në fakt, një nga gjërat më mitike që ai ia atribuon pedagogjisë është analfabetizmi i saj: “Vetëm profanët dhe dishepujt besojnë në rëndësinë e edukimit. Çdo pedagog është analfabet i fshehur”.
Përbuzja për filozofinë akademike ose profesionale fillon me universitetet gjermane në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë. ‘Të dorës së dytë’ si Schopenhauer u hakmorën me shpejtësi ndaj atyre që kontrollonin postet e profesorëve. Don Nicholas gjithashtu sulmoj pozicionin hegelian dhe në përgjithësi filozofinë zyrtare të kohës së tij.
Papa Ratzinger thotë: “Universiteti mishëron një ideal që nuk duhet të deformohet as nga ideologjitë e mbyllura ndaj dialogut racional, as nga servilizmi ndaj logjikës nevojtare të tregut të thjeshtë, i cili e sheh njeriun si thjeshtë një konsumator”.
I lirë nga të ashtuquajturat shqetësime sociale – dhe me vetëdije provokuese – ai kundërshton zgjerimin e arsimit, veçanërisht arsimin universitar (qëndrimi i tij kritik i referohej edhe arsimit të kufizuar universitar). Përpjekja për homogjenizim kulturor, ajo që sot quhet globalizim, shfaqet si një varfërim, në fund të fundit si një falsifikim i asaj që është e vërtetë: “Arsimi fillor e ka vrarë kulturën popullore. Arsimi universitar po vret kulturën”.
Nicolás Gómez Dávila e urrente profesionin e mësuesit dhe profesionalizimin i veprimtarive intelektuale të lindura nga koha e lirë. Ai thoshte që: “Mësimdhënia e përjashton mësuesin nga detyrimi për të nxënë” dhe “Profesionisti përçmon amatorin për të fshehur zilinë e tij”.
Referencat
Nicolás Gómez Dávila. “Escolios a un texto implícito”. GOG. Edizione italiana. Vol. 1-2.
Nicolás Gómez Dávila. “In margine a un testo implicito”. Adelphi.
Nicolás Gómez Dávila. “Pensieri antimoderni”. Edizioni di AR.
Nicolás Gómez Dávila, contra la Academia y la profesionalización de la cultura. Por José Miguel Serrano Ruiz-Calderón.
Nicolás Gómez Dávila, Homenaje al centenario de su natalicio. Facultad de Filosofía y Ciencias Humanas. Universidad de La Sabana.
Nicolás Gómez Dávila. Notas. Villegas Editores.