Klubi Filatelik Shkoder (1988)
Besnik Fishta
Shkodra ka qenë gjithmonë një qytet që rrezaton veçanti për gjithë trevat shqiptare. Në çdo cep të historisë sonë kulturore, gjurmët e saj janë të pranishme. Këtu u ndezën për herë të parë dritat e teatrit, u rrotullua topi i parë i futbollit, u shkrua romani i parë, u shkrepen fotografitë e para; u krijua orkestra e pare qytetare, këtu morën jetë ciklizmi, sindikatat, shoqëritë sportive e kulturore. Dhe, ndonëse sot përmendet rrallë, Shkodra ka qenë edhe vendlindja e kulturës filatelike në Shqipëri, një pasion i veçantë që, për brezat e vjetër, mbart një kujtesë të gjallë, ndërsa për brezat e rinj është thuajse i panjohur.
Kjo histori i përket shekullit XX dhe, ndonëse e re, ajo dëshmon se Shkodra e ka ushtruar potencialin e vet kulturor në çdo fushë ku ka pasur mundësi të shfaqet. Ishin vitet ’30 kur në qarqet e ngushta të intelektualëve shkodranë nisi të ngjizej një pasion i ri, koleksionimi i pullave postare. Fillimisht elitar, ky pasion u mboll në mendjet e atyre që e shihnin filatelinë jo thjesht si argëtim, por si një urë drejt botës qyteteruar. Disa prej tyre u bënë anëtarë të klubeve filatelike më të njohura të Evropës, duke u hapur dritare të reja njohurish. Aty kuptuan rëndësinë e një organizimi të tillë edhe për qytetin dhe vendin e tyre.
Megjithatë, dëshira nuk mjaftonte. Në Shkodër ashtu si në gjithë Shqipërinë ende nuk kishte mundësi për të themeluar një klub filatelik. Nuk u zhvillua asnjë aktivitet zyrtar me natyrë filatelike, madje as në përmasat e një ngjarjeje lokale. Dhe, sikur kjo mungesë të mos mjaftonte, fillimi i Luftës së Dytë Botërore e shoi çdo nismë të brishtë, duke e lënë këtë pasion në pritje të një kohe më të qetë.
Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u gjend në një udhë të re politike e shoqërore. Pavarësisht ndryshimeve të thella në drejtimin e shtetit, kishte zëra që besonin se kishte ardhur koha për të bërë hapin drejt organizimit filatelik, ashtu siç kishin vepruar prej kohësh homologët evropianë.
Duke kerkuar ne fondet e Arkivit Qendror të Shtetit,evidentohet qe dëshmitë e para tregojnë një panoramë të thjeshtë por domethënëse. Përpjekjet e para nisën në Tiranë, më pas në Korçë dhe në fund në Shkoder, por rezultatet pozitive u radhiten ne te kundert,me pare ne Shkoder,pastaj ne Korce e me pas ne Tirane. Megjithëse dokumentacioni është i pakët, ai mjafton për të hedhur dritë mbi vitet e para të lëvizjes së organizuar filatelike,dhe per rezultatet e ketyre perpjekjeve.
Në këtë fond ruhen dy kërkesa të vitit 1945, hartuar nga një grup filatelistësh të Tiranës. E para, e datës 12 shkurt, ishte shkruar më pak se tre muaj pas mbylljes së luftës. Ata i drejtoheshin Ministrisë së Punëve Botore: “Kemi nderin t’ju njoftojmë se grupi nismëtar i nënshkruar këtu më poshtë, mbasi pa nevojën e plotësimit të një mungese të jetës sonë shoqërore, vendosi të krijojë një ‘Klub Filatelik Shqiptar’… Duke marrë parasysh qëllimin kulturor të klubit, jemi të sigurt se ajo e ndershme Ministri jo vetëm që do ta aprovojë statutin dhe rregulloren, por nuk do të na kursejë, sipas rastit, edhe përkrahjen morale dhe materiale të saj.” (1)
Kjo letër, e nënshkruar nga 15 persona, mes tyre emra të njohur si Milto Korçari, Zef Ndoci, Gjon Temali, Hysein Gjinaj dhe Aleks Pjetri, nuk mori përgjigje. Por këmbëngulja i shtyu që, më 2 korrik të po atij viti, të përsërisnin kërkesën, kësaj here duke theksuar se: “Grupi nismëtar vendosi me krijue Klubin Filatelik Shqiptar, sikur janë krijuar në të gjitha shtetet e tjera, të cilat i japin një rëndësi të madhe zhvillimit të filatelisë, mbasi me anë të saj shteti bën një propagandë të madhe për njohjen e tij në botën e jashtme… për të bashkëpunuar me klubet e tjera dhe me revistat e këtyre klubeve filatelike…” (2)
Nënshkruesit ishin më të paktë, ndoshta nga humbja e besimit, ndoshta nga frika e shtuar në një regjim që e kontrollonte çdo nismë qytetare. Pas kësaj situate, mbizoteroj heshtja, derisa shumë vite më vonë, në 1959, një brez tjetër do të arrinte ta ligjëronte një shoqatë filatelike ne kryeqytet.
Qyteti i dytë, Korça, u bë protagonist i një kërkese të tillë. Në këtë qytet me tradita në këtë fushë, kishte një grup filatelistësh pasionantë. Ata ndërmorën një përpjekje në vitin 1946 për krijimin e një klubi të quajtur “Albania EC”, që do të shërbente për shkëmbime dhe korrespondencë me jashtë. Por ne një dokument tjetër arkivor zbulon, si përgjigje ndaj këmbënguljes së tyre, duke iu drejtuar Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës së Korçës, konkretisht përgjegjësit të kulturës.
Ndër të tjera thuhet: “Bashkëngjitur po ju dërgojmë një fletë e cila rastësisht na ra në dorë dhe që flet mbi formimin e një klubi për korrespondencë dhe shkëmbime filatelike… Komiteti i Kulturës do të arrijë në një studim, dhe do të njoftojë për detyrat që do t’u përkasin. Prandaj nuk është e nevojshme që Shtëpia e Kulturës, e cila nuk është një ent privat, të ketë një seksion filatelik. Atëherë personat e interesuar që duan të formojnë me nismën e tyre një klub, siç formulohet…, duhet t’i drejtohen Ministrisë së Punëve të Brendshme për të marrë lejen përkatëse.” (3)
Pra përgjigjja zyrtare ishte e qartë: çdo nismë e tillë duhej të merrte leje nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ky ishte një filtër i hekurt që, në praktikë, e bllokonte çdo organizim të pavarur. Përpjekja u ndal aty, edhe pse Korça do të arrinte të krijonte klubin e saj në vitin 1949 duke ndjekur shembullin e Shkodres.
Pas dështimit të Tiranës dhe Korçës, ishte Shkodra që ia doli të themelonte me sukses klubin e parë filatelik në vend. Dhe lind natyrshëm pyetja: a ishte vallë Shkodra e preferuara e regjimit?
Të gjithë e dimë sot përgjigjen: jo. Por historia dëshmon se shpesh, pasioni dhe këmbëngulja e njerëzve mund të hapin rrugë edhe atje ku pengesat duken të pakapërcyeshme. Atehere cila ishte arsyeja që Shkodra arriti të themelonte klubin e saj filatelik, ndryshe nga Tirana dhe Korça?
Nuk është e lehtë të japësh një përgjigje të prerë, sidomos kur arkivat, si në Tiranë ashtu edhe në Prefekturën e Shkodrës, nuk ruajnë asnjë dokument të drejtpërdrejtë mbi këtë ngjarje. Një ndihmesë të madhe do ta jepte arkivi i vetë klubit Shkodran,. dikur i plotë dhe i mbajtur me kujdes. ku do të gjendeshin kërkesa, dokumente ligjërimi, lista anëtarësh, procesverbale mbledhjesh, plane pune, studime e diskutime shkencore, fotografi të shumta e madje edhe libreza bankare që do të dëshmonin seriozitetin financiar të klubit filatelik.
Por humbja e këtyre dëshmive pas vitit 1992 ka lënë një boshllëk. Mungesa e dokumenteve autentike e vështirëson pasqyrimin e saktë të një periudhe jo edhe aq të largët. Madje, edhe data e themelimit jepet ndryshe në burime të ndryshme, herë 4 prill, herë 11 apo 12, e madje 14 prill. E njëjta pasiguri vlen për datat e ekspozitave të para dhe për listat e anëtarëve, si në vitin e parë ashtu edhe gjatë dekadave që pasuan, deri në vitin 1992, kur klubi kishte një numër të konsiderueshëm pjesëtarësh.
Në mungesë të arkivave zyrtare, rruga e kërkimit duhet të kalojë përmes burimeve alternative, arkivat familjare. Aty mund të ruhen letra, korrespondenca dhe dëshmi të tjera që ndriçojnë historinë. Një shembull i çmuar është arkiva e familjes së filatelistit të njohur korçar Petraq Dini, ku ruhen letra të viteve ’40, të dërguara nga Shkodra në Korçë. Ato janë dëshmi autentike,qe ne mungese te dokumentacionit shteteror na tregojne një kohe kur filatelia nuk ishte thjesht hobi, por një akt guximi dhe pasioni.
Në shkurt të vitit 1947, dy muaj para krijimit të klubit, filatelisti Idriz Fishta i shkruante Petraq Dinit: “Klubi për të cilin të pata shkru, na u kthye përgjigjja prej Ministrisë. Më duket pozitive, por duket se diçka e ka ndalë dhe nuk po don me ecë përpara… referenti i kulturës këtu ka dashtë me na mbledhë filatelistët dhe me na pyet se në ç’pikëpamje na mendojmë me ba atë klub… shumë shokë janë trembë e friksue. Unë qëndroj në krye të situatës. Në njërën anë sqaroj referentin dhe në tjetrën afroj filatelistët.” (4)
Këto rreshta zbulojnë tensionin e kohës: një pasion i brishtë, i shtypur nga frika dhe kontrolli politik, por që mbijetonte falë vendosmërisë së disa individëve. Në një letër tjetër, të datës 16 dhjetor 1947, perseri I. Fishta shkruante: “Si e pritët ekspozitën filatelike që u ba në Shkodër nga 28 shtatori deri më 5 tetor 1947? Kjo ka kenë ekspozita e parë filatelike që u ba në vendin tonë… u paraqitën pullat e Shqipërisë që nga viti 1912 e deri në atë ditë, pullat e Jugosllavisë, Kroacisë, Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë, Greqisë dhe të Bashkimit Sovjetik…
Ekspozita u vizitua nga afro 4000 vetë… Patëm njoftuar Shtëpitë e Kulturës në qytetet e tjera dhe jashtë vendit… vetëm Federata Filatelike e Kroacisë na u përgjigj, duke kërkuar një artikull për botim…”
Nga kjo letër, përveç entuziazmit dhe krenarisë, lexohet qartë se Shkodra jo vetëm e kishte hedhur hapin e parë të madh, por e kishte bërë me guxim, ambicie dhe vizion. Kjo nuk ishte një përzgjedhje e regjimit, ishte rezultat i një fryme qytetare që nuk kishte frikë të sfidonte kufijtë e mundësive të kohës. Në vjeshtën e vitit 1947, një frymë e re kulturore nisi të përhapej në Shkodër, dhe qe do vazhdonte per disa dekada Ajo nuk vinte nga fushat e zakonshme të artit apo letërsisë, por nga një pasion i ri qe lidhej direkt me evidentimin dhe ruajtjen e vlerave kombetare, filatelia. Ekspozita e parë filatelike në Shqipëri, e organizuar nga klubi filatelik, nuk ishte vetëm një aktivitet i rrallë, ajo ishte një dritare që hapej për herë të parë drejt një bote të gjerë komunikimesh, historie dhe estetike postare.
Foto 1 Poster i ekspozitës së parë filatelike në Shqiperi (Shkoder, 1947)
Foto 2 Pamje nga salla e ekspozitës parë filatelike, Shkoder
Shtypi i kohës e kuptoj menjëherë rëndësinë e saj. Gazeta “Bashkimi”, më 11 tetor 1947, shkruante: “Me iniciativën e seksionit filatelik të Shtëpisë së Kulturës, u hap ekspozita e parë filatelike. Në të u ekspozuan pulla të Shqipërisë nga viti 1912 e deri më sot, pulla të Bullgarisë që nga viti 1860 e në vazhdim, pulla të Greqisë nga 1890 deri në kohën e okupacionit italo-gjerman, si dhe pulla të Bashkimit Sovjetik që nga 1860, përfshirë edhe ato të periudhës së carizmit, të familjes Romanov, të revolucionit, të paraluftës, të luftës dhe të rindërtimit.” (5)
Artikulli vazhdonte me një deklaratë programatike të klubit filatelik e cila tingëllon edhe sot me një vizion të qartë për filatelinë si kulturë: “Të popullarizohet filatelia te masat, sidomos te të rinjtë; të zhvillohet si art dhe jo për qëllime spekulative; të krijohen marrëdhënie me filatelistët brenda vendit dhe me ata të vendeve demokratike. Për realizimin e këtyre objektivave, nevojitet sigurimi i materialit filatelik si katalogë, revista të huaja, pinceta, albume, zarfa transparente dhe lente.”
Edhe shtypi lokal nuk mbeti pas. Gazeta “Koha Re”, më 10 dhjetor 1947, në rubrikën “Shtëpia e Kulturës dhe veprimtaria e saj”, theksonte: “Seksioni i filatelisë, në fund të shtatorit, hapi një ekspozitë filatelike, të parën e këtij lloji në Shqipëri. Vërtet që filatelia është pak ose aspak e njohur në vendin tonë, por duhet pranuar se kjo ekspozitë ka qenë ndër më të bukurat dhe më simpatiket që janë hapur në qytetin tonë. Shpresojmë se rrethi i filatelisë s’do të mbetet me kaq.” (6)
Këto fjalë të shkruara me admirim dëshmojnë jo vetëm për suksesin e ekspozitës, por edhe për pritjen e saj të pazakontë nga publiku. Në një kohë kur vendi sapo kishte dalë nga lufta dhe prioritetet shoqërore ishin të tjera, ky aktivitet shënoi një përpjekje të qartë për ta bërë kulturën një hapësirë të gjallë, ku edhe arti i vogël e i ndjeshëm i pullës postare të gjente vendin e vet të merituar.
Megjithëse në kushtet e izolimit dhe nën presionin për të mos komunikuar me homologë jashtë vendit, pasioni filatelik arrinte, sado rrallë, të kapërcente këtë pengesë. Në vitin 1951, një pjesëmarrje e suksesshme në një konkurrim në Itali, e organizuar nga prestigjiozja revistë Il Collezionista, e deshmon kete.
Kryesia klubit filatelik Shkoder 1958. Nga pesë anëtarë të saj, katër ishin mësues, që i mundësonte lehtësisht të transmetonin kulturën filatelike tek të rinjtë.
Gjatë viteve pas themelimit, aktivitetet e Klubit Filatelik Shkodër u zgjeruan ndjeshëm. Takimet dhe ekspozitat zhvilloheshin në Shtëpinë e Kulturës, Muzeun Popullor, shkolla, institucione dhe qendra pune. Veçanërisht pas vitit 1958, klubi pësoi një hap cilësor:
• U emetuan për herë të parë në Shqipëri më shumë se 10 zarfa lokale përkujtimore (FDC), kushtuar datave dhe ngjarjeve të rëndësishme kombëtare.
• U shtua prania në shtypin periodik lokal dhe kombëtar.
• U rrit ndjeshëm numri i anëtarëve, me përfshirje të madhe të të rinjve.
• U krijua rrethi filatelik në Shtëpinë e Pionierëve.
• U zhvilluan aktivitete edukative në shkolla dhe me dy ekspozita gjate vitit.
• U intensifikua bashkëpunimi me klube filatelike në qytete të tjera të Shqipërisë.
Klubi filatelik, Shkoder në vitin 1973
Gjatë gjithë kësaj periudhe, pjesëmarrja në ekspozita apo panaire jashtë kufijve mbeti një dëshirë e madhe, pothuajse një ëndërr e paarritshme për filatelistët shqiptarë. Përjashtimi i vetëm u shënua në vitin 1962, kur kryetari i klubit, shkodran I. Fishta, mori pjesë si përfaqësues (komisioner) i Shqipërisë në Ekspozitën Botërore dhe Kongresin e Filatelisë, të zhvilluar në Pragë, Çekosllovaki. Ky ishte rasti i parë, dhe njëherazi i fundit, në të cilin filatelistët shqiptarë patën mundësinë të takoheshin drejtpërdrejt me pasionantët e filatelisë nga vende të tjera.
Në fotografinë e parë paraqitet pamja e përgjithshme e godinës ku u mbajt kjo ekspozitë botërore dhe kongresi i filatelisë; ndërsa në fotografinë e dytë shihet fletëhyrja e personalizuar për në sallat e ekspozitës, ku, ndër të tjera, ekspozoheshin disa nga eksponatet më të rralla në botë.
Pas emetimit të zarfeve përkujtimore, Klubi Shkodran shënoi një tjetër arritje të rëndësishme.Per here te pare ne Shqiperi organizohen sesioneve shkencore filatelike:
• 28 prill 1970: sesioni i parë me katër referime,
• 26 nëntor 1973: sesioni i dytë me tri referime
• 28 tetor 1975: sesioni i tretë me tri referime.
Çdo sesion shoqërohej me ekspozita të vizituara nga qindra qytetarë dhe me ftesa për klube nga e gjithë Shqipëria, duke krijuar një jehonë pozitive në media.
Klubi filatelik ushtronte veprimtarinë sipas planeve mujore dhe vjetore
Filatelistët shkodranë e kuptonin mirë rolin njohes, emancipues dhe edukues të filatelisë. Në një kohë kur media televizive nuk ishte shfaqur dhe censura kontrollonte ashpër librat, filmat, teatrot etj, pulla postare, megjithëse e vogël në madhësi, kishte një fuqi simbolike dhe informative të jashtëzakonshme. Ajo ishte e vetmja “dritare” që lidhte Shqipërinë me botën përmes imazheve, ideve dhe simbolikës, shpesh dhe e menduar sikur zoteronte fuqi mitike.
Kjo shpjegon edhe pse në një vend të izoluar si Shqipëria, me u krijuan koleksione të plota me pulla nga vende si Vatikani, Izraeli, Spanja, Franca, Anglia, Gjermania Perëndimore, dhe shumë vende të tjera me të cilat nuk kishim marrëdhënie diplomatike,dhe steti shqiptar i konsideronte jo miqesore. Nëpërmjet pullave mbërrinin në Shkodër dhe në të gjithë vendin imazhe dhe simbole nga organizata ndërkombëtare si OKB, figura të politikës, filozofisë, shkencës,sportit, artit dhe kulturës botërore. Filatelia shërbeu nder te tjera edhe si një shkollë joformale, duke ndihmuar edukimin estetik, historik dhe kulturor, sidomos të rinjtë shqiptare.
Në kundërshtim me perceptimin se regjimi komunist mbështeti dhe drejtoi veprimtarinë e klubeve filatelike, nuk ekziston asnjë dokument që e dëshmon këtë. Përkundrazi, kjo veprimtari u mbikqyr dhe u survejua me rreptësi, dhe korrespondenca e filatelistëve shpesh ishte subjekt kontrolli dhe censurë, duke krijuar një klimë frike dhe pasigurie. Kjo dëshmon se nuk ishte mbështetja institucionale që mbajti në këmbë filatelinë shqiptare, por vetëm dashuria dhe përkushtimi i thellë qytetar dhe patriotik.
Disa anëtarë të klubit filatelik, intelektualë të njohor te qytetit Shkoder (1988)
Në përfundim, mund të themi se gjatë 45 viteve të veprimtarisë së tij (1947–1992), ky formacion nuk mbeti thjesht një organizëm me tipare klubi apo shoqate. Nisur nga ndikimi dhe jehona që pati në opinionin publik shkodran, ai u shndërrua, në vetëdijen qytetare, në një “institucion” të mirëfilltë, të respektuar jo vetëm në Shkodër, por edhe më gjerë, në mbarë vendin. Ai arriti të kapërcejë me sukses vështirësitë e mëdha dhe shpesh të paparashikueshme të kohës.
Brenda këtij klubi, ku gjendeshin së bashku njerëz nga shtresa të ndryshme shoqërore, madje edhe nga ata që politika e ashpër e “luftës së klasave” i kishte vënë në shënjestër, nuk u regjistrua kurrë asnjë rast përjashtimi. Kjo mbetet një dëshmi e fortë e unitetit, e kujdesit reciprok, e miqësisë së sinqertë dhe e përkushtimit të palëkundur ndaj pasionit të përbashkët. Filatelistët e Shkodrës ngritën kështu një histori suksesi, duke skalitur në kujtesën qytetare vlera progresive dhe ndjenja krenarie, si për brezat e sotëm, ashtu edhe për ata që do të vijnë.
(1)
(2)
(3)
(4)
(5)
(6)
Referenca:
1. Arkivi i Shtetit, Fondi 513, viti 1945, dosja 49.
2. Arkivi i Shtetit, Fondi 513, viti 1945, dosja 49.
3. Arkivi i Shtetit, Fondi 513, viti 1945, dosja 49.
4. Letër e I. Fishtës drejtuar P. Dinit, 16 dhjetor 1947. Arkiv familjar.
5. Gazeta Bashkimi, 11 tetor 1947.
6. Gazeta Koha Jonë, 10 dhjetor 1947.