NEXHMIJE PAGARUSHA PËRLOTI SALLËN E KONCERTEVE NË TIRANË

0

Nexhmije Pagarusha, hyjnesha e skenës

Në tre vjetorin e amshimit

IDRIZ ZEQIRAJ

Viti 1970. Në kuadrin e shkëmbimeve kulturore, ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, Seksioni i Kulturës pranë Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, kishte ftuar Nexhmije Pagarushën dhe Zef Tupecin, për vizitë në Shqipëri. Me këtë rast, mysafirët e nderuar u bënë pjesë e një shfaqje të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë, në Sallën e Koncerteve dhe të Baletit.

Në hyrje të Pallatit të Kulturës, ishte vënë një pllakatë, ku njoftohej se Ansambli Shtetëror jep shfaqje, me pjesëmarrjen e kosovarëve Nexhmije Pagarusha dhe Zef Tupeci. Interesimi, kurreshtja ishte e shtuar, sepse në atë skenë kishin përformuar rusë, kinezë, aziatikër të tjerë, evropianë të kuq, por jo edhe shqiptarë nga Kosova!

Natyrisht, më të interesuarit për këtë shfaqje ishin ikanakët e Kosovës, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Kur themi të Kosovës, përfshihen të gjitha trojet shqiptare, të mbetura jashtë Shqipërisë londineze. Andaj, edhe sigurimi i biletave u vështirësua. Megjithatë, disa nga ne, ikanakët e vonshëm, kryesisht, studentë, arritëm t`i siguronim biletat.

Shfaqjet e Ansamblit shtetëror, gjithëherë shoqëroheshin me një solemnitet të veçantë, ku të pranishëm ishin edhe ndokush nga byroistët e partisë-shtet. Edhe asaj mbremje ashtu ndodhi. Përgaditja profesionale, këndim e vallëzim, ishte harmonizuar mjeshtërisht. Krejt në fund të programit, moderatorja prezanton praninë e dy artistëve kosovarë, Nexhmije Pagarushën e Zef Tupecin dhe i ftonë në skenë.

Dalja në skenë e Nexhmije Pagarushës ishte hyjnore. Atëbotë, 37 vjeçare, gjithë sharm e bukuri, rrezatonte mirësi e fisnikëri të pafundme. Përformimi skenik, inteligjenca, ngrohtësia interpretuese, finesa e papërsëritshme, të harmonizuara me hijeshinë e pashoqe, maxhepsën publikun e shkolluar dhe buzëhollë, me sqimë të Tiranës. Përshëndetja, sa përulëse, aq edhe krenare, falenderuese për duartrokitjet e stërzgjatura të artdashësve metropolitan, të Nexhmijës, jo vetëm për nga ndjesia, por edhe nga shkëlqimi i skajshëm, ishte risi në këtë skenë artistike. Në fjalët që i dilnin nga mendja dhe zemra – njëherësh, përçoi mesazhin e mallit dhe të dashurisë së shqiptarëve të Kosovës, për Shqipërinë nënë. Publiku, i prekur në ndjesinë vëllazërore, shpërtheu në duartrokitje. Nexhmija përloti Sallën e Koncerteve në Tiranë.

Kush dridhte zërin, partia ia dridhte qafën!

Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, këndoi tri këngë, nën shoqërimin me def nga Zef Tupeci. Nga salla u përsëritë, si në kor, kërkesa, “Baresha, Baresha!” Por, përgjigjia ishte vetëm buzëqeshja e ëmbël, plot keqardhje, e Nexhmijes. Jashtë sallës u tha se mungonte orkestrimi shoqërues muzikor. Por, më shumë u përfol, në surdinë, se “ishte jashtë standardit ideologjik komunist”, për kohën, hapësirën, vendin, Shqipërinë tonë supër-staliniste! Kush dridhte zërin, partia ia dridhte qafën!

Dëshira e ikanakëve shqiptarë të Kosovës, të ardhur në Shqipërinë e vjetër dhe të re, për t`u takuar e përshëndetur me binomin artistik, Nexhmijen dhe Zefin, mbetën pengu i tyre. Vitet `70-ta, ishte shumë herët, për një komunikim mes shqiptarëve, në të dy anë e kufirit. Shoqërimi i rreptë nga salla në Hotel “Dajti”, me hyrje të ndaluar për të paautorizuarit, pamundësonte komunikimin. Kjo vlente edhe për Profesor Eqrem Çabejn dhe shkrimtarin Jakov Xoxa, kur prisnin në Lulishtën “Rinia”, përballë “Dajtit”, për t`i takuar absolventët e Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Ismajlin, në vizitën e tyre të parë në Shqipëri, më 1971. Madje, edhe për këtë lloj takimi, në park, kërkohej leje përkatëse.

Gajreti i shqiptarëve londinezë në mikpritje,
tejkalon atë të shqiptarëve të Kosovës

Ritakimi i Nexhmije Pagarushës me këngëtarën Fitnete Rexha, ishte emocional. Familja Pagarusha, në vitet `40-a, kishin qenë fqinj me banim në Tiranë. Dhe, ishin pritur e trajtuar me përzemërsi nga Familja Rexha. Babë Rexha, siç e thërrisnin tiranasit dhe, më vonë, e tërë Shqipëria, ishte njeri i zëshëm. Ai u vra në vitin 1946.

Me rastin e tërmetit në Durrës e Thumanë, u fol shumë për mikpritjen e shqiptarëve të Kosovës, madje, “me epërsi, krahasuar me shqiptarët e Shqipërisë londineze!?” Në tej 70 viteve jetë, më shumë të jetuara në Shqipëri, se sa në Kosovë, mendoj se është e kundërta. Mikpritja e Shqipërisë së vjetër, me gjithë varfërinë e skajshme, dikur, është proverbiale. Shqiptarët atje janë shumë më afër Kanunit, traditës shqiptare. Gajreti i shqiptarëve londinezë në mikpritje, tejkalon atë të shqiptarëve të Kosovës. Dhe, kjo është provuar që nga pritjet e refugjatëve masivë të shqiptarëve të Kosovës dhe të trevave tjera shqiptare, pas Lidhjes të Prizrenit si dhe përgjatë dekadave të mëvonshme, me shpërnguljet dhunëshme, nga trojet e tyre lindake.

Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, me dhimbje, i mungon skenës artistike të Kosovës fizkisht, por shpirtërisht është gjithnjë e gjallë, në mendjet dhe zemrat shqiptarëve të përbotshëm.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.