NË KUJTIM PËR  NJERIUN FISNIK MEHDI  E. HOXHA

0
Ferit dhe Mehdi Hoxha

Nga Ferit Hoxha

Më 24 Dhjetor 2021 përcollëm për në banesën e fundit një profesor të nderuar të Krahinës së Bendës, z. Mehdi Elmaz Hoxha nga fshati Selitë e Malit. Ishte një ditë zie jo vetëm për familjen, selitasit, kolegët, por për mbarë krahinën tonë.

Me vdekjen e parakohshme familja humbi njeriun e tyre të dashur, arsimtarët humbën ish- kolegun e tyre, vetë sistemi arsimor humbi një ish-drejtues të përkushtuar dhe shembullor, selitasit humbën udhërrëfyesin e tyre, kryetarin e Shoqatës Selita, krahina e Bendës humbi një ndër hulumtuesit e vlerave historike të saj, Shoqata Benda humbi një  anëtar të kryesisë dhe botuesin e gazetës “Benda”, ndërsa unë; unë humba jo vetëm një shok, një koleg, një bashkëpunëtor të denjë, por edhe një ndër udhërrëfyesit më të mirë që më shoqëroi që nga dita e parë e themelimit të Shoqatës Atdhetare Kulturore Benda e deri në fund të rrugëtimit të tij fisnik, pasi këtë rrugë e stisëm dhe e vazhduam së bashku.

Mediu luftoi me sëmundjen “fatkeqe” (kancer në mushkëri), në një periudhë të shkurtër afërsisht gjashtë muaj, periudhë e cila i dha “mundësi” Mediut për t’u çmallur me njerëzit dhe të afërmit, me shokët dhe kolegët e tij. Ishin të shumta përpjekjet nga familjarët e tij, nga mjekët brenda dhe jashtë vendit, por fati e kishte shkruar që të mos jetonte më shumë fizikisht.

Por përveç vuajtjes fizike e shpirtërore, për Mediun ishte dhe një periudhë  e “artë”, për vetë faktin, se ai gjatë kësaj periudhe promovoi librin e tij “SELITA DHE SELITASIT”, (Monografi )  kushtuar fshatit të tij të lindjes. Një botim që për nga vlerat i kalon kufijtë e Selitës, madje dhe të Bendës, një vlerë e shtuar edhe për Malësinë e Tiranës dhe të Krujës.

Gjatë kësaj periudhe Mediu si ideator dhe organizator kryesor arriti të organizojë përsëri “Festën e Selitës” në Çajre të Selitës, festë e cila është organizuar për 16 vite rresht, por që ishte ndërprerë për një periudhë 5 vjeçare.

E pra, kjo le të shërbejë si reflektim për çdo intelektual që kontribuon për vendlindjen e vet, sepse kur  përpiqesh e punon për të mirën e përbashkët, Zoti të nxjerr faqebardhë, mundi, kontributi dhe sakrifica asnjëherë nuk humbasin.

Përveç kësaj Mediu ka qenë botuesi dhe sponsorizuesi kryesor i gazetës Benda, një gazetë periodike që për 6 vjet rresht përcolli te lexuesi vlerat më të mira të Krahinës së Bendës dhe më gjerë, përcolli shkrime dhe hulumtime të autorëve të ndryshëm që jo vetëm informuan lexuesin e sotëm, por do ngelen si një arkivë me vlera për brezat e ardhshëm.

Mediu dha dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në mbarëvajtjen e Shoqatës Atdhetare Kulturore Benda që nga themelimi, e deri në përditshmërinë e saj. Ai ishte aktiv në çdo diskutim dhe vendimarrje që kishte të bënte me ecurinë e punës në këtë shoqatë, ishte aktiv në çdo aktivitet që u organizua me  Shoqatën dhe me Ansamblin Benda, si një udhërrëfyes i zoti, përkrah profesorëve të tjerë si: H. Hysa, I. Kabili, E Lila, M. Celami, M. Afmati, D. Allushi, Dr.Azem Nela e shumë e shumë të tjerë.

Për kontributin e dhënë në shërbim të vendlindjes Mediu është vlerësuar nga Kryesia e Shoqatës Benda me titullin “NDERI  i BENDËS. Me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në promovimin e vlerava kulturore e historike të Kahinës së Bendës, si kontributor në botimin e Gazetës Benda, si hulumtues e pëçues i vlerave të vendlindjes nëpërmjet shkrimëve dhe botimeve të tij ndër vite”!

Ndërsa për kontributin e dhënë dhe vlerat e tij si intelektual i rrethit të Tiranës është vlerësuar me titullin “FISNIKËRIA E TIRANËS” nga Shoqata Tirana me kryetar Arben Tafaj.

Ai do të mbahet mend nga shumë ish- kolegë të arsimit për bashkëpunimin e tij si mësues dhe drejtues prej disa vitesh,  do të kujtohet me nostalgji nga ish- nxënësit e tij, për komunikimin dhe mësimdhënien profesionale.

Ai u përcoll për në banesën e fundit duke u nderuar jo vetëm nga familjarët dhe farefisi i tij, por nga shumë e shumë pjesëmarrës të tjerë nga Selita e Mali, nga Zona e Bendës, ish-kolegë të arsimit, personalitete të shkencës, artit e të kulturës, si dhe botues të ndryshëm.

Gjatë cermonisë së varrimit u lexua dhe një nekrologji nga intelektuali i Selitës z. Rasim Nela ku ishte përshkruar jeta, vepra dhe kontributi i Mediut në fusha të ndryshme. Ai u percoll për në banesën e fundit ashtu siç i ka hije një njeriu e intelektuali me zemër të gjerë.

Po kush ishte Mehdi Elmaz Hoxha?

Mediu  lindi më  30.03.1956 në një familje të madhe dhe me emër.  Arsimin fillor dhe tetëvjeçar i mbaroi në fshatin e tij të lindjes, Selitë e Malit, ku klasën e tetë e mbaroi në vitin 1972. Po atë vit vazhdon shkollën e mesme pedagogjike në Tiranë, të cilën e mbaron në vitin 1976  me rezultate shumë të mira.

Ne vitet 1976-1978 punon si mësues në ciklin fillor në Selitë të Malit dhe e ndërpret atë pasi do të kryente shërbimin ushtarak (të detyrueshëm). Menjëherë pas ushtrisë fillon punë në shkollën 8- vjeçare Mëner i Sipërm në lëndën histori-gjeografi deri në qershor 1980. Po në vitin 1980 emërohet mësues në shkollën 8-vjeçare Bastar Murrizë në lëndën gjuhë-letërsi dhe më pas histori-gjeografi.

Gjatë kësaj periudhe Mediu vazhdon  arsimin e lartë pa shkëputje nga puna në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër në degën Histori-Gjeografi dhe e mbaron atë në vitin 1985 me rezultate të mira.

Pas diplomimit, në vitin 1985 DARQ Tiranë e emëron Mediun drejtor të shkollës 8-vjeçare Bulçesh deri në vitin 1992. Po këtë vit Mediu emërohet drejtor i  Shkollës së Mesme të Bashkuar Zall-Dajt.  Në vitin 1993 transferohet si drejtor i shkollës së mesme në Kërrabë, kurse në vitin 1997 emërohet drejtor në shkollën 8- vjeçare Babrru-Fushë, shkollë që po hapej për herë të parë….

Nisur nga përvoja, eksperienca dhe rezultatet e punës së Mediut, në vitin 2001 ai emërohet drejtor i Shkollës së Mesme Pedagogjike ‘Sadik Stavaleci në Katund të Ri, Kashar., detyrë të cilën e kreu deri në qershor të 2005 me një përkushtim të jashtëzakonshëm, ku është vlersuar maksimalisht nga DARQ Tiranë dhe Ministria e Arsimit.

Në vitin 2005 për rrethanat dhe kushtet e kohës del në aktivitet privat ku edhe këtu pati një rrugë  suksesi. Gjatë kësaj periudhe Mediu njëkohësisht i është përkushtuar edhe aktiviteteve të ndryshme, shkrime e botime me karakter historik dhe të folklorit kushtuar veçanërisht vendlindjes, e më gjerë, themeloi dhe drejtoi Shoqatën Selita, botoi për 6 vite rresht Gazetën Benda, dha një kontribut të çmuar në aktivitetet e Shoqatës Benda etj.

Ai ishte i martuar me Vjollcën e patën tre fëmijë: Fatjonin, Eljesën dhe Enkelejdën, të tre me arsim të lartë.

Mediu u largua nga kjo botë duke lënë një emër të gdhendur mjaft mirë në punët dhe veprat e tij, për të cilat do të kujtohet me respekt nga kolegët, banorët e Krahinës së Bendës dhe më gjërë.

I PERJETSHEM QOFTË KUJTIMI TIJ!

ME DHIMBJE, NGA KRYETARI I SHOQATËS  BENDA

Ferit Hoxha

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.