– Poezi nga YMER LLUGALIU
(Botohet post mortem)
Fort i kam dashtë dikur nxënësit e mi, si poeti Lulin.
Ndër lojnat e tyne kam marrë pjesë si fëmijë.
Me buzëqeshjen e tyne kam stolis zymtsinë time.
Me hallet e tyne jam ngarkue mbi supe si hamall ardhmenisë ndër bujtinat tona valigjet me ia sjell.
Dashunin e çiltë me shpresa të pathyeme në nji ditë ma të mirë,
si bindje e trëndafilit se ngrohtësia e diellit gonxhet ia çel,
i kam vu në ballë plogështinë, mosbesimin në ardhmëni me na vra.
Kam pasë nji gëzim, nji shpresë në jetë:
nervat e ezaurueme, ndjenjat e konsumueme
nëpër fjalë zemre, ndër ngjyra mimike,
nëpër trupa filizash ngadalë kanë me u tret.
Kjo qe kur besova pa asnji dreqni
se ndigjuesit ndër banka janë nxënësit e mi.
Mesho-mesho Hakate e zbet!
Trimave duert njollosua me gjak
sa mos të munden me zbraps kundër rrymës së tij.
Dinakve model jepu Glaukun,
koprracve Gopsekun,
hipokritve Tartufin,
intrigantve Jagon,
vëllavrasëve Kainin me dorzat e stinës.
Burrat le të mbyllen ndër kullat mesjetare –
jo, le të marrin kazmën me nxjerr kërcuna.
Gojës me i vu tegel;
melankolikët mund të shkojnë në çmendinë;
intelektualët lejohet me e vra veten.
Besnikve Jagua vidat ua zbërthen.
Ku me e gjet njeriun, ku o Diogjen!
Guximtarët le të maten me peshën e prangave,
me ftohtësinë e qelive,
me lagështinë e galerive.
Nga zemrat tona asht larg ndërgjegjja e lirë
sa dielli i gushtit në të akulltën Antarktidë.
Palaçot le të përplasin për vrasësit “çlirimtarë”
shuplakat rrugëve, jehonë e zemrave të copëtueme.
Le të zgërdhihen majmunët,
le të përkulen servilët,
le të lehin zagarët,
le të kënaqen gjuetarët me gjak zvarranikësh.
Saçmet e qiftes s’i arrijnë naltsitë e fluturimit të shqipes.
Rrëshen–Mirditë, 1974
Ymer Adem Llugaliu (1936–2022) ishte një nga figurat më të ndritura të arsimit, gjuhësisë dhe disidencës shqiptare. Poliglot dhe njohës i jashtëzakonshëm i gegnishtes, ai u nda me dhimbje nga vendlindja dhe u përball me persekutimin më të egër komunist në Shqipëri, duke u dënuar me shumë vite burgim nga regjimi i Enver Hoxhës.
Me gjithë vuajtjet çnjerëzore, ai mbeti i pathyeshëm dhe krijoi një opus të gjerë letrar e gjuhësor: poezi, romane historike, studime të morfologjisë e sintaksës dhe fejtone të shumta e publicistikë.
Sot, kujtohet si Lis i ndërgjegjes shqiptare . Ymeri kishte një shpirt të madh që nuk u gjunjëzua kurrë përballë tiranisë.
Përgatiti për botim ARIF EJUPI










