Ing. Dipl. Deli Balidemaj, duke folur në cilësinë e Këshilltarit të Këshillit Bashkiak, nga Partia CSU
IDRIZ ZEQIRAJ
Në Qendrën e Mynyhut ishin bashkuar me mijëra qytetarë, për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (LDB), me moton “Paqe për Ukrainën – Siguri për Evropën. Masën e tubuar e përshëndeten: Këshilltari i vjetër i qytetit, Dr Hoffmann; Këshilltari i Keshillit Bashkiak Ing.-Dipl. Deli Balidemaj; Konzulli gjeneral i Polonisë z. Rafal Wolfski; dhe i Frances z.Alexandre Vulic, si dhe Perfaqesuesi nga Parlamenti Republikan, Federativ dhe Shoqeris Civile, etj.
Përshëndetja e Deputetit dhe Këshilltarit Bashkiak, z. Deli Balidemaj
“Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Të dashur bashkëqytetarë,
Të nderuar përfaqësues politikë,
Sot qëndrojmë këtu, së bashku për të përkujtuar 80-vjetorin e përfundimit të luftës. Një ditë që për të gjithë ne është e lidhur me kujtime të thella dhe mësime të historisë. Sot, më shumë se kurrë, duhet të përqendrohemi në vlerat thelbësore që na mbajnë të bashkuar si komunitet: paqja, liria dhe siguria.
Motoja e tubimit tonë të sotëm – “Paqe për Ukrainën – Siguri për Evropën” – flet jo vetëm për solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës që po lufton për lirinë dhe pavarësinë e tij, në këto kohë të vështira.
Gjithashtu na kujton përgjegjësinë themelore, që kemi ndaj bashkëqytetarëve tanë në Evropë. Lufta në Ukrainë nuk është vetëm një konflikt rajonal; është një kërcënim për stabilitetin dhe paqen në të gjithë Evropën.
Grupi parlamentar i CSU-së, në këshillin bashkiak të Mynihut, qëndron fort në anën e Ukrainës. Ne dënojmë agresionin dhe shtypjen e ushtruar kundër popullit ukrainas dhe mbështesim veprime të qarta dhe vendimtare, për të promovuar paqen dhe për të garantuar siguri të qëndrueshme në Evropë. Në këtë drejtim Mbështetja e Ukrainës është thelbësore: humanitare, politike dhe ushtarake, kudo që është e nevojshme.
Në të njëjtën kohë, duhet t’i marrim seriozisht mësimet e së kaluarës. Lufta e Dytë Botërore na mësoi me dhimbje, se injoranca dhe mbyllja e syve, mund të çojnë në pasoja katastrofike. Sot, më shumë se kurrë, duhet të jemi më aktivë, në promovimin e paqes dhe në mbështetjen e atyre që punojnë për të. Le të punojmë së bashku për t’u siguruar që historia të mos përsëritet.
Ne jemi të sfiduar – si shoqëri, si qytet dhe si komb. Është koha të dërgojmë një mesazh të fortë. Le të mbrojmë parimet e demokracisë dhe të sundimit të ligjit. Le të punojmë së bashku, për një Bashkim Evropian, që nuk është vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht dhe shoqërisht i fortë.
U bëj thirrje secilit prej jush: Ne duhet të qëndrojmë së bashku, të mbrojmë njëri-tjetrin dhe të ngremë zërin tonë për paqe. Le të sigurohemi që thirrjet për ndihmë të dëgjohen dhe që lufta në Ukrainë të bëhet së shpejti një gjë e së kaluarës – në mënyrë që paqja për Ukrainën dhe siguria për Evropën të bëhen realitet.
Faleminderit për vëmendjen tuaj. Le të luftojmë së bashku për një të ardhme më të mirë!”
Pak fjalë për deputetin e Bavarisë së Epërme, Ing. Dipl. Deli Balidemaj, -Malësori i Martinaj- dhe familjen e tij
Deli Balidemaj, i lindur me 27 korrik 1967, në Martinaj të Gucisë, Mali i Zi. Një familje intelektualësh: motra arsimtare e gjuhës shqipe, në Prishtinë, tani, në pension; vëllai i madh, Hasani, oficer i lartë në ish-armatën jugosllave, tani, menaxher në një biznes privat Spedicioni në Bavarinë gjermane; vëllai i dytë Bekimi, doktor, Specialist Internist, me ambulancë private në Shtutgart; Delija Ing. Dipl. fëmija i katërtë i Familjes Balidemaj, Shkollën e mesme dhe studimet e bëra në Prishtinë, dhëndër i Gollakut.
Azilant në Gjermani, ka punuar pandërprerë punë të ndryshme. Ing.Dipl. Deli Balidemaj aktivitetin politik e ka filluar në vitin 2013, kur ai u zgjodh për herë të parë në Asamblenë München-Milbertschofen.
Rrugëtimi politik: Deputet në Parlamentin e Bavarisë së Epërme. Balidemaj ka qenë anëtar i këtij Këshilli, që nga tetori i vitit 2018, duke kontribuar në vendimmarrje dhe projekte që prekin rajonin e Bavarisë së Epërme. Pastaj Këshilltar i Këshillit Bashkiak të Mynihut. Ai u bë Këshilltar i Këshillit të qytetit në korrik 2023, duke u përfshirë në diskutime dhe vendime të rëndësishme, për zhvillimin e qytetit të Mynihut.
Kalimi nga Partia e Gjelbër në CSU (Unioni Kristian Social), ishte pikë kthese e rëndësishme në karrierën e tij politike. Ky kalim ka shkaktuar debate të shumta në mediat gjermane dhe brenda politikës, duke qenë se ai ishte pjesë e një partie që promovon politika të qëndrueshme dhe mjedisore. Shkas i ndryshimit partiak ishte zhgënjimi, meqë deputeti më i votuar në Bavarinë e Epërme, nga subjekti i tij, kishte qenë, pikërisht, Deli Balidemaj, ose siç njihet edhe me emrin -Malësori i Martinaj- dhe pretendimi i tij ishte se Partia e të Gjelbërtve gjermanë, duhej të kishte qasje më të madhe ndaj Atdheut të tij, Kosovës. Dhe, për këtë ai kishte agjituar dhe punuar në vijimësi individualisht dhe në grupe.
Temat e Interesit:
Deputeti Deli Balidemaj ka shprehur interes të veçantë, për çështjet si migrimi, siguria dhe integrimi, tema këto që kanë qenë të rëndësishme, në të gjitha diskurset e tij politike. Ai vazhdon të jetë kuadër aktiv në komunitet dhe ka kontribuar në çështje të rëndësishme sociale dhe kulturore në rajon. Balidemaj është një veprimtar i përkushtuar i Mërgatës shqiptare, madje i kudondodhur në aktivitetet e saj. Ndonëse i punësuar në Bashkinë e Mynihut, në sektorin e kulturës, ai vazhdon të jetë i interesuar dhe i angazhuar për Shkollën Plotësuese Shqipe dhe aktivitete tjera.
Ai ka pasur pakënaqësi ndaj një ligji të stisur të qeverisë së Bavarisë, lidhur me kërkesën absurde -heqjen e shtetësisë serbe-, edhe pse shumë fëmijë mërgimtarësh nuk e kishin pasur kurrë atë! Mërgimtarët tanë, sidomos ata që fëmijët e tyre ishin shkollarë, mungesa e shtetësisë gjermane i pengonte në disa shkolla të veçanta dhe fakultete. Shkonin në Beograd, paguanin avokatë serb dhe taksa të majmë, për dokumentin e lënies të shtetësisë fiktive serbe!
Deputeti Deli Balidemaj, Konsulli i Kosovës në Mynih e Thuringen, Afrim Nura, Shoqata “Sali Çekaj”, me kryetar Osman Ferizi, me shoqata të tjera simotra, kanë punuar shumë, deri në protesta, për ta bindur qeverinë bavareze, për ta hequr pengesën artificiale, për marrjen e shtetësisë vendore. Çuditërisht dhe turpërisht, qeveritë paraprake të Kosovës, kanë qenë mospërfillëse ndaj kërkesës të mijëra shqiptarëve, rezidentë në Republikën më të madhe në Gjermani, Bavari, e cila e vetme aplikonte këtë ligj diskriminues, për shqiptarët e Kosovës, prej të cilëve Serbia vilte dhe inkasonte mijëra euro.
Familja e madhe Balidemaj, është e njohur për atdhetarizëm. Vëllai i madh, Hasan Balidemaj, ish-ushtarak, në vitet `80-a ka shërbyer në Maqedoni. Një gjyq i madh është kundër djemve shqiptarë, në Manastir dhe gjetkë, por hetimet janë bërë në burgun e Shkupit-Idrizovës. Akuzat kanë qenë të rënda, si: organizimi për helmimin masiv të ushtarëve jo shqiptarë, spiunazh dhe të tjera. Në mesin e ushtarëve të gjykuar dhe të dënuar, me më shumë se një dekadë, në Maqedoni, janë edhe Naser Krasniqi dhe Riza Zeqiraj. Ata rrëfejnë se si u ka ndihmuar oficeri Hasan Balidemaj, “të durojnë torturat enorme, për të mos implikuar asnjë emër të shokëve”.
Një bisedë e tillë me ushtarët e rinj, nga një oficer karriere, përbënte një rrezik të madh, jo vetëm për humbjen e karrierës ushtarake, por edhe për jetën. Më vonë u mësua se oficer Hasan Balidemaj ishte planifikuar të arrestohet, duke vënë nën akuzë dhe në krye të një grupi të madh të djemve ushtarë, të cilët janë liruar me 1992. Oficer Hasan Balidemaj ka arritur të arratiset në Gjermani, ku jeton edhe sot.
Vëllezërit Balidemaj përbëjnë një trinom harmonik të shkëlqyer, janë integruar në shoqërinë dhe shtetin gjerman, mrekullisht mirë. Ata japin kontributin si qytetar të këtij atdheu të dytë, duke mos harruar për asnjë rast dhe çast Atdheun e tyre Kosovën. Mërgimtarët tanë në Bavari dhe më tej në Gjermani dhe Mergatë, krenohen me arritjet dhe misionin fisnik të deputetit Deli Balidemaj dhe sukseset e prekshme të djemve dhe vajzave të zëshme, në fusha të ndryshme të jetës.