Xhelal Zejneli
Ndikimi i veprave të Kafkës në letërsinë bashkëkohore është i madh. Ai është një prej autorëve universalë të letërsisë botërore dhe krijues i modeleve poetike më sugjestive të shekullit XX.
„Metamorfoza“ (Die Verwandlung) është tregim i tregimtarit austriak me prejardhje hebraike Franc Kafka (Pragë, 1883 – Kierling /Vjenë, 1924). U botua në vitin 1915. I ka 56 faqe. Është shkruar në gjuhën gjermane. Ngjarja zhvillohet në Pragë, në shekullin XX. Personazh kryesor është Gregor Zamza (Samsa). Në këtë tregim trajtohen temat, si: tjetërsimi, absurditeti dhe kotësia apo zbrazësia e shoqërisë moderne. Krahas romaneve “Procesi” (1914-1915) dhe “Kështjella” (1922, të botuar në vitin 1926), “Metamorfoza” është vepra më e njohur e Kafkës. Bashkë me tregimin “Strofulla”, “Metamorfoza” është vepra më simbolike e Kafkës.
Sot e kësaj dite është një prej temave kryesore të analizave në shumë universitete të mbarë botës. Konsiderohet një prej veprave më të rëndësishme të letërsisë së shekullit XX. Nobelisti tregimtari, dramaturgu dhe eseisti i shprehjes gjermane, Elias Kaneti (Elias Canetti; Rushçuk, Ruse/Bullgari, 1905 – Cyrih, 1994) e ka përshkruar tregimin si “një prej pak veprave të mëdha dhe më të përkryera të imagjinatës poetike të shkruara gjatë këtij shekulli”. Vepra fillon me metamorfozën apo transformimin e udhëtarit tregtar të vyer Gregor Zamza në buburrec tejet të madh.
Veprimi
Kur Gregor Zamza u zgjua një mëngjes prej ëndrrave të trazuara, e gjeti veten në shtrat, të transformuar në një insekt gjigant.
Me këtë fjali epokale Kafka, in medias res, e fillon tregimin e vet. Gregor Zamza, udhëtar tregtar i vyer, por pasiv, pas një nate të trazuar zgjohet në dhomën e vet të vogël dhe e kupton se është shndërruar në insekt. Edhe pse është shndërruar në kafshë, Zamza në fillim nuk është aq brengosur. E shqetëson fakti se nuk e ka dëgjuar zilen e orës, ndaj treni i parë i ka ikur. Vendos të shkojë me trenin pasues.
Kishte menduar se s’do ta kishte problem të çohej, por menjëherë e kuptoi se vështirë mund të çohej. Gjendjen e vet momentale e arsyeton me lodhjen dhe mendon se kjo do t’i kalonte shpejt. Familja e vet kërkon të dijë se për çka bëhet fjalë. Nuk vonohet shumë vjen edhe prokuristi për të parë se ç’po ndodh me Gregorim.
Edhe pse formalisht i njerëzishëm, prokuristi nuk është shumë emocional ndaj Gregorit dhe pavarësisht gjendjes së tij, kërkon që ai të dalë. Ai i refuzon arsyetimet e familjes së Gregorit se këtu kemi të bëjmë me sëmundje dhe kërkon bisedë me të. Gregori u thotë se do të vijë, por zëri i tij, meqë ishte bërë buburrec, bëhet buçitës dhe i paartikuluar. Këta edhe s’e kuptojnë se për çfarë flet Gregori. Ndërkohë, ai me të gjitha forcat përpiqet të çohet nga krevati dhe të mbërrijë deri te dera e cila ishte e mbyllur me çelës. Ia del mbanë vetëm pas një zhurme të fortë kur bie në dysheme.
Prokuristi e interpreton këtë si një shaka dhe provokim të Gregorit i cili po bën diçka nëpër dhomë. Pas shumë përpjekjeve mbërrin te dera dhe ngadalë ia del ta çelë. Derisa tentonte ta çelë, ajo u çel më shumë se i duhej. Grigori tashmë dukej krejt. Personi i parë që e vërejti Gregorin, përkatësisht buburrecin gjigant, ishte pikërisht prokuristi. Kur e pa Gregorin, bërtiti ‘O’ dhe mori të largohet.
Shpejt pas kësaj përjetuan shok edhe anëtarët e familjes. Gregori, krejtësisht i pavetëdijshëm për shokun që shkaktonte, përpiqet t’ia sqarojë prokuristit situatën. Fillon t’i afrohet, kurse ky i largohet, derisa në fund nuk e nxjerr Zamzën nga banesa familjare. Kur babai erdhi në vete, krejt zemërim e futi Gregorin në dhomë dhe e mbylli derën me çelës.
Pjesa tjetër e veprimit, i pasqyruar nga perspektiva e Gregorit, zhvillohet disi në mënyrë statike, edhe pse kalon njëfarë kohe. Gregori e humb punën, kurse familja absolutisht nuk ka kurrfarë të ardhurash, përveç kursimeve dhe pagave të Gregorit tashmë të marra, që në planin afatgjatë s’janë të mjaftueshme. Derisa familje flet për planet, Gregori dalëngadalë dhe gradualisht kalbet në dhomën e vet, duke iu dhënë mundësia për të vëzhguar dhe për të dëgjuar. Gregori izolohet, kurse gjendja bestiale (shtazore) e tij përparon. E refuzon ushqimin më të parapëlqyer të tij. I ha vetëm mbetjet që kanë marrë erë dhe e humb aftësinë e komunikimit. Lëvizja e tij fillon të reduktohet në ecje nëpër mure dhe tavan.
Hobi i ri te motra Greta, e vetmja që kujdesej për të dhe që mund të hynte në dhomën e tij, e lindi idenë se dhoma e tij do të mund të lirohej në mënyrë që Gregori të kishte hapësirë më të madhe për hobin e tij të ri. Në fillim u gëzua për idenë e re, por tek ai përsëri lindi instinkti njerëzor, ndaj me paraqitjen e tij dhe me mbulimin e fotografisë që ndodhej në dhomë, ia bëri me dije familjes se nuk duhet t’i largojnë mobiliet nga dhoma.
Kjo ishte e para prej dy ngjarjeve kur te Gregori u zgjua instinkti njerëzor që e kthente në botën reale dhe të luftonte kundër kafshës në të cilën u shndërrua. Dhoma i mbeti siç ishte. Kur e pa Gregorin, nënën e kaploi frika. Për t’iu hakmarrë, babai i mbushi xhepat me molla dhe me to filloi ta godasë Gregorin. Edhe pse ato nuk i shkaktonin ndonjë dëm të madh, njëra prej tyre iu ngul në shpinë dhe mbeti aty. Pas kësaj Gregori u tërhoq në dhomën e vet.
Pas një kohe familja Zamza (Samsa) i harxhoi paratë që kishte, kështu që të gjithë gjetën punë. Nëna si endëse, babai si derëtar, kurse puna e motrës ishte aq e mundimshme saqë ajo nisi ta lërë pas dore Gregorin. Përveç kësaj, në njërën prej dhomave morën disa qiraxhinj, tre burra me mjekër (që në veprën e Kafkës janë arketip). Anën e larguan dhe pranuan një shërbëtore të moshuar e cila ishte e vetmja që s’i frikohej Gregorit. Në praninë e tij ajo sillej normalisht. Secili prej tyre ishte i preokupuar me punën e vet, ndaj Gregori u bë gjithnjë më pak i rëndësishëm. Në dhomën e tij lënin gjëra të panevojshme dhe lloj-lloj hedhurinash shtëpiake.
Dhoma e tij, bashkë me të, u bë vendgrumbullim hedhurinash, kurse ai sikur nuk ekzistonte fare, si një pjesë e vjetër mobilieje që u duhej por që nuk mund ta vënë në përdorim. Gregori erdhi në gjendje të kuptonte gjithashtu dyfytyrësinë e familjes së vet e cila gjithmonë ka qenë e varur prej tij duke u ankuar se ata vetë nuk mund të punonin. Tani familjarët dëshmuan se pa ndonjë mundim të madh edhe vetë mund të fitonin të ardhura. Është e çuditshme se si Gregori për këtë e fajësonte veten dhe jo familjen.
Në përputhje me problemin e përhershëm që kishte të bënte me autoritetin, fajin e merrte mbi vete kurse atyre nuk ua merrte për të madhe. Në një çast kur e motra mori të luajë në violinë para qiraxhinjve, te Gregori përsëri u zgjua njerëzorja. Lojën e saj mesatare në violinë ai e cilësoi si gjenialitet dhe virtuozitet. Duke lëvizur me vështirësi, vendos ta shohë motrën duke i rënë instrumentit. Ai ende e fajësonte veten që nuk mundi ta dërgonte motrën në Konservator, ndonëse e kishte planifikuar një gjë të tillë.
Për habinë e të gjithëve, ai hyn me vrull në dhomën ku ishin të tjerët. Zotërinjtë me mjekër e shikonin me interes, kurse familjarët u trembën. Mjekroshëve të cilët tani e prishin kontratën e qiramarrjes, u thonë të shkojnë nëpër dhomat e veta. Qiraxhinjtë hyjnë në dhomë, kurse familjarët tubohen në dhomën e pritjes. Marrin vendim që insektin të mos e konsiderojnë si bir të vetin dhe të gjithë e dëbojnë.
Gregori për së fundit herë hyn në dhomën e vet. Në atë dhomë, pothuajse i palëvizshëm, mbeti deri në fund. Molla mbi shpinë ishte kalbur dhe kishte krijuar një ndezje të rrezikshme që e paralizoi Gregorin. Ai u shtri në mes të dhomës. Duke u bërë kështu një objekt i panevojshëm, ai u pajtua me të gjithë. Gjatë natës – vdiq. Trupin e tij e gjet shërbëtorja e moshuar e cila e konfirmoi vdekjen.
Tani falja përjeton njëfarë qetësimi. Vendosi të fillojë një jetë të re dhe të planifikojë një të ardhme më të bukur dhe më të mirë. U lindën ëndrra të reja dhe qëllime të mira. Gregor Zamza vdiq i vetmuar dhe i lënë pas dore. I shndërruar në buburrec, ky njeri vdiq së një kafshë që ishte fizikisht, por më e rëndë ishte vdekja e njerëzores së tij, e cila gjatë tërë tregimit qëndronte galuc në të, duke bërë përpjekje për t’u kthyer. Mjedisi i kufizuar tek ai nuk shihte tjetër pos një insekti të shëmtuar, ndaj e vrau shumë më parë se Zamza të vdiste fizikisht.
Personazhet dhe marrëdhëniet midis tyre
Babai: Pas transformimit, qëndrimi i babait ndaj të birit – Gregorit, është i ashpër. Ai e urren atë dhe nuk e konsideron djalë të vetin. Qëndrimi i tij buron nga qëndrimi i Kafkës ndaj babait të vet. Babai e rreh Gregorin dhe fare nuk e lë të dalë prej shtëpie. Madje s’e lë të dalë as nga dhoma. Aq i ashpër ishte saqë e godiste edhe me molla. Njëherë e qëlloi në shpinë dhe vdiq si pasojë e infektimit nga pema e kalbur.
Nëna: Nëna e donte të birin Gregorin, por turpërohet nga të shndërruarit e tij në insekt. Si rrjedhojë, nuk dëshiron ta shohë. Megjithëkëtë, në fund e mori veten dhe i shkoi të birit. Kjo i shkaktoi kënaqësi Gregorit ngase për t’u ndjerë i lumtur, atij i mjaftonte t’ua dëgjonte qoftë edhe vetëm zërin.
Greta: E motra Greta është e vetmja në familje e cila vërtet e donte Gregorin. Ajo kujdesej për të, e ushqente dhe i ndihmonte kurdo që kishte mundësi. Edhe Gregori e donte atë, ndaj i vinte keq që nuk ia kishte treguar qëllimin për ta regjistruar në konservator ngase luante aq bukur në instrumente. Por, edhe ajo fillon ta nëpërkëmbë dhe t’i ngrejë duart prej tij.
Tematika – Në këtë vepër Kafka flet për tjetërsimin e Gregorit. Ai është njeri, por është krejt tjetër, është ndryshe. Prandaj askush s’e do. Krejt familja e urren dhe dëshiron ta heqë qafe ngase si i tillë i turpëron familjarët. Për të kujdeset vetëm motra. Megjithëkëtë, Gregori është i vetmuar ngase përveç motrës, ai s’ka tjetër. Bota e tij është një dhomë e vogël nga e cila s’guxon dot të dalë. Ia kishte frikën babait i cili e urrente dhe i cili donte të bëjë çmos për ta hequr qafe. Kjo edhe ndodhi. Ai ia shkaktoi vdekjen ngase e qëlloi me mollë në shpinë. Kalbja e saj i shkaktoi infektim. Edhe e ëma e donte. Pikërisht për këtë arsye nuk dëshironte ta shihte ngase nuk mund ta paramendonte të birin në atë gjendje.
Simbolika– Simboli i mollës ka domethënie të ndryshme. Një prej tyre mund të jetë edhe ‘molla e grindjes’. Motivi njihet që nga koha e letërsisë antike kur Parisi duhej t’ia jepte mollën e artë më të bukurës midis Herës, Atenës dhe Afroditës. Afrodita ia premton për grua Helenën e bukur, kështu që Parisi vendos t’ia japë mollën asaj. Nga ky veprim i tij Hera dhe Afrodita u ndjenë të fyera. Në shenjë hakmarrjeje ato e bënë Parisin dhe Helenën shkaktarë të drejtpërdrejtë të Luftës së Trojës, dymbëdhjetë shekuj para K. Prej atij momenti molla është bërë simbol i grindjes që në letërsi është shfrytëzuar shpesh.
* * *
Shënim: Prokurist (procurator) është përfaqësues i shoqërisë ekonomike i cili ka për detyrë t’i respektojë të gjitha kufizimet dhe autorizimet që i janë dhënë për përfaqësim me vendim të organit kompetent të shoqërisë, me statut apo me aktin e themelimit. Është person të cilit i është dhënë prokurë apo autorizim tregtar i gjerë.