MERCENARËT DHE POLITIKA

0
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

“A je skllav, ti s’mund të jesh mik, a je tiran, ti s’mund të kesh miq” – Niçe

Bota shqiptare vlon prej mercenarëve, domethënë prej njerëzve të paguar. Mercenarët i hasësh në shumë lëmenj të jetës, në shumë fusha dhe në shumë sfera. Për të përparuar në pozita shoqërore, një poltron apo një butak lehtë i bindet dhe i nënshtrohet eprorit të vet. Në thelb, personi i tillë mund të shndërrohet edhe në mercenarë. Çdo avancim në shoqëri, i pamerituar, s’ka se si të mos jetë mercenarizëm. Kërmillin që ishte ngjitur në majë të plepit e kishin pyetur: “Kaq i vogël që je, u ngjite aq lartë. Po si ia dole!” “S’e kam vështirë të ngjitem lartë. A s’e shihni se s’kam kurriz” – ua kthen kërmilli.

Mercenarë mund të hasësh në radhët e deputetëve, të ministrave, të kryetarëve të komunave, të drejtorëve të përgjithshëm, të personave me tituj akademikë, sidomos të atyre që s’flasin asnjë gjuhë të huaj. Të tillët as gjuhën amtare s’dinë ta shkruajnë. Të tillët shqipen e shkruajnë si kinez. Mercenari është mjet, vegël dhe instrument i verbër i padronit të vet, i punëdhënësit, i eprorit. Vendet e varfra dhe të pazhvilluara vlojnë prej mercenarëve. Të varfër janë edhe vetë mercenarët. Nëpërmjet mercenarisë ata tentojnë të shkëputen nga skamja. Mirëpo, ata kanë edhe varfëri morale dhe shpirtërore. Mercenari s’ka ego, d.m.th. s’ka unë. Ai është lakmitar, gjithmonë i unët, i pangopur. Ai s’ka parime, nuk njeh parime.

Mercenari që është i angazhuar në lëmin e politikës, është gënjeshtar, rrenacak, manipulues, propagandues. Ai është i gatshëm të zhvillojë luftë psikologjike. Është tinëzak, Çdo gjë për të është sekret, çdo gjë e quan sekret, s’është i sinqertë, kurrë s’mund t’i besosh. Në rrafshin kombëtar, mercenari është pseudopatriot, atdhetar i rrejshëm, tregtar flamurësh. Ai është nacionalist i rrejshëm, i cekët, me njohuri të kufizuara. Midis tyre ke edhe injorantë. Midis tyre ke edhe që të shesin për persë para, të lënë në baltë. Në krye të herës, mercenarët kanë qenë sankilotë. Ata janë në shërbim të urdhërdhënësve të vet për të përhapur propagandë.

Kjo u shkon për dore po aq sa edhe Jozef Gebelsit, ministrit nazist të propagandës. Ky lloj i individëve s’kanë mëshirë, janë vetjak, egoistë, jotolerantë, hipokritë, dyfytyrësh, tartufë, si ai i Molerit. Ky soj njeriu nuk lexon. Këta janë pseudointelektualë të cilët dramat më delikate të jetës njerëzore synojnë t’i zgjidhin me vrazhdësinë e arsyes praktike. Parësore për këtë lloj njerëzish janë interesat meskinë. Ata nuk çajnë kokën për interesin e përgjithshëm. Aq u bëhet për popull. Politikanët e shoqërive të prapambetura popullin e konsiderojnë turmë. Mercenarët janë infrastrukturë e politikës, e politikanëve, e pushtetarëve, e njerëzve të pushtetshëm.

Në çdo kohë dhe në çdo hapësirë, janë të gatshëm t’i vërsulen mendimit të lirë. Mercenarët janë pranë autokratëve, liderëve autoritarë, despotëve, tiranëve, diktatorëve dhe zbatuesve të ideologjive totalitare. Atyre nuk u bëhet vonë po t’u thuash se koha e diktatorit Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalin, ka perënduar qëmoti dhe kurrë s’ka për t’u ringjallur. Ata s’duhet të harrojnë se bolshevizmi dhe metodat bizantine nuk mund të mbijetojnë në Evropën e shekullit që jetojmë. Ky brumë njerëzish janë të zhdërvjellët për luftë speciale. Mercenarët janë demagogë, oportunistë dhe konformistë. Parimet dhe vlerat demokratike i respektojnë sa për sy e faqe ngase ia kanë frikën botës perëndimore.

Mercenarët janë armiq të përbetuar të lirisë së fjalës, të lirisë së shtypit, të shtypit të lirë, të lirisë së mendimit, të të menduarit ndryshe. Kjo aparaturë e pushtetit dhe e pushtetarëve janë në në anën e kundërt të historisë. Këta  manipulojnë me vlerat e kombit, me sistemin kombëtar të vlerave. Këta mediokër shpesh identifikohen me vlerat kombëtare. Për të rrëmbyer pushtet ose për të mbajtur pushte me dekada, këta manipulojnë me flamurin kombëtar, me gjuhën kombëtare, me historinë kombëtare, me heronjtë kombëtarë, me luftërat çlirimtare, me viktimat e luftërave çlirimtare, me dëshmorët e kombit. Ka raste kur këta të pushtetshëm hiqen sikur u bëjnë homazh dëshmorëve të kombit, kurse fëmijët e tyre i lënë me një ndihmë sociale të pamjaftueshme.

Fëmijët e pushtetarëve shëtisin botën. Shumë pushtetarë deri jetonin në skamje, kurse sot u bënë të kamur. Me të kujt mjete financiare?! Me paratë e këtij populli të stërmunduar. Për shkak të këtyre politikanëve antidemokratë dhe argatëve të tyre propagandistikë, të rinjtë, pjesa më vitale e kombit, morën rrugët pa kthim të Gjermanisë. Politika që ndjekin këta politikanë të provincës, s’është veçse populizëm. Ata s’duan të dinë se populizmi në kohën inteligjencës artificiale s’mund të mbijetojë.

Historia e botës është histori e përplasjes midis lirisë së fjalës dhe ndalimit të saj. Kjo përplasje do të vazhdojë sa të jetë jeta.

Në shoqëritë e prapambetura mercenarët i gjejmë nëpër mediume. Mercenarë janë të ashtuquajturit analistë politikë. Këta janë argatë dhe shërbëtorë të shtetit, të qeverisë, të qeveritarëve, të pushtetarëve. Argatë, si të pushtetit qendror ashtu edhe atij vendor. Këta argatë s’kanë skrupull, as cipë. Këta janë të paguar prej mbajtësve të pushtetit. Janë shërbëtorë të partive politike, përkatësisht parapolitike. Ka raste kur ndonjë analist politik shndërrohet edhe në militant partie. Janë shërbëtorë të partisë në pushtet, por edhe të partisë në opozitë. Edhe partia në opozitë nuk është pa lek. Kur ka qenë në pushtet, edhe ajo ka vjedhur sa ka mundur, që të mund të mbijetojë kur të mbetet pa grazhdin e pushtetit.

Pse, a s’janë mercenarë dhe argatë të të fortëve studiot televizive?! Janë dhe ç’ke me të. Të blerë janë pronarët e studiove televizive. Programe të caktuara të tyre janë të programuara për ta shpëlarë trurin e njeriut, të audiencës. Moderatorët e këtyre programeve thua ti se kanë lindur mashtrues, rrenacakë, gënjeshtarë, propagandues, reklamues. Midis tyre ka edhe udhëheqës emisionesh femra, pra moderatore.

Këto mercenare të paguara, pa fije morali, pa kurrfarë ndërgjegjeje dhe për përfitime vetjake vihen në shërbim të qendrave të pushtetshme. Në debatet që i organizojnë marrin pjesë analistë politikë. Tanimë, kjo studio televizive shndërrohet në fole, çerdhe dhe strofull propagande. Ky organizëm mashtruesish ka për detyrë të shpëlajë trurin e njeriut. Këta paguhen prej padronëve të tyre që ta shtrembërojnë realitetin, ta lustrojnë realitetin, të bardhën ta tregojnë të zezë dhe vice versa, të zezën të bardhë.

Midis analistëve ka edhe persona me tituj akademikë, ligjërues universitarë. Këta pseudointelektualë që nuk dinë asnjë gjuhë të huaj, e që shqipen e shkruajnë si kinezisht, janë karrieristë. Ambiciet i kanë më të mëdha se aftësitë dhe mundësitë. Moderatorët apo moderatoret dinë të bëhen edhe ekscentrikë apo egocentrikë. Ka raste kur udhëheqësi i debatit, bashkë me të ftuarit e vet, bëhen njohës të mëdhenj të politikës, filozofë, sociologë, ekonomistë, psikologë, estet, madje edhe mjekë, inxhinierë, agronomë. I dinë të gjitha dijet, shkencat. Janë të gjithëdijshëm, eruditë, enciklopedistë. Sokrati kishte thënë: “Di aq sa s’di asgjë”. Jo, këta tanët i dinë të gjitha.

Ka studio televizive që kanë për mision ta sulmojnë politikën kombëtare. Sulmojnë horizontalisht dhe vertikalisht, nga të katër anët, nga të gjitha anët. Studiot radio-televizive duhet ta dinë se Ballkani i Hapur ka vdekur përgjithmonë, se për veriun e Kosovës s’ka edhe një konferencë ndërkombëtare ngase atë e mbajti në kështjellën afër Parisit, Rambuje (Rambouillet) më 06.02.1999-23.02.1999 sekretarja e Shtetit Medlin Olbrajt (Madeleine Albright, Pragë, 1937 – Uashington, D.C. 2022), se Policia e Kosovës kurrë s’ka për t’u  tërhequr nga veriu i Dardanisë, se s’ka ndarje të Kosovës, se tërësia tokësore e Kosovës është e paprekshme, se sovraniteti i saj është nën zotërimin e shqiptarëve që përbëjnë mbi 90% të popullsisë së saj dhe të pakicave që përbëjnë 6-7% të popullsisë së përgjithshme.

Mercenarë dhe argatë të politikës, të qeverisë, të qeveritarëve, të pushtetarëve janë edhe pjesa më e madhe e gazetave, e revistave, e portaleve. Si studiot televizive, ashtu edhe gazetat dhe portalet, kanë të njëjtën detyrë dhe të njëjtin mision – të shpëlajnë trurin e turmës. Shumë pronarë të portaleve janë njerëz pa shkollë ose me gjysmë shkolle, janë mediokër, janë shkretanë dhe nevojtarë që duan para. Të qenët mercenarë, ky është fataliteti i tyre. Pa u shndërruar në mjete, vegla dhe instrumente të partive politike, atyre u rrezikohet ekzistenca.

Nga kjo del se në hapësirën shqiptare nuk ke informim objektiv, të paanshëm, asnjanës. Çdokush i shërben dikujt. Secili është punëtor me mëditje, mëditës i tjetrit. S’kanë faj të mjerët. Ndryshe edhe s’mund të mbijetojnë në treg. Po ku mbeti demokracia?! Në një vend që eksporton vetëm speca dhe lakra, s’mund të flitet për demokraci. Pa bazë dhe superstrukturë s’ka demokraci. S’bëhet politikë moderne me retorikë të vjetruar, me vokabular të shekullit XIX, me patriotizëm folklorik. Politika është shkollë, i pashkolluari s’bën dot politikë, as kombëtare, as evropiane. Ka deputetë të cilët s’e dinë kur ka ndodhur Lufta e Parë Botërore.

Studiot radio-televizive, gazetat dhe revistat, mediumet digjitale apo portalet shndërrohen në instrumente të devotshme të qendrave të pushtetshme apo të partive, sidomos në kohë zgjedhjesh, si qendrore ashtu edhe vendore. Në mungesë shtypit të lirë kemi censurë dhe censurim të mendimit të paanshëm. Censura e lë shoqërinë në terr, në errësirë dhe e shpie në ferr. Krijohet një botë infernale si ajo e Dantes. Me dritare të errësuara nuk shkohet në BE.

Partitë nuk duhet të luftojnë për pushte, por duhet ta luftojnë korrupsionin dhe nepotizmin në radhët e veta. Punësoje dhe avancoje djalin, vajzën, renë, nusen, dhëndrin, vëllain, nipin, mbesën, po të tjerët si t’ia bëjnë?! Të vdesin, të mbeten në margjinta e shoqërisë, në geto. Rrëmbeji të gjitha institucionet e shtetit – kuvendin, qeverinë, komunat, bashkitë, spitalet, universitetet, shkollat dhe emëroi në krye të tyre njerëzit e tu, të dëgjueshmit, pakurrizorët. Kjo farë klase politike, që dikush i quan edhe elitë politike, nuk janë të vetëdijshëm se botën shqiptare mund ta shndërrojnë në Makondo. Këta po krijojnë një botë surrealiste, markeziane.

Ka edhe TV-studio, mediume të shkruara dhe elektronike si dhe shërbëtorët e tyre – analistë politikë që u shërbejnë edhe shërbimeve të huaja të shteteve që kanë sunduar mbi shqiptarët, që i kanë zaptuar trojet tona dhe që kanë ushtruar gjenocid ndaj shqiptarëve.

*   *   *

Nuk mund të jesh edhe nacionalist edhe hajdut, edhe atdhetar edhe vjedhës, edhe patriot edhe vjedhacak; lakmitar pushteti, karrierist i sëmurë, kontrollues mediumesh, ngulfatës i fjalës së lirë, i shtypit të lirë, i mendimit asnjanës, mbështetës i oportunistëve, i demagogëve, i konformistëve, i analistëve mercenarë, i studiove televizive katërçipërisht të blerë dhe të shitur, i autokratëve që nëpërmjet shërbëtorëve të vet synojnë ta kthejnë kohën e perënduar të totalitarizmit. Çdo parti në botën shqiptare i ka mercenarët e vet. S’ka parti që s’ka shërbëtorë.

Analistët dhe udhëheqësit e programeve televizive katërçipërisht janë të blerë dhe të shitur.

*   *   *

Mercenarët janë persona që marrin pjesë në një konflikt të armatosur, por që nuk janë shtetas të palës në konflikt. Janë të motivuar për të marrë pjesë në konflikt vetëm për përfitim personal. Pala për të cilën lufton u premton shpërblim material shumë më të madh nga ai që u paguhet luftëtarëve të forcave të armatosura të asaj pale. Pjesëtarët profesionalë të asaj ushtrie të rregullt nuk konsiderohen mercenarë, edhe pse për shërbimin që kryejnë ata marrin shpërblim në para.  Mercenari motivohet vetëm nga paraja. Për këtë arsye nocioni “mercenar” rëndom përmban konotacione negative. Në disa kontekste kjo mund të jetë kompliment.

Historia e mercenarizmit është e vjetër gati sa historia e luftimeve. Mercenarët kanë luftuar pothuajse në të gjitha luftërat, që nga bota antike, në kohën e Luftës tridhjetëvjeçare*, deri në ditët tona.

Shënim: Lufta tridhjetëvjeçare ka zgjatur prej vitit 1618 deri në vitin 1648. U zhvillua kryesisht në territorin e Gjermanisë dhe të Republikës Çeke të sotme. Në luftë u përfshinë Fuqitë me Mëdha të Evropës. Në fillim lufta e kishte karakterin e një konflikti fetar midis protestantëve dhe katolikëve. Megjithëkëtë, rivaliteti midis Habsburgëve dhe fuqive të tjera luajti rol qendror. Kjo vërehet edhe nga hyrja e Francës katolike romake në luftë në anën protestante. Lufta shkaktoi uri dhe sëmundje në Evropë. Ajo zgjati 30 vjet. Konfliktet e shkaktuara nga ajo luftë vazhduan në 300 vitet e ardhshme. Ajo përfundoi me Paqen e Vestfalisë në vitin 1648. Gjermania doli nga lufta e copëtuar dhe e përgjakur. Spanja doli e dobësuar, pa Portugalinë dhe Republikën e Holandës. Franca u bë fuqia dominuese në Evropë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.