4.5 C
Tirana
E martë, 24 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj MEHMET HAJRIZI, PRIJËS I SHQUAR I LËVIZJES PËR LIRI DHE BASHKIM KOMBËTAR

MEHMET HAJRIZI, PRIJËS I SHQUAR I LËVIZJES PËR LIRI DHE BASHKIM KOMBËTAR

0
Mehmeti Hajrizi dhe Elife Luzha

Mehmet Hajrizi dhe Elife Luzha

Autore:
Elife LUZHA

Një ditë të ngrohtë gushti, bashkë me Mehmet Hajrizin, shkuam në Vushtrri, për të marrë pjesë në paraqitjen e librit “Arsimi në Strofc dhe në fshatrat përreth tij”, të autorit Habib Mustafa. Strofci është vendlindja e Mehmetit, ndaj nuk duhej gabuar kjo ditë, veçanërisht kur në libër trajtohej historiku i fillimeve të para të shkollës shqipe atje.

Kur arritëm salla ishte mbushur plot. Pas pak, moderatori mori fjalën dhe ftoi në skenë ata që do të flisnin për librin. Ndër folësit, si mysafir i veçantë u ftua edhe Mehmeti, i cili nga mënyra se si reagoi më la përshtypje se këtë nuk e kishte pritur. Megjithatë me një ecje të qetë si prej hyjnori, mes duartrokitjeve të forta, u ngjit në foltore.

Mehmet Hajrizi

Ishte nder i madh që një atdhetar i përkushtuar si Mehmet Hajrizi, të thoshte disa fjalë për fillimet e shkollës shqipe, në Strofcin e tij të lindjes, por kësaj here fjala e tij pati një ngjyrim të veçantë emocional, aq sa të pranishmit vazhduan duartrokitjet edhe pasi ai përfundoi.

Kush është Mehmet Hajrizi?

Më 1948 kur Mehmeti u lind, populli i Kosovës krahas pushtimit të egër sllav, lëngonte edhe nga varfëria ekstreme që po u merrte jetën sidomos fëmijëve. Nga trembëdhjetë fëmijët e familjes së tij, mbijetuan vetëm gjashtë. Në kërkim të kushteve më të mira jetese, familja u shpërngul nga Strofci në Henc të Fushë Kosovës, ndërsa nga viti 1970, u vendos në Prishtinë ku Mehmeti jeton edhe sot me familjen e tij.

Ai rrjedh nga një familje me traditë të pasur patriotike e cila ka dhënë shumë për lirinë e Kosovës. Më 1921, pushtuesit serb pushkatuan nga kjo familje Zymberin, Osmanin dhe Hajrizin. Në vitin 1961, vëllai i tij Zeqiri, së bashku me Zenel Hajrizin dhe dajën Banush Ademin, u dënuan me burgim të rëndë për veprimtari atdhetare, dënim që e vuajtën në Goli Otokun famëkeq. Në pranverën e vitit ’81, në ballë të demonstratave në moshë shumë të re u vra djali i vëllait të tij, Naser Hajrizi. Më 1982, Jahir Hajrizi u dënua me 11 vjet burgim. E përndjekur ishte edhe bashkëshortja e Mehmetit, Haxherja, me vëllezërit e saj, Gani dhe Ismail Syla.

Që herët, Mehmeti e ndjeu padrejtësinë dhe urrejtjen ndaj pushtuesve që i kishin burgosur vëllain dhe po i shkaktonin vuajtje atdheut e familjes së tij. Këmbëngulte të mësonte dhe, që në përfundim të shkollës fillore, ra në kontakt me libra të ndaluara. Si normalist, diskutonte me shokë për nevojën e organizimit të rezistencës kundër pushtuesit sllav. Në vitet ’70 filloi angazhimin e tij në lëvizjen klandestine. Ato kohë si student nëpërmjet vëllait Zeqirit, u njoh me veprimtarë e intelektualë si Kadri Halimi dhe Ali Aliu, nga të cilët përfitoi përvojë organizative. Ndikim të veçantë në edukimin e tij atdhetar patën edhe ngjarjet e vitit 1968 dhe shënimi i 500- vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Mehmet Hajrizi 15 vjet ka punuar në arsim, ku përjetoi dramën e arrestimit para nxënësve në klasë. Është e tmerrshme vetëm ta paramendosh këtë ngjarje, njashtu siç ishte i tmerrshëm edhe trajtimi në hetuesi. Në fakt, ky ishte arrestimi i tij i dytë, meqë për herë të parë ishte arrestuar më 1979, pas shpërndarjes së një trakti të shkruar prej tij, gjatë vizitës së Tito-s në Kosovë. Trakti, brenda një ore, ishte shpërndarë në të gjitha qendrat e Kosovës, duke alarmuar pushtuesit, të cilët arrestuan mbi 500 veta, ndër ta edhe Mehmet Hajrizin e Gani Sylajn, por në mungesë të fakteve, pas dy muaj hetimesh e liruan.

Prijës i Lëvizjes për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar

Lëvizja Kombëtare Shqiptare, që nga Lidhja e Prizrenit më 1878, kishte për synim çlirimin dhe bashkimin kombëtar, sepse siç thoshte Bismarku “vetëdija dhe ndërgjegjja e një bashkimi kombëtar duhet të jenë të përjetshme.” Ndër vite përvoja e organizimit pasurohej nga grupet klandestine të shqiptarëve kudo në trojet e tyre të pushtuara. Përkundër ndjekjeve, torturave, burgosjeve e persekutimeve, ato vazhdonin të vepronin në konspiracion të thellë. Në vitet ’60-të, organizimi ilegal çlirimtar mori hov me “Komitetin Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, “Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, demonstratat e vitit 1968, etj.

Në fillim të viteve ’70-të u formua “Grupi Revolucionar i Kosovës”, i cilësuar si “bërthama e revolucionit në Kosovë”, ndër organizatat më serioze dhe më jetëgjata të lëvizjes klandestine të kohës. Pas një viti drejtimi nga Kadri Osmani, organizata për tetë vjet, u drejtua nga Mehmet Hajrizi. Në maj të vitit 1974, u arrestuan të gjithë anëtarët e Komitetit Drejtues të organizatës, përveç Mehmetit. Ai nuk ndjehej aspak i shpëtuar, por menjëherë mori përgjegjësinë për ripërtëritjen e udhëheqjes, gjë që e bëri me Gani Sylajn, Hydajet Hysenin, Kadri Zekën etj.

Organizata, që më vonë mori emrin Organizata Marksiste – Leniniste e Kosovës (OMLK), përgatiti kushtet për kryengritjen e vitit 1981, ku doli në ballë me tërë anëtarësinë e saj. Nga kjo organizatë, lindi ideja e Frontit për Republikën e Kosovës, i cili u materializua në vitin 1982, me krijimin e Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ).

Në librin “Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981”, Mehmet Hajrizi trajton gjerësisht këtë periudhë, e cila kulmoi me Luftën e UÇK-së dhe kapitullimin e Serbisë më 1999.

Themelues dhe kryeredaktor i shtypit klandestin

OMLK ishte organizata e parë e lëvizjes kombëtare që organizoi shtypin e mirëfilltë klandestin në Kosovë. Mehmeti ishte bashkëthemelues dhe kryeredaktor i tij. “Zëri i Kosovës”, “Pararoja”, “Liria”, “Këngët e lirisë”, dhe traktet politike të kësaj organizate, ndikuan fuqishëm në ndërgjegjësimin kombëtar. Shkrimet e tyre, demaskonin politikën pushtuese serbe dhe atë të klasës kolaboracioniste në Kosovë.

Është me interes ta kujtojmë një analizë të vitit 1978, ku akuzohej politika shoviniste sllave e cila po e pamundësonte avancimin e arsimimit të shqiptarëve, sepse siç thuhej aty “në vend të shkollave po hap mejtepe, kurse xhamitë dhe kishat po i kthen në shkolla fetare, duke përdorur kështu ideologjinë fetare për përçarjen e popullit shqiptar në Kosovë.”

Shtypi klandestin përfshin edhe shumë materiale, trakte, artikuj, thirrje e botime të veçanta, pjesa më e madhe e të cilave gjatë bastisjeve policore janë zhdukur. Megjithatë një pjesë e konsiderueshme e tyre, mbeten të arkivuara si dokumente të çmuara të faktografisë shqiptare. Vlerën e tyre nuk e cenojnë ngjyrimet ideologjike të aty-këtushme, sepse siç thotë Mehmet Hajrizi, “çfarëdo trajtimi apo vlerësimi që t’ju bëhet atyre, duhet vendosur në kontekstin historik kur janë shkruar dhe shfrytëzuar”. Gjithsesi, një përmbledhje dhe informacion më të gjerë për ndikimin që pati shtypi klandestin i kësaj organizate në edukimin dhe ndërgjegjësimin kombëtar për çlirimin e Kosovës, si burime të dorës së parë, mund t’i gjejmë në librin “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”, të bashkautorëve Mehmet Hajrizi dhe Gani Sylaj.

Nëpër kohë të vështira

Të flasësh për veprimtarinë atdhetare të Mehmet Hajrizit do të thotë të flasësh për një figurë morale, për një personalitet model, udhëheqës vizionar e ushtar besnik të popullit të vet, i cili diti dhe guxoi të qëndrojë në ballë të betejave për realizimin e aspiratave tona kombëtare.

Më 1978, kur agjentët e sigurimit të pushtuesit ndaluan për një natë sekretarin organizativ të OMLK-së, Hydajet Hysenin, ishte kuptuar se ata kishin rënë në gjurmët e organizatës, prandaj ai dhe Kadri Zeka kaluan në ilegalitet të thellë.

Pas demonstratave të vitit 1981 dhe arrestimeve masive, u burgosën edhe shumë veprimtarë të OMLK-së, përfshirë edhe udhëheqjen e saj, me përjashtim të Kadri Zekës i cili vepronte në Zvicër. Ishte koha kur pushtuesi serb nëpërmjet ndjekjeve, arrestimeve, burgosjeve e mbytjeve me torturë kishte krijuar një klimë terrori të skajshëm në Kosovë.

Mehmet Hajrizi u arrestua më 18 dhjetor të vitit 1981, kurse më 10 korrik 1982, së bashku me një grup veprimtarësh, u dënua me 12 vjet burg të rëndë. Të dënuar tjerë ishin edhe Jakup Krasniqi, Gani Sylaj, Hydajet Hyseni, Nezir Myrtaj, Berat Luzha, Sherafedin Berisha, Ismail Syla, Jahir Hajrizi, Sheqir Zeneli, Fehmi Plaku, Azem Syla, Xhevdet Syla, Fatmir Krasniqi, Ferid Çollaku, Hysni Hoti, Mustafa Ademi, Jashar Alia dhe anëtari më i ri i grupit, Kadri Luzha.

Janë këta veprimtarë të plejadës së madhe të lirisë dhe krenarisë kombëtare, të cilët përkundër torturave çnjerëzore “të denja për inkuizicionin mesjetar” qëndruan të palëkundur, duke mbrojtur kërkesat e drejta të shqiptarëve të Kosovës, për liri dhe bashkim, si të drejta legjitime të popullit të ndarë padrejtësisht.

Një grup tjetër i kësaj organizate prej 16 veprimtarësh, më 13 korrik të vitit 1982, u dënua në Gjykatën e Qarkut në Gjilan si, Nazmi Hoxha, Bejtullah Tahiri, Basri Musmurati, Naim Salihu, Shemsedin Hoxha, Shaip Ismajli, Ilmi Ramadani, Sadri Sherifi, Xhevat Ajvazi, Sabit Rexhepi, Nijazi Idrizi, Xhymshit Osmani, Selim Ahmeti, Farush Mjaku, Hysen Demelezi dhe Tahir Lubishtani. Më pas u dënuan edhe shumë veprimtarë të tjerë të organizatës.

Në këto kohë udhëheqja e OMLK-së e kishte të lirë vetëm Kadri Zekën, mbi të cilin rëndonte barra e riorganizimit të radhëve. Por, pikërisht në kohën kur ishte arritur marrëveshja për bashkimin e forcave vepruese brenda dhe jashtë vendit, ai, bashkë me vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, u vra më 17 janar të vitit 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë nga UDB.-ja jugosllave.

Gjatë tërë kohës së dënimit, Mehmeti është mbajtur në burgjet hetuese në Prishtinë, në Prizren dhe në Novi Sad. Ai dëshmon se të burgosurit politikë shqiptarë torturoheshin mizorisht nga hetues “me gjakftohtësinë e lukunisë, pa asnjë ndjenjë njerëzore”. Megjithatë, të rinjtë e të rejat në kazamatet jugosllave qëndronin stoik, me motiv dhe vullnet të pathyeshëm. “Ishin tri forca që e bënin të qëndrueshëm në burg veprimtarin e çështjes kombëtare” thotë ai: “njëra quhet IDEAL, e dyta IDEAL dhe e treta IDEAL”.

Mehmeti, përveç një letre proteste të hartuar bashkë me shokët nga Burgu i Novi Sadit, asnjëherë nuk u kishte dërguar organeve të pushtetit pushtues, ndonjë kërkesë faljeje apo lutjeje sepse konsideronte se nuk mund t’u ankohej atyre që ishin shkaktar të vuajtjeve të popullit të tij.

Në Burgun e Prishtinës ai e mori lajmin tronditës për vrasjen e Kadri Zekës dhe vëllezërve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla. “Tërë pesha e katit të sipërm të burgut prej betoni, sikur ra mbi kokën time kur mora lajmin për vrasjen e Kadriut me shokë”, kujton me dhimbje të madhe Mehmeti. “Kisha ndier një nevojë shpirtërore të arrestohesha edhe unë më 1974, kur m’i morën shokët e Komitetit Drejtues, kurse tani po ndjeja nevojën e vrasjes time, si një çlirim shpirtëror” shprehet ai.

Si mijëra shqiptarë që po provonin helmin e jetës nëpër burgjet jugosllave, Mehmeti ishte vendosur në një dhomë me kriminelë ordinerë, hajdutë të regjur e persona me sëmundje mendore, madje edhe me sëmundje ngjitëse, në Novi Sad. Në kushte të tilla, mori lajmin për rënien edhe të veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare dhe bashkëveprimtarëve të tij, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha. “Kjo ishte gjëma tjetër që më bënte të harroja vuajtjet e burgut”, thotë Mehmeti, duke kujtuar me mallëngjim të madh gjithë ata djem të rinj që në lulen e rinisë u sakrifikuan për idealin e tyre.

Më vonë u vranë edhe bashkëveprimtarë të tjerë, si Bajram Bahtiri, Zija Shemsiu, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu etj.

Pas daljes nga burgu

Kur Mehmeti u lirua nga burgu, rrethanat në Kosovë kishin ndryshuar rrënjësisht. Vitet e ndryshimeve demokratike në kampin socialist mundësuan formimin e partive të para legale të jetës pluraliste edhe në Kosovë. “Kur unë dola nga burgu, Lëvizja Kombëtare e traditës kishte qenë e ndarë dhe e përçarë”, thotë Mehmeti, ndaj bashkë me disa veprimtarë të Lëvizjes, për t’i dhënë një orientim sa më të drejtë rezistencës kombëtare, u angazhua në subjektin më masiv të kohës, LDK, pa u shkëputur nga lëvizja konspirative patriotike. Në LDK ushtroi detyrat e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm, anëtarit të Kryesisë dhe përgjegjësit të Sektorit për Informim.

Në vitin 1992, në zgjedhjet e përgjithshme, në një zonë të Prishtinës u zgjodh deputet. Përndjekjet e regjimit serb, dhe vështirësitë subjektive, e kufizuan veprimtarinë parlamentare të kohës. Megjithatë, Komisioni Parlamentar i Informimit, që ai drejtonte, ishte aktiv gjatë gjithë mandatit.

Në kohën e represionit të shtuar – kur regjimi i shfrenuar barbar, kishte intensifikuar dhunën dhe terrorin nëpërmjet masave të dhunshme, të largimit nga puna të shqiptarëve, helmimin e mijëra nxënësve shqiptarë e mbylljen e objekteve shkollore, Mehmeti ishte kryetar i Këshillit Qendror për Financim. Ky dikaster shumë i rëndësishëm ndihmoi mbijetesën e sistemit paralel shqiptar përballë sistemit represiv serb.

Në të njëjtën kohë, pena e tij shkëlqente nëpërmjet shkrimeve publicistike, ku pasqyronte realitetin kohor nëpër të cilin po kalonte Kosova, bënte analizat e situatave dhe kërkonte rrugëzgjidhjet. Nga qindra artikuj, intervista e shkrime tjera të periudhës kohore dhjetëvjeçare (1993-2003), publikuar në mediat vendore dhe të huaja, i përzgjodhi shumë prej tyre dhe i publikoi në formë të librit, me titull domethënës “Sprova të Çlirimit”. Në parathënien e tij, ai shkruan: “Toni kritik në këto shkrime shpreh shqetësimet e autorit për dobësitë e mangësitë e lëvizjes së re kombëtare të Kosovës, si dëshmitar dhe pjesëmarrës në proceset e saj, por edhe angazhimin e sinqertë për evitimin e tyre.

Çlirimi i një populli të robëruar është vepër e madhe historike dhe shumë komplekse. Që çlirimi nga sundimi serb të ishte vepër e popullit të saj, Kosovës i duhej bashkimi i gjithë potencialeve, i mendjes dhe i forcës, i guximit dhe veprimit, i duhej organizimi serioz, uniteti politik e kombëtar dhe fryma e sakrificës e vetëmohimit. Në ç’masë u arritën këto parakushte jetike, më mirë flet vetë aktualiteti ynë historik, por në libër bëhen përpjekje që përveç pasojave të analizohen edhe shkaqet e tyre.”

Nëpër peripeci të ndryshme

Durimi i shqiptarëve për zgjidhjen paqësore të çështje së tyre mori fund, sidomos pas Konferencës Paqësore në Dejton, ku Kosova u injorua plotësisht. Kjo bëri që lëvizja çlirimtare, si formë e rezistencës aktive në Kosovë, tani me uniformën e UÇK-së, të merrte përgjegjësinë për çlirimin e plotë të Kosovës, nga regjimi pushtues i Beogradit. Krimet gjenocidare serbe të kryera gjatë Luftës në Kosovë, e sidomos krismat e pushkëve të UÇK-së, “më në fund e detyruan drejtësinë ndërkombëtare ta dënojë Serbinë”, shkruan Mehmeti , në artikullin me titull, “Vetëvendosja e popullit vulos fatin e Kosovës”. Edhe “procesi përgatitor për Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën, ka filluar më shumë se gjysmë viti përpara Rambujesë, kujton ai.

Nga bashkësia ndërkombëtare, respektivisht Richard Holbrooke dhe Christopher Hill, ishte kërkuar që Kosova në konferencë të fliste me një zë, ndaj dhe më 1998, Mehmeti u propozua si mandatar për formimin e Qeverisë së unitetit. “Por ajo nuk u formua për shkak të obstruksionit të brendshëm, që lidhej jo me një, por me disa emra”, kujton Mehmeti. Ai ishte zhgënjyer thellë që Kosova e humbi shansin e një qeverie përbashkuese dhe me mbështetje ndërkombëtare, prandaj doli me një deklaratë para mediave për ta “zhdavaritur mjegullën që ishte ngritur rreth kësaj çështjeje”. Megjithatë, sipas një marrëveshjeje të Delegacionit shqiptar në Rambuje, më 2 prill 1999, u formua Qeveria e përkohshme, ku Mehmeti u emërua nënkryetar, por siç dihet as kjo nuk përfaqësonte unitetin, prandaj në shkurt të vitit 2000 u shua.

Më 1998, Mehmeti Hajrizi, ishte njëri nga themeluesit e Lëvizjes Demokratike Shqiptare, më vonë Lëvizja e Bashkuar Demokratike (LBD), në emër të së cilës ishte në Delegacionin e Kosovës në Rambuje. Si anëtar i Grupit Politik të Delegacionit, ka dhënë kontribut të veçantë në aspektin profesional e politik të formulimit të drafteve të Marrëveshjes, e cila siç pohon ai, nuk i përmbushte aspiratat e popullit të Kosovës, ishte e padrejtë, por u pranua, sepse kishte mandat vetëm tri vite dhe e bënte të mundur intervenimin e NATO-s në Luftën e pabarabartë midis Kosovës dhe Serbisë. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes nga pala shqiptare, u mundësua ndërhyrja e NATO-s dhe kapitullimi i Serbisë në Kosovë.

“Tiranët duken të mëdhenj kur skllavi u rri në gjunjë. Ngrehu lart edhe ai është i vogël”, thotë një mendimtar.

Çlirimi i Kosovës pas njëqind vjet robërie, dhune, terrori e krimi gjenocidar, pa dyshim është rezultat i përpjekjeve e sakrificave vetëmohuese të gjithë atyre brezave, si Mehmeti me shokë, që nuk duruan pushtuesin sllav në tokat shqiptare. Në një nga shkrimet e tij të pasluftës, nën drithërima dhimbjesh shpirtërore, Mehmeti bën homazh për dëshmorët, ose siç i quan ai, “kurbanet e themeleve të lirisë”, duke mbajtur lart idealin e tyre, që e patën yll polar gjatë gjithë jetës dhe rënies së lavdishme.

Në anën tjetër, me zemër të plasur, bën bilancin e dhimbshëm të të vrarëve, të zhdukurve e invalidëve, që siç thotë, “i humbën këmbët në luftë, që Atdheu i tyre të ecte i lirë”.

Sipas Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, vetëm gjatë periudhës janar deri më 12 qershor të vitit 1999, forcat serbe vranë në Kosovë 12.843 shqiptarë. Midis tyre, të vrarë ose të zhdukur evidentohen 1.396 fëmijë nën moshën 18 vjeç, apo më shumë se 11 për qind e të vrarëve. U vranë gjithashtu 1.741 gra, kurse të rënët me armë në dorë janë 2.261. E nga shtëpitë e tyre, u larguan dhunshëm edhe një milion qytetarë tjerë.

Në kushte lirie

Pas luftës, Mehmeti nuk i është kthyer më asnjë subjekti politik. Ka qenë anëtar i Këshillit Tranzitor të Kosovës, si organ përfaqësues, që nga themelimi i tij, menjëherë pas Lufte. Nga shkurti i viti 2000, për dy vite ka ushtruar detyrën e bashkëkryesuesit të Departamentit të Rindërtimit, në Administratën e Përbashkët me UNMIK-un. Nga të gjitha angazhimet në proceset e shtetndërtimit të Kosovës së lirë, më mirë thotë të jetë ndjerë në drejtimin e rindërtimit të Kosovës së rrënuar. Në gusht të vitit 2002, është zgjedhur sekretar i përhershëm i Kryeministrisë së Kosovës, kurse nga viti 2014, nuk ka bërë ndonjë përpjekje për t’u angazhuar, as profesionalisht, sepse konsideron se “puna duhet ta kërkojë njeriun e jo njeriu punën”.

Sot, si pensionist, ditët i kalon duke shkruar dhe duke ndjekur me vëmendje zhvillimet që kanë të bëjnë me botën shqiptare. Ngecja e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, papunësia dhe varfëria, ikja masive e të rinjve jashtë vendit, moskujdesi i mjaftueshëm për dëshmorët e invalidët e luftës si dhe sfidat në procesin e shtetndërtimit, mbeten tema të reflektimeve të tij kritike.

Mehmeti ka mbajtur qëndrim kritik ndaj disa aspekteve të Pakos së Ahtisaarit, kompetencave shtesë të “diskriminimit pozitiv”, Gjykatës Speciale etj.

Megjithatë, përkundër zhvillimeve të shumëngjyrta që kanë ndodhur dekadave të fundit në hapësirat shqiptare, por edhe më gjerë, Mehmeti, nga fushëpamja e tij, ka vizion optimist për të ardhmen tonë. “Anija shqiptare ecën drejt destinacionit, edhe pse me ritmin e breshkës”, shkruan ai në një artikull të mëhershëm. Ai edhe në të kaluarën ka pasur besim të plotë për zgjidhjen e shpejtë e të drejtë të çështjes së pazgjidhur shqiptare, por siç citonte një fjalë angleze, “Zoti na i dhuron ato që i bëjmë me duart tona”.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.