Kumrie Avdyl Shala
Po flas me ty, bac, e po shpreh mllefin tim.
Nuk mund ta pranoj kur lëndohen heronjtë edhe në varr,
kur e dimë se gjaku yt ishte liria jonë,
ishte hapja e syve dhe dritë dielli për ne.
Ah, bac, më neverit kur shoh mbi koka të gabuara
shkronja të arta,
mbi ato krena që kurrë nuk bënë
as lavrën e minit.
E di se po shikon edhe nga bota e përtejme
se si fluturojnë laraskat
në hapësirën që e çliruat ju.
Bac, nuk dua të të mërzis me fjalët e mia,
por ky mllef del nga shpirti i përvëluar,
duke parë hendekët e padrejtësive,
e mua zemra më gulçon.
Shpesh e nem veten, bac:
“Sikur ta kisha një grusht të fortë”,
t’i ulja nga froni njëherë e mirë
e t’ua tregoja vendin.
Mos të ulen në ballë të oxhakut,
se aty nuk është vendi i tyre.
Nganjëherë më vjen të bërtas,
të thyej çdo gjë përreth meje,
kur shoh sa të pafytyrë janë disa,
si munden ta vrasin lirinë,
një liri që u la me gjak.
Bac, më fal që po e shfryj mllefin me ty,
se falë teje dhe shokëve të tu
po e gëzojmë lirinë.
Ndërsa ata që s’dhanë
as një kokërr qepe e as një pikë gjak,
sorollaten me duar në xhepa
duke e shijuar atë.
Më fal, bac,
se më djeg shpirti për ju që po hani dhé,
ndërsa ata gëzojnë lirinë
për të cilën ju u flijuat për atdhe.











