Xhelal Zejneli
E VËRTETA E ZHVESHUR DEL NË PAH, PAVARËSISHT MOHIMIT KOLEKTIV
Kur mbreti doli para njerëzve, pothuajse të gjithë e panë se ishte lakuriq. Megjithëkëtë, askush s’bëri zë. Nga frika, nga oportunizmi dhe nga konformizmi, të gjithë u shtirën se s’panë gjë. Të gjithë heshtën. Në turmë qëlloi të ishte edhe një fëmijë. Ai s’dinte për frikën, oportunizmin, konformizmin. Ai s’dinte se ç’do të thotë të rruash apo të mbrosh interesin tënd, ndaj bërtiti: “Popull, Mbreti është lakuriq!” Pas tij bërtitën edhe të tjerët.
* * *
Përralla “Mbreti është lakuriq” (origjinali: Keiserens nye klæder – Rrobat e reja të mbretit) e Andersenit është një kritikë e mprehtë ndaj hipokrizisë, frikës dhe budallallëkut kolektiv. Flitet për një mbret që shpenzon gjithçka për rroba, derisa dy mashtrues i shesin një “pëlhurë të padukshme” për budallenjtë, të cilën askush nuk guxon të pranojë se nuk e sheh.
Autori flet për pasojat e mospranimit të të vërtetës nga frika e gjykimit.
Përrallë për mbretin lakuriq
“Mbreti është lakuriq” është një shprehje e famshme që vjen nga përralla e shkrimtarit danez Hans Kristian Andersen (Hans Christian Andersen, 1805-1875). Simbolizon momentin kur e vërteta e zhveshur del në pah, pavarësisht mohimit kolektiv. Ajo përdoret shpesh në politikë dhe në shoqëri për të treguar situatat ku një e vërtetë e dukshme nuk pranohet, qoftë nga frika, qoftë nga konformizmi.
Përralla flet për një mbret që mashtrohet se po vesh rroba që nuk shihen nga njerëzit e paaftë, derisa një fëmijë bërtet se ai është lakuriq. Në kontekstin shqiptar, shprehja përdoret për të denoncuar keqqeverisjen, korrupsionin ose situatat kur liderët nuk e pranojnë realitetin. Shprehja “Mbreti është lakuriq” shpesh përdoret nga opozita apo nga analistët për të thënë se pushteti është i zhveshur nga legjitimiteti.
Ajo thekson guximin për të thënë të vërtetën kur të gjithë të tjerët heshtin.
Mbreti krenar po parakalonte para turmave te njerëzve te cilët ishin mbledhur për ta parë. Atëherë populli i shkrete e pa se Mbreti ishte lakuriq.
Rrobat e reja të Mbretit
Para shumë vitesh jetonte një mbret i cili kishte menduar vetëm për rrobat e veta. Një ditë i vijnë dy mashtrues të cilët i prezantohen si endës. I thonë mbretit se do t’i qepnin një palë rroba të reja dhe të bukura që do të ishin më të mirat në botë. Ai që nuk do të mund t’i shihte fijet e bukura të rrobave do të konsiderohej i marrë.
Mbretit i pëlqeu kjo ide ndaj mashtruesve u dha një sasi të madhe ari, argjendi dhe mëndafshi. Hajdutët i futën në torbë dhe sakaq u larguan .
Duke qenë se endja “u zvarrit”, Mbreti e dërgoi ministrin e vet plak për të parë se si përparonte puna e rrobave të porositura. Ministri mbërriti te endësi, por nuk pa asgjë. Atje s’kishte asgjë. Ministri plak mendoi mos vallë ishte budalla. Hajdutët nisën t’i tregojnë se punët shkojnë mirë. Folën edhe për modelet e bukura, por ministri ende s’i kishte parë rrobat që po “qepeshin.” Që të mos dukej naiv, ministri më në fund tha se vërtet larat ishin shumë të bukura dhe se puna përparonte mirë. Vajti te Mbreti për t’ia treguar të gjitha ngjyrat dhe larat që “i kishte parë” në rrobat e tij të reja.
Pas një kohe, endësit kërkuan më tepër argjend, ar dhe mëndafsh, edhe pse në shtëpinë e endësit nuk kishte ardhur as edhe një fije tjerre. Endja përsëri u zvarrit. Mbreti e dërgoi nëpunësin e vet të dytë. Edhe me atë ndodhi e njëjta gjë si me ministrin plak. Endësit kërkuan sasi akoma më të madhe argjendi, ari dhe mëndafshi. Në fund shkoi edhe vetë Mbreti me një grup nëpunësish të zgjedhur për të parë se si përparonin punët, por as ai nuk pa gjë. Mendoi se më mirë do të ishte të shtirej se kinse i sheh rrobat e veta, sesa të tjerët të mendonin se edhe ai është një i marrë.
Më në fund, Mbreti u shtir sikur i kishte veshur rrobat e veta të reja. Në të vërtetë, s’kishte veshur asgjë. Kur doli para njerëzve, askush nuk pa të kishte veshur diçka.
Në atë çast, një fëmijë bërtiti: “Popull, Mbreti është lakuriq!” Pas tij, të gjithë të tjerët nisën të qeshnin dhe të bërtisnin: “Mbreti është lakuriq! “Mbreti është lakuriq!”
I turpëruar, Mbreti u thye shpejt në pallat. Prej asaj dite ai kishte ndryshuar. Nuk kujdesej më vetëm për rrobat e veta por edhe për popullin e vet. Bota është shumë më e madhe se petkat e një mbreti.
* * *
HANS KRISTIAN ANDERSEN (Hans Christian Andersen; Odense, 02.04.1805 – Kopenhagë, 04.08.1875) ka qenë shkrimtar danez, autor përrallash. Lindi në qytetin Odense më 2 prill 1805. Në Danimarkë konsiderohet krijues i prozës realiste daneze. Veprat e tij janë përkthyer në mbi 80 gjuhë të botës dhe kanë frymëzuar krijimin e shumë veprave teatrore, shfaqjeve baleti, filmave, skulpturave dhe pikturave. Hans Kristian Anderseni ka qenë djalë i një këpucari të varfër dhe i një nëne e cila pas vdekjes së burrit është të punonte si rrobalarëse Anderseni me shumë mund tentonte të afirmohet si shkrimtar.
Në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, pa një shkollim të rregullt dhe pa një mbështetje, shkon në Kopenhagë për të ndjekur shkollën e teatrit me balet dhe këndim. Shpejt e largojnë si një nxënës të patalentuar. Me ndihmën e patronit apo nëpunësit civil danez, mbrojtës i arteve, drejtorit të Teatrit Mbretëror, Jonas Kollin (Jonas Collin) për të cilin kishte punuar gjatë shkollimit, ia del ta kryejë shkollimin dhe studimet universitare.
Në fillim shkruan prozë dhe poezi. Më vonë niset në udhëtime. Në fillim brenda atdheut të vet, pastaj jashtë vendit. Shkon pothuajse në të gjitha vendet e Evropës, në Itali, në Francë, në Gjermani. Ka vajtur edhe në Azi dhe në Afrikë. Gjatë gjithë kohës krijonte vepra të reja. Vdes në Kopenhagë më 4 gusht 1875, si profesor i respektuar dhe si qytetar nderi i Odenses.
Tërhoqi vëmendjen me arabeskën fantastike në stilin e tregimtarit gjerman E.T.A. Hofan (Ernst Theodor Amadeus Hoffmann, 1776-1822) “Ecje prej kanalit Holmens deri në kepin lindor të ishullit Amager në vitin 1828 dhe 1829” (Fodrejse fra Holmens kanal til ostpynten af Amager i aaren 1828 og 1829; 1829). Në vitin 1830 botoi vëllimin me poezi “Poezi” (Digte). Ka shkruar edhe drama, komedi dhe tekste për opera dhe opereta. Disa përpunime të tij të përrallave popullore një kohë të gjatë kanë ndenjur në repertorët e teatrove.
Arriti famë me tre romanet autobiografike: “Improvizuesi” (Improvisatoren, 1835), ku flet për përpjekjet e shkrimtarit të ri në Itali për afirmim; romani sentimental-pesimist “O. T.” (1836), me pasqyrimin realist të jetës në Danimarkë; “Vetëm lojtar“ (Kune n spillemand, 1837) ku flet për fatin tragjik të muzikantit të papranuar. Pas tyre ka shkruar edhe tre romane të tjera: “Dy baronesha” (De to baronesser, 1848) – roman historik në të cilin flet për shtypjen e fshatarëve në atmosferën e ndryshimeve shoqërore në Evropë; “Të jesh ose të mos jesh” (At vaere elelr ikke vaere, 1857) ku flet për materializmin në rritje në jetën evropiane; dhe “Fatlumi” (Lykke-Peer, 1870) për trimin që vdes i lumtur në kulmin e karrierës së vet; “Ashasver” (dramë).
Romanet e tij i sulmoi ashpër shkrimtari dhe filozofi danez Soren Kierkegar (Søren Kierkegaard, 1813-1855). Sidoqoftë, Anderseni është romancieri i parë i shquar danez që e trajton temën e jetës së përditshme daneze. Tërhoqi vëmendjen edhe me përmbledhjen e tregimeve të shkurtra, përkatësisht skicave lirike “Libër me figura pa fotografi” (Billedbog uden billeder, 1839) i botuar në Gjermani. Pasojnë udhëpërshkrimet nga udhëtimet e autorit në Gjermani, Spanjë, Itali, Lindjen e Afërt – p.sh. “Pazari i poetit” (En digters bazar, 1840-1841), vepra e shkruar në mënyrë poetike “Në Suedi” ( I Sverrig, 1851) dhe “Në Spanjë” ( I Spanien, 1863). Shënime autobiografike të theksuara gjejmë në “Libër për jetën” (Levnedsbbogen, 1926) të shkruar në vitin 1832 si dhe në librin “Rrëfime për jetën time” (Mit livs eventyr, 1855). Elemente biografike, përfshi edhe për homoseksualizmin latent, përmbajnë letrat e tij.
Popullaritet të përhershëm ka fituar me përrallat dhe me tregimet për fëmijë, të grumbulluara në përmbledhjet “Përrallat që u janë treguar fëmijëve” (Eventyr, fortalte for børn, 1835), “Përralla” (Eventyr, 1-2, 1837, 1842; 9 libra) dhe “Përralla dhe tregime të reja” (Nye eventyr og historier, 1858-1872). Gjithsej ka shkruar 156 përralla. Më të njohura janë “Çupa me shkrepësa”, “Ushtar kallaji”, “Trumcaku”, „Gishti i madh”, “Princesha e vogël” 1837), “Princesha në kokrrën e bizeles”, “Rosa e shëmtuar“, “Mbretëresha prej dëbore”, “Rrobat e reja të mbretit” (1837). Këto tregime janë krijuar në bazë të ndikimit fillestar të E. T. A. Hofmanit dhe deri diku edhe të tregimeve popullore (për dallim nga tregimet e vëllezërve Grim* dhe të vëllezërve Asbjørnsen*
Shënim: Jakob Grim (Jacob Grimm, 1785-1863) shkrimtar dhe filozof gjerman; dhe Vilhelm Grim(Wilhelm Grimm, 1786-1859) shkrimtar dhe filozof gjerman, vëlla i Jakob Grimit.
Peter Kristen Asbjornsen (Peter Christen Asbjørnsen, Oslo, 1812 – Oslo, 1885) shkrimtar dhe studiues norvegjez.
* * *
Përrallat apo tregimet e tij përbëjnë lidhje të fantastikes, legjendares dhe mitikes me botën reale, ndërsa për nga shprehja dhe zhvillimi i brendshëm janë krijime origjinale të imagjinatës së shkrimtarit. Disa prej tyre flasin për besimin në fitoren përfundimtare të së mirës dhe të bukurës, kurse disa të tjerë janë tejet pesimiste, me përfundime fatkeqe. Por, duke qenë se pasqyrojnë ndjenjat dhe idetë jashtë horizontit momental të të kuptuarit të fëmijëve, e ruajnë kontaktin me perspektivën e fëmijëve.
Përrallat apo tregimet e tij shquhen edhe me një notë sociale të fuqishme dhe me identifikimin me personazhet më të dobët dhe më fatkeq, duke treguar kështu edhe tiparin autobiografik.
Sentimentalizmin eventual e eliminon ironia e butë. Janë vepër më e përkthyer në gjuhën daneze dhe një prej veprave letrare më të përkthyera në përgjithësi.
Anderseni ka pasur një motër nga njerka. Motra quhej Karen. Edhe pse është mohuar, spekulimet këmbëngulëse sugjerojnë se Anderseni ka qenë bir jashtëmartesor i Mbretit Kristian VIII. Historiani danez Jens Jorgensen (Jens Jørgensen) e ka mbështetur këtë ide në librin e vet “H. C. Andersen, en sand myte, 1987).”
Shënim: “H. C. Andersen – en sand myte” (1987) i historianit danez Jens Jørgensen është një libër kontrovers që pretendon se shkrimtari i famshëm Andersen ishte bir i paligjshëm i fisnikes Elise Ahlefeldt-Laurvig (Tranekaer, Danimarkë, 1788 – Berkin, 1855) dhe jo i një rrobalarëseje të varfër.



![Hysen Ibrahimi[1] – Kritikë letrare mbi disa poezi të autorit Bahri Shyti, nxjerrë nga libri i autorit. Bahri Shyti - Kujt t'i besoj](https://fjala.info/wp-content/uploads/2026/04/bahri_shyti-kujt_ti_besoj-218x150.webp)


![Hysen Ibrahimi[1] – Kritikë letrare mbi disa poezi të autorit Bahri Shyti, nxjerrë nga libri i autorit. Bahri Shyti - Kujt t'i besoj](https://fjala.info/wp-content/uploads/2026/04/bahri_shyti-kujt_ti_besoj-100x70.webp)




