Nga Prof. Dr. Tefë Topalli
“Mbreti i një nate në një vend tjetër” – Ndërgjegjja, trashëgimia dhe peizazhi në tregimet e Gjon Markut
Përmbledhjen me 21 motive “Një natë mbret në një vend tjetër” – Tregime, le ta sjellim në vëmendjen e lexuesit nga “Kumona e vjetër”, (1) një skicë e frymëzuar, e qetë e pa mëllefe, një veprim ndërgjegjeje të brendshme të një besimtari, i cili, në kulmin e “lëvizjes popullore” për luftën kundër besimeve fetare dhe shembjen e ndërtesave të kultit, në vitet 1970, ngarkohet me detyrën të shkatërrojë një kambanë kishe, një kambanë të vjetër, me tingullin e së cilës ishte rritur e ushqyer jo vetëm nëpër festa dhe të kremta të shenjta, por edhe në raste vdekjeje, ndonëse për ceremoni varrimi njerëzit i binin në njërën anë, si dëshmon edhe autori vetë. Kel Bardhi, një mesoburrë, ishte ngarkuar me një detyrë të habitshme dhe me sakrilegj të rëndë, sipas tij:
“Merre dhe prishe, Kel, ajo i përket së shkuarës,” – iu drejtua i deleguari për aksionin e madh të prishjes së vendeve të kultit fetar – “… tashmë ne do të ndërtojmë një histori të re. Këto kanë qenë e keqja jonë e përhershme, këto u kanë shërbyer të huajve. Kleri dhe kishat janë opium për popullin. Ato kanë mbjellë injorancë dhe padije ndër ne.
Keli nuk kishte folur, por në heshtje mendjen e kishte hedhur tek Pal Engjëlli, Gjon Buzuku, Frang Bardhi, Pjetër Budi, Bogdani etj.; ata kishin vënë themelet e kulturës shqiptare, e tash thuhej se kanë mbjellë terr dhe padije. – “Zot, fale se nuk di çfarë thotë,” – mendoi Kel Bardhi.”(2)
Autori ka shfaqur botën shpirtërore të këtij personazhi, pa treguar shumë për të, por, duke përshkruar veprimet dhe, sidomos, luftën që bëhej në ndërgjegjen e tij, arrin të tregojë çfarë po ndodhte në shpirtin e një populli që, në identitetin e vet, kishte edhe besimin. Ajo kambanë ishte një simbol kishe për bashkimin e besimtarëve dhe jobesimtarëve – pa dallim – ishte edhe monument kulture, por të vështruar në planin historik aq më tepër që në bronxin e saj kishte të gdhendur Shqiponjën dykrerëshe, bashkë me një datë: vitin 1301 dhe… “duhej të shtypej në emër të kulturës.”
“Çfarë absurdi po ndodhte!” – mërmëriti me zë të ulët: “Mëshirë, o Shpal e i Shpjetër!” Këtë gjendje të brendshme të Kel Bardhit, shkrimtari ynë e shoqëron me rrebeshe shiu, me drita zikzake vetëtimash që shpojnë qiellin, me bubullima të paazakonshme…!
Pasi e ngarkuan mbi karrocën e tij, Keli mori frenat e kuajve në dorë, për të zhvendosur e dërguar për shkatërrim kumonën më të vjetër të kishës, që fatkeqësisht nuk do të ishte më kishë, por vatër kulture. Po a mundte ai të vinte dorë mbi atë objekt të shenjtë? – “Kurrë,” – mendoi me vete.
Autori tregon se shpëtimi në një mënyrë i kumonës do të kushtonte shtrenjtë, do t’i këputej koka, siç ishte bërë me Ipeshkvin… këtë e kujtonte mirë ai. “Kuajve u jepte ngadalë, se nuk donte ta trondiste kumbonën e vjetër të kishës, pale më ta prishte. E ktheu kokën mbrapa dhe pa pikat e shiut që përplaseshin mbi të, e iu duk se po bënte një mëkat të madh… I ra rrotull dy herë qytetit, pa ditur se çfarë të bënte!”
Tashmë Kelin e kishte mbështjellë errësira e natës dhe… menjëherë vendosi të dredhonte nga shtëpia e tij: do ta varroste kumonën në oborrin e tij; mori kazëm e lopatë, hapi një gropë si të ishte për njeri, e veshi me plastmas dhe lëkurë të regjur që të mos ndryshkej, dhe, pasi e mbuloi dhe e rrahu dheun mirë e mirë, mbolli në dy anët e “varrit” dy trëndafila!
Në tregimin-skicë të autorit, edhe pa e shprehur, jepet dukshëm dhe thellë se ç’luftë në ndërgjegje po bënte ky burrë, por edhe çfarë guximi po tregonte ai, duke ditur pasojat që mund ta prisnin, po qe se diktohej prej dikujt…! Nuk vijon fabula, siç mund ta priste lexuesi: të hetohej se kishte varrosur kambanën dhe të arrestohej, të dënohej dhe… mbase të vuante aq gjatë, sa të ndërronte jetë në burg. Jo, Gjon Marku i jep tjetër kah ngjarjes, jo drejt tragjizmit, por zgjidhjes nga ligjet e kohës.
Fragment
“Vitet shkuan, ai plakej, por kurrë nuk e hapi gojën. Por për trëndafilat në fundin e oborrit kujdesej pa nda… një parandjenjë se do të gdhinte një kohë tjetër…! Pas 27 vjetësh, në derën e tij trokiti një djalë i ri. – Axha Kel, – i foli ai, – baba më tha se nesër, në orën nëntë të mëngjesit, te kisha, tek Arra e Madhe, do të vijë një prift e do të çojë meshë; nëse je i mundur, takohemi atje…
Kel Bardhi brofi në këmbë, doli në oborr dhe nuk po i besohej: një prift i plakur, që i dridheshin duart e që mezi mbahej, i veshur civil, ngriti meshë… Ai foli për vështirësitë e kësaj ringjalljeje, për mungesat e mëdha… deri edhe kumonë s’kishin…! – Jo, – thirri Keli duke i ndërprerë predikimin meshtarit e duke u drejtuar tek litri. – Më falni, vëllezër e motra, më fal, o Padër, që po ndërhyj, por kumonën e kishës e kemi të varrosur në fundin e oborrit tim tash 27 vjet, pa pasur kujt t’i rrëfehem, edhe tue u frikësuar se atë amanet nuk pata besim t’ia them askujt!
U shkëput një grup me vegla gërmimi në dorë dhe të gjithë bashkë e nxorën kumonën të pastër e të re, si atë ditë që Keli e kishte groposur thellë në dheun e oborrit, të mbështjellë mirë.”(3)
Në tregime të ndryshme, shkrimtari i ri Gjon Marku sikur ka dorën e rëndë: merr e trajton tema fort të ndjeshme për shpirtin njerëzor; jo rrallë, gërshetimi i ngjarjeve e rrëmben lexuesin dhe e fut në situata të vështira për t’i njohur dhe tejkaluar pa përjetime, duke menduar gjithnjë çfarë e si ndodh me fatin e njeriut, jo si rrjedhojë e veprimeve të tij, por si një destino… e shkruar apo e programuar për individin.
Kështu na ngjet kur njihemi me historinë e jetës së Prend Palit, në tregimin “Fëmija i adaptuar”. Na prin në lexim, si përherë brenda stilit të autorit, përshkrimi i natyrës së bukur të fshatit në Malësi, me pyje e lumë, me shpate të veshura blertë, prej të cilave merrte jetë ai lumë, që nëpër gjithë shtratin e tij i kishte lëmuar gurët e bardhë, që ditën krijonin një pamje të mrekullueshme e dukeshin si të ishin palat e një këmishe gruaje të atyre anëve, ndërsa natën hëna i kthente ato gurë si gjinj të zanave që laheshin në ujin e kulluar.(4)
Është një sekuencë me fantazi të ndezur që e gjejmë dendur në prozën përshkruese të autorit tonë. Duhet vënë në pah se proza e Gjon Markut dallohet dukshëm në ravijëzimin e tablove të hijshme të natyrës; ai është rob i atyre pamjeve, edhe për faktin se, sapo lë penelin me shumë ngjyra, nis e ndërton kontrastin që, bash pranë tij, fiton hapësirë për ngjarje të dhimbshme, për thyerje të asaj bukurie, madje, nisur që nga toponimet, si: Përroi i Korbave, Lugina e Sorrave, Kënga e Çokthit, Udha e Krrokamave (jehona e këngës fatkeqësisht të korbave) etj.
Kështu, ai e ka më të lehtë të na japë me aq gjallëri, sikur i shohim e i ndjejmë hapat e pasigurt dhe vështrimin e zymtë të njërit prej protagonistëve të tregimit që po shfaqim: Prend Pali hyn në fshatin e lindjes së tij, “në krye të të cilit gjendej kulla e vjetër dhe kryelartë, kullë që i ati e kishte ndërtuar me duart e tij. Kur kishte hedhur themelet, kishte therur dashin e madh e kishte përgjakur trollin; kokën e tij e kishte vendosur mu në shqimin e derës… Një tufë sorrash fluturoi mbi kryet e tij, duke e mbushur hapësirën me krrokama… çokthi i natës filloi të klithte këngën e vet të trishtë… atij iu kutjua hutini, që sillte vetëm kob të zi e klithte mbi degët e thata të manit lakuriq.”(5)
Mbi Udhën e Korbave, ulur mbi një gur, ai po përcillte ato ngjarje të tmerrshme që kishin ndodhur që kur ishte kthyer pas vitesh nga mërgimi: kur ishte student, kishte njohur një studente, Fabiolën, me të cilën ishte lidhur për të mos u ndarë më kurrë; ai në vitin e tretë dhe ajo në të parin. Kishin njohur njëri-tjetrin edhe në hotelin “Shliman”, por fati… ah, fati! Ajo qe martuar me një tjetër dhe pas viteve martesë, po e ftonte përsëri në atë hotel, të përtrinte dashurinë e humbur, megjithëse kishte krijuar familje, por… fati… përsëri fati… kishte mbetur pa fëmijë dhe… ajo që pritej: ajo lindi një djalë pas natës së Shlimanit, sepse i shoqi ishte steril.
E lajmëron ish-të dashurin, por ai, i tronditur sa s’ka, ikën nga Bari drejt Nju Xhersit, për të mos u ndjerë i gjallë vite me radhë, kur në vendlindje kishin ndodhur aq shumë ngjarje: i kishin vdekur prindërit, ishte aksidentuar Fabiola me të shoqin, duke lënë jetim fëmijën e tij 4-vjeçar, të cilin e dërguan në jetimore; njëherësh, edhe motra, e martuar, nuk kishte fëmijë me të shoqin.
Gërsheton rrethanat e ngjarjes autori dhe, një ditë të bukur, e motra takon tek burimi një djalë 5-vjeçar, e afron, e pyet dhe i dhuron një kartëmonedhë, pa i treguar asgjë dhe pa kërkuar ta njihte më thellë; vetëm se merr vesh aksidentin e prindërve të tij dhe lemeritet kur kupton diçka… I vëllai larg, s’bëhej prapë i gjallë; por ajo ka vendosur të birësojë një fëmijë, e bind të shqoin dhe kryejnë procedurat, duke njohur djalin e burimit, të cilin e merr në shtëpi.
Ai mbush 15 vjeç dhe ka ditëlindjen, kur në fshatin e tij ia beh Prend Pali, i cili, pas kullës së vjetër, i shkon për vizitë edhe motrës, kur takohet ballë për ballë me të birin adaptuar nga e motra…
Është një ngjarje telenovele, për të cilën autori jep detaje dhe gjendje psikologjike të holla, ndjesi të habitshme, dhe ish-i mërguari merr vendime t’ia kalojë kullën e pasurinë djalit të tij, por pa iu shfaqur dhe pa i treguar së motrës… Janë plagë mërgimi që sot po përsëriten dhe lëndojnë aq e aq njerëz, individë e familje që mbeten të shkretuara dhe mbyllin trashëgiminë me pasoja dramatike e tragjike, kur bijtë e bijat nuk gjenden në varrimin e prindërve, kur brezat e rinj shkojnë gjithnjë drejt mosnjohjes, largimit dhe shuarjes…
[Në një variant të shkruar sipas idiomës veriore ka sjellë disa segmente autori ynë…]
Fragment
“…Gjithnjë i vinte në mendje ditëmortja e të atit, ajo ditë e ftohtë dhjetori, kur bora para shtëpisë së saj kishte kaluar mbi shtatëdhjetë centimetra dhe kishin dashtë ta varrosnin në fundin e arës, si njeri të gjetur, pa njeri. Tue vajtue me fjalë me vete e me zemër, tue dashtë me plasë, kishte mbërritur tek një krue, dhe, si i kishte larë faqet e ishte ulur me pushue disa çaste, tue derdhë lot pa da, kishte pa një fëmijë që turrej me mbushë një bidon me ujë. Ishte ngritur në këmbë, e kishte pyetur: – I kujt je, sa vjeç je? Pasi ishte mbushë bidoni, kishte hedhur një monedhë e ia kishte zgjatë djalit, i cili kishte kundërshtuar ta merrte, por nuk kishte harruar t’i thoshte: – Po ti, moj nanë, hajde nga shtëpia jonë, pusho sa të kalojë vapa, e mandej shkon… E pra, ky fëmijë ishte vetëm 6 vjeç.
U kthye në kullën e vet e plakun e gjeti tue derdhë lot të trishtuar e me një pamje të pazakontë. – Ç’ke, more burrë? – Oh, çfarë mund të kem! Kulla shkret, ti shkon te prindërit e ata nuk i ke. Një vëlla që pate, hupi për së gjalli. Kush na fut në dhe?…
Nuk kishte kaluar as një muaj kur ata u gjenden së bashku, burrë e grua, para Shtëpisë së Fëmijës… Pa vonuar, Prendi mbërriti te shtëpia e të motrës, u përqafua edhe me dhandrrin, i pyeti se si ishte varrosur baba e si ishte varrosur nana dhe, pa mbaruar këto biseda, kur në pragun e derës u duk ai djalë i ri, që të nesërmen mbushte 15 vjeç. – Ky asht djali ynë, – tha…”
Motra… Ai shtangu një çast.
– Djali juaj, – pyeti.
– Po, djali i shtëpisë sonë, – tha e motra…
Prend Pali nuk po kuptonte asgjë.
– Motër, ty të ka falë Zoti një djalë në moshën 55-vjeçare?!? … Prend Pali kuptoi gjithçka pas fjalëve që tregoi djali 15-vjeçar… nuk mund të qëndronte më gjatë e doli, gjoja, të takonte një shok… sa për të mbledhur veten… Kur u kthye t’i bënte me dije se i kalonte këtij djali gjithçka që kishte, vendosi të kthehej andej nga kishte ardhur… në vend të imazhit të gjallë të Fabiolës, kishte parë fytyrën e të birit…! (6)
Për kënduesin e respektuar të librit:
Me të drejtë, studiuesi dhe kritiku kosovar Prend Buzhala (1951–Klinë), nuk ka mundur të rrijë pa ravijëzuar portretin krijues të shkrimtarit tonë, pasi është njohur me penën e autorit, një fragment të mbresave të të cilit po e sjellim këtu, si sheshpushim për lexuesin e nderuar të kësaj paraqitjeje miqësore, që po i bëjmë me simpati poetit dhe prozatorit Gjon Marku.
“Gjon Marku, gjithnjë e më tepër, po afirmohet si prozator, me dorën e sigurt të tregimtarit mbresëlënës. Para syve të lexuesit, në tregimet e tij parakalojnë përshkrimet letrare-tregimtare të afreskave të panoramës së peizazhit mirditor, verior, si dhe atij urban; vijojnë pamje të kujtesës kombëtare, ashtu sikundër hasim ndonjë miniaturë të bukur lirike, pjesë meditative të pastra në dramën intime të individit, ku ndonjë tregim ngërthen edhe elemente të një strukture dramatike. Dendësia e imazhit i karakterizon të gjitha tregimet, teksa personazhet rrëfyes të tyre janë rrëfimtarë të përmbajtur.
Mënyra e jetës dhe e traditave të rajonit mirditor përfshin në vetvete burimësinë e realitetit të dhënë, ngërthen frymën e situatave autentike njerëzore. Tregimet zhvillohen në kornizën e një fabule, shpesh të vendosura në një dekor mitik, evokues, ndonjëherë dhe arkaik deri tek ai urban, duke sugjeruar situata jetësore, psikologjike dhe ekzistenciale. Tregimtaria e këtij autori dëshmon për nivelin e arritur të prirjeve krijuese, për burimet e shumta e të panjohura të rrëfimit e të frymëzimit, si dhe për qasje të pasura ndaj aspekteve të realitetit dhe të formësimit tregimtar.”(7)
Një temë kaq interesante, të rrallë e të vështirë për t’u shtjelluar, ka rrokur Gj. Marku në tregimin “Këpuca e armikut”, është një novelëzë që na kujton (8) tregimin e Gj. Markut gjatë Ismail Kadaresë “Toka kufitare”, një motiv nga fusha e mbrojtjes së tokës amtare, por autori ynë e ka të dallueshme: për jetën e forcave të Sigurimit të Shtetit, kryesisht të mbrojtjes së kufirit, çka në shtetet diktatoriale shënon unazën e hekurt e të padepërtueshme për të realizuar mbylljen e një vendi e populli, siç ishte Shqipëria dhe populli shqiptar.
Jo drejtpërdrejt, por si “fshehtas”, del se qyteti verior është Shkodra, fshati kufitar është Zogaj, përtej Shirokës, po ashtu lumi Buna dhe barkat në liqenin e Shkodrës; sistemi i kohës: me punëtorë operativë, forca ushtarake të kufirit, Dega e Punëve të Brendshme – organi më i frikshëm i kohës së diktaturës dhe i Luftës së Klasave – Komiteti i Partisë, me Sekretarin e Parë, që kontrollonte gjithë jetën politike e shoqërore të një rrethi etj.
Shkrimi nis me urën e Bunës, kur mbi të kalon një makinë me drita të fikura… shenjë e një veprimi sekret të shtetit… Gjithçka në qytetin e Veriut ishte vënë në lëvizje, dhe një telefonatë kishte zgjuar edhe Kryetarin e DPB-së; e gjithë zona kufitare ishte ngritur në alarm:
“Në piramidën 13 një ushtar symprehtë kishte mbërritur të ndeshej dhëmb për dhëmb me armiqtë që nuk kishin mundur ta mposhtnin! Ushtari i kishte mundur, paralizuar e pastaj asgjësuar! Do ta propozoj për dekorim atë ushtar syshqiponjë… ai ka treguar dhe ka bërë një akt të mrekullueshëm trimërie dhe është besnik i Partisë!”
Në këtë gjendje euforie për fitoren në mbrojtjen e kufirit, Kryetari i DPB-së u gjend para trupit të një gomari fatngratë, që kishte guxuar të kruante kurrizin në telat e kufirit, dhe pastaj ishte zbrazur mbi të një karikator e tërë me fishekë… Vështrimi i Kryetarit të Degës u ndal tek operativi i zonës, që vuri buzën në gaz gjithë ironi…!
Këtu lind një konflikt, një ndeshje mendimi midis eprorit ushtarak dhe të riut në detyrën e tij, i cili qëndron në vlerësimin e çështjes, duke e quajtur si punë të ngutur e krejt të pastudiuar, dhe duke u shfajësuar për çka kishte ndodhur dhe ishte përcjellë jo sipas rregullave të detyrës ushtarake.
Eprori, kuadër i lartë shteti, kalon në vërejtje për të riun operativ, i bën presion, arrin edhe ta fyejë, ta kërcënojë, por operativi qëndron në drejtësinë e tij, sipas përgatitjes speciale që ka mësuar në shkollë, mban qëndrim të denjë edhe në mbledhjen që organizohet për ta kritikuar, deri edhe para Sekretarit të Parë, i cili arrin ta kuptojë se Kryetari i Degës nuk ishte në pozita serioze, kishte paragjykime ndaj të riut, gjë që u pa edhe kur ekipi i kontrollit gjen një këpucë, që s’mund të ishte e vendësve, por sipas tyre, e një shkelësi të kufirit; për këtë dhe nisin arsyetimet, konsultimet, këqyrjet e terrenit, deri edhe analizat laboratorike… gjithnjë edhe për të ngarkuar me përgjegjësi operativin, edhe me dyshimin se ai ka kurdisur diçka…!
“Ekspertizat” e këpucës tregojnë se ajo ishte e djalit të një fshatari – student në Tiranë – që kishte ardhur në shtëpi në sezon provimi dhe shpjegoi se këpucët, e dyshuara si këpucë diversanti që mund të organizonte atentate të Numrit Një në Tiranë, i paskësh blerë në Tiranë, në dyqanin me okazion…!
Fundi i ngjarjes, që merr edhe tone ironie për Kryetarin e DPB-së, del edhe në fragmentin e zgjedhur:
Fragment
“Makina kaloi pranë shtëpisë së pushimit të pionierëve dhe u drejtua në një zonë të papopulluar, ku gjendej një pikë e vogël e rëndësishme, ajo e Zogajve, në breg të liqenit. Zona ishte rrethuar me ushtarë të shumtë. Një varkë u afrua në breg dhe, pasi u ngjit në të Kryetari, operativi i ri, dy ushtarë të armatosur dhe dy oficerë të kufirit, ajo filloi të lundrojë në ujë. Disa varka të tjera e ndoqën nga mbrapa, ndërsa prozhektorët që nga bregu ndriçonin territorin para tyre disa metra, duke i lënë varkat në errësirë. Kur mbërritën tek trupat, panë se ishin dy derra të egër. Operativi i ri zgjati dorën dhe e kapi njërin për veshi. Qeshi këtë radhë me të madhe dhe i tha ushtarit: – I bëshëm, apo jo?!
Kryetari nuk e deshi veten. Makina mori tatëpjetë bregut të liqenit, pastaj rrjedhës së lumit, mu aty ku ishte ndërtuar e vetmja urë, që hapej sa herë kalonin anijet dhe futeshin në liqen. Kaloi dhe fabrika e çimentos, edhe fshati i parë, i dytë dhe po i afroheshin kufirit. Një autokolonë makinash u gjend përballë makinës ku ndodhej operativi, i cili ndaloi e zbriti. Prozhektorët ndriçuan fytyrën e tij… Kështu operativi shkoi në Tiranë pa lejën e Kryetarit, ndërsa ai përgatiste shkarkimin zyrtar. Operativi i kreu të gjitha hetimet e duhura dhe përpiloi një raport të hollësishëm. Të gjithë kishin mbetur të shtangur kur ai kishte nxjerrë këpucën e vjetër dhe fakti se nuk kishte shkelës kufiri… Shpejt kohët ndryshuan dhe ajo periudhë perëndoi. Operativi emigroi dhe u shkollua në një akademi artesh duke u bërë piktor, ndërsa Kryetari përfundoi në burg.”(9)
U përzgjodhën disa tema prej kësaj tube me tregime të autorit tonë; të tjerët, që janë më të bukur, le t’ia lëmë lexuesit, t’i çmojë e vlerësojë çfarë ka arritur shkrimtari të sjellë nga krijimet e tij…
Literatura e perdorur
1. Gjon Marku, Një natë mbret në një vend tjetër – tregime, botues Mirgeeralb, Tiranë, 2011.
2. Gjon Marku, Një natë mbret në një vend tjetër – tregime, botues Mirgeeralb, Tiranë, 2011, f. 79.
3. Po ai, po aty, f. 80.
4. Po ai, po aty, f. 34–35.
5. Po ai, po aty, f. 36.
6. Po ai, po aty, f. 47–49.
7. Prend Buzhala, “Vëllimi me tregime Mëkati përtej detit i Gjon Markut”, f. 1.
8. Gjon Marku, Një natë mbret në një vend tjetër, botues Mirdita, Tiranë, 2015, f. 57–77.
9. Gjon Marku, Një natë mbret në një vend tjetër – tregime, botues Mirgeeralb, Tiranë, 2011, f. 57–77.
Dërgoi për publikim, Kosta Prendi











