Marrëveshja Zogu-Pashiq 1924, dritëhije mbi autenticitetin e dokumentit, nga Emine Bakalli

0
Ahmet Zogu

[ Shkarko Studimin nga Emine Bakalli, në PDF, 29 faqe ]

Historiani Kastriot Dervishi ma dërgoi këtë material nga revista Studime Historike, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, në lidhje me një sqarim të ri nga historiania e Universitetit të Prishinës, prof. Emine Bakalli, rreth Marrëveshjes Zogu-Pashiq të vitit 1924, prej 16 pikave. A ekziston një dokument autentik i kësaj marrëveshjeje?

Hisoriania nga Kosova, Emine Bakaloi sqaron:

Në fakt, “Gjashtëmbëdhjetë Pikëshi” u publikua për herë të parë në vitin 1967, nga historiani italian Pietro Pastoreli në një studim voluminoz, që ka të bëjë me rrjedhat paraprijëse diplomatike të Paktit të Dytë të Tiranës të 22 nëntor 192711, natyrisht me një analizë përcjellëse.

Ky autor precizon se shërbimit diplomatik të Romës (atasheut ushtarak italian në Beograd, Sebastino Praksa, në nëntor 1926 dhe të ngarkuarit me punë italian në Shqipëri Tomaso Assereti, pak më vonë) i kishte rënë në dorë një përmbajtje identike për një marrëveshje Zogu-Pashiq të gushtit 1924, prej gjashtëmbëdhjetë pikash. Pastoreli shpreh rezerva jo të
vogla për autenticitetin e këtij dokumenti, pra dhe përmbajtjes së tij, për shumë arsye duke u nisur që nga vetë mënyra se si i ishte servirur shërbimit diplomatik italian. “Nuk do të jetë asnjëherë e lehtë të vendosësh nëse marrëveshja të ketë ndodhur me të vërtetë. Është shumë e dyshimtë që Kontarini të ketë besuar në ekzistencën e saj, Musolini nëse nuk ka qenë krejtësisht i bindur, të paktën e konsideronte të mundshme…12. Prandaj, ky autor flet për një “marrëveshje të supozuar13.


11. Pietro Pastorelli, Italia e Albania 1924-1927, Origini diplomatiche del Trattato di
Tirana del 22 novembre 1927, Firenze: 1967. Është fjala për Paktin e Dytë të Tiranës
me karakter ushtarak.
12. Po aty, f. 221.
13. Po aty.

Por ajo që është krejt e qartë, qoftë për një historian fare fillestar, është se njëfaqëshi prej
gjashtëmbëdhjetë pikash në italisht nuk mund të ketë status dokumenti zyrtar apo status kopjeje autentike të ndonjë dokumenti zyrtar. Në krye të fletës evidencohet sa vijon: “ESTRATTO Copia dell’ intesa conclusa a Belgrado nell’ Agosto 1924 tra il PRESIDENTE PACHICH ed AHMET ZOGU”. Pasojnë 16 pika po në italisht. Sigurisht që një marrëveshje
Beograd-Tiranë (midis një shqiptari e një serbi), nuk do të kishte italishten si gjuhë dhe as që do të kishte nevojë përkthimi për shërbimin italian të një dokumenti që po të ishte autentik si zakonisht do të ishte në frëngjisht. Përveç kësaj, dokumenti autentik do të kishte edhe një varg shenjash dalluese të një marrëveshjeje ndërmjet dy palëve, duke filluar me ballinën e dokumentit dhe duke përfunduar me emrat e autoriteteve përfaqësuese ku do të duhej të figuronte dhe nënshkrimi përkatës. Po kështu, një pjesë e “titullit” është veçuar me germa të mëdha:  ESTRATTO dhe PRESIDENTE PACHICH, por ama as që ai është një “estratto” autentike dhe as që Nikolla Pashiqi në atë kohë ka qenë “il presidente”.

Kurse historiani Kristo Frashëri, çështjen e “Marrëveshjes Zogu-Pashiq” e trajton në librin e tij “Ahmet Zogu – Vështrim historik” (2014), libër të cilin e konsideron si kontribut në debatin “që po zhvillohet këto kohët e fundit rreth Ahmet Zogut…”24.
Marrëveshja e Ahmet Zogut me Pashiqin dhe kundërrevolucioni zogist”. Autori në fjalë pa asnjë hezitim konstaton se: “Për të rimarrë pushtetin në Shqipëri, ai (Zogu- E. B.) u tregua i gatshëm të pranonte pa asnjë rezervë25 të gjitha kushtet që i diktoi kryeministri i qeverisë jugosllave N. Pashiqi. Kështu më 14 gusht 1924, A. Zogu nënshkroi në Beograd me Nikolla Pashiqin një marrëveshje të fshehtë, të përbërë nga 16 pika, njëra më e zezë se tjetra26.


24. K. Frashëri, Ahmet Zogu … .
25. Është interesant fraza “pa asnjë rezervë”. Po nëse megjithatë Zogu të ketë shprehur
ndonjë rezervë…
26. K. Frashëri, Ahmet Zogu …, f. 63. “Me premtimet për ndihmë që mori nga kryeministri
(!) serb Nikolla Pashiçi, sapo në fillim të gushtit (!) 1924 arriti në Beograd ai (Zogu)
deklaroi se po përgatitej të rivendoste në Shqipëri statusin ligjor(!) të përmbysur nga
kryengritësit (!) …”. Në fillim të gushtit as Nikolla Pashiqi ishte kryeministër e as që
Zogu sapo arriti në Beograd. Po kështu Zogu ka qenë shumë i matur me deklarata dhe
zakonisht ka folur për paqëndrueshmërinë e qeverisë së Fan Nolit, dhe rënien e saj të
shpejtë.

Një ndër studiuesit shqiptarë që me studimet e tij, ka mbuluar dhe marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave të kësaj periudhe është historiani dhe politikani Paskal Milo. Edhe ai ndalet në çështjen e “marrëveshjes” në fjalë. Në studimin e tij Shqipëria dhe Jugosllavia 1918-1927(1992) shpreh mendimin se “Marrëveshja është autentike”41 dhe se “Versioni që
paraqet Zh. Avramovski është i përmbledhur, ai nuk riprodhon as edhe atë çka është thënë integralisht në elaboratin e nëpunësit të Ministrisë së Jashtme jugosllave. Pra teksti i marrëveshjes midis Zogut e Pashiqit, duke kaluar përmes dy sitave, ka arritur të botohej jo i plotë … ”.42


41. P. Milo, Shqipëria dhe Jugosllavia …, f 300.
42. Po aty, f. 303.

Kushdo mund ta bëjë krahasimin e kësaj pjese-përmbajtje të këtij Elaborati me atë të “Gjashtëmbëdhjetë Pikëshit” (referenca 8) dhe të shohë sa qëndron pohimi i ithtarëve të tij se kemi të bëjmë me përmbajtje “në thelb të njëjta”. Edhe sikur t’i besojmë plotësisht këtij Elaborati në të mungon çfarëdo përmbajtje që do të shpinte në eliminimin e shtetit shqiptar. Kurse po kështu mund të bëhet dhe krahasimi me atë që ka transmetuar nga ky material Avramovski73 dhe të shihet sa qëndrojnë pohimet e këtyre historianëve për mungesën e korrektësinë profesionale të këtij autori në rastin konkret, në kuptimin se ku ta dimë për çfarë arsyesh ky ka devijuar sa i përket etikës profesionale duke reduktuar dhe
zbutur më qëllim përmbajtjen e burimit arkivor. Në fakt nuk kemi të bëjmë me asnjë gram zbutjeje. Përkundrazi, në punimin e Avramovskit hetohet terminologji decidive (e drejta, zotimi), kurse në burimin origjinal nuk ndodh kjo. Sepse, “zotimi për një çështje” dhe “marrja në shqyrtim e një çështje” nuk kanë kuptim të njëjtë. Por duhet ditur se këtu kemi të bëjmë me një përkthim dhe nuk përjashtohet se ky devijim apo sforcim terminologjik ka të bëjë me përkthyesin nga serbishtja në shqip e jo me vetë autorin.

Siç u tha më parë Avramovski ka pohuar se në arkivat jugosllavë nuk ekziston një shkresë-dokument e cila flet për një marrëveshje të Zogut me qeverinë jugosllave. Këtu nuk kemi të bëjmë me besimin e verbër të këtij autori në pohimin e autorit anonim të Elaboratit në fjalë dhe as me ndonjë prirje pozitive ndaj figurave historike si Zogu e Pashiqi, por për faktin që vetë ky studiues përgjatë hulumtimeve shumëvjeçare në arkivat jugosllavë nuk ka hasur në një burim të tillë.

Një dokument të tillë nuk ka gjetur as studiuesi tjetër i paanshëm siç është Vuk Vinaver, edhe ky hulumtues i devotshëm i fondeve të arkivave jugosllave që ruajnë burime të periudhës të ndërmjet dy Luftërave Botërore për studimet e tij që mbulojnë këtë periudhë, dhe për punimet lidhur me Shqipërinë74.


73. Zh. Avramovski, “Kontribut studimit …”. Sa është i përpiktë në transmetimin e pjesës
së Elaboratit që ka të bëjë me “një lloj “marrëveshje xhentëlmene”, shih në f. 131-132
të këtij punimi.
74. Punimet e V. Vinaver për Shqipërinë: “Anglia dhe pozita ndërkombëtare e Shqipërisë
midis dy Luftërave Botërore”, Gjurmime Albanologjike, 1, Prishtinë: 1968; “Fašizam i
jugoslavrnsko-albanski odnosi na poćetku drugog svetskog rata”, Istorijski Zapisi, 1-
2/1970; “O neuspehu jugoslavenske albanske trgovine, 1929-1934”, Gjurmime Albanologjike, 2, Prishtinë: 1969; “Çështja shqiptare në shtypin e PKJ 1919-1939”,
Gjurmime Albanologjike, I, Prishtinë: 1971.

A ka pasur qoftë edhe një “lloj marrëveshje gojore” midis A. Zogut dhe qeverisë së Beogradit në vitin 1924 në formën që paraqitet në Elaboratin e vitit 1952?
Siç u pa, Avramovski është shumë i kujdesshëm dhe flet për një “lloj “Marrëveshje xhentëllmene””, gjithnjë në thonjëza. Ndërsa kur unë po përmendja një marrëveshje gojore “midis Zogut dhe qeverisë jugosllave”75 në një punim që ishte pjesë e magjistraturës (1977) nuk mund të them se kam pasur njohuri të plota për finesat e marrëdhënieve diplomatike dhe produktet periferike të tyre, siç mund të jetë një marrëveshje gojore apo si njihet ndryshe “marrëveshje xhentëlmene”76.


75. Emine Arifi-Bakalli, Qeveria demokratike … . Në f. 247-248 të këtij punimi shih
mënyrën e transmetimin tim të pjesës së Elaboratit që ka të bëjë me këtë çështje.
76. Sintagma “Marrëveshje xhentëlmene” e cila mbulon një lloj marrëveshje mbi bazën e
vullnetit të mirë të palëve, ka nisur të përdoret nga qarqet qeverisëse të ShBA-së në
vitin 1907 në kohën e Presidentit Ruzvelt, kur midis ShBA dhe Japonisë u arrit pëlqimi
për frenimin e emigracionit ekonomik nga ky vend: që autoritetet japoneze të
vështirësonin pajisjen me pasaporta të qytetarëve të vet, ndërsa ShBA-ja premtoi se
fëmijëve të emigracionit japonez do t’u lejohej vijimi i shkollës së bashku me të tjerët.

* * *

Siç mund të kuptohet, historiania Emine Bakalli konkludon se në arkivat e Beogradit, as ajo, por as historianët serbë, apo kosovarë anti-Zogistë, nuk kanë gjetur në arkiva ndonjë dokument, që bën fjalë për një marrëveshje me shkrim në mes Zogut e Pashiqit. Kjo mendohet se ka qenë një “marrëveshje xhentëllmenësh”, sipas historianëve serbë, apo “marrëveshje gojore” sipas Emine Bakallit. Referenca për një dokument të tillë, të pavlerë reale, dhe mungesa e tij, nuk e lehtëson barrën e Zogut për dhënien e Shën Naumit.

Përgatiti Arben Çokaj
Fjala e Lirë

[ Shkarko Studimin nga Emine Bakalli, në PDF, 29 faqe ]

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.