Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha
Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII”
Një ndër përfaqësuesit më të njohur të humanizmit shqiptar, Marin Beçikemi, ishte nga Shkodra. Ai kishte lindur më 1468 në këtë qytet, për t’u bërë më pas shumë i njohur në qendrat humaniste italiane e dalmatine. Edukimin fillestar humanist autori e mori në qytetin e lindjes, një nga qendrat më të zhvilluara shqiptare që nga kohët më të hershme. Ai është pinjoll i një prej familjeve bujare të Shkodrës, të Beçikemëve e njohur për burrat luftëtarë dhe njerëz të shquar që kishte nxjerrë. I mitur Marin Beçikemi përjeton rrethimin e parë të Shkodrës më 1474, ngjarje që do të lërë mbresa të pashlyeshme në vetëdijen e tij. Para rrethimit të dytë, më 1478–79, ai largohet nga Shkodra për t’u mbrojtur në Ulqin tek familje të njohura. Rënia e Shkodrës në duar të turqve, bën që ai të kërkojë mërgimin e detyruar duke u vendosur në Itali. Atje vazhdon studimet në Breshia.
Kthehet që andej sërish në Ulqin, ku martohet me një ulqinake. Martesa celebrohet nga Martin Segoni, një humanist tjetër. Me ndarjen nga kjo jetë, në tetor të vitit 1485 të Martin Segonit, ipeshkëv i Ulqinit, Marin Beçikemi mban fjalimin mortor në varrimin e tij. Marin Beçikemi që ka përjetuar dhe parë me sytë e tij rrethimin e parë të Shkodrës, mbresat dhe kujtimet e hidhura ai do t’i shfaqë më pas në veprën e vet. Në mbrojtjen e Shkodrës kanë marrë pjesë, siç do të dëshmojë, rreth tridhjetë pjesëtarë të fisit të tij, dhe ku jep jetën i ati. Rënia e Shkodrës, që ia bën të pamundur kthimin Beçikemit, do t’i japë mbaterial jetësor për të përjetësuar veprën heroike të bashkëqytetarëve të tij në panegjerikët e tij të njohur kushtuar rrethimit të parë dhe të dytë të Shkodrës.
Studimet e larta Beçikemi i ndjek në Breshia në aulat ku jepnin mësim dy humanistë, profesorët G. Calfurnio dhe C. Barziza. Me kryerjen e tyre, më 1494, ai është ftuar për të drejtuar një shkollë letrare të orientimit humanist në Raguzë. Pranon ftesën për të shërbyer në Raguzë. Përvoja e fituar aty ka një ndikim të fuqishëm në formimin dhe përgatitjen e humanistit. Sigurisht edhe roli i tij në përhapjen e ideve humaniste është i ndjeshëm në këtë qendër të zhvilluar të bregdetit dalmatin. Në Raguzë nisi karriera e tij oratorike, që do të bëhet një nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së tij. Në Raguzë, Beçikemi boton veprën e tij të parë më 1495. Veprën ia kushton Senatit të Raguzës. Mirënjohja ndaj Senatit të Republikës së Raguzës nuk kishte vetëm arsye personale. Me të ai shprehte konsideratën për marrëdhëniet e mira të Republikës me Skënderbeun, për ndihmën dhe përkrahjen e dhënë qëndresës shqiptare, për faktin, se aty kishin gjetur strehë, mbrojtje dhe përkrahje mjaft familje shqiptare të larguara për shkak të invadimit osman.
Libri i parë i botuar i Beçikemi titullohet “Kritika dhe observime për Virgilin, Ovidin dhe Ciceronin”. Në Raguzë ai qëndron deri më 1497 për t’u kthyer sërish aty edhe herë të tjera. Edhe pse i ri në moshë, në sajë të formimit dhe të përgatitjes së fituar ai merr përsipër përgjegjësi dhe missione diplomatike. Më 1496 e gjejmë sekretar në flotën e Sinjorisë ku qëndron deri më 1499. Më 1500 në Venedik polemizon me Rexhio Rafaelon për personalitete të kulturës latine, që i njihte mirë si Ciceronin dhe Kuinitilianin. Thellohet në njohjen e kulturës romake për t’u bërë një nga njohësit e saj më të mirë. Për idetë humaniste dhe kulturën e gjerë që ka fituar me një përkushtim të rrallë ai shquhet sidomos në retorikë dhe oratori. Ai kërkohet të afrohet nga shumë universitete. Më 1501 ai fillon karrierën universitare në Universitetin e Breshias, atje ku është diplomuar. Në katedrën e lëndëve humane qëndroi deri më 1503 ku mbajti ligjërata, fjalime oratorike dhe botoi një numër të madh veprash, duke u bërë një nga humanistët më produktivë.
Më 1503 botoi në Breshia këto vepra:
• “Leksione nga Plini”, Vepra, vëll. I
• “Mjeshtëria oratorike e Ciceronit”
• “Observime për Livin e Virgijilin”
• “Komente për Persinë”
• “Libri për oratorinë dhe retorikën e Ciceronit”
Më 1504 botoi:
• “Përmbledhje observimesh të ndryshme”, Vepra, vëll. II
• “Panegjirik për Shkodrën”
Më 1504 e gjejmë në Ragužë dhe më 1505 në Venedik, si pedagog në Shkollën e Shqiptarëve (Scuola degli Albanesi) të ngritur në këtë qytet nga bashkëkombësit e tij. Kolonia shqiptare e themeluar në Venedik e rrethinant pati një organizim të mirë, sepse shqiptarët e mërguar për arsyet e njohura të pushtimit osman nuk ishin pak. Me veprat e botuara dhe me ligjëratat e tij oratorike, Beçikemi kishte fituar emër jo vetëm në mesin e shqiptarëve, por edhe në qarqet humaniste italiane e evropiane, por në të njëjtën kohë edhe shumë njerëz që e luftonin, duke nënçmuar oratorinë e tij. Botues i veprave të Beçikemit është Bernardin Vitali i mbiquajtur Albaneze (shqiptari), po ai që do të botonte veprën madhore të M. Barleti, “Historia e Skënderbeut”. Më 1508 Beçikemin e shohim në Romë, për t’u interesuar që i biri Marku të zgjidhë kanonik në kishën e Breshias.
Më 1509 e shohim në Venedik tashmë të japë mësim në shkollat e qytetit për Plinin, Ciceronin, Virgijilin. Sipas studiuesve ai shfaqte aq mjeshtëri sa “kishe qef ta shihje në debat”. Më 1517 Marin Beçikemi zgjidhet profesor në Universitetin e Padovës, në degën e arteve ku mësohej filozofia, mjekësia dhe teologjia. Ai caktohet të japë retorikën. Në Padova ai u bë i njohur si studiues e komentues i veprave të autorëve latinë por vazhdon edhe të botojë vepra. Për të ka folur me admirim një nga humanistët më të njohur të Evropës, Erazmi i Roterdamit, si dhe humanistë të tjerë si Kristof de Longaj, poeti A. Novagero, por edhe kundërshtarë të shumtë. Veprat që ai vijon të botojë janë shprehje të impenjimit dhe të rezultateve shkencore.
Më 1522 boton veprat “Retorika” dhe “Invencione” (krijime), më 1534 përmbledhjen “Tre fjalime…”, më 1525 veprën “Hymne ekleziasitke” ndërsa post mortum botohet vepra “Koment mbi letrat e Ciceronit me familjen”. Për një periudhë u zgjodh dhe anëtar i Kolegjit të Filozofëve të Padovës. Vdiq në moshën 58 vjeçare, në kulmin e jetës e të punës. Marin Beçikemi ka lëvruar mjaft panegjerikun, një gjini e lëvruar shumë gjatë Mesjetës dhe Rilindjes Evropiane sipas modeleve të panegjerikëve të letërsisë antike. Ai përfaqëson atë lloj të veçantë letrar oratorik, një fjalim mburrës kushtuar personaliteteve të shquara politike dhe të jetës kulturore. Beçikemi botoi edhe 11 panegjerikë nga të cilët kemi të përkthyer në shqip:
• Panegjerik Leonard Loredanos dhe Senatit të Venedikut
• Merita e Shkodrës ndaj Venedikut
• Rrethimi i parë i Shkodrës
• Rrethimi i dytë i Shkodrës
Këto janë edhe panegjerikët ku ai ngre lart traditat luftarake mbrojtëse të shqiptarëve por edhe mirënjohjen për bujarinë dhe mikpritjen e treguar nga Venedikasit kur shqiptarët u detyruan të kapërcenin Adriatikun dhe të vendoseshin në tokat e Venetsisë. Me mjete të retorikës klasike si pyetjet retorike që derdhen si ujëvarë e qetë në shkrimet e tij arrin të pikëzojë jo vetëm qëndresën e shqiptarëve, por edhe përkrahjen që i dha kësaj qëndrese senati i Venedikut. Ai është i motivuar të konsiderohet më mirë si gojtar i pazoti se sa mosmirënjohës ndaj asaj trimërie e sakrificave që kanë bërë shkodranët për të mbrojtur jo thjesht Shkodrën, por edhe qytetërimin evropian me tërë vlerat e tij. Ai është plotësisht i vetëdijshëm për barrën që ka marrë përsipër që nuk është aspak e lehtë që “të mos flisja si një letrar privat, por si orator i atdheut tim fatzi”.
Në panegjerikët e tij Rrethimi i parë i Shkodrës dhe Rrethimi i dytë i Shkodrës, Marin Beçikemi nuk trillon por vetëm tregon, me forcën e një mendimtari orator duke përdorur dhe vënë në funksion mënyra të shprehuri që bëjnë tregimin transparent dhe elegant. Ai di që me forcën e fjalës së tij të depërtojë në arsyet e qëndresës së shkodranëve, të trimërisë së pashembullt në mbrojtje të lirisë së etnisë. Këtë tregim të pasuruar me elemente mendimi universal, por edhe të dhënë plot hir e bukuri të mpleksur me meditim të pavarur që kurdoherë zgjon interes në zhvillimin e arsyeve të gjëra, dukurive dhe ngjarjeve ai e ka parë e dalluar më parë në mjeshtërinë e oratorëve të shquar të antikitetit, të cilët ai i sjell në vepër përmes përcaktimeve kuptimplote.
Për të përshkruar tragjedinë e këtij qyteti fatkeq, e këtyre njerëzve që nuk pyesin për rreziqet dhe pasojat e llahartshme të një luftimi jo të barabartë por midis dy palëve që nuk përputhen as në motivet e tyre, ai kërkon ndihmë nga këshilltarët e modelet e shkëlqyera të autorëve klasikë, duke e dëshmuar hapur formimin e tij humanist. “Do të duhej përroi i rrëmbyeshëm i Demostenit dhe deti i pamasë i Ciceronit për t’i qarë paksa me lot mjerimet tona”, për të cilat ai thekson se “nuk do të gjenin fjalë as Herodoti, as Tuqididi, as Livi që shkëlqen me një gojëtari aq të rrjedhshme e të kulluar”. Shquan për artin e tij sidomos panegjeriku Rrethimi i parë i Shkodrës, ku ai arrin të zgjojë tek receptuesi i çdo kohe një interes të veçantë, sepse vetë është në dilemë “Të flas apo të rri në heshtje?”.
Dhe ai ka zgjedhur pas shumë meditimeve të flasë, por të flasë jo vetëm për ata që i takojnë kohës së tij, por edhe për ata që do të vijnë më pas. Dhe si rezultat na jep një panegjerik model i artit të Rilindjes Evropiane që e ngroh ideali humanist e patriotik, shkrihet aq mrekullisht në shkrimin e tij. Ai i kishte përjetuar vetë ato ngjarje tragjike, ai e njihte mirë atë realitet. Me gjerësinë e mendimtarit ai di të shqyrtojë shkaqet e qëndresës shkodrane, prandaj dhe fjala rrjedh e furishme, skenat dhe tabllotë janë aq autentike e të gjalla, përsiatjet aq të thella dhe sugjestionuese. Qëndresa shqiptare nuk njeh kufij moshash apo sekse. Aty janë përshirë i madh dhe i vogël, pleq, fëmijë, gra, që japin një ndihmesë për t’u admiruar.
Thuhet se Marin Beçikemi ka shkruar edhe një poemë kushtuar Izabele D’Este, e cila ka humbur. I shtrënguar në moshë të re të mërgojë larg atdheut, kaloi nga një qytet në tjetrin me misionin e lartë të pedagogut humanist. Ai u shqua për kulturën e tij të gjerë. Por mbi të gjitha ruajti të pacënuar përkatësinë etnike, duke u njohur si Marin Beçikemi Shkodrani apo Epiroti (Shqiptari). Ai përfaqëson, pa dyshim, një nga personalitetet më të spikatura të Rilindjes Evropiane, një nga shkrimtarët e historianët më të shquar shqiptarë, të njohur nga studiues të huaj dhe shqiptarë, të çmuar në shumë botime për humanizmin dhe Rilindjen në Evropë.


