Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha
Sadoqë për të është shkruar dhe vazhdon të shkruhet brenda dhe jashtë Shqipërisë, faktet që hedhin dritë mbi jetën dhe veprën e humanistit, fare pak kanë ndryshuar. Edhe në stadin që kanë arritur studimet letrare e historike tabloja e të dhënave nuk ka ndryshuar. Dhe ato të dhëna janë nxjerrë nga leximi i vemendshëm i veprave të historianit dhe shkrimtarit humanist. Me këto të dhëna dhe me hulumtime të tjera të tërthorta është bërë e mundur të skicohet biografia e Marin Barletit.
Marin Barleti ishte shqiptar nga Shkodra. Në veprën e tij “Historia e Skënderbeut” ai pohon qartë këtë kur thotë “Shkodra ime”. Disa studiues të huaj duke u nisur nga mbiemri Barleti e lidhin me qytetin Barletta të Italisë (Nikola Jorga, studiues rumun), ndërsa të tjerë duke u nisur nga niveli i kulturës humaniste, kanë hedhur versionin se ai mund të jetë italian (Francisko Pali, studiues rumun). Lidhur me gjenezën e mbiemrit, ka sjellë një ndihmesë të vyer Prof. Eqrem Çabej, që e lidh etimologjinë e tij me mbiemrat Bardheci, Barleci, i njohur si patronim në Veriun e Shqipërisë, ose që ka lidhje, gjithnjë sipas Çabejt, me lumin Bardheti (Pukë). Lidhur me argumentin e F. Palit se vepra dëshmon një nivel të lartë dituror e letrar, mund të thuhet se vepra e tij përmban aq argumenta të drejtëpërdrejta që hedhin dritë në të mirët të tezës që Barleti është bir i Shkodrës dhe i Shqipërisë.
Le të sjellim disa argumenta. Në veprat e tij, ai thekson se nuk mund “të hesht për Shkodrën time”, “se unë isha një spektator jo i huaj i lumturisë e dikushme”, “kur fati e solli të mbaja armët e pafat për të mbrojtur atdheun nga kujtimi i të cilit unë përtrihem për mrekulli, por dhe per të cilën s’mund të shkruaj pa lot në sy”, si “edhe fuqia e dashurisë ndaj atdheut, për të cilin me arsye e më të drejta çdo qytetar e ka për detyrë të derdhë edhe gjakun deri në pikën e fundit”, ose “…këtej kisha frikë se mos dënohesh si njeri i keq po t’i mohoja atdheut diçka të drejtë e të ndershme që ai kërkonte prej meje”, si dhe “…kur m’u kujtua jo vetëm fatkeqësia e madhe e atdheut tim aq të dashur”.

Nga biografia e tij dimë që ka jetuar në gjysmën e dytë të shek. XV dhe 10-15 vitet e para të shekullit XVI. Sipas të gjitha gjasave në rrethimin e parë të Shkodrës më 1474 ka qenë në moshë të rritur, ndërsa në të dytin, siç dëshmon në veprën e tij, ka luftuar me armë përkrah bashkëqytetarëve të tij. Ndërmjet të dhënave të tërthorta me interes për jetën e Marin Barletit është edhe mendimi i shfaqur nga studiuesi Francesk Pali i cili i ka kushtuar një vepër humanistit tonë (Marin Barleti, një historian humanist – Bukuresht 1938), që pohon se Marini është shkolluar në atdhe në Shkodër, në një mjedis të ditur e të kulturuar dhe se më vonë në Itali ai e plotësoi kulturën që kishte marrë në Shqipëri dhe u njoh nga afër me rrymat kulturore shkencore të kohës.
Kultura që mori Marini në qytetin e lindjes si dhe bashkëkohës të tjerë, flasin shumë për zhvillimin kulturor të kësaj qendre qytetare në Mesjetën paranosmane.Ne ate kohe shumë shkrues dhe noterë shkodranë punonin në qendrat të mëdha si në Dalmati, si dhe shumë mjeshtër dhe artizanë punojne në Ballkan dhe në Gadishullin e Apenineve. Për nivelin qytetar të Shkodrës flasin edhe kronikat dhe analet që ka shfrytëzuar Barleti. Në biografinë e Barletit përmendet koha e largimit të tij nga Shkodra, me rënien e saj në duar të turqve me dorëzimin nga Venedikasit, më 1479. Me vendosjen në Itali jetoi në Venedik dhe në Romë. Qe prift. Por tregues të rëndësishëm të biografisë së tij krijuese janë dy veprat e tij “Rrethimi i Shkodrës” dhe “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut”, botuar e para në Venedik më 1504 dhe tjetra në Romë më 1506–1510. Si dhe një vepër e tretë e papërfunduar mbi jetën e papëve dhe perandorëve, që u botua si vepër postmortum më 1555.

Thuhet se ka vdekur para vitit 1513. Është e vështirë të përcaktohet me saktësi viti. Më 10 janar 1504 u përfundua së shtypuri “Rrethimi i Shkodrës“. Për hollësitë që paraqet vepra në përshkrimin e ngjarjeve që lidhen me mbrojtjen e qytetit nga sulmet osmane, me të drejtë është menduar se ajo është krijuar mbi bazën e një ditari që Barleti e ka mbajtur që në atdhe duke u mbështetur edhe në dëshmitë dhe kujtesën e mërgimtarëve që i kanë përjetuar ato ngjarje. Vepra, siç thuhet, ishte përfunduar që më 1503. Për vlerat e saj autentike historike por edhe për frymën e fuqishme humaniste, ajo pati ribotime dhe përkthime në disa gjuhë evropiane. Por në të njëjtën kohë ajo u bë burim frymëzimi dhe krijimi të aq veprave letrare, artistike e historike. Veprat e Barletit u shkruan në latinisht, që ishte gjuhë evropiane e kulturës. Kjo veçori dhe të tjera që i vendos në panteonin kulturor evropian nuk i përjashton nga panteoni kombëtar. Vlera e dyfishtë e tyre dëshmon për karakterin e sistemit të vlerave të artit të kohës që nuk ekzistonin përveçse në mënyrë të pandarë nga vlerat diturore, shkencore e historike, midis të cilave vështirë të vendosësh kufij të prerë e të qëndrueshëm, për shkak të kapërcimit të këtyre kufijve të ndërthurjes të vlerave artistike me ato diturore, në rastin konkret të vlerave historike me ato letrare. Veprat e Barletit patën jehonë të jashtëzakonshme dhe horizont pritjeje e miratim të gjerë evropian.
Në gjuhën e origjinalit (latinisht) “Rrethimi i Shkodrës” u ribotua më 1556, dhe më 1566 në Bazel të Zvicrës, më 1578 dhe 1596 në Frankfurt mbi Majn (Gjermani), ndërsa u përkthye në italisht (1565), në Poloni (1569), në Francë (1576) etj. Si historian e shkrimtar i kohës së vet, Marin Barleti nuk është mjaftuar me kujtimet personale por ka shfrytëzuar, siç dëshmon, vepra të shkruara, si përshkrimet e rrethimit të parë të Shkodrës nga Gjergj Merula dhe Marin Beçikemi. Vepra ka një përmbajtje të saktë dhe formon burimin kryesor për të njohur kryesisht rrethimin e dytë të Shkodrës. Me sa thuhet, kjo vepër si dhe të tjerat u shfrytëzuan gjerësisht në Shkollën e Shqiptarëve në Venedik. Frymëzues për autorin qe Pjetër Engjëlli. Ai, ashtu si Barleti, kishte marrë pjesë aktive në mbrojtjen e Shkodrës. Për autorin humanist, mbrojtja e Shkodrës është akti i fundit i eposit të shqiptarëve nën drejtimin e Skënderbeut; ajo ishte pjesë jo vetëm e eposit shqiptar por edhe asaj evropiane për të shpëtuar qytetërimin evropian. Shkodra, pas vdekjes së Skënderbeut ishte nyja më e rëndësishme e Shqipërisë Veriore, e rrethuar nga kështjella të tjera të vogla si ajo e Danjes, e Drishtit dhe e Zhabjakut, që së bashku me keshtjellen e Krujes dhe te Lezhes,ende të papushtuara përbënin një zinxhir të fortë mbrojtjeje. Vetë sulltani e konsideronte Shkodrën kryefortesën shqiptare dhe për marrjen e saj angazhoi forca dhe armatime të panumërta. Mbrojtja e Shkodrës më 1474, në rrethimin e parë, shënoi fitoren e shkodranëve.
Për këtë Barleti shkruan: “Atëherë shkodranët fituan nam e lavdi të pavdekshme për këtë fitore të lartë e të shkëlqyeshme”. Fitorja e mbrojtësve të Shkodrës në rrethimin e parë u prit me brohoritje kudo në Evropën Perëndimore, po veçanërisht në Apeninet dhe bëmat e tyre tregoheshin si legjenda. Disa përfaqësues të shquar të Rilindjes Evropiane i kushtuan vepra kësaj mbrojtjeje heroike. Piktori i Rilindjes italiane Paolo Veroneze e përjetësoi në dy tablo të mëdha mbrojtjen e Shkodrës, ndërkohë që poeti Xh. Filelfo i kushtoi një poemë shumë të bukur. Kështu tema e mbrojtjes së Shkodrës hyri në veprat e artit dhe të letërsisë së Rilindjes. Por shtytjen e parë kësaj teme aq të trajtuar ia dhanë përshkrimet e gjalla të Marin Barletit dhe të Marin Beçikemit. Vepra “Rrethimi i Shkodrës” ndahet në tre kapituj apo libra. Në të parin flitet për origjinën e turqve, për sulltanët që kishin sunduar deri tek Mehmeti i dytë, për sulmet e tyre në Ballkan. Në këtë libër paraqet interes përshkrimi i Shqipërisë dhe viseve të saj, tregohet origjina dhe historia e Shkodrës në bazë të dokumenteve dhe autorëve të vjetër latinë, në bazë të gojëdhënës si dhe jepet një përshkrim i qytetit dhe i rrethinave. Në librin (kapitullin) e dytë e të tretë ai përshkruan veprimet e luftëtarëve shkodranë me një stil të shkathët tregimtar.
Në kapitullin e tretë flitet për vendimin e Sulltanit që të mbajë të rrethuar kështjellën derisa të dorëzohen të rrethuarit. Por me ndërmjetësimin e Venedikut, në mars të vitit 1479 kështjella dorëzohet me kusht që të rrethuarit të largohen të lirë. Marin Barleti jo vetëm hulumtues por edhe dëshmitar dhe pjesëmarrës i vetmohimit të qytetarëve dhe fshatarëve të Shkodrës jep skena të gjalla të heroizmit të pashembullt. Kjo vepër me të drejtë është konsideruar një himn që i ngrihej heroizmit shqiptar, meritave të padiskutueshme të shkodranëve. Ai krijon atmosferën autentike të luftës, na jep detaje e hollësi shprehëse të vendosmërisë dhe të sakrifikimit të jetës për atdhe, sulmet e njëpasnjëshme të turqve, tmerrët e gjauatjes me gjyle, skenat ku biri apo bija bie heroikisht në sytë e prindërve apo babai në sy të djalit, ku as vashat dhe gratë nuk u linin gjë mangur nga trimëria burrave janë përshkruar me emocionalitet por edhe me ndjenjë të ligjshme krenarie.
Fjalimet e Pjetër Panjanit, të fra Bartolomeut dhe të Jakob Monetës që ftojnë bashkëqytetarët të derdhet gjaku pa mëdyshje për lirinë dhe qytetin, janë përshkruar e treguar gjallërisht. Dhe triumfi është në anën e qytetarëve të Shkodrës që luftojnë për lirinë dhe të drejtën e natyrshme për të qenë zot në vatrat e tyre. Trimëria e jashtëzakonshme, heroizmi, sakrifica, vetmohimi, vendosmëria e tyre i ka bërë turqit të mendojnë se janë qenie hyjnore. Kuptimplotë është fjalimi i Ahmet Beut, që flet për të kaluarën e shqiptarëve që nga koha e Pirros, për shpirtin luftarak dhe psikologjinë e shqiptarëve që nuk përulen, nuk nënshtrhohen. Fjala “besë” ka një vlerë të veçantë. Faktet historike, vërtetësia e tyre e provuar tashmë dhe nga hulumtimet në arkivat osmane dhe venedikase, i japin një vlerë të veçantë veprës në aspektin historik, por ajo ka po aq vlerë për të njohur edhe parimet krijuese të Barletit, që nuk i njeh vetes vetëm rolin e kronikanit dhe regjistruesit të ngjarjeve, sado të jashtëzakonshme qofshin ato. Siç ndodh në praktikën krijuese humaniste, ai ka futur në vepër edhe shumë elemente “fiktion” dhe këto në mënyrën më të natyrshme për kohën.
Një rëndësi të veçantë në kuptimin e koncepteve të Barletit si humanist ka parathënia e veprës “Rrethimi i Shkodrës” që e parë në optikën dhe perspektivën e sotme të leximit, ka vlerën e një teksti estetik dhe një minitraktati të humanizmit. Nëse parathënia i kushtohet Dukës së Venedikut, Leonard Loredanos, çfarë shpjegohet nga konjukturat politike të Shkodrës, që ishte nën protektoratin venedikas para rënies në duar të turqve, përveç këtij konteksti historik, kjo parathënie ka vlerën e një teksti teorik-letrar humanist. Përveç arsyetimeve të Marin Barletit si atdhetar që nuk mund të mposhtë ndjenjën e detyrimit të thellë që ndjen ndaj vendit që i përket, për të cilin ai më së miri është në veprat e tij, por edhe në këtë vepër të parë të tij është shprehur se kurrë nuk duhet menduar se është bërë shumë, se janë bërë shumë mundime, ai shprehet se nuk do të mund të qëndronte indiferent edhe pse ka ngurruar për një kohë të gjatë “duke bluar në mendje se deri në ç’pikë arrinte aftësia ime si njeri dhe fuqia e dashurisë ndaj atdheut, për të cilin me arsye e me të drejtë çdo qytetar e ka për detyrë të derdhë edhe pikën e fundit të gjakut”, dëshmon se “nuk kisha mundësi të bëja veshin shurdh ndershmërisht përpara atij vendi aq të dashur prej meje”, ku zë fill kulti për atdheun në letërsinë shqiptare, një nga shtyllat e fuqishme që do të kultivohet në shekujt e mëpastajmë deri në kohën e sotme. Tema e madhe e atdheut e shfaqur në veprat e para të letërsisë shqiptare është ndëthurur me motivet humaniste që e shtynë autorin e talentuar të marrë penën në dorë dhe barrën e rëndë të përjetësimit të lavdisë e të ngadhënjimit shqiptar. Në këtë parathënie të veprës së parë, Barleti ka shpërfaqur qartësisht ndërgjegjen e tij humaniste sepse flet që në fillim për vepra, histori, ngjarje të hidhura e të jashtëzakonshme në historinë e njerëzimit.
Të tillë për Barletin janë edhe mbrojtja e Shkodrës, por edhe jeta dhe veprat e Heroit Kombëtar Shqiptar, Skënderbeut, pra lëndën e veprave e merr nga historia njerëzore duke trajtuar ngjarje dhe personalitete historike që i ofronte atdheu i vet. Në këtë vështrim, siç janë shprehur shumë studiues, argument apo subjekt më të përshtatshëm dhe më të favorshëm zor se mund të gjente humanisti i Rilindjes Evropiane, M. Barleti, se ai që zgjodhi për veprat e veta. Por parathënia ka edhe vlerën e shpalimit të parimeve krijuese të humanistit, të laboratorit apo kodit të tij krijues. Ai është nga të parët në historinë e mendimit letrar shqiptar, që hedh idenë “e përjetësimit me anë të penës” duke shprehur dëshirën dhe motivin e madh humanist në fushën e dijes për ta përjetësuar veprën e bashkatdhetarëve të tij në një “përmendore letrare” dhe e gjitha kjo që ngjarjet e dhimbshme dhe të jashtëzakonshme të hyjnë në kujtesën e kombit, “merita këto që në asnjë mënyrë s’duhen lënë në harresë, pse do të ishte mosmirënjohje, biles mund të japin material të shkëlqyer për të shkruar”. Dhe këtë ai e kryen me qëllimin humanist që t’i shërbejë jo vetëm kohës së tij por edhe popujve dhe kombeve të tjerë në të gjitha kohët. Në këtë parathënie ai dëshmon se është katërcipërisht nën trysninë e estetikës së Horacit, duke treguar edhe një veçori thelbësore të humanizmit, që ruante admirimin për lashtësinë greke-latine. Ai e shpreh hapur ndikimin nga Horaci, kur flet se “njeriu duhet të marrë përsipër vetëm një barrë që përshtatet shpatullave tona, pra nuk më pëlqente ta pranoja dënimin e poetit të Helikonit, në qoftë se stili im nuk do të pajtohej me stilin e zgjedhur…”
Konceptin e vet humanist ai e shfaq qartë teksa shkruan: “…fatet e ndryshme të njerëzimit duhet të përshkruhen herë me një stil e herë me një tjetër në mënyrë që shpirti i shqetësuem i atij që shkruen të ushqehet me veprën që krijon, gjithashtu t’u kënaqet shpirti edhe lexuesve” Duke u mbështetur në poetikën dhe estetikën klasike të Horacit, Barleti kërkon të pajtojë të dobishmen dhe të këndshmen që në latinisht do të mund të thuhej “Dulce et utile”. Dhe këtij parimi ai i mbetet besnik në të dy veprat e tij. Pikëpamjet e tij mbi stilin të mbështetura në estetikën klasike antike, dhe konkretisht tek Horaci e bënë autorin e parë të shquar të letërsisë sonë kombëtare që, ndonëse shkruan në një gjuhë evropiane të kulturës dhe të artit, të kontribuojë në trashëgiminë kulturore evropiane por edhe të hyjë në sistem marrje dhe dhënie vlerash në këtë trashëgimi që përbën djepin e letërsisë dhe të kulturës evropiane. Duke mos njohur dallime midis historisë dhe letërsisë, ai vjen në letërsi me ambivalencën e historianit dhe të shkrimtarit të shquar të humanizmit dhe të Rilindjes Evropiane, duke u bërë ndër prekursorët e parë të asaj lëvizje humaniste në gjirin e shoqërisë shqiptare të shek. XV, të njohur si shekulli i epopesë së shqiptarëve me në krye heroin e madh kombëtar Skënderbeun. Vepra e M. Barletit fitoi një hapësirë të gjerë receptimi kur vuri në qendër epopenë e ndritur të shqiptarëve kundër osmanëve nën udhëheqjen e Skënderbeut. Personaliteti dhe vepra e Marin Barletit nuk mund të kuptohet pa këtë vepër kryesore që i dha famë e përjetësi emrit të autorit.
Po aq i madh është shërbimi që i bëri ky historian dhe shkrimtar kombit shqiptar duke shkruar nga te paret e kombit te vet nje veper madhore monumentale kushtuar kryetrimit shqiptar të shekullit XV, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Vepra më e rëndësishme e Barletit titullohet “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis” (Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut, Princit të Epiriotëve). Barleti përdor etnonimin Epir dhe Epiriot për të dalluar përkatësinë e veçantë kombëtare të Skënderbeut. Kështu do të vepronin edhe shkrimtarët të tjerë më pas. Librin, siç e pohon vetë në parathënie, e shkroi nga dashuria, nderimi dhe magjepsja që krijoi figura dhe vepra e Skënderbeut. “Historia…” është një vepër e vëllimshme. Ajo ndahet në dy pjesë dhe ka 13 libra, siç quheshin atëherë kapitujt. Barleti e përshkruan jetën dhe veprat e heroit që nga koha kur qëndronte peng në oborr të sulltanit dhe deri në vdekjen e tij në Lezhë. Veprën e shkruan latinisht, siç thamë më lart, gjuhë e shkencës dhe e kulturës atë kohë, në Mesjetë. Ajo pati një horizont pritjeje të gjerë evropian. Siç e thotë edhe në parathënie, ai ndjeu një nxitje të brendshme që nuk mund ta mposhte dot, veç po të donte të tradhtonte me turp atdheun dhe atë që ai kërkonte prej tij. Ai kishte pritur gjatë, ndonëse jo pa përvojë, një jetë për të më e zonja, më e aftë të merrte këtë nismë, ose siç shprehet ai “një penë më me fat”.
Vepra u shkrua mbi bazën e kujtimeve personale, por edhe mbi burimin e kërkimeve dhe hulumtimeve në gjirin e atyre që ai i quante dëshmitarë “okularë” të ngjarjeve. Ai nuk le jashte vemendjes, si intelektual i formuar që është, edhe burimet e shkruara, kronika të ndryshme mesjetare, vepra etj. Siç dihet, ajo pati një pritje të rrallë për kohën që e bëri autorin por po kaq heroin tone të pavdekshëm. Siç e thote vetë, siç janë shprehur edhe të tjerët më pas, ai ngriti “nje monument letrar” heroit tonë kombëtar, thuri një epope ne proze, të denjë për një luftëtar të madh dhe udhëheqës të suksesshëm siç ishte Skënderbeu. Bota intelektuale evropiane do ta miratonte veprën e autorit shqiptar. Përveç botimit të parë që u bë midis viteve 1508–1510 në Romë, nga Bernardin Vitali, shqiptar tipograf që kishte shpërndarë edhe “Rrethimin e Shkodrës” në Venedik. Ajo është ribotuar edhe tri herë në latinisht: më 1537 në Strasburg, më 1578 në Frankfurt mbi Main dhe më 1743 në Zagreb. Është përkthyer e përshtatur në gjermanisht (7 botime), italisht (4 botime), polonisht, portugalisht, frëngjisht, spanjisht, anglisht, rusisht, suedisht, greqisht, etj. Si të gjithë bashkëkohësit e tij, megjithëqe trajtesë historike veprën e tij, do ta mvishte me vlera letrare.
Për këtë Barleti ka qenë i vetëdijshëm. Si i tillë është çmuar nga bashkëkohësit. Në shekujt e mëvonshëm ajo që ka qenë vlerë për kohën e tij, nuk është konsideruar si e tillë. Ndaj saj është mbajtur qëndrim kritik dhe i janë bërë vërejtje. Dhe do të duhej të hulumtoheshin arkivat venedikas dhe osmane që të provohej se vepra e tij, siç shkruan F.S. Noli, nuk është bazuar në trillime. Është më se e vërtetë se ajo edhe sot e gjithë ditën mbetet burimi i vetëm më i plotë dhe më autentik i shkruar nga një bashkëkombës i tij si M. Barleti që përveçse një historian apo historiograf, është edhe siç mund dhe duhet pritur, një shkrimtar i talentuar. Duke synuar, siç e thotë titulli, të jetë një trajtesë historike apo histori, ajo nuk është një vepër e mirëfilltë letrare, por ka e përmban mjaft vlera artistike e letrare të pranueshme për kohën kur u shkrua. Duke qenë në të njëjtën kohë edhe vepër historike edhe letrare, ajo është, në kuptimin e sotëm dhe perspektivën e leximit, as vepër historike, as vepër letrare. Sigurisht ajo do pranuar ashtu siç është, si produkt i kohës së vet, si vepër ambivalente dhe si e tillë ajo ka zënë tashmë vendin e veprës më të shquar të letërsisë së hershme shqiptare.
Fakti që ajo u shkrua në latinisht dhe qarkulloi për disa shekuj në këtë gjuhë nuk përbën ndonjë fenomen të panjohur për kulturën evropiane, përkundrazi ajo është një fenomen i zakonshëm i kohës së vet, i lëvizjes humaniste dhe Rilindjes Evropiane që ndeshet edhe në letërsinë angleze, franceze, etj. “Historia e Skënderbeut” e Barletit ka vlera të njohura historike por ajo është në të njëjtën kohë edhe vepër përfaqësuese e lëvizjes humaniste dhe Rilindjes Evropiane. Dhe për këtë vepër Barleti, siç janë shprehur të gjithë studiuesit, nuk do të mund të zgjidhte subjekt më të përshtatshëm për të manifestuar entuziazmin humanist, vlerësimin dhe konsideratën më të lartë për qenien njerëzore, që ishte një qëndrim opozitar dhe sfidë ndaj shekujve të gjatë të Mesjetës. Si mendim, që përfaqësonte forcën shoqërore të re, borgjezinë me idealet e saj progresiste, Humanizmi, do të hapte në historinë botërore siparin e Kohës së Re që do të sillte aq ndryshime në jetën materiale dhe shpirtërore të njerëzimit. Ajo pa atakuar pushtetin hyjnor, njihte dhe çmonte aftësitë e qenies njerëzore, forcën dhe vullnetin, bukurinë fizike e shpirtërore të saj.
Një evolucion të paparë humanizmi shënoi në gjithë jetën shpirtërore të njerëzve dhe sidomos në sferën e krijimtarisë letrare. Frymëzimin e tyre për mundësitë e njeriut, humanistët e mbështetnin në adhurimin e botës së lashtësisë greko-romake. Ata çmonin shumë të drejtën e natyrshme të njeriut për të jetuar i lirë pa paragjykime dhe tabu të sajuara. Në këtë kuadër, në këtë klimë që zgjoi lëvizjen humaniste, mund të kuptohen fare mirë idetë e Barletit, që gjetën mishërim në veprat e tij. Me ndjenjat dhe mendimet e tij ai na shfaqet një përfaqësues tipik, i shquar i Rilindjes Europiane. Në veprën e tij madhore, duke vënë në qendër epopenë e popullit të vet kundër hordhive osmane, duke ngritur monumentin historik e letrar të heroit shqiptar të shekullit XV, Barleti do të lëvizte natyrshëm, pa u sforcuar në dy rrugë: në atë të humanizmit dhe të patriotizmit, duke shkrirë ato në një subjekt të vetëm, nga ku ai merr hapësirë të cmojë lart lirine e mendjes dhe personalitetit njerëzor që është i aftë të bëjë mrekullira. Për historinë dhe shkrimtarin humanist, epopeja shqiptare skënderbegiane është shembulli më i shkëlqyer për të treguar se çfarë është i zoti të bëjë një individ apo një komunitet kur lufton për një qëllim të shenjtë siç është liria.
Sipas Barletit “aty ku është kërkesa për liri, aty është edhe e drejta”. Në veprën për Skënderbeun ka ndertuar kultin e lirisë që zotëron veprën. Ajo që i dallon shqiptarët është pikërisht lufta për liri, që i jep përmasë epopeje luftës së tyre. Me stilin e tij plot vlera letrare, ai shkruan për kohën e Skënderbeut si një kohë, kur: “…te gjithë kishin ne goje lirine… kudo oshëtinte emri i ëmbël i saj”. Zotimi i Skënderbeut në mbrojtje të lirisë e ka përjetësuar veprën e tij në historinë e shqiptarëve. Barleti entuziast i veprës së shqiptarëve me në krye Skënderbeun, ka artikuluar mendime që i bëjnë nder një letërsie në fillimet e veta, siç qe letërsia shqiptare. Fjalët: “Kryeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin kurrë nuk duhet të turpëroheni se keni derdhur tepër gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër” mund të qëndrojnë në krye të çdo antologjie letrare të një populli të madh apo të vogël, me një tingull të përbashkët dhe përmbajtje universale. Barleti e adhuron Skënderbeun sepse sheh e gjen tek ai një mbrojtës të flaktë të atdheut e të lirisë së tij, e quan atë “çlirimtar dhe hakmarrës të lirisë”.
Në personalitetin e Skënderbeut, Barleti zbulon aq vlera dhe e paraqet të bukurën, të madhërishmen që ai përfaqëson fizikisht e shpirtërisht. Adhurues i zjarrtë i lirisë dhe i luftërave të drejta, ai di të urrejë ata që shkelin lirinë dhe u kundërvihen luftërave të drejta. Duke i qëndruar besnik të vërtetës, të cilën Barleti e çmon si njërën nga kërkesat themelore të historiografisë, ai ka vënë në gojën e kryetrimit shqiptar fjalë që shprehin një kuptim të thellë disa planesh. “Ne – u thotë Skënderbeu ushtarëve të vet në rrethimin e Beratit – s‘kërkojmë ndonjë gjë të huaj”. Ai mbron me forcë vetëm zotërimet shqiptare, truallin ku jetojnë prej shekujsh shqiptarët. Ai mbrojti deri në fund parimin e luftës së drejtë që bëjnë shqiptarët: “Unë nuk flas (…) me njerëz që i mohojnë luftërat e drejta”, shpreh qartë qëndrimin e tij heroi. Në portretin moral dhe fizik të heroit, Barleti me stilin e tij të hovshëm e plot patos ka derdhur shumë hire që e bëjnë atë të përsosur si njeri, luftëtar dhe prijës. Ai është trim dhe strateg i rrallë, i afërt dhe i dashur e komunikues me ushtarët, i rreptë dhe i pamëshirshëm me ata që shkelin të drejtën dhe lirinë e tjetrit. Trimërinë e tij të jashtëzakonshme e njohin miqtë dhe armiqtë, por ai është zemërgjerë dhe tepër i butë në marrëdhënie me të vetët.
Ai e urren skllavërin, Duke i qëndruar besnik së vërtetës historike, Barleti ka krijuar portretin e një prijësi humanist, ai ka ndërtuar historinë e jetës dhe të veprave të Skënderbeut duke futur në funksion edhe fantazinë krijuese që bëri që heroi kombëtar të ndriçojë me dritën e një personazhi të letërsisë humaniste. Fakti që në gojën e tij, Barleti ka vënë fjalime, letra që mund të mos jenë shkruar e shqiptuar kurrë pikë për pikë, por ata kurrsesi nuk ia ulin vlerën shkencore veprës së tij, por përkundrazi lëvizin brenda konceptit të tij për historinë dhe letërsinë që ai nuk i njeh të diferencuara, ato lëvizin sipas logjikës dhe parimit estetik të Horacit që ka përvetësuar që për të qenë i dobishëm e i kuptueshëm duhet të kesh dhe një formë e stil të këndshëm. Pikërisht këtë kishte parasysh Noli kur thotë për Barletin “Këndon liksht (dobët) por ka zë të bukur”, ose kur thekson ndonjë element “fiktion” në vepër, që sipas Nolit “sikur rrëfen romancë dhe jo histori”. Por pavarësisht vërejtjeve që mund t’i bëhen Barletit nga arritjet e kohës sonë në histori e letërsi, veprat e tij dhe sidomos “Historia e Skënderbeut” mbeten model i veprës shkencore-letrare për kohën e vet dhe me vlerë të përhershme për historinë e kulturës evropiane dhe shqiptare.
Tezat e hedhura dhe të sprovuara tashmë se veprat e tij dëshmojnë praninë e kulturës shqiptare në rrafshin evropian, se ai shkroi një epope në prozë, një vepër monumentale historike e letrare, se ai shkroi me “Rrethimin e Shkodrës” një kronikë të romanësuar apo të letrarizuar dhe me “Historinë e Skënderbeut” një biografi të romanësuar apo letrare kanë vënë në fokus të perspektivës së sotme të leximit vlera të veprës së autorit, nga më të shquarit e letërsisë së hershme shqiptare. Ai e dëshmon veten, përkundër modestisë brilante që shfaq, duke mos folur pothuajse fare për veten, për atë tërheqje dhe mungesë protagonizmi të admirueshme se është një historian që njeh metodën e shqyrtimit shkencor të fakteve si dhe një shkrimtar të rrahur në punë të shkrimeve. Hulumtimet arkivore si dhe studimet e kryera mbi veprën e tij e kanë vërtetuar tashmë besueshmërinë e të dhënave të tij. Ai si historian dhe si shkrimtar është humanist, i përket kryekëput lëvizjes humaniste evropiane. I rrëmbyer nga idetë humaniste ai do të kërkojë dhe do të gjejë në epopen vetëmbrojtëse që bënë shqiptarët me në krye Skënderbeun, dhe në aktin e fundit të kësaj epopeje që është mbrojtja heroike e Shkodrës, një manifestim të mundësive njerëzore. Ashtu siç ndodh tek të gjithë humanistët, vepra e tij është plot kujtime dhe ndikime nga bota antike. Fjalimet kanë pasazhe të tëra që të kujtojnë Ciceronin etj. Ai ka formimin klasik dhe figurat e mjetet e retorikës janë të zakonshme në veprën e tij.
Tregimi i gjallë, emocionaliteti i lartë, proza e gjatë empatike e patetike, stili panegjerist, përdorimi i dendur i krahasimit, similitudës dhe antitezës i japin shkrimit të Barletit nota karakteristike individuale. Vlerësimi i studiuesve që e kanë njohur në origjinal veprën, si F.S. Noli që shkruan për Barleti, dhe veprën e tij të shquar “Historia e Skënderbeut”: “Me latinishten elegante dhe stilin e kujdesur fitoi lexonjës anë e mbanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Evropë”, e përcakton qartë vlerën e veprës së tij. Historiani dhe shkrimtari Marin Barleti është një figurë e shquar që shqiptarët i dhanë lëvizjes humaniste evropiane. Për kulturën shqiptare të kohës fill pas Skënderbeut, ai është një fillim i madh. Barleti ka shkruar edhe një vepër tjetër “Mbi jetën e papëve dhe të perandorëve” që me sa duket mbeti e pambaruar dhe si u përfundua u botua më 1555 në Romë. Veprat e M. Barletit, dhe veçanërisht “Historia e Skënderbeut” u bë burim frymëzimi për një letërsi të tërë shkencore dhe artistike si në Shqipëri dhe jashtë saj. Bibliografia e kësaj letërsie është tepër e pasur dhe me gjeografi të gjerë evropiane dhe botërore.











