IDRIZ ZEQIRAJ
Opozita destruktive dështoi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, edhe pse pozita ofroi votat e saj. Për ta kompensuar këtë humbje turpëruese, iu sulën, padrejtësisht e tërbueshëm, Mimozë Kusarit-Lila. Të njëkohshme u angazhuan, si në kor lehjesh, të gjitha mediat e mbizotëruara nga partitë-banda të PAN-it.
Kjo opozitë ka kërkuar zgjedhje vetëm tre muaj pas zgjedhjeve të shkurtit 2O21 e deri me sot! Shansin e dhënë nga Kurti, për t`i bashkuar votat me opozitën, për të shkuar në zgjedhje, nuk duhet përsëritur. Prej 6O vitesh, në Gjermani, shteti vetëm dy herë ka shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Mjaftoi një bisedë me deputetin serb, Sllavko Simiç, në kuadrin e agjendës kuvendore dhe një ndërhyrje e rastësishme apo kurth të papritur 15 sekondshe e Millan Radojçiqit, për ta akuzuar për konspiracion, se, gjoja, deputetja Mimozë, paska “rrezikuar sigurinë kombëtare”, siç do ta “zbulonte” një eksponent i AAK-së! Dhe, filloi hajka e analistëve horrakë e matrapazë, duke kërkuar, të paktën, “dorëheqjen nga shefja e Grupit Parlamentar të LVV!”
Harrojnë këta këlyshër të PAN-it se Parlamenti i Kosovës, për 25 vjet radhazi vazhdon të jetë Parlamenti më i inkriminuar, të paktën në Evropë. Vite më parë, një deputet gjerman, nga “Bundsetag-u Federal i Berlinit, deklaronte se “në Parlamentin e Kosovës numërohen 27 deputetë kriminelë. Dhe, kur takoj pushtetarët nga Kosova, më duhet t`i laj duart me sapun fort, sepse i kanë duart e përgjakura deri në bërryla”.
Shtrohet pyetja: Sa herë ngritën zërin parlamemtarët dhe zyrtarët e Kosovës, për t`i zbuluar vrastarët e ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut; veprimtarët e LDK-së; gazetarët e luftës; kuadrot e hershëm të LPK-së si dhe ushtarët që u përdorën për krime dhe fshehjen e kufomave të tyre? Kurrë! Krerët e LDK-së “hidhnin ndonjë tullumbace”, në kohë fushate, pastaj, pacipërisht, koalicionoheshin me vrasësit!!
Vërtet, DASH amerikan i shpalli “non-grata” Millan Radojiçiq, Zvonko Veselinoviq, me dostat e tij, për kontrabandë e më shumë. Por, makro-kontrabanda me “teretnjaka”, me kamionë maune, nuk mund të bëhej pa tregun e garantuar, pa bashkëpunëtorët shqiptarë. Çuditërisht, krerët partiakë, me komandantët e tyre, u kursyen nga “non-grata” amerikane! Me kohë janë denoncuar kamionët me mallin kontrabandë, duke hyrë nga veriu i Mitrovicës në Dukagjin dhe anekënd Kosovës, gjithnjë me përcjelljen e siguruar të policisë. Këtë e konfirmon edhe DASH-i amerikan, por nuk vepron. Dhe, dëmi milionësh, shkaktuar shtetit, ishte heshtur nga AKI-ja, drejtësia, shtetarët korruptivë dhe llapaqenët e shitur analistë.
Pse PAN-istët e Hashimit sulmojnë, në vijimësi, Donikë Gërvallën? Sepse ajo i dha emër krimit. Dhe, rezultoi e saktë. Pse nuk ka njohje? Sepse e gjithë bota demokratike reagoi ushtarakisht, për ta shpëtuar popullin e Kosovës, nga përgjakja, deri në dëbim masiv të dhunshëm. Ndërkohë, disa komandantë hileqarë e gjakatarë, për të përvetësuar luftën e pabërë dhe grabitur pushtetin pameritueshëm, vranë ajkën e djalërisë dhe të burrërisë të Kosovës. Tani që bota demokratike ka nismuar një gjykim, për krimet faktike, izolim, dajakosje, maltretime, deri në vrasje, të bëra gjatë dhe pas luftës, kryesisht ndaj shqiptarëve kundërshtarë politikë në Kosovë, po teston një popull të kapur nga krimi, korrupsioni dhe të kapluar nga frika e bandave, dikur, pothuajse, zyrtare. Por, zhgënjimi është i dukshëm dhe habitë mbrojtja e krimit nga PAN-i dhe më gjerë!
Pavarësisht, ndryshimit për të mirë të Kosovës, partitë e PAN-it, me komandantët e tyre, edhe në opozitë, vazhdojnë ta ruajnë mujëshinë dhe vrazhdësinë e tyre, duke bllokuar sistemin e drejtësisë, duke i stivosur me vite e dekada dosjet kriminale, për t`i mbyllur ato si lëndë “të parashkruara”. Për vite vazhdojnë ta bllokojnë “VETTINGUN”. Ngulmojnë në ruajtjen të paprekur të Këshillit Prokurorial dhe të Këshillit Gjyqësor Gjyqësor, me arsyetimin klishe, të mos ndërhyrjes në drejtësi! Andaj, bota demokratike është e zhgënjyer në shoqërinë tonë dhe vazhdon ta presë këndelljen tonë, për të pasuar njohjet dhe pranimet në organizmat ndërkombëtare.
Shtrohet pyetja: Pse drejtësia, por edhe këlyshëria, argate të PAN-it, nuk insistojnë të mësohet kush i dha urdhër prokurorit, t`ia heq masën e flet-arrestit Millan Radojiçiqit? Përgjigja dihet: Komandantët kontrabandistë, shefa të partive të PAN-it, janë robër të Radojçiqit, sepse ai do t´i denonconte dhe diskreditonte me fund, si bashkëpunëtorë të tij ndër vite.
Në favor të kësaj të vërtete, flet publikisht edhe gazetari i mirënjohur serb, rezident në veriun e Mitrovicës, Mirosllav Kerstiq: “Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, me komandantët e tyre, bënin kontrabandë të madhe, me Millan Radojçiqin, Zvonko Veselinoviqin dhe zyrtarët tjerë të “Lista Serbe”. Ata i forcuan ekonomikisht dhe politikisht Radojçiqin, Veselinoviqin dhe partinë e tyre, duke ndihmuar në shkatërrimin e opozitës serbe në Kosovë.”
Pse nuk merren analistët horrakë me çështje të tilla, por zhurmojnë, turpshëm e kriminalisht, për një bisedë 15 sekondash, qoftë edhe më shumë, duke funduar bisedën “po shkoj në shtëpi”, të Mimozë Kusari-Lila, me Radojçiqin, në prezencë të deputetit të Kosovës, Sllavko Simiqit. Dhe, pikërisht, fjalia përmbyllëse – PO SHKOJ NË SHTËPI -, dëshmon se Mimoza e ndërpret bisedën, sa të rastësishme, të papritur, aq edhe të pa dëshiruar me Radojçiqin. Dhe, asnjëri nga analistët horrakë, nuk e përmendi këtë fakt domëthënës! Ja, çfarë “serioziteti” shpërfaqë opozita e traumatizuar dhe dështake në Kosovë, e cila “ka humbur rrugën në oborr”.
Ka një qasje idioteske të opozitës, ndaj deputetëve serbë të Kosovës. “Pse të bisedohet për pensionet e veteranëve të UÇK-së, me shefin e Grupit Parlamentar të serbëve të Kosovës, Simiq”, – thonë dhe e përsërisin analistët fodullë, argatë të PAN-it?! Çfarë sekreti ka këtu? Janë 12.700 veteranë të listuar si pjesë e luftës. Dhe, janë 40.000 “veteranë” fiktivë, të rrejshëm! Me shpërdorimin e milionave eurove të pensioneve mujore “veteranëve” të rremë, janë buxhet i qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe Simiqin me shokë.
Janë pikërisht komandantët kontrabandistë dhe shefat e tyre, të cilët nuk e kanë bërë “as lavrën e miut”, për t`i integruar në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës serbët, sepse donin t`i izolonin, që lidhjet kontrabandore me Listën Serbe, të vazhdojnë shpengueshëm dhe pa u diktuar. Sepse shefat e PAN-it i kanë bizneset e përbashkëta, në veçanti, tenderimet një burimore me krerët e “Listës Serbe”.
Janë miliona euro që abuzohen, përmes një zhvatje legale – hajni zyrtare, nga më e madhja dhe më e turpshmja. Edhe 19.500 “veteranë” të rrejshëm, të cilët i seleksionoi, i hoqi nga lista e veteranëve prokurori Elez Blakaj, me ekipin e tij, Qeveria Haradinaj i ktheu përsëri në veteranë “të ligjshëm!?” Me këtë rast, Prokurori profesional dhe shumë i respektuar, Blakaj, u kërcënu nga titullari i qeverisë dhe disa banditër të Dukagjinit. Për rrjedhojë, u detyrua të largohet nga Atdheu, duke kërkuar strehë politike në SHBA.
Përkundër zonave tjera të Kosovës, të cilat e pranuan falsifikimin e “dëshmive të veteranit” dhe shtimin gjeometrik të numrit të “veteranëve”. Ndërsa zona e Dukagjinit ka ngulmuar në “vertetësinë” e këtyre listave emërore të veteranëve. Ndërkohë, populli i Kosovës, që i njeh mirëfilli luftëtarët e lirisë, e thotë hapur se shitja e dëshmive të veteranit, për rrjedhojë, numri i rrejshëm të veteranëve është katërfishuar! Populli tregon edhe arsyen e shumëzimit të rrejshëm të veteranëve:
- Përveç përfitimit fillestar nga kuota shitëse e “Dëshmisë të veteranit”, disa blerës vazhdojnë të paguajnë edhe përqindjen mujore; dhe
- Dhënia e dëshmive të veteranit, është kushtëzuar edhe me begatimin e klientelës elektorale.
Ja, pra, për se duhet të reagojnë analistët e përnatshëm të Kosovës, në shumësinë e tyre, të paguar për ta helmuar opinionin shqiptar me shpifje e gënjeshtra, në mbrojtje të kriminelëve dhe të makro-hajnive.
Mendoj se reagimi i zëdhënësit të LVV, ishte në nivel dhe bindës. Ndërsa kryeministri Kurti nuk kishte pse ta përmendte nëse i takon LVV apo subjektit tjetër Mimoza. Duhej të mjaftohej me pjesën e parë të reagimit dhe turpin e dramatizimit artificial, thënë troç “u mbars mali dhe polli miun!”
Mjerisht, Kosova ka një opozitë, e cila nuk dinë se çfarë kërkon, sepse nuk ka kauzë, për ta ndryshuar qeverisjen. Andaj, duhet shpërfillur, pa humbur kohë me prrallëzimet e saj marroqe, qoftë edhe në rastin e përgjimeve, të bëra nga BIA serbe, me agjentët e saj, Batoni-Buzhala, me kompaninë spiune, nga Prishtina dhe Tirana zyrtare. Ka tendenca, sidomos nga nostalgjikët e sidomos nostalgjiket e miqësisë me PDK-në, ta koordinojnë, më saktë, ta njëtësojnë opozitarizmin me PAN-in. Kjo po ndodhë edhe në rastin e kurdisur dhe të shtisur, për shefen karizmatike të Grupit Parlamentar të LVV, Mimozë Kusari-Lila.
LDK të distancohet prerazi nga PAN-i kriminal
Ndryshe qëndron çështja e subjektit veteran, LDK-së. Ajo ka qenë subjekti politik, që, realisht, ka bërë paqen dhe luftën. Fatkeqësia qëndron se agjentët e shërbimeve informative të shteteve armike të Kosovës, duke qenë në partinë rivale, respektivisht, të PDK-së, arritën të katapultojnë njerëzit e tyre në kupolën e LDK-së. Rrjedhojat domëthënëse janë: Isa Mustafa, me klanin e tij vicioz, pa konsultuar elektoratin, anëtarësinë, Këshillin e Përgjithshëm, Grupin e deputetëve, madje as vet Kryesinë e LDK-së, në koordinim me Hashim Thaçin, aprovoi: Asociacionin, Demarkacionin dhe kontrabandimin e Hashimit president! Partia shkeli porosinë-amanet të themeluesit të saj, Predentit Rugova: “Të mos lejohet të ngritet Hashimi në pozita të larta, sepse është i rrezikshëm për Kosovën”.
Mjerisht, LDK-ja është viktimë e një klani, me një kryetar të shantazhuar, i vënë në shërbim të Hashimit dhe të PAN-it kriminal, të manipuluar nga ai. Dhe, kjo thyerje e Mustafës ka qenë e dhunshme, ngaqë ai me kolegët ministra dhe titullarin e Qeverisë të Kosovës në Egzil, herë pas here, kërcënoheshin me jetë, me traktet alla-komuniste të LPK-së të djeshme dhe PAN-it të sotëm, të hedhura në kutinë postare të Përfaqësisë të Kosovës, në Tiranë: “Për tradhti ndaj Atdheut, jeni të dënuar me vdekje. Në rastin më të parë do të ekzekutoheni – SHP i UÇK-.” Dhe, me shantazh e terror zhvatën miliona marka edhe në mars, prill, maj 1999, pa shpenzuar asnjë markë për luftën.
Thënë qartazi, klani brenda Kryesisë të LDK-së, u bë bisht e patericë e PDK-së, duke bërë koalicionin e dhunshëm me atë. T`panet, (ndeja e bijës në gjini), në rastin konkret, Hashimi ke Vlorë Çitaku në SHBA, në koordinim me Grenellin dhe Isa Mustafën, prishën koalicionin LVV-LDK. Këtë e konfirmon edhe Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së: “Grenell na dha urdhër, me afat një javë, me e prish koalicionin me LVV!” Dhe, ashtu u bë. Kjo ishte një gjëmë e madhe, jo vetëm për LDK-në, por edhe për Kosovën, sepse ishte koalicion i pastër, dy subjekte të pa inkriminuara në vrasje të shqiptarëve dhe as në hajni-zyrtare.
Lidershipi i ri i LDK-së, i kryesuar nga Lumir Abdixhiku, me reformat e bëra, qofshin edhe gjysmake, vazhdon ta përmirësojë imazhin e rrënuar, deri në përtokje të LDK-së. Programi i shpalosur nga kryetari, në emër të Kryesisë dhe pas konsultimeve me anëtarësinë dhe popullin, është gjithëpërfshirës dhe bollshëm ambicioz. Për ndryshim nga opozita tjetër qorrsokake, respektivisht, PAN-i toksik, kryetar Lumiri ka kauzë të qartë, madje të besueshme, për zhvillimin ekonomik dhe perspektiven politike të Kosovës. Andaj meriton vëmendje dhe përkrahje, jo vetëm nga anëtarësia e LDK-së, por edhe nga të tjerët. Dhe, këtë duhet ta këtë parasysh edhe kryeministri aktual, Albin Kurti, kur të vendosë bashkëqeverisjen në koalicion, me ndonjërin nga subjektet politike.