Nga: Isak A H M E T I
I. Në vend të hyrjes
Engjëll Kengji: GJENEZA DHE GJENEALOGJIA E STUBLLËS.
Albanisches Institut, St. Gallen, 2015, fq. 599.
Për botuesin Albanischen Institut
Albert Ramaj & Zef Ahmeti
Këshilli redaktues:
Dom Ndue Gjergji
Isak Ahmeti
Dom Albert Jakaj, famullitar
Recensues:
Marjan P. Ramaj
Sarë Gjergji
II. Pak fjalë për autorin
Engjëll Kengji u lind në Stubëll të Epërme Komuna e Vitisë, Kosovë.
Shkollën fillore tetëklasëshe e kreu në vendlindje, Viti dhe Zhegër, ndërsa gjimnazin klasik tek Jezuitët në Dubrovnik.
Fillimisht, pas shkollës së mesme, ka studiuar filozofinë dhe teologjinë në Split dhe Romë. Më pas ka mbaruar edhe Fakultetin Filologjik, Gjuhë dhe Letërsi Gjermane në Milano dhe Shkup ku dhe diplomon në vitin 1976.Po në atë vit punësohet si përkthyes në Mihjen Sipërfaqësore në Obiliq. Gjatë viteve 19771979 ka punuar si profedor i gjuhës gjermane në Shkollën e mesme në Obiliq.
Gjatë viteve 1979-1991 ka punuar si përkthyes gjermanisht, – shqip dhe anasjelltas pranë Bankës së Bashkuar të Kisovës në Prishtinë. Në vitin 1991 largohet me dhunë nga puna nga pushteti serbosllav. I dëshpëruar merr rrugën e mërgimit dhe vendoset në Zvicër. Atje fillimisht punon në “Migros”, më pas, gjatë viteve 1998-2010 ka punuar si mësues klasor i gjuhës gjermane në “Heil Pedagogische Schule” në Frauenfeld, i Kantonit Thurgau.
Engjëll Kengji është marrë herë pas here edhe me shkrime: poezi, publicistikë etj.
Ka botuar tri vepra dhe ka në dsh një gramatikë gjermanisht -shqip dhe shumë poezi të pabotuara.
Ishte bashkëthemelues, me Pashk Ballabanin(një veprimtar humanist i dalluar në Itali) dhe të tjerë i “SHIKH STUBLLA” në mergatë dhe kryetar i parë i Shoqatës në fjalë në Zvicër.
Tani i pensionuar, jeton në Zvicer në Abtwil, Kantoni St. Gallen.
Dy janë veprat e tij që kësaj radhe po i marr në shqyrtim:
1.ZJARR QË S’Shuhet(2005) dhe
2.GJENEZA DHE GJENEALOGJIA E STUBLLËS(2015).
III. Motivimi – dashuria për vendlindjen
Libri: Gjeneza dhe gjenealogjia e Stubllës, i autorit në fjalë, (të cilin autori ma ka dhurusr ne dedikim të veçantë.për çka e falëbdertoj nga zemra!
Në shikim të parë duket i thjeshtë. Por në fakt, siç e kam thënë në fjalën time me rastin e promovimit të këtij libri në Stubëll, është i pari i këtij lloji për Stubllën dhe shumë i rëndësishëm dhe me vlerë jo vetëm për Stubllën sot por edhe për brezat që vijnë. Librin në fjalë autori e ka shkruar me përkushtim dhe dashuri, i motivuar nga dashuria për vendlindjen. Prandaj që në fillim, jo rastësisht, do shkruajë, citoj:
“Këtë libër me kënaqësi ua kushtoj mbesave dhe nipërve të mi dhe brezave të rinj stubllas në mërgatë, që në mendje e zemër të kenë vendlindjen” (fq. 5).
Pas kësaj vjen pasqyra e lëndës (përmbajtja) që është mjaft e pasur dhe fjala e botuesit me titull:
KULTURA E KUJTESËS DHE GJENEALOGJIA E STUBLLËS (fq. 21-23) shkruar nga Zef Ahmeti.
Nga të dhënat që kemi këtu, thekson ai, kemi mundësi të nxjerrim statistika tjera mjaft të sakta që flasin për aspekte të ndryshme të përbërjes së kësaj shoqërie gjatë historisë e deri në ditët e sotme.Në fokus të interesimit të autorit kemi dy shtylla kryesore të veprës. Teksti në brendi natyrisht përbëhet edhe nga burime historikisht të dëshmuara kur flitet për familjet dhe gjenealogjinë e familjeve të ndryshme që përbëjnë popullatën e këtij vendi, pastaj ngjarjet dhe historitë që përcjellin gjeneratat që kryesisht për burim kanë tregimet (rrëfimet) e trashëguara – treguara e që autori, me një mjeshtri të rrallë, këtu në mënyrën e kulturës së kujtesës që e paraqet në këtë libër, duke u mbështetur edhe në veprat shkencore historike të publikuara.
Ndonëse veprat e tilla gjenealogjike, sikundër edhe kjo e Engjëll Kengjit, janë më tepër “teknike dhe të thata” për nga përmbajtja. Ç’është e vërteta këtu rasti del pak më ndryshe edhe për faktin se këtu kemi interpretime dhe paraqitje sociologjike, kulturore-historike që plotësojnë një zbrazëti studimi për këtë shoqëri të këtij vendi (fq. 23).
IV. Libër amë për Stubllën
Për Stubllën, siç dihet tashmë, janë shkruar dhe botua disa monografi siç janë:
1. Gjergj Gjergji-Gashi: MARTIRËT SHQIPTARË GJATË VITEVE 1846-1848, Drita, Ferizaj, 1994,
2. STUBLLA, monografi, grup autorësh nga Stublla, editor Dom Fatmir Koliqi (2005), botues Zyra e Famullisë në Stubëll,
3. Sarë Gjergji: STUBLLA ME SHKOLLËN E PARË SHQIPE (1584-1905), LSHK, Prishtinë, 2014,
4. Isak Ahmeti: GOLGOTA E MARTIRËVE SHQIPTARË TË KARADAKUT (1846-1848), LENA, Prishtinë, 2021 dhe
5. Gjon Gjergji: STUBLLA E EPËRME NËPËR KOHË, Prishtinë, 2025.
Mirëpo, siç ka vlerësuar me të drejtë Sarë Gjergji, në recensionin e tij me titull:
LIBRI AMË I STUBLLËS (fq. 24-26), për dallim nga botimet e deritashme mbi Stubllën dhe historinë e saj, libri Gjeneza dhe gjenealogjia e Stubllës e autorit në fjalë, dallon për mënyrën e qasjes dhe lëndën që ka marrë në shqyrtim:ngjizjen e Stubllës. Ngjizja, ndërkaq, këtu nuk nënkupton vetëm fillimin e diçkaje të re, gjenëzën, por ajo përcillet edhe me një vazhdimësi, e cila kap disa shekuj. Dhe këta shekuj, thekson recensenti Sarë Gjergji, ngërthejnë në vete një sërë manifestimesh.
Për më tepër autori, Engjell Kengji, ka provuar t’i shtjellojë përmes një qasjeje krejt origjinale dhe të veçantë. Ka vendosur të thotë gjëra të pathëna gjer me tani për Stubbllën dhe qytetarët e saj ose të përmend sa më pak nga ato që tashmë janë publikuar. Ky qëndrim i autorit, prandaj, por edhe mungesa e burimeve historike për çështje të caktuara që trajtohen në këtë liblër, e kanë drejtuar atë kah një burim tjetër: tek kujtesa e popullit, siç e ka vërejtur edhe Zef Ahmeti (fq. 21).
Prandaj jo rastësisht shi për këtë autori i librit në fjalë ka provuar që kujtesën e popullit ta ngris në dëshmi dhe fakt ose thënë me gjuhën e tij : ” …të qiten në letër për dëshmi të sakta” …gjë që mbetët temë dhe problematikë e diskutueshne edhe më tej…
V. Strukturimi i librit
Librin e tij: GJENEZA DHE GJENEALOGJIA E STUBLLËS, autori e ka strukturuar (ndarë) në dy pjesë kryesore, e para :
1. Gjeneza dhe origjina e stubllasve, dhe
2. Gjenealogjia dhe brezat e stubllasve sipas lagjeve.
Në pjesën e parë autori ka trajtuar, siç e thotë edhe vetë titulli i shkrimit, tematikën e gjenezës dhe origjinën e stubllasve, ndërsa te pjesa e dytë ka trajtuar gjenealogjinë dhe brezat e stubllasve sipas lagjeve.
Pa hyrë në një analizë më të thellë të këtij libri, po ritheksoj edhe njëherë atë që e kam thënë me rastin e promovimit të këtij libri në Stubëll, se ky libër përmban vlera shumështresore jo vetëm për lexuesit por edhe për studiuesit.
VI. Në përmbyllje
Krejt në përmbyllje të këtij shkrimi, le të ritheksojm se ky libër është i një rëndësie të veçantë dhe kontribut shumë i çmueshëm për historinë e Stubllës që mundëson se si të ruhet kultura e kujtesës dhe historia familjare.
Ky libër, për kundër disa boshllëqeve dhe mangësive eventuale që duhet të evitohen, ndihmon mbajtjen gjallë kujtesën për Stubllën dhe qytetarët e saj!