Xhelal Zejneli
Kur flitet për letërsinë hispanoamerikane duhet pasur parasysh faktin se ajo është zhvilluar në njëzet shtete të cilët përdorin gjuhën spanjolle; secila prej këtyre shteteve e ka letërsinë e vet, me specifikat e veta që e dallojnë prej letërsive të tjera. Për këtë arsye, letërsia hispanoamerikane nuk është aq lehtë të përfshihet dhe të paraqitet si një tërësi organike.
Për ta kuptuar më mirë dhe për ta vlerësuar drejtë këtë letërsi, duhet pasur parasysh rrethanat tejet të vështira në të cilat është zhvilluar ajo. Në radhë të parë këtu kemi të bëjmë me epokën kolonialiste dhe me varësinë nga letërsia dhe kultura spanjolle. Më vonë pasojnë luftërat për çlirim, në fillim të shekullit XIX, formimi i shteteve dhe i kombeve të reja, paqëndrueshmëria politike, prapambetja ekonomike dhe shkalla e ulët e zhvillimit ekonomik, ndarja e padrejtë e të mirave shoqërore, rendi gjysmëfeudal, me pronarë të pasur tokash dhe me masën e fshatarësisë së varfër, shumica indianë, të cilët deri në ditët tona kanë qenë, jo një problem racor por social.
Hapësirat e mëdha pa rrugë qarkullimi, nuk janë zhvilluar në mënyrë të barabartë: në bregdete janë krijuar qytete të mëdha në të cilat janë përqendruar çdo gjë – industria, tregtia, arsimi, administrata – ndërsa pjesët e brendshme apo periferike janë lënë pas dore. Natyra e egër dhe e paprekshme, me pampa, me pyje të pashkelura dhe me kodra të larta ka mbjellë frikë te njeriu: para asaj, ai është ndjerë i pafuqishëm. Për këtë arsye, përjetimi dhe pasqyrimi i peizazheve, i tokës, i fshatit në letërsinë hispanoamerikane ka një rëndësi të veçantë, qenësisht jetësore dhe jo dekorative.
Të gjitha këto probleme të mëdha dhe të ndërlikuara shoqërore dhe jetësore kanë qenë tepër të rënda, ndaj shkrimtarët s’kanë mundur t’i anashkalojnë. Prandaj kjo letërsi gjithmonë ka qenë e lidhur me mjedisin në të cilin është krijuar; Kjo letërsi ka qenë reflektim i jetës dhe i realitetit. Shpeshherë, rrethanat e vështira shkrimtarëve ua kanë ngushtuar horizontin dhe ua kanë penguar ngjitjen apo vrullin. Megjithëkëtë, letërsia hispanoamerikane apo latinoamerikane ka dhënë poetë dhe prozatorë të jashtëzakonshëm, të cilët kanë fituar famë botërore, sidomos në shekullin XX.
* * *
Krijimtaria letrare para Kolombos – Kur spanjollët shkelën në kontinentin amerikan, u befasuan tej mase u befasuan me qytetërimet tejet të zhvilluara që hasën aty. Konkistadori spanjoll Herman Kortes (Hermán Cortés, 1485-1547) zbarkoi në Meksikë në vitin 1519. Gjeti shtetin shumë të rregulluar të aztekëve, me qytete, ndërtime, tempuj, me ekonomi dhe me bujqësi të zhvilluar. Në vitin 1531 u befasua edhe konkistadori spanjoll Francisko Pizaro (Francisco Gonzales Pizarro, 1478-1541) kur filloi ta pushtojë mbretërinë e inkëve në Peru.
Këta popuj, krahas arteve të tjera, si skulptura, piktura, tapiceritë, qeramikat, punimi i arit, kishin edhe letërsi e cila mbartej kryesisht nëpërmjet traditës gojore, për arsye se nuk kishin shkrime, me përjashtim të majëve të cilët përdornin shenja figurative, por që shkenca sot e kësaj dite nuk ka mundur t’i deshifrojë saktë. Tek aztekët shumica e tyre kanë qenë tekste ritualesh, lutjesh dhe didaktike, në vargje dhe në prozë, pastaj legjendat dhe rrëfimi historik. Kanë ekzistuar shkolla të veçanta në të cilat këto tekste janë mësuar përmendësh, duke u përcjellë kësisoj brez pas brezi. Inkët, përveç teksteve fetare kanë pasur edhe poezi të pasur dashurie po edhe një lloj drame. Pjesa më e madhe e këtyre veprave nuk është ruajtur në gjuhët burimore, por në përkthimet në gjuhën spanjolle.
Me të pushtuar Meksikën dhe Perunë, bashkë me pushtuesit dhe plaçkitësit, si misionarë, aty kanë mbërritur edhe klerikët spanjollë dhe shumë prej tyre, për ta predikuar krishterimin, e kanë mësuar gjuhën e indigjenëve apo të popullsisë vendëse. Disa prej tyre janë interesuar edhe për të kaluarën e tyre dhe për trashëgiminë kulturore të pasur. Në këtë mënyrë, ata i kanë shënuar dhe kanë lënë shumë tekste të tyre, herë-herë edhe në gjuhën burimore dhe të përkthyera në spanjisht. Sot, këto janë të vetmet burime për studimin e trashëgimisë letrare të aztekëve, të majëve dhe të inkëve.
* * *
Letërsia hispano-amerikane (latinoamerikane) përbëhet prej letërsisë gojore dhe të shkruar të Amerikës Latine në disa gjuhë, posaçërisht në gjuhën spanjolle, portugeze dhe në gjuhët autoktone të Amerikës, si dhe prej letërsisë së Shteteve të Bashkuara në gjuhën spanjolle. Në shkallë globale është bërë e njohur sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, kryesisht në saje të suksesit ndërkombëtar të stilit të njohur si realizëm magjik.
Si e tillë, letërsia rajonale shpesh është e ndërlidhur vetëm me këtë stil, me lëvizjen letrare të shekullit XX të njohur si bum latino amerikan dhe me eksponentin më të njohur të saj, Gabriel Garsia Markezin (Gabriel José de la Concordia García Márquez, 1927-2014). Letërsia latino-amerikane ka një traditë të pasur dhe të ndërlikuar të krijimtarisë letrare që daton shumë shekuj pas.
Historia e letërsisë latinoamerikane fillon me letërsinë parakolumbiane. Format kryesore të kësaj letërsie ishin: romani, poezia, drama, tregimi dhe novela. Zhanre të kësaj letërsie ishin: komedia, drama, epi, krijimet erotike, lirika, krijimtaria kalorësiake, satira, tragjedia, tragjikomedia dhe romanca.
Kulturat parakolumbiane kryesisht kanë qenë krijime gojore, ndonëse astekët dhe majët kanë prodhuar kodekse të ndërlikuara. Ngandonjëherë janë parë edhe shënime gojore për besimet mitologjike dhe fetare pas ardhjes së kolonizuesve evropianë, siç ka qenë rasti me Popol Vuh. Duhet shtuar se tradita e të rrëfyerit gojor ka mbijetuar deri në ditët tona, për shembull në radhët e popullsisë keçuane të Perusë dhe popullsisë kiçe (K’iche’) të Guatemalës.
* * *
Letërsia e epokës koloniale – Me t’u formuar kolonitë e para spanjolle në kontinentin amerikan, bashkë me pushtuesit, mbërritën atje edhe klerikët (françeskanët, augustinët, dominikanët) të cilët ngritën kisha dhe manastire, por edhe shkolla. Puna e këtyre misionarëve ka qenë aq e ngjeshur dhe e suksesshme saqë në Santo Domingo, qysh në vitin 1540 u hap universiteti, ndërsa një vit më vonë edhe në Limë dhe në Meksikë. Në vitet 1540-1580 në të gjitha qendrat e mëdha u hapën shtypshkronja, më vonë pasuan teatrot si dhe institucionet e tjera kulturore-arsimore. Në rrethana të tilla, filloi edhe krijimtaria letrare në gjuhën spanjolle.
Veprat e para të shkruara në Amerikë në gjuhën spanjolle apo të shkruara në Spanjë për Amerikën, kanë qenë kronikat dhe raportet e konkuistadorëve dhe të klerikëve të cilët kanë udhëtuar me ta. Vepra të tilla, diku rreth pesëdhjetë, janë shkruar gjatë shekullit XVI. Të gjithë autorët janë spanjollë.
I pari prej këtyre raportuesve ka qenë detari i madh dhe i guximshëm, me prejardhje nga Gjenova – Kristof Kolombo (Cristóbal Colón, 1451-1506) me ditarin dhe me letrat e tij të dërguara mbretërve katolikë (Ferdinadit dhe Izabelës). Mjeku i Kolombos, fizikani spanjoll Diego Alvarez (Diego Álvarez Chanca, 1463-1515) është i pari që e përshkroi florën në Antile, ndërsa frati me prejardhje katalonase Ramon Pane (Ramón Pané, ? – vdiq në vitin 1571), me urdhrin e admiralëve përshkroi religjionin dhe ritualet fetare.
Shumë letra ka shkruar edhe konkuistadori spanjoll Hernan Kortes (Hermán Cortés, 1485-1547). Ky njihet si pushtues i pamëshirshëm i Meksikës. Në letrat e tij ka një mori të dhënash dhe konstatimesh të çmueshme.
Të parën “Histori të përgjithshme dhe natyrore të indeve” (Historia gjeneral y natyral de las Indias) e shkroi Gonzalo Fernadez de Ovideo (1478-1557), vëllimi i parë i së cilës doli në vitin 1527. Përpos ngjarjeve, ky ka përshkruar edhe vendin, natyrën, florën dhe faunën.
Polemika më të mëdha shkaktoi dominikani Bartolome de las Kasas (Bartolome de las Casas, 1474-1566). Ky erdhi në ishullin Dominikan në vitin 1506. Në shkrimin e vet “Raport i shkurtër për zhdukjen e indianëve” (Brevisíma relació n de la destruyción de las Indias, 1552) shkaktoi indinjatë sidomos në Evropë. Në këtë shkrim është krijuar “legjenda e zezë” për Spanjën dhe për veprimet e saj në vendet që sapo i kishte pushtuar. Sipas këtij autori, spanjollët janë mishërim i së keqes dhe i padrejtësive, ndërsa indianët janë plot mirësi dhe fisnikëri.
Një prej shkrimeve më të rëndësishme dhe të shkruara më së miri është “Historia e vërtetë e pushtimit të Meksikës” (Verdadera historia de los sucesos de la conqiusta de la Nueva Espana) të botuar në vitin 1632. Autor është Bernal Diaz del Kastillo (Bernal Diaz dell Castillo, 1492-1581). Ky shkrimtar ka qenë ushtar i konkuistadorit spanjoll Hernan Kortes (Hermán Cortés, 1485-1547).
Pason vepra tejet interesante dhe e dobishme “Historia e ngjarjeve në Meksikë” (Historia de las cosas de Nueva Espana) e Fray Bernardino de Sahagun (1499-1590) i cili pjesën më të madhe të jetës së vet ia kushtoi sistemit shkollor në Meksikë dhe arsimimit të aztekëve. Libri i sipërthënë sot e kësaj dite është vepër monumentale unike për njohjen e kulturës së vjetër të aztekëve e cila dalëngadalë zhdukej nga faqja e dheut. Është ndër të parët i cili nxori në dritë shumë tekste të aztekëve. Ishte i pari sociolog, linguist dhe antropolog amerikan.
Françeskani dhe misionari Jeronimo de Medina (1525-1604), pas një pune të gjatë dhe përvoje të madhe, në vitin 1596 e përfundoi librin “Historia e kishës indiane” (Historia eclesiástica indiana). Në këtë vepër, përpos çështjeve kishtare, pasqyroi edhe shumë probleme të tjera. Ai i lëvdon institucionet politike para ardhjes së spanjollëve dhe shpreh keqardhje që pushtuesit kishin shkatërruar një jetë të rregulluar dhe idile. Dënon veprimet e administratorëve spanjollë dhe ngre zërin e protestës kundër shfrytëzimit mizor të indianëve nëpër miniera. Këto çështje do të shfaqen si akuza edhe në luftërat për pavarësi në fillim të shekullit XIX.
Regjistrues i shquar i ngjarjeve në Peru ka qenë Pedro Cieza de Leon (1518-1560). Ky mbërriti atje në moshën 13-vjeçare. Shkruante me ngulm dhe u emërua kronist i nënmbretërisë në Limë.
Shumë prej kronistëve të angazhuar nga administratorët spanjollë të cilit kishin dhuntinë e observimit dhe ndjenjë e drejtësisë, kanë lënë një numër të madh dëshmish tronditëse dhe të vërteta për njerëzit dhe ngjarjet.
Kronistë të shquar ishin edhe amerikanët, qofshin indianë të pastër apo të përzier, të cilët e kishin mësuar gjuhën spanjolle dhe alfabetin latin. Këta shkruanin kryesisht në gjuhën spanjolle, por edhe në gjuhët vendase, me alfabetin latin. Pikëpamjet e tyre mbi çështjet dallohen dukshëm prej pikëpamjeve të spanjollëve. Midis tyre shquhen Fernando de Alba Ixtlilxochitl (shekulli XVI) me librin “Historia e çiçimekëve”, Diego Munoz Camargo, autor i librit “Historia e Tlaksalit”, shkrimtari peruan Felipe Guánan Poma de Ayala (1535-1615) me librin “Kronikë e re” të shkruar në vitin 1584, por që është gjetur në Kopenhagë jo më parë se në fillim të shekullit XX.
Këta kronistë dhe shkrues të tjerë kanë regjistrua një numër të madh tekstesh të ndryshme si dhe shumë këngë popullore të indigjenëve apo të popullsisë vendase të cilët i këndojnë shkatërrimit të mbretërisë së tyre.
Duhet përmendur edhe Huan de Santa Kruz Paçakuti (Juan de Santa Cruz Pachacuti) i cili në shekullin XVII shkroi librin “Raport për lashtësitë e Mbretërisë peruane”.
Më i rëndësishmi nga të gjithë këta shkrimtarë ka qenë kronisti peruan Inka Garsilaso de la Vega (Inca Garcilaso de la Vega, i njohur me nofkën El Inka / El Inca; emri i vërtetë Gómez Suárez de Figueroa; lindi në Cuzco, Peru, 1539 – vdiq në Kordobë, Spanjë, 1616). Ishte bir i konkuistadorit spanjoll të një fisi të shquar dhe i një princeshe nga dera mbretërore e inkëve. Nënën e kishte indiane. Gjuhë amtare e kishte gjuhën keçuane. Njihet si një prozator i mirë.
Vepra e tij është një burim i pashtershëm të dhënash për mbretërinë e inkëve, për të gjitha degët e jetës së tyre, e traditave, e ligjeve, e rregullimit të brendshëm, e moralit dhe e çdo gjëje tjetër. Në moshën 20-vjeçare u vendos në Spanjë. Përktheu nga italishtja librin “Biseda për dashurinë” (Dialoghi d’amore) të shkrimtarit hebraik nga Portugalia Leone Ebreo (Juda Leone Abravanel, Lisbonë, Portugali, 1464 – / vdiq në Itali). Libri u shfaq në vitin 1535, ndërsa u botua për së pari në vitin 1607. Në kohën e Rilindjes, ky libër ka qenë shumë i popullarizuar. Vepra më e rëndësishme e Inka Garsilasos është “Komente mbretërore” (Comentarios reales, Lisbonë, 1609; 1617).
Vepra ka mbi 1000 faqe të formatit të madh. Ka një simpati të madhe për racën e së ëmës, e cila ka qenë e shtypur në mënyrë të pamëshirshme. Inka Garsilaso kishte kuptim të madh për detajet, për koloritin dhe për shprehje figurative. Në saje të kësaj, Garsilaso më tepër është shkrimtar, krijues sesa historian dhe kronist. Vepra e tij, që në shekullin XVII u përkthye në frëngjisht dhe në anglisht, duke përjetuar një sërë ribotimesh në këto dy gjuhë. Me rastin e një rebelimi në Peru në vitin 1782, libri “Komente mbretërore” i Garcilasos u ndalua me arsyetimin se “indigjenët prej atij libri kanë mësuar shumë gjëra të dëmshme”.
Poezia – Shenjat e para për krijimtarinë poetike dhe për poezinë në përgjithësi në kontinentin amerikan, pas ardhjes së spanjollëve, i hasim te kronistët e lartpërmendur. Ushtarët në raste të caktuara kanë recituar apo kanë kënduar pjesë këngësh popullore spanjolle (romances). Edhe poetët e parë amerikanë në Meksikë dhe në Peru kanë përdorur vargun tetërrokësh të romancës popullore. Midis tyre Mateo Rosas de Oquendo (1559-1621) dhe Fernan Gonzalez de Eslava (1534-1601), i cili u bë i njohur si një prej petrarkistëve të parë amerikan.
Poeti i parë që meriton vëmendje ka qenë meksikani Fransisko de Terazas (Francisco de Terrazas; Meksiko, 1525/1540? – Nueva, Spanjë, 1600?), bir i një konkuistadori, i lindur në Meksikë. Në vitin 1584, këtë e përmend dhe e lëvdon edhe shkrimtari spanjoll Miguel de Servantes (Miguel de Cervantes Saavedra, 1547-1616).
Vend të rëndësishëm zë poeti spanjoll Alonso de Ercilla (1533-1594), i lindur në Madrid, i edukuar në oborrin mbretëror, diplomat. Në vitin 1554 erdhi në Peru dhe si kapiten mbretëror mori pjesë në pushtimin e Kilit, posaçërisht në pushtimin e Araukanisë. Pjesën e parë të eposit “Araukana” (Araucana) e botoi në Madrid në vitin 1569. Aty u këndon luftërave me araukanët. Për model pati poetin italian Ludoviko Ariosto (Ludovico Ariosto, 1474-1533).
Poet me vlerë i kësaj periudhe është amerikani Pedro de Ona (1570-1643) i lindur në Kili, autor i eposit “Araukani i nënshtruar” (Arauco domado, 1596) në të cilin e ngre lartë nën-mbretin e Perusë Garsia de Mendoza (García Hurtado de Mendoza; Cuenca, Spanjë, 1535 – Madrid, 1609), i cili ishte kryekomandant i luftërave që i përshkruan poeti Alonso de Ercilla. Për indigjenët, amerikani i lindur Pedro de Ona për njeriun araukan shkruante me përbuzje, e konsideronte të egër dhe bishë, ndërsa poeti spanjoll Ercilla kishte për ta mendim dhe qëndrim krejt tjetër. Duhet shtuar se oktava e Pedro de Onas është e kompozuar ndryshe nga oktava italiane dhe e Ercillas, me rimat ABBABACC. Te Pedro de Ona hasim edhe elemente baroku.
Në fillim të shekullit XVII në poezinë amerikane, nën ndikimin e letërsisë spanjolle, vërehen edhe shenjat e barokut, por edhe të së kundërtës së tij, kulteranizmit. Në modë ishin poeti spanjoll Luis de Gongora y Argote (Luis de Góngora y Argote, 1561-1627), shkrimtari spanjoll Fransisko de Kevedo y Vilegas (Francisco de Quevedo y Villegas, 1580-1645), dramaturgu dhe poeti spanjoll Pedro Kalderon de la Barka (Pedro Calderón de la Barka, 1600-1681) dhe poetë të tjerë.
Peruani Huan de Espinosa Medrano (Juan de Espinosa Medrano, 1630-1688) i mbiquajtur “Pikaloshi” (El Lunarejo), poet, prozator dhe autor pjesësh teatrore, ithtar i barokut, në vitin 1662 botoi librin “Apologji në nder të Gongorës” (Apologia en favor de Góngora). Dy qendra kryesore të krijimtarisë poetike janë Meksika dhe Peruja.
Një prej poetëve të mirë të fillimit të shekullit XVII ka qenë spanjolli Bernardo de Balbuena (1568-1627). Ishte nga Mança (Mancha). Ka qëndruar në Meksikë, në Xhamajkë dhe si ipeshkëv në Porto-Rikë. Ka qenë poet epik. Vepra e parë e tij është “Madhësia e Meksikës” (Grandeza mexicana, 1604) në tercine. Në këtë vepër i këndon shkëlqimit dhe bukurisë së qytetit të Meksikos, jetës intelektuale dhe mondane të qytetit dhe natyrës së bukur. Në epin e madh “Bernardo ose fitorja në Roncesvalles” (Bernardo o la victoria de Roncesvalles, 1624) i këndon fitores së Spanjës ndaj Francës.
Më e mira poete hispanoamerikane, mbase e vetmja e mirëfiltë e epokës kolonialiste ka qenë Sor Huana Ines de la Kruz (Sor Juana Inés de la Cruz, emri i vërtetë Juana Inés de Asbaje, 1651-1695) e lindur në Meksikë si fëmijë jashtëmartesor nga babai bask dhe nga nëna kreole. Në moshën trevjeçare lexonte dhe shkruante, vetë e mësoi latinishten. Për arsimimin dhe bukurinë që kishte, e morën për damë oborri. E dëshpëruar, në moshën 18-vjeçare vajti në manastir ku iu përkushtua shkencës dhe letërsisë. Këtu erdhi në konflikt me eprorët. E shiti bibliotekën e saj të pasur, ndërsa paratë ua ndau të varfërve. Vdiq nga murtaja duke u kujdesur për të sëmurët. Shkroi pjesë teatrale dhe poezi, me të cilat zuri një vend të respektueshëm në letërsinë në gjuhën spanjolle të kohës së vet.
Në njëfarë dore, pas vdekjes së dramaturgut dhe poetit Pedro Kalderon de la Barka, ajo shënon vazhdimin e kohës së artë spanjolle. Përvojat letrare i ndërtoi duke u bazuar në poezinë spanjolle, në radhë të parë duke pasur për model poetin Luis de Gongora y Argote. Mjeshtërisht i përdorte të gjitha format poetike dhe strofat, që nga tingëllima (soneti) dhe romanca deri te redondilla, decima dhe forma e dramës. Vepra poetike më pretencioze e saj është poema “Ëndrra” (Sueno). E ka shkruar rreth vitit 1685 nën ndikimin e “Vetmisë” të Gongorës. Ka shkruar një numër të konsiderueshëm tingëllimash (sonetesh) në të cilat i ka shprehur vuajtjet e veta dhe dëshirat e ngulfatura.
Meriton të përmendet edhe meksikani Huan del Vale y Kaviedes (Juan del Valle y Caviedes, 1652-1692). ishte bir i një tregtari. Tuhaf dhe pijanec, i cili nën ndikimin e shkrimtarit spanjoll Fransisko de Kevedo y Vilegas shkroi satira tejet të ashpra dhe spiritualë, sidomos kundër mjekëve dhe burrave. Ka qenë tejet i popullarizuar. Satira e tij “Dhëmbi i Parnasit” (Diente del Parnaso) dhe përmbledhja “Poezi të ndryshme” (Poesias Varias) u botuan më vonë.
* * *
Në këtë periudhë u shkruan dhe u botuan edhe pjesë teatrale si dhe prozë.
* * *
Që nga çasti kur evropianët kanë rënë në kontakt me Botën e re, hulumtuesit e hershëm dhe konkuistadorët kanë shkruar raporte dhe kronika mbi përvojat e veta. Këtu mund të përmenden letrat e eksploruesit italian Kolombos (Christopher Columbus, 1451-1506) ose përshkrimet e pushtimit të Meksikës të konkuistadorit spanjoll Bernal Diaz del Kastilo (Bernal Díaz del Castillo, ? – ). Ndonjëherë praktikat koloniale kanë nxitur debate të ashpra mbi etikën e kolonizimit dhe statusin e popujve autoktonë, që shihet në shkrimin “Raport i shkurtër për zhdukjen e indëve” të spanjollit Bartolome de Las Kasa (Bartolomé de Las Casa, 1474/1484-1566).
Në krijimin e letërsisë koloniale ka kontribuar edhe popullata vendase. Autorët siç janë kronisti spanjoll Inka Garsilaso de la Vega (Inca Garcilaso de la Vega, 1539-1615) dhe Guaman Pom (Felipe Guaman Pom de Ayala, 1534-1615) ka shkruar raporte për pushtimin spanjoll që flasin për perspektivën e cila shpesh është në kundërshti me raportet e kolonizuesve.
Gjatë periudhës koloniale, kultura e shkruar shpesh ka qenë në duart e kishës, kontekst në të cilën poetja meksikane Huana Ines de la Kruz (Juana Inés de la Cruz, 1648-1695) ka shkruar poezi me vlerë dhe ese filozofike. Para fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX u shfaq tradita letrare kriole. duke përfshirë romanet e para siç është “Papagalli i zgjebosur” (1816) i botuesit e autorit meksikan Hose Hoakin Fernandez de Lizardiev (José Joaqíun Fernández de Lizardi, 1776-1827). Edhe vetë “liberatorët” shpesh kanë qenë shkrimtarë me renome, siç janë liberatori latino-amerikan Simon Bolivari (Simón Bolivar, 1783-1830) dhe humanisti, diplomati, poeti, filozofi venezulian-kilian Andres Belo (Andrés Bello, 1781-1865).
Letërsia e shekullit nëntëmbëdhjetë – Sipas fjalëve të kritikut dhe studiueses amerikane Doris Somer (1947-), shekulli nëntëmbëdhjetë ka qenë periudhë “e fiksionit fundamental” të romanit në traditën romantike dhe natyraliste që janë përpjekur të ngjallin ndjenjën e identitetit kombëtar dhe që shpesh janë fokusuar në rolin dhe në të drejtat e popullatës vendase si dhe në dikotominë “e qytetërimit dhe të barbarisë”, të cilën në Amerikën Latine e ka ngritur poeti argjentinas Esteban Eçeveria (Esteban Echeverría, 1805-1851), i cili ka qenë nën ndikimin e romantikëve të Parisit derisa jetoi atje në vitet 1825-1830. Në atë kohë me romantizmin janë marrë edhe personalitete letrare të tjera të shquara, siç është shkrimtari argjentinas Domingo Sarmient (Domingo Faustino Sarmiento, 1811-1888), autor i veprës “Fakundo” (1845).
Këtu mund të përmendim edhe veprën “Martin Rivas” (1862) të shkrimtari kilian, themelues i romanit kilian, Alberto Blest Gana (1830-1920). Vepra e lartpërmendur e tij njihet si roman i parë kilian Është një histori dashurie plot pasion dhe ep kombëtar për revolucionin. Ndër krijime të tjera të asaj periudhe janë edhe romani “Maria” (1867) i shkrimtarit kolumbian Horhe Isaks (Jorge Isaacs Ferrer, 1837-1895), romani “Kumanda” (1879) i shkrimtarit ekuadorian Huan Leon Mera (Juan León Mera, 1832-1894) dhe “Os Sertoes” (1902) i zhurnalistit dhe sociologut brazilian Euklid da Kunh (Euclides da Cunha, 1866-1909). Veprat e tilla sot e kësaj dite paraqesin bazë të kanuneve kombëtare dhe rëndom janë elemente të detyrueshme të programeve të shkollave të mesme.
Vepra të tjera të rëndësishme të letërsisë latino-amerikane të shekullit XIX përfshijnë klasikët rajonalë, siç është poema epike “Martín Fiero” (1872) të poetit argjentinas Hoze Hernandez (José Hernández, i lindur si José Rafael Hernández y Pueyrredon, 1834-1886). Rrëfimi për gauçin e varfër të rekrutuar për luftë në betejën kufitare kundër indianëve. “Martin Fiero” është shembull i “gauçizmit”, zhanrit argjentinas të poezisë të vendosur në jetën e gauçëve.
Romantizmi. realizmi, natyralizmi dhe tendencat letrare të reja – Luftërat latino-amerikane për pavarësi që u zhvilluan në fillim të shekullit nëntëmbëdhjetë në Amerikën Latine, sollën temat letrare të identitetit, të qëndresës dhe të të drejtave të njeriut. Shkrimtarët shpesh i ndoqën dhe i modernizuan lëvizjet letrare moderne (krahas romantizmit, realizmit dhe natyralizmit), por shumë prej tyre hulumtuan edhe idetë siç janë nacionalizmi dhe pavarësia. Në atë kohë, në Amerikën Latine u përhap pavarësia kulturore, ndërsa shkrimtarët në veprat e veta pasqyronin tema dhe mjedise latino-amerikane. Edhe pse literatura e cila vuri në dyshim rendin kolonial mund të shfaqej në Amerikën Latine gjatë shekullit XVII, popullariteti në formën e qëndresës kundër Spanjës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kombeve të tjera imperialiste u shtua jo më parë se në shekullin XIX. Shkrimtarët latino-amerikanë kërkonin identitetin latino-amerikan, ndërsa më vonë kjo do të ndërlidhet ngushtë me lëvizjen letrare Modernismo.
Në letërsinë koloniale mbizotëronin kryesisht autorët meshkuj, me përjashtim të gjigantëve letrarë siç ishte poetja meksikane Huana Ines de la Kruz ((Juana Inés de la Cruz, 1648-1695). Por, në shekullin XIX filloi ndryshimi që bëri të mundur shfaqjen e disa autorëve femra. Rritja e arsimimit të femrave solli në plan të parë disa autorë femra, duke përfshirë: romantiken kubane, autoren Gertrudis Gómez de Avellaneda (1814-1873 ) me romanin “Sab” (1841), roman romantik që ofron një kritikë subtile të robërisë dhe të trajtimit të femrës në Kubë; autoren natyraliste peruane Klorinda Mato de Turner (Clorinda Matto de Turner, 1852-1909) e cila në shekullin XIX shkroi atë që konsiderohet si një prej romaneve më të rëndësishme “të indigjenizmit” – “Aves sin nido” (1889); dhe shkrimtaren romantike argjentinase Huana Manuel Goriti (Juana Manuela Gorriti, 1816-1892), e cila shkroi disa romane dhe tregime, siç është “La hija del mashorquero” (1860) dhe udhëhiqte qerthullin letrar në Peru. Pionierja natyraliste peruane Mercedes Kabelo de Karbonera (Mercedes Cabello Carbonera, 1845-1909) shkroi veprën “Blanka Sol” (1888) si kritikë të mungesës së mundësive praktike të punësimit për femrat në shoqërinë e saj.
Shkrimtaret e shekullit XIX shpesh kanë shkruar për pabarazitë në Amerikën Latine që janë mbetje të kolonializmit, siç është margjinalizimi dhe shtypja e popujve indigjenë, e robërve dhe e femrave. Shumë vepra të femrave në këtë periudhë i kanë kritikuar shoqëritë latino-amerikane patriarkale. Këto shkrimtare prestigjioze kanë debatuar për dyfytyrësinë e klasës dhe të institucioneve dominuese që kanë ekzistuar në kombet e tyre të sapoformuara si dhe për korrupsion e qeverisë. Disa prej shembujve kryesorë të veprave të tilla duke përfshirë punimet “Indol”, “Herensia” dhe “El Conspirador: autobiografia de un hombre publico“ të shkrimtares peruane Klorinda Mato de Turnero (Clorinda Matto de Turner, 1852-1909).
Prekursorët e modernizmit – Nga fundi i shekullit XIX u paraqit modernizmi, lëvizje poetike teksti themelues i së cilës ishte eseja “Azul“ (1888) i autorit nikaraguan Ruben Dario (Rubén Dario, 1867-1916). Kjo ishte e para lëvizje poetike latino-amerikane që ndikoi në kulturën letrare jashtë rajonit, duke qenë njëherazi edhe e para letërsi latino-amerikane e mirëfilltë, për arsye se dallimet kombëtare tanimë nuk ishin ndonjë problem aq i madh kështu që autorët synonin vendosjen e lidhjeve latino-amerikane.
Për shembull, Hoze Marti (José Martí, 1853-1895) edhe pse një atdhetar kuban, jetoi edhe në Meksikë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shkruante për revistat në Argjentinë dhe gjetkë. Në vitin 1900, uruguajani Hoze Enrike Rodo (José Enrique Rodó, 1871-1917) shkroi esenë „Ariel“ që u pranua si manifest i zgjimit kulturor të rajonit. Poetja uruguajane Delmira Agustini (1886-1914), një prej figurave femër të modernizmit, shkroi poezi me imazhe tipike moderniste (siç janë mjellmat) duke ua përshtatur mesazheve feministe dhe temave erotike, siç i përshkruan shkrimtarja dhe kritikja argjentinase e cila studioi në Sorbonë të Parisit – Silvia Moloj (Sylvia Molloy, 1983-2022).
Edhe pse vetë modernizmi shpesh përjetohet si koncept estetik dhe antipolitik, disa poetë dhe eseistë, midis tyre edhe kubani Hose Marti (José Martí, 1853-1895), si dhe peruanët Manuel Gonzales Prada (Manuel Gonzáles Prada, 1844-1918) dhe Hose Karlos Mariategui (José Carlos Mariátegui, 1894-1930), kanë kritikuar bindshëm rendin shoqëror bashkëkohor, e posaçërisht vuajtjet e popujve indigjenë të Amerikës Latine.
Në këtë mënyrë, në fillim të shekullit XX ra në sy edhe rritja e indihenizmit, tendencë kjo të cilën më parë e popullarizoi shkrimtarja peruane Klorinda Mato de Turner (Clorinda Matto de Turner, 1852-1909), e që i kushtohej prezantimit të kulturës indigjene dhe padrejtësive që kishin pësuar bashkësitë e tilla, si për shembull me peruanin Hose Maria Arguedas (José María Arguedas, 1911-1969) dhe me poeten meksikane Rosario Kastellanos (Rosario Castellanos, 1925-1974).
Qëndresa ndaj kolonializmit, tendenca që u shfaq më herët në shekullin XIX, po ashtu ka qenë tejet e rëndësishme në modernizëm. Këtë letërsi të qëndresës e promovuan modernistët e shquar, duke përfshirë edhe kubanin Hose Marti (José Martí, 1853-1895) dhe shkrimtarin nikaraguan Ruben Dario (Rubén Dario, 1867-1916). Hose Marti i paralajmëroi lexuesit për tendencat imperialiste të Shteteve të Bashkuara dhe shkroi sesi Amerika Latine nuk duhet t’u lejojë Shteteve të Bashkuara të përzihen në punët e saj.
Shembulli parësor i këtij lloj mesazhi ndodhet në punimin “Amerika jonë” të botuar në vitin 1892, të Hose Martit. Edhe Ruben Dario shkroi dhe theksoi kanosjet që vijnë nga imperializmi amerikan, që mund të shihet në poemën e tij “Për Ruzvelltin” si dhe në veprat e tjera “Cake-Walk: El Bailè de Moda”. Shumë vepra të tij u botuan në “La Revista Moderna de Mexico”, magazinë moderniste e asaj kohe.
* * *
Letësia bashkëkohore latino-amerika – Thuhet se “dashuria dhe lufta janë ato që latino-amerikanët i dinë më së miri, për arsye se as njëra as tjetra nuk mund të ekzistojë pa pasion të sinqertë”. Pikërisht këtë luftë, këtë dashuri dhe pasion, popujt e Amerikës Qendrore dhe të Amerikës Jugore e kanë bartur në art, sidomos në lëmin e artit letrar. “Bumi letrar” latino-amerikan gjithnjë më tepër po e pushton Evropën dhe bashkë me Spanjën përbën një hartë krejt të re “të hapësirës letrare pa kufij”.
Letërsia që nxori nga gjiri i saj realizmin magjik dhe emrat e njohur si G. Mir, H. M. Ruiz, shkrimtari dhe eseisti spanjoll Ramon Hose Sender (Ramón José Sender, 1901-1982), shkrimtari argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges, 1899-1986), shkrimtari kolumbian Gabriel Garsia Markez (Gabriel García Márquez, 1927-2014), shkrimtari dhe eseisti meksikan Karlos Fuentes (Carlos Fuentes, 1928-2012), poeti meksikan Oktavio Paz (Octavio Paz, 1914-1998), shkrimtarja kiliane Isabel Alende (1942- ) dhe të tjerë, veçantinë, autenticitetin dhe forcën e pakapshme të fjalës sot e kësaj dite e afirmon, duke e përtërirë me sukses në zërat e guximshëm dhe autentikë të brezave të rinj shkrimtarësh.
Duke ndjekur zërat bashkëkohorë të letërsisë spanjolle dhe latino-amerikane lexuesi ka mundësi të ketë para vetes një spektër të gjerë të prozës cilësore dhe të pakapërcyeshme me të cilën, pa më të voglin dyshim, kultura spanjolle dhe latino-amerikane, si dhe pasuria gjuhësore e rrallë e këtyre popujve, secilit që lëshohet në aventurën e hedonizmit letrar do t’i sjellë zbulime të papritura, për arsye se para rrëfimit të tyre nuk mund të rimë indiferentë apo të dalim prej saj ashtu siç kemi qenë më parë.
Për vepra vlerash të larta artistike, midis të tjerëve sot shquhen: shkrimtarja argjentinase, në veprën e së cilës përjetohet zbulimi i të pazbuluarës – Luisa Valensuela (Luisa Valenzuela Levinson, 1938- ); shkrimtarja braziliane e cila shkruan në gjuhë portugeze Klaris Lispektor (Clarice Lispector, 1920-1977) e mbiquajtur “Kafka i Brazilit” i kohës sonë; shkrimtarja argjentinase, e njohur për prozën fantastike, e vlerësuar me një numër të madh çmimesh prestigjioze – Samanta Shveblin (Samanta Schweblin, 1978- ); shkrimtari argjentinas Isidoro Blaisten (1933-2004) i njohur për prozën e absurdit, i cili dëshmon se Argjentina gjithmonë ka qenë djep i tregimtarëve të shquar.
Të kësaj kohe janë: romani i njohur “Dora e zjarrit” e A. R. Sançez në të cilin pasqyrohet realiteti dhe fiksioni, zhanret letrare midis erotikës dhe aktit të dashurisë; vepra me vlerë “Kënga e Halibutit” (Canto de Halibut) (Epopeya atávica) e poetit, kritikut, eseistit dhe narratorit të madh meksikan Alfons Rejes (Alfonso Reyes, 1889-1959).
Pasojnë krijimet e shkrimtarit argjentinas Gilermo Martinez (Guillermo Martínez, 1962- ); të poetit argjentinas Leopold Lugones (Leopoldo Lugones, 1874-1938); të shkrimtarit peruan Santiago Ronkaliolo (Santiago Rafael Roncagliolo Lohmann, 1975- ); të Lilian Her dhe të shkrimtarit argjentinas Cesar Aira (César Aira, 1962- ). Krijimet artistike të tyre shquhen për autenticitetin, për labirintet gjuhësore stilistike dhe për temat plot gjallëri. Janë pjesë e universit letrar të rrallë, të një pjese të planetit tonë tronditës, që sot e kësaj dite nuk është hulumtuar sa duhet.
* * *
Tregimi spanjoll dhe hispanoamerikan i mileniumit të ri – Zëvendësimi i realizmit magjik me realizmin virtual shënon fillimin e një epoke të re të letërsisë bashkëkohore në të cilën e tërë zona ku flitet gjuha spanjolle, si një hapësirë pa kufij, tani manifestohet edhe me praninë e teknologjive të reja në letërsinë bashkëkohore, e pikërisht nga perspektiva e tjetërsimit, emocioneve, apokalipsit, absurdit, luftës për identitet.
Në fokus të interesimit të tregimit bashkëkohor hispanoamerikan dhe spanjoll ndodhet pikërisht njëra prej preokupimeve të Kohës së re, e ky është ekspansioni i botëve digjitale, i atyre dukurive të teknologjive moderne të cilat në mënyrë eksplicite apo tërthorazi ndikojnë në vetëdijen dhe në jetën e njeriut bashkëkohor.
Në shumë tregime të autorëve hispanoamerikanë të kohës së sotme teknologjitë e reja paraqiten si motiv, simbol, shenjë apo detaj kalimthi në mendimet, në ëndrrat, në ankthet, në imagjinatën ose në jetën e përditshme të autorëve bashkëkohorë të zonës spanjolle të të folurit. Pasuria e madhe e tregimit hispanoamerikan dhe spanjoll dhe llojllojshmëria e tij manifestohet në veprat e shkrimtarëve dhe të shkrimtareve të Meksikës, të Argjentinës, të Perusë, të Kilit, të Bolivisë, të Kolumbisë, të Republikës Dominikane, të Guatemalës, të Spanjës – të lindur midis viteve 1958 dhe 1983.
Nëpërmjet pasazheve narrative autentike të papërsëritshme të shkruara me dorën e sensibiliteteve bashkëkohore, tregimi hispanoamerikan, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi shtron pyetjen nëse njeriu bashkëkohor vërtet jeton në librin e quajtur “Google” apo ende është i vetëdijshëm dhe i brengosur për partnerët, farefisin, fëmijët, dashnorët, dashnoret, e sidomos për frikët reale dhe virtuale.
Jeta digjitale është libër i çmueshëm nga dy pikëpamje: në një anë, i kombinon tekstet nga Spanja dhe nga shumë vende të Amerikës Latine, pa vendosur midis tyre kufij. Në anën tjetër, rrënon disa stereotipa që kanë të bëjnë me tematikën dhe stilin, tradicionalisht të pranishme në letërsitë në gjuhën spanjolle, duke vënë dukje kësisoj llojllojshmërinë e madhe midis autorëve që janë të pranishëm në panoramën e zonës ku flitet gjuha spanjolle.
* * *
Duhet theksuar se letërsinë e Amerikës Jugore, krahas veprave të shkrimtarit argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges, 1899-1986) apo të shkrimtarit dhe eseistit meksikan Karlos Fuentes (Carlos Fuentes, 1928-2012), e kanë shënuar sidomos romanet: “Qyteti dhe qentë” (La ciudad y los perros, 1963) i shkrimtarit dhe eseistit peruan, laureat i çmimit “Nobel” – Mario Vargas Llosa (1936- ). Ky është romani i dytë i Llosas. Ka qenë aq i popullarizuar dhe me ndikim saqë autorit ia ka sjellë nofkën “arsye dhe ndërgjegje e Perusë”.
Këtu bën pjesë romani kult “Shkolla e vogël” (Rayela, 1963) i shkrimtarit dhe eseistit argjentinas Hulio Kortasar (Hulio Kortázar, Ixelles, Belgjikë, 1914 – Paris, 1984) Njihet me pseudonimin Julio Demis. Në vitin 1951 shkon në Paris ku jeton deri në fund të jetës. Në vitet ’60 të shekullit XX u solidarizua me revolucionin kuban, i ndoqi trazirat shoqërore në Amerikën Latine dhe nga fundi i jetës u entuziazmua me lëvizjen sandiniste në Nikaragua. Disa kritikë e përfshinë në radhët e “neofantastikëve”. Romani “Shkolla e vogël” (Rayela, 1963) është antiroman eksperimental në manirin e kolazhit.
Është një krijim artistik i çuditshëm që mund të lexohet në disa mënyra. Protagonistët e tij, në kërkim të një jete autentike, ikin nga konformizmi dhe gjejnë strehim në pasivitet, si i vetmi reagim ndaj botës kaotike. Me këtë vepër Hulio Kortasari u ngjit në majat e letërsisë botërore. Poeti kilian Pablo Neruda (emri i vërtetë Neftali Ricardo Reyes Basoalto, 1904-1973) thotë: “Ata të cilët nuk i kanë lexuar veprat e Kortasarit vuajnë nga një sëmundje serioze, e padukshme”. Neruda e mori pseudonimin në moshën 16-vjeçare sipas shkrimtarit çek Jan Neruda (1834-1891)
Duhet përmendur romanin legjendar “Njëqind vjet vetmi” (Cien anos de soledad, 1967) të shkrimtarit të famshëm kolumbian Gabriel Garsia Markez ((Gabriel José de la Concordia García Márquez, 1927-2014). Në vitin 1982, Markezi mori çmimin “Nobel” për letërsi. Sapo u botua romani, autori fitoi famë botërore. Markezi e futi botën në realizmin magjik ku realiteti dhe mitet ndërthuren dhe qëndrojnë pranë njëri-tjetrit.
Vlen të përmendet edhe romani “Forca dhe fama” (The Power and the Glory, 1940) i shkrimtarit anglez Greem Grin (Graham Greene, 1904-1991). Në këtë vepër autori paraqet Meksikën. Në këtë roman, bota e përplasjeve të gangsterëve është paraqitur në mënyrë jo të rëndomtë, nga këndvështrimi i një kleriku.
Për shkak të një numri të madh historish autobiografike, romani “Ditari i motoçiklistit” (The Motorcycle Diaries, 1993) i revolucionarit marksist, argjentinasit Ernesto Çe Gevara (Ernesto “Che” Guevara, Rosario, Argjentinë, 1928 – La Higuera, Bolivi, 1967), sapo u botua ngjalli një interesim të madh. Brezat që e respektonin personalitetin dhe veprën e Çe Gevarës, këtë roman e ngritën lartë duke i dhënë edhe status kulti.
Duhet cekur edhe përmbledhjen e eseve “Labirinti i vetmisë” (El laberinto de la soledad, 1950) të poetit dhe eseistit meksikan, laureat i çmimit “Nobel” – Oktavio Paz (Octavio Paz, 1914-1998)). Me këtë përmbledhje, kah mesi i shekullit XX autori i saj ushtroi një ndikim të jashtëzakonshëm mbi inteligjencien meksikane. Karakteri universal i kësaj vepre i solli autori famë botërore, kështu që rëndësia e saj i kapërceu kufijtë e Meksikës.
Këtij grupi autorësh i bashkëngjitet edhe shkrimtarja kiliane Isabel Alende (1942- ) me veprën “Shtëpia e shpirtrave” (La casa de los espíritus, 1982). Me veprën letrare të vet, ajo u paraqit para publikut në vitet ’80 të shekullit XX. Deri atëherë ishte një gazetare e panjohur. Me sagën familjare brilante e cila ngërthen në vete shumë më tepër se aq, fillimisht tronditi skenën letrare kiliane, e më pas edhe atë botërore.
Për “Alkimistin” (O Alquimista, 1988) e shkrimtarit brazilian Paulo Kueljo (Paulo Coelho, 1947- ) debatohet me dekada, por ndikimi i këtij romani dhe vendi i tij në kulturën e popullarizuar, është i pakontestueshëm. Kjo është vepra më e përkthyer e një shkrimtari të gjallë. Kritika letrare e përshkruan atë si “himn për shpresën, për ëndrrat, për ardhmërinë dhe për dashurinë” të krijuar me një gjuhë tejet simbolike e cila “nuk i flet arsyes sonë, por zemrës sonë”.