Fadil Haliti – mësuesi që e bëri Podujevën kampione të kimisë në Kosovë

Falë punës së palodhshme dhe përkushtimit të rrallë të pedagogut Fadil Haliti, nxënësit e Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” të Podujevës prej shumë vitesh janë bërë sinonim i suksesit në lëndën e Kimisë, qoftë në Testin e Maturës Shtetërore, qoftë në provimet pranuese në fakultetet më të kërkuara të Universitetit të Kosovës.
Dikur kjo lëndë i trembte shumë nxënës. Mungesa e laboratorëve, e pajisjeve, madje edhe e përgatitjeve teorike cilësore, e kthente Kiminë në një “gogol”. As vetë përpjekja e nxënësve nuk mjaftonte për ta kuptuar thelbin e serive kimike apo për të lexuar saktë strukturën e tabelës periodike.
Por ardhja e z. Fadil Haliti dhe përvoja e tij mbi 35-vjeçare e kanë shndërruar orën e kimisë në një përvojë tërheqëse dhe të dashur për nxënësit. Sot, çdo orë kimie në “Aleksandër Xhuvani” të Podujevës, është si një “kopsht i lulëzuar”, ku gërshetohen kurioziteti, guximi dhe pasioni për të mësuar përmes eksperimentimit.
Puna e tij nuk është kufizuar brenda orarit zyrtar. Për vite me radhë, Haliti ka organizuar kurse jashtëshkollore me dhjetëra nxënës nga komuna të ndryshme të Kosovës, e madje edhe për shqiptarë të diasporës.
Një nga shembujt e këtij përkushtimi është Selma Myrta, e lindur në Doha të Katarit, e cila ka ndjekur online kurset e kimisë me Halitin dhe ka arritur të fitojë pikët e plota për t’u regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.
Rezultatet flasin vetë: çdo vit, nxënësit e këtij gjimnazi kryesojnë listat e pranimeve në Universitet, sidomos në drejtimet e mjekësisë, ku kimia është vendimtare.
Emra si Shpëtim Bahri Thaçi (pulmolog i njohur), Florim Selim Zejnullahu (kirurg vitreoretinal dhe drejtues i repartit të syve në QKUK) dhe Blend Fidaim Ejupi (mjek i ri, bursist i Universitetit) janë të gjithë produkt i kësaj shkolle dhe këtij mësuesi.
Edhe brezat e viteve 2018–2022 kanë ndjekur këtë rrugë suksesi, duke realizuar rezultate kulminante në testime dhe provime pranimi.
Por, ajo që mbetet e hidhur është heshtja e institucioneve: me gjithë këto arritje, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës, nuk ka ofruar asnjëherë një shpërblim, një mirënjohje publike apo qoftë edhe një falënderim zyrtar për mësuesin që ka ngritur lart imazhin e arsimit në Kosovë.
Në një kohë kur arsimimi cilësor është më i nevojshëm se kurrë, figura si Fadil Haliti duhen vlerësuar, nderuar dhe bërë model i sistemit tonë arsimor.
Përjetësisht mirënjohës, z. Haliti!
ARIF EJUPI
Gjenevë, 11 qershor 2025