11.5 C
Tirana
E premte, 21 Shkurt 2025
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

KUR DJALLI NGRE MESHȄ, BESIMTARȄT DUHET TȄ IKIN…

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

OPINION

Nga Llesh NDOJ

Ndoshta kurrë s’do të isha ulur t’i shkruaja këta rreshta, duke konsumuar kohë e hapësirë për punë më të vlefshme, në se Sali Berisha, tashmë me një jetë biologjike gati tetëdhjetëvjeçare e një jetëgjatësi politike, jo dosido por në majat e saj prej tridhjetë e pesë vitesh, nuk do të rishfaqej para nesh si “i virgjër” e të kërkonte sërish votën e besimin tonë, duke pretenduar as më pak e as më shumë se ai është zgjedhja e vetme e zgjidhja e “fjalëkryqit” tonë të tranzicionit të stërzgjatur.

Nuk do ta kisha bërë këtë gjë në se varrmihësi më i madh i shtetit shqiptar në të gjithë historinë e tij, nuk do të paraqitej papritmas si i vetmi “mjeshtër” i ngritjes e i forcimit të këtij shteti të brishtë me parullën e kopjuar keq: “Make Albania great again” (nuk di kur ka qenë ndonjëherë e Madhe Shqipëria!), në se personi që e çoi në buzë të greminës ekzistencën e vetë popullit shqiptar vetëm për egon e tij personale, nuk do të paraqitej sot si shpresa e madhe e tij, në se personi i dëshmuar si vrasës politik, nuk do të lotonte sot me lotë krikodili për të drejtat e shqiptarëve, në se varrmihësi i drejtësisë nuk do të paraqitej para nesh si mbrojtësi më i madh i shtetit ligjorë, në se populli ynë, si vllezërit e mij votues, nuk e kanë të dëshmuar kujtesën e shkurtër e nuk janë të gatshëm “ta djegin jorganin për një plesht”, në se…

Rrjeshti i arësyeve pse shtyhem të shkruaj është i pa fund, por të gjitha këto përmblidhen vetëm në një sentencë: vetë djalli ka veshur petkun e meshtarit e po predikon si shejt në altar, e unë nuk mund ta dëgjoj e besoj “meshën” e tij, as nuk mund të bëj sikur nuk e dëgjoj atë se, përdreq ai edhe bërtet shumë dhe e shoqërojnë shumë altoporlantë në të gjitha mediat, për të cilat ankohet se janë kapur nga pushteti i Ramës.

Besoj se edhe kam të drejtë t’a bëj këtë, meqë jam njëri nga ata që i kam jetuar bëmat e tij duke qenë në moshë madhore, jam mjaftueshëm i arsimuar e me përvojë jetësore për të dalluar të bardhën nga e zeza, e se si intelektual e ndjej për detyrë t’a them të vërtetën e shkoqur, pa skërmitje dhëmbësh e pa përdredhje si çimçakiz nëpër gojë, për këdo që i errësohen sytë nga fakti se jeta jonë e përditshme ka akoma probleme, jo vetëm ekonomike, se punët nuk shkojnë ashtu siç do të donim ne, se korrupsioni e papërgjegjshmëria qeveritare janë akoma asgjesuese e se sytë na i zë shpesh paaftësia, arroganca dhe korrupsioni gjenerik i administrates së shtetit dhe mungesa e demokracisë në çdo fushë.

Si të gjithë të tjerët, edhe unë prej shumë kohësh po e kërkoj një alternativë më të mirë, e për këtë kam bërë tash 20 vite hapa pas duke e braktisur partitizmin e besimin qorrazi ndaj dikujt vetëm sepse ai mban si stoli logon e partisë që unë e kam dashur e mbështetur, e nuk do të hezitoja aspak t’ia jepja votën, pavarësisht logos që mban, kujtdo, mjafton që ai të rindez shpresën në mua…

Fatkeqësisht, loja politike tek ne vazhdon të luhet “detyrim – përcaktim”, si një tango dyshe e mirëorkestruar, në margjinat e një pseudodemokracie, ku laj e thaj, PD e PS, mbeten alternativat e vetme të pushtetit, me ose pa paterica shtesë, prandaj edhe çeshtja shtrohet: duam të ecim përpara, qoftë edhe me hapin e breshkës, apo duhet të bëjmë mbrapsht zgafellave të ekzistencës?

Dy partitë kryesore politike, PD – ja dhe PS – ja, që të dyja janë këlyshë të së njejtës “bushtër”, ish Partia e Punës e Shqipërisë, janë binjake kohore e kanë plot ngjashmëri mes veti, por Partia Socialiste, falë mendjeve të urta socialdemokrate brenda saj, falë faktit se u distancua me guxim nga ish-udhëheqësi komunist e nga e kaluara, por edhe nga lideri historik Fatos Nano, ka bërë hapa të rëndësishëm reformues brenda vetes, nuk ka kriza identeti as luftë brezash (natyrisht që nuk mund të mos ketë luftë bërrylash!), ka koncepte të qarta shtetformuese dhe është treguar reformatore në të gjithë aktivitetin e saj politik e qeverisës, ndryshe nga Partia Demokratike e mbetur thjesht fantazmë e besnikërisë ndaj liderit historik, pa nuhatje qeverisëse e shtetformuese, inatçore politike dhe pa identitet ideo – programorë.

Edhe pas tridhjetë e pesë viteve, antikomunizmi apo lufta me mullinjtë e erës, mbetet kauza e saj, njëlloj si në nëntëdhjetë e dyshin kur vrapoi t’i heq patkonjtë kalit të ngordhur komunist, të cilët në vend që t’i flakte në theqafje të përhershne, i veshi dhe i mban për vete si një trofe të çmuar a si një hajmali ekzistence. Faktet janë dhe mbeten kokëforta:

Partinë Demokratike e shtiu në dorë për t’mos e lëshuar me asnjë çmim, njëri nga ish-komunistët më fanatik, sekretari më jetëgjatë e më sektar i një prej organizatave të ish-partisë së punës, që pushtetin e donte dhe e përdori gjithnjë si një triumf për të eleminuar kundërshtarët, jo si mjet për të qeverisur e çuar punët përpara. Ish-kolegë e ish-studentë të tij, ia njohin bëmat atij që nga froni ku s’mundeshe kurrsesi të ngjiteshe e ta mbaje aq gjatë pa “merita të veçanta” e besnikëri ekstreme ndaj partisë dhe udhëheqjes së kohës. Ne e dimë krejt se sa e vështirë ishte të çaje “rrethimin gjirokastrit” të asaj kohe për t’u bërë pedagog e sekretar partie, sado të mësoje e të ndiqje shkencën për një tropojanë, mirditorë, dibranë apo kuksianë.

Patjetër Saliu ka patur (edhe ka) aftësi të spikatura në shkencën mjekësore e në fushën intelektuale, por pa “aftësi të posaçme” shërbyese, besnikërie e përulje pa kusht ndaj kupolës, pa një dorë të fuqishme e të padukshme shtytëse, as nuk bëheshe pedagog, as nuk bëheshe sekretar partie, as nuk bëheshe mjek i Klinikës Speciale ku trajtohej udhëheqja e lartë komuniste e ku s’mund të depërtonte askush që s’ishte më i kuq se vetë e kuqja e kohës. Saliu nuk e vuajti aspak socializmin as si e sa ne të tjerët, të zakonshmit, komunista ose jo, përkundrazi, mori gjithë privilegjet e tij, ndaj s’mund ta luftonte atë përveçse, me metoda të kamufluara si anti, t’i zgjaste atij edhe më tej jetën në agoni.

Erdhi në krye të Lëvizjes Studentore jo si shpirt demokrat, pasi e dashuronte me shpirt komunizmin, por si përzgjedhje e nomenklaturës dhe, gojët e liga flasin e s’pushojnë, edhe si përzgjedhje e shërbimeve të fshehta sekrete shqiptare ose jo. Si i tillë ai s’mund t’i mallkonte etërit ideologjik asnjëherë me shpirt, pëveçse si hipokrizi për të fituar besimin e turmave anti, s’mund t’i përmbyste për t’mos u ringjallur më kurrë, veçse të bënte sikur po i dënonte për kafe, për t’i ringjallur brenda vetes në të gjithë aktivitetin e tij politik. Ai mbeti admirues i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë dhe, duke ndjekur metoda komuniste në krye te PD – s e të shtetit shqiptar, i amnistoi ata.

Nuk ndodhi kështu me socialistët. Ata, me guximin e urtësinë e Dritero Agollit, u distancuan prerë nga Enver Hoxha e Ramiz Alia, me liberalizmin e Nanos injektuan në trupin e partisë së vjetër elementet e socialdemokracisë moderne evropiane, e me vizionin e krisur të Ramës, pikturuan një tabllo krejt tjetër, duke e shndërruar atë me guxim në një parti elektorale moderne të një shoqërie demokratike, duke e ndarë dukshëm (ndonëse jo përfundimisht) nga funksioni i parties – shtet. Partia Demokratike nuk hodhi dot asnjë hap reformues. Saliu eleminoi dhunshëm e nën shembullin e etërve ideologjik çdo kundërshtar brenda partisë, duke i degdisur ata, apo eleminuar edhe fizikisht, dhe gjithë forca e saj qëndronte e qëndron tek Njëshi.

Pyetja aktualisht shtrohet: A mundet që kjo forcë autoritare dhe e pareformuar e një tetëdhjetëvjeçari dogmatik të kthehet në forcë inspiruese dhe zhvilluese demokratike e shoqërisë tonë? Zot na ruaj nga shpresa të tilla të bjerruna, siç e ka tipizuar para shumë vitesh një shkrimtar e intelektual i njohur i joni. Në pushtet Sali Berisha imitoi gjithshka të keqe të komunistëve pararendës, veçse tashmë nën zhurmën shurdhuese të antikomunizmit.

Pronën e popullit, ua dha militantëve të partisë, besnikët i shpërbleu me karrige pushteti si në vitin 1946 – të, shtetin e bëri shërbëtor të partisë e popullin turmë që s’meritonte asgjë, kundërshtarët i futi në burg e lakejt ish – komunist i bëri këshilltarët e vet kryesor. S’kishte kaluar as një vit pushtet kur ai e burgosi egërsisht e paligjësisht Fatos Nanon, drejtuesin vizionar të opozitës së kohës, vetëm sepse populli për 6 muaj ia “pa shpatullën” Saliut e Partisë Demokratike dhe e ndryshoi kursin, duke votuar socialistët për në pushtetin lokal.

Ai, në krye të gjithë institucioneve të shtetit, si një monark absolut, eleminoi shpejt edhe çdo maskë demokratike, kur e pa se nuk po arrinte të miratonte “Kushtetutën e Mbretërimit” të tij në vitin 1994, dhunoi e përgjaku zgjedhjet e vitit 1996 më ashpër se kishte bërë Partia Komuniste dhe Enver Hoxha, idoli i tij në vitin 1946, plot pesëdhjetë vite më përpara. Në ato zgjedhje, Sali Berisha, njejtë me paraardhësit komunist, ideologjinë e praktikën e të cilëve e adhuronte dhe e zbatonte në mënyrën më fanatike të mundshme, tashmë nën maskën e antikomunistit, vuri në jetë parullën e njohur staliniane: “S’ka rëndësi kush e si voton, rëndësi ka kush e si numëron”.

Komisionerët e PD – s, në pozicionin e kryetarit ose zv/kryetarit të QV – ve, ishin të armatosur me armë zjarri e me urrejtje patologjike ndaj kundërshtarit, të vendosur për fitore me çdo kusht, fitore që do të rezultonte si ajo e Pirros. Fati e zgjuarsia e socialistëve e shmangën gjakderdhjen masive e i qorrën makën Saliut e pushtetit të tij, përmes veprimeve të zgjuara e ndërkombëtarizimit të çështjes. Vetë Saliu dhe organet e SHIK – ut (më të egër se ish – Sigurimi komunist i Shtetit) udhëhoqi përgjakjen e opozitës në sheshin “Skënderbej” me datën 28 maj të vitit 1996, duke mos i lënë vend asnjë dyshimi se i përkiste dhe mbronte me fanatizëm ideologjinë komuniste e metodat e tij autoritare – diktatoriale në qeverisje.

I tmerruar nga ngjarjet vijuese e nga humbja e popullaritetit brenda e jashtë vendit dhe me synmimin për t’ua mbush mendjen shqiptarëve se po bënte realitet ëndërrën e tyre e premtimin e tij fillestar se nën udhëheqjen e PD – s do të “ushqeheshin me lugë floriri”, Sali Berisha lejoi dhe stimuloi firmat piramidale, me sloganin e njohur: “Paratë e shqiptarëve janë paratë më të ndershme në botë” dhe kur populli u ngrit kundër tyre e rrënimit ekonomik që i pasoi ato, nxori nga sirtarët e presidencës ku qeveriste si monark, termin “rebelim komunist”, si pararendje e veprimeve të mëtejshme që çuan në hapjen e depove të armatimit, mobilizoi, për herë të parë shtetërisht, Veriun kundër Jugut, duke rrezikuar seriozisht ekzistencën dhe unitetin tonë si popull.

U vranë shumë djem nënash, e u shkrumbua i gjithë vendi. Ndërkombëtarët zbritën këtu, për herë të parë në histori, me misione paqëruajtëse. Në mes të terrorit që mbisundonte kudo e zyrtarisht në situatën e gjendjes së jashtëzakonshme që e shpalli për t’i patur duart e lira të vepronte sipas botëkuptimit të vet komunist e tekave të një monarku që s’mund të shihte “grigjën” e tij të rebelohej për asnjë shkak, ai u vetdekorua në mes duartrokitjeve e thirrjeve frenetike të deputetëve, mbështetësve e shikasve të kohës, edhe me një mandat të dytë presidencial, nderkohë që ushtrinë e vuri nën komandën e sherbimit sekret dhe e nisi drejt Jugut ku u vranë, u dogjën të gjallë e u masakruan shumë djem nënash.

Vendit, pas kësaj mënxyre diktatoriale, iu deshën më shumë se pesë vite për të riparuar imazhin e vrarë dhe tharë sadopak plagët e asaj lufte pa kundërshtar, veç egos mbretërore të Sali Berishës që ndezi flakët e një lufte të vërtetë civile. Kaq do ishte mjaftueshëm për t’a hedhur atë përgjithmonë në koshin e historisë, por përgjumja e socialistëve që e konsideruan si një të shkuar, dhe makiazhi i ndryshimit që ia rekomanduan të tjerët, falë edhe skizmës së parë e të vetme serioze të së majtës, e risollën atë në pushtet në vitin 2005. Ishte i njëjti Sali, me të njëjtat mendësi prej patriarku e vrasësi të çdo gjëje që “s’ishte e bahçes” së tij, por tashmë i këshilluar nga të bijtë e i ndërgjegjësuar se pushteti s’mund të jetë i përhershëm, ai rierdhi edhe me mendësinë e pasurimit të shpejtë.

Kjo mendësi, apo babëzi, solli marsin e përgjakur 2009, janarin vrastar të 2011 – tës, flakjen e çdo maske demokratike edhe formale e nënshtrimin prej tij të çdo hallke të pushtetit. Mungonte vetëm formalisht shpallja e mbretërisë shqiptare për herë të dytë dhe e Saliut monark fuqiplotë. Hajdari, Pashko, Haklajt, Remzi Hoxha e shumë të tjerë u vranë mizorisht prej regjimit e për egon e tij, ndërsa të tjerë si Selami, Basha e ndonjë tjetër u flakën si të padëshiruar për “kopshtin e tij”, por nuk patën të njejtin fat, falë edhe “parrezikshmërisë” së tyre.

Asgjë nga këto nuk është fantazi e imja, por vjen tek ju si një “udhëtim” i shkurtër kronologjik, vetëm majave të bëmave të pushtetit absolut, të korruptuar e gjakatar të Sali Berishës. Ngjarjet e mëvonshme e rishfaqën edhe më të plotë karakterin e tij prej monarku. Ai nuk e kurseu as pjellën e vet Partinë Demokratike, të cilën e shkallmoi edhe me sulme fizike, përveçse verbale, për të rikthyer ëndërrën e nusërimit për herë të tretë.

Nuk la gjë pa bërë, nuk la njeri pa anatemuar, pështyurë e lepirë mbi çdo princip demokratik e njerëzor, për t’u rishfaqur si Shpresa e Madhe e shqiptarëve, në fund të këtij çerekshekulli të parë të shekullit XXI – të. Një vrasës i dëshmuar, që me shumë krenari deklaron se do t’a ribënte të njejtin veprim sa herë t’i paraqitej situata, një dhunues i sistemit të drejtësisë që edhe sot e komandon atë përmes fijeve të padukshme e bashkëpunëtorëve të tij të fshehtë, një njeri që s’njeh asnjë institucion demokratik shtetëror veç urdhërit të njëshit e shndërrimit të tyre në lecka për të pastruar udhën e mbretërimit të vet, s’mund të jetë e nesërme, për më tepër asnjëherë shpresë!

Në se Shpresa ka këtë emër e këtë fytyrë, të njejtën e tridhjetë e pesë viteve pluralizëm, me më shumë dështime serioze se sa arritje qenësore, me të njejtin ekip e të njejtën mendësi të pareformuar e pa asnjë ndryshim, më mirë mos ardht kurrë! Sali Berisha e Partia Demokratike kurrë nuk kaluan në filtrat e “purgatorit”, nga ku mund të pastroheshin prej mëkateve, duke flakur në Ferr mëkatarët e duke shpresuar rikthimin e shejtnueshëm të të tjerëve nga Parajsa.

Por Sali Berisha, për t’i dhënë hakun e për të qenë i ndershëm deri në fund me të, e ka një aleat. E ky s’është as Trump – i, as programi, as përvoja e tij e dëshmuar shtetvarrosëse. Është vetëm “berishizmi”, imazhet e të cilit pasqyrohen fatkeqësisht edhe tek Kryeministri aktual, por që tek ky i fundit, si një gjë e kopjuar, për njëmijë e një arësye objektive dhe subjektive, nuk mund të sjellë dëmet e bëmat, që sjell kur ai bartet prej origjinalit të fuqizuar me pushtet, e të armatosur me urrejtje patologjike ndaj gjithçkaje që s’mban markën e tij…

Lezhë, më 16 shkurt 2025

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit