Të gjithë kemi lindur për të shkëlqyer, në një mënyrë ose në një tjetër, por disa njerëz dallohen duke ndriçuar çdo person që takojnë gjatë rrugëtimit të tyre.
Me këtë mendim më pëlqen ta nis këtë shkrim mbi jetën dhe veprimtarinë e një miku të madh dhe dashamirës të popullit shqiptar. Quhet Beniamino Zanardini, i lindur më 15.07.1947 në Borgosatollo (Brescia).
Gjatë gjithë jetës së tij, ai është angazhuar me bujari në fushën e vullnetarizmit dhe në shërbim të Kishës vendore, por në gusht të vitit 1993 ndodh një kthesë e madhe për të: vjen për herë të parë në Tokën e Shqiponjave (Shqipëri) si vullnetar, bashkë me famullitarin e Manerbios, don Cesare Verzini.
Destinacioni i parë është Qendra Baritore e fshatit Gomsiqe Jakaj (Dioqeza e Sapës) dhe qëndron në shtëpinë e Motrave Ravasco në Shkodër, ku ishin Motër Anna Maria Fusco dhe Motër Carmina Schieda (kjo e fundit vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë misionare në të njëjtën tokë të Shqipërisë).
Që atëherë, miku ynë Beniamino, i shoqëruar nga vullnetarë të tjerë ose edhe i vetëm, ka ardhur për të dhënë shërbimin e tij mes nesh pothuajse gjithmonë dy herë në vit.
Duke mbledhur ndihma bujare në famullinë e tij të origjinës Santa Maria Annunciata di Borgosatollo, dhe duke kontribuar edhe me shpenzime personale, ai ka ndihmuar në ndërtimin e Kishës së Shën Mëhillit në Gomsiqe të Pukës (nga viti 1999 deri më 2002).
Beniamino nuk paraqitej asnjëherë si një bamirës, por si një njeri i thjeshtë dhe i përkushtuar, duke u bërë një me të varfrit e vendit tonë dhe duke kërkuar, me ndihmën e motrës Carmina, më të fundmit, të përjashtuarit dhe vëllezërit më të varfër e më nevojtarë.
Ai nuk të jep kurrë përshtypjen se ka ardhur për të sjellë ndihma apo dhurata të ndryshme, por të jep ndjesinë e miqësisë, të vëllazërisë, të ngrohtësisë njerëzore që ai di ta dhurojë në një mënyrë kaq origjinale, sa të lë një kënaqësi të këndshme në shpirt dhe një gëzim për të jetuar.
Është e lehtë të përshkruash Beniaminon me pak fjalë: një burrë i gjatë dhe i dobët, që nuk bën tjetër veçse lutet dhe viziton të varfrit për t’u dhënë pak ngushëllim. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, ai gjithmonë na bën të njohim emra dhe fytyra të reja të të sëmurëve të rëndë, të njerëzve të dëshpëruar nga problemet ekonomike dhe sociale, të të burgosurve.
Përveç ndërtimit të Kishës në Gomsiqe, ai ka ndihmuar edhe për Katedralen e Prishtinës në Kosovë, për maternitetin në Qelëz (Pukë), për Shtëpinë e Bamirësisë në Laç Vau i Dejës dhe për komunitetin e motrave të Nënë Terezës së Kalkutës që janë misionare në Shqipëri.
Ndihem me fat, sepse kam pasur hirin ta shoqëroj shumë herë Beniaminon gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, për t’i shërbyer si përkthyes, dhe mund të them me siguri se ka qenë një nga përvojat më pasuruese dhe më magjepsëse të jetës sime. Mund të them se ai është një pionier i vërtetë i vullnetarizmit në tokën shqiptare pas rënies së regjimit komunist.
Kam dëgjuar të thuhet se retë e zeza kthehen në lule kur i puth drita. Ashtu edhe miku dhe vëllai ynë Beniamino, me thjeshtësinë e tij, me praninë e tij të vazhdueshme, është bërë një dorë ngushëlluese për shumë shqiptarë të lodhur e të rraskapitur, duke sjellë sërish buzëqeshjen në fytyrat e tyre të dëshpëruara.
Edhe një herë realizohet profecia e Jeremisë profet:
“Zinë e tyre në galdim do ta kthej, do t’i ngushëlloj e do t’i gëzoj pas vuajtjes” (Jeremia 31, 13).
Beniamino, jo vetëm që ka ndihmuar këtu në Shqipëri shumë familje, por, sidomos në vitet e para pas rënies së regjimit, ka pritur në shtëpinë e tij shumë të rinj emigrantë shqiptarë, duke i ndihmuar të integrohen në Itali.
Më në fund, nuk mund të mos përmendim faktin që Komuna e Lufit (Pukë), në vitin 2006, përmes Kryetarit Rrok Dodaj, i ka dhënë Beniamino Zanardinit titullin “Qytetar Nderi” për veprat e tij bamirëse në vendin tonë.
Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, më 18.05.2025