Kaluan dy vjet nga ajo ditë e rëndë, kur në Nju Jork, larg vendlindjes, u nda nga jeta njeriu i sakrificës dhe shpirtmadhësisë, Shemsi Sylejman Zeneli.
Megjithatë, ai nuk u largua nga kujtimet tona. Figura e tij e ndritur si bamirës, si njeri me zemër të madhe e me dorë të shtrirë për këdo në nevojë, mbetet e paharruar.
Daja im, Shemsiu, jo vetëm që ishte një familjar i përkushtuar dhe një mik besnik, por ishte edhe një burrë i guximshëm që nuk ngurroi kurrë të ndihmonte ata që kishin nevojë, edhe në kohët më të vështira.
Në dyvjetorin e ndarjes së tij, nga jeta kujtoj me mall e dhembje çastet e shumta që kalova me të, duke ndjerë përkujdesjen e tij si një prind i dytë për mua. Që nga vitet e studimeve, kur më trajtonte si fëmijët e tij, e deri në momentet kur guximi i tij i pashoq më shpëtoi nga ndjekjet dhe persekutimi i regjimit serb. Ai tregoi se ishte më shumë se një familjar, ishte një mbrojtës, një mbështetje dhe një frymëzim imi.
Shtëpia e tij, gjithmonë e hapur për të gjithë, mbetet simbol i bujarisë dhe dashurisë pa kushte. E, gjithë jeta e tij ishte një akt bamirësie e përkushtimi, një trashëgimi që vazhdon të jetojë përmes kujtimeve tona dhe mirënjohjes së atyre që u përkrahen nga zemra e tij e madhe dhe bujare.
Sot, në këtë ditë përkujtimi, lotët nuk ndalen, por bashkë me ta vijnë edhe lutjet për shpirtin e tij. Lutemi që ai të prehet i qetë në dheun e Prishtinës, të cilin e deshi aq shumë.
Momentet me dajën jam duke i kujtuar me dhimbje të pashpjegueshme dhe me lot. Ai do të mbetet në kujtesën time të përhershme deri në bashkimin me të!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për dajën tim të dashur, Shemsi Zeneli!
ARIF EJUPI
Gjenevë, 4 mars 2025