110-të vite Sulltanë Qafa
(Pjesë teatrore për fëmijë me dy pamje).
NGA KALOSH ҪLIKU
Personat:
XHA MAZLLËMI
NANË ZOJA
SULLTANË QAFA
DENI I VOGËL
MIKALJA I BRODIT
NIPI I MIKALES
ATË PYKËZIU
TRI FEREXHEZEZAT
KOMITË, dhe
FSHATARË
Koha e ngjarjes
Viti i kryengritjeve shqiptare. Koha kur Atdheun, e kishin pushtuar Okupatorët, dhe mundoheshin të mbanin rend dhe “paqe” në popullin shqiptarë. E këndej, shumë rebelë shqiptarë, duke mos u dorëzuar para zaptive pushtuese, dilnin kaçakë maleve. Njëkohësisht, në male, dilnin edhe komitët e armikut, që plaçkitnin popullin shqiptar, duke u vënë disa fshatrave shqiptar edhe zjarrin. Flakën…
Vendi i ngjarjes
Fshat i vogël me disa shtëpi të mbuluara me rrasa guri dhe kashtë. Thellë, diku në malësi mes maleve. Disa herë me radhë i plaçkitur dhe i djegur deri në themele nga zaptijet dhe komitat e atyre anëve. Po, kurrë nuk ka qenë i nënshtruar, kurrë nuk i ka dorëzuar armët…
Burimet e autorit
Rrëfimet e Babait… Odat e burrave… Pleqtë e katundit… Këngëtarët popullorë…
PAMJA E PARË
SKENA: Dhomë e varfër katundi me dy dritare me hekura. Afër oxhakut, shihet edhe një dollap. Pak më tutje shtrati i mbuluar me një zhakë. Në mur, është varur sofra dhe një luganik. E, në mes të dhomës katër-pesë shkama me nga tri këmbë. Në njërin, është ulur Nanë Zoja me një furkë leshi në brez. Ndërsa, mbi shtrat shihet Xha Mazllëmi, duke fshirë mauzerrin. Papritmas, hapet dera dhe në skenë hyjnë, duke vallëzuar e duke kënduar, Tri Ferexhezezat:
TRI FEREXHEZEZAT
Dita erret – zihet dielli
Nata griset – vrahet qielli.
Hëna skuqet – bie ylli
Ujku del – gjëmon pylli.
Zogkeqi këndon – qan terri
Qentë lehin – leh mauzerri.
XHA MAZLLËMI
(Mauzerrin e mbush me fishekë
dhe shtie në Tri Ferexhezezat):
Derën ua zura, dilni nga oxhaku
Gishtin e ka ende grerëzë plaku.
E vret shenjën përtej malit
Armët kurrë s’ia dorëzoi Krajlit.
NANË ZOJA
Burrë, ç’të gjeti, pse hape zjarr
Mos shkele xhindet, u bëre i marrë?!
XHA MAZLLËMI
Jo, oj grua, qenë Tri Ferexhezezat
E zakon s’e kemi t’i heqim brezat.
T’ua hapim derën, t’i presim n’votër
Bukë t’u vëmë, t’i ulim në sofër.
NANË ZOJA
O njeri, s’e di, ka qenë Vdekja
Maleve është ngjitur nga etja.
Burimin të na e shterojë këtë pranverë
Shtëpisë sonë, i ka trokitur në derë.
Magjen ta djegë, t’i zbrazë hambarët
Pemët t’i shkulë, që i mbollën t’parët.
XHA MAZLLËMI
Vetëm mbi mua e shkelin Qafën
Ndryshe plaku s’e hudh armën.
Po krah për krahu me shokë
Të gjithë do të vdesim për këtë tokë.
SULLTANË QAFA
(Hyn në dhomë me kusi në dorë):
Date, edhe mua më ke në çetë
Diellin ta çlirojmë nga retë.
Arave tona prapë të rritet gruri
Kullë më kullë të valojë flamuri.
XHA MAZLLËMI
Të lumtë, bijë, qëndro si trime
Maleve tona rrjedhin burime.
Gur më gurë, seç ecin përronit
Zogjtë t’ia thonë në degë të ftonit.
SULLTANË QAFA
Rrugë tjetër s’kemi, ia dimë hujin
Derës, tash po shkoj t’ia vë shulin.
Natën ta kalojmë, s’na duhet kumbara
Se, mua më presin dhentë, ty Babi ara…
(E hap derën dhe delë nga dhoma).
Errësira, rrëzohet në skenë.
PAMJA E DYTË
SKENA: Po ajo e para (fillimit). Vetëmse, kësaj radhe:
është shtruar sofra dhe janë ulur anëtarët e familjes
të hanë drekë.
DENI I VOGËL
Groshë nuk, tambëlsheqer nuk
Çaj mali, nuk. Nuk dua bukë…
NANË ZOJA
Atëherë çka do, o lum djali
Qengjat të presin te mali.
DENI VOGËL
Babit thuaj t’ma jap pak pushkën
Atëherë unë do ta sulmoj bukën!
XHA MAZLLËMI
Mirë, o bir, sa ta hamë drekën
Babi ty do të ta jap mauzerkën.
MIKALJA I BRODIT
(E shqelmon derën, dhe me gjithë komita
futet brenda me armë në dorë):
Duart lart, jam Mikale Kapidani
Mazllëm, duarlidhur të pret zandani!
Mjaft këtyre maleve jetove i lirë
Nipo, vrik lidhja duart me zingjirë!
NIPI I MIKALES
(Duke nxjerrë nga xhepi një zingjirë):
Duart shtrij këtu, ore kryengritës
Zaptijet, që i vret në pikë të ditës!
Ec para, pa e kthyer kokën
Se, ndryshe e puthe tokën!
SULLTANË QAFA
(Tinëz afrohet pas derës, i merr gërshanët e dhenëve dhe,
te shkallët, ia ngul në gjoks Nipit të Mikales):
Qëndro Date, mos u lidh i gjallë
Se, bija jote bën nam në shkallë!
MIKALJA I BRODIT
(Kur e sheh të nipin duke u rrokullisur teposhtë
shkallëve, u bërtet komitave):
Shokë, mos e lini të ikë cucën
Pushkë shtini, o zërjani udhën!
SULLTANË QAFA
(Duke ikur me gërshërë në dorë, i vret
edhe gjashtë komitë):
Pritni aty, ore qenë të kapidanit
Zot, gjithmonë i kemi dalë vatanit.
MIKALJA I BRODIT
Ikni, shokë, se na shuajti Qafa
Gratë na rrethuan me gërshërë
Furka. Dhe, sopata!
Shtatë veta, na i vrau një grua
Pushka s’e zë, qenka drangua!
ATË PYKËZIU
(U del para komitave që t’i ndalë të mos ikin,
por të shtien në cucën para se të hyjë në dushk të malit):
Pushkën ma jep, o bir i pisave
Cuca, sa s’ka hyrë mes lisave!
(Ia rrëmben pushkën një komiti dhe shtie në cucën).
SULLTANË QAFA
(E qëlluar nga një plumb i Atë Pykëziut,
rrëzohet në tokë):
Oh, si më vrau qeni i Zotit
Motra, mos iu trembni barotit!
Po, krah për krahu me burrat
Për vatanin t’i skuqim gurrat!
(Kokën e lëshon përtoke, dhe vdes
me gërshërë të dhenëve në dorë).
XHA MAZLLËMI
(Hyn në skenë me fshatarë të armatosur deri në dhëmbë):
Qenë, kurrë s’na lidh Mikalja i Brodit
Armët hidhni, se u djegim n’flakë t’barotit!
Dhe, sa herë të doni t’i shuani zjarret
Gjithmonë, o do t’ju vrasin malet!…
Errësira, rrëzohet në skenë.
(Nga librat: Sorraku i Qytetit (1994), dhe Shtriga doli nga përralla ( 2019).